Interi bën mrekullinë, përmbys rezultatin

0

 

interiNë një ndeshje emocionuese arrin të tregojë forcën në fushë. Ky triumf vjen pas polemikave të shumta midis dyshes Kasano – Stramaçoni

 

Pas një kohe të gjatë të mbuluar me intriga Interi tregon forcën e tij në fushë. Kjo ndeshje rezultoi të ishte një tregim i forcës që ekipi zikaltër ka dhe që i jep një shtysë më shumë në tabelën e pikëve në kampionat. Interi erdhi në këtë ndeshje pas polemikave të shumta që janë shfaqur në korridoret e ekipit. Dy aktorët për të cilët u fol më shumë, janë Antonio Kasano dhe tekniku që është në krye të skuadrës, Stramaçoni. Në pamje të parë, gjërat midis lojtarit dhe trajnerit dukeshin në një harmoni të plotë. Kjo gjë dukej mjaft mirë edhe në festimet që Kasano kryente me Stramën, por edhe seancat stërvitore, kur ata dukeshin në një harmoni të plotë. Por dy ditët e fundit sollën trazirën e parë në klub. Arsyeja e këtij konflikti ishte mosaktivizimi i lojtarit italian në formacionin e parë. Lojtari, duke pasur parasysh edhe temperamentin e tij te nxehtë, shpërtheu dufin duke e nxjerrë mbi strategun italian. Mirëpo “eprori” iu përgjigj me të njëjtën monedhë, duke i dhënë format e një konflikti. Andrea Stramaçoni nuk e ka aktivizuar lojtarin është për arsye teknike të lojës dhe nuk ka aspak lidhje me inat personal ndaj Kasanos. Ndeshja me Katanian pritej që të ishte edhe një nga humnerat mbi të cilat do të binte skuadra. Madje, edhe kuotimet nga pikat e basteve për skuadrën zikaltër të jepnin përshtypjen e një fundi të hidhur për skuadrën e Moratit. Por ndeshja vërtetoi të kundërtën. Interi bëri kthesën. Pasi kaluan 45 minutat e para, u pa dobësia që skuadra po shfaqte ndaj vendasve të Katanias. Kështu që, vetë milanezët do të duhet që të futeshin në dhomat e zhveshjes nën shifrat zhgënjyese 2 me 0. Me një Kasano në shtëpi, Palasio në stol, jepte idenë e një Interi pa ide. Strama do ta niste nga minuta e parë me Rokin, i cili deri tani nuk ishte parë pothuajse farë në ndeshje, dhe Riki Alvarezin dhe me njeriun e derbit Skeloto. Një trekëndësh, i cili nuk ishte parë më parë në skema. Ndërkohë, mbrojtja do të duhej që të vuante nga mungesa e Ranokias, i cili ishte i skualifikuar, ndërsa mesfusha do të nisej me Garganon, Kuzmanoviçin dhe Guarinin. Rezultati ishte i thjeshtë. Një Inter pa grintë, i cili do të duhej që të vuante nga epërsia e Katanias. Vendasit me superioritetin e tyre do ta gjenin golin e parë të tyre që në minutën e 7-të. Gol ky i Bergesios falë pasës së dhuruar nga Juan Hezus. Loja për ta do të vazhdonte të luhej në tokë me manovra të shpejta. Lodi vazhdonte të zotëronte topat dhe orkestronte aksionet e sulmit, duke luftuar për çdo top të parë që vinte në mënyrë tepër agresive. Por çfarë ndodhte me lojtarët e Interit. Duhet thënë që vetëm shikonin dhe nuk po arrinin t’i përgjigjeshin tempit të lojës. Gargano dhe Kuzmanoviçi ishin gjithmonë me vonesë dhe nuk i shikoje asnjëherë që të ishin në zotërim të topit dhe që të lëviznin me të. Pasat në vija horizontale ishin të kota dhe nuk sillnin asnjë reagim, vetëm topa të vdekur. Një top i lehtë dhe i pakapshëm do ta vinte në vështirësi portierin e Katanias nga Kuzmanoviçi. Gjuajtja ishte e fortë, por që nuk kishte objektivin e saktë, ishte vetëm një top në dritë në mes të stuhisë. Kjo ishte e vetmja tentativë serioze e pjesës së parë nga ana e Interit që rrezikoi Katanian. Më pas në minutën e 19-të do të vinte dhe goli i dytë nga Markezi. Skeloto humbet mundësinë për ta kapur topin dhe këtë e shfrytëzon shumë mirë Markeze, i cili i pashqetësuar e zhyt topin brenda me kokë, duke e lënë Zanetin dhe Guarinin si spektatorë të fundosjes. Tekniku Strama futet në dhomat e zhveshjes, duke menduar për ngritjen, e cila dukej si një mision i pamundur. Për pjesën e dytë vendos që të hedh në lojë Stankoviçin për Kuzmanoviçin dhe Palasion për Rokin. Këto ndryshime duket se do të ringjallnin skuadrën zikaltër. Menjëherë në pjesën e dytë do të vinte. Me një aksion të shpejtë Palasio do të ecte në krahun e djathtë dhe duke dhënë një kors të cilin e shfrytëzon shumë mirë Riki Alvarez, i cili futet në qendër, shmang mbrojtësin e Katanias dhe gjuan me kokë, duke e çuar topin në rrjetë. Një veprim i mrekullueshëm i talentit, i cili e çon rezultatin në shifrat 2-1. Pas golit shihet një Inter më i gjallë, i cili vë nën presion skuadrën vendase. Guarini ndërkohë rrëzohet keq gjatë lojës, duke pësuar një dëmtim në kaviljen e majtë, por shtrëngon dhëmbët, pasi do të jetë afër skuadrës. Pereira shihet më i gjallë dhe lëviz më shumë, duke i dhënë më shumë topa skuadrës, duke i furnizuar me krosa. Më pas në të 60-ën do të vijë edhe goli tjetër. Autori i këtij aksioni nuk kishte si të ishte tjetër përveç argjentinasit Palasio. Kjo e çon ndeshjen në ekzaltim për Stramën dhe lojtarët të cilët tashmë janë të etur për sukses. Dhe vetëm dy minuta nga fundi do të vinte edhe fundi i anijes së Katanias. Heroi i golit do të ishte prapë Palasio, i cili do ta shtynte topin drejt rrjetës, që i jep tri pikët skuadrës së tij. Kjo ndeshje tregoi emocione dhe vërtetoi edhe një herë forcën që kishte ekipi i Moratit. Pas ndeshjes Andrea Stramaçoni ishte i emocionuar dhe falënderoi të gjithë lojtaret për ambicien e treguar. Ai deklaroi se kjo ishte një përmbysje e mrekullueshme.

 

 

Sheikët, ofertë “tronditëse” Arsenalit

 

Duket se edhe koha e Arsenalit erdhi. Një grup investitorësh nga Lindja e Mesme, Katari dhe Emiratet Arabe mund të prezantojnë një ofertë astronomike në ditët pasardhëse për marrjen në pronësi të ekipit të Arsenalit. Këtë e ka zbuluar e përditshmja “The Sun”. Shifra për të cilën flitet se do të jetë tratativa mbulon shifrën e 1.5 miliardë paundve britanikë. Në shifër përfshihet edhe rinovimi i studimit të “topçinjve”, e cila arrin në një shifër prej 250 milionë sterlina. Kjo shifër e paguar mund të jetë më e larta që është paguar për të blerë një klub. Madje, kjo ofertë kalon edhe ofertën e 790 milionë sterlinave, për të cilën është blerë skuadra e Mançester Junajtidit në vitin 2005 nga familja Glazer. Oferta e manjatëve arabë është në shifrat e 830 milionë eurove cash për presidentin aktual të Arsenalit, amerikanit Kroenke. Pas blerjes së ekipit pronarët do të jenë gati që të përforcojnë skuadrën dhe të shesin të gjitha biletat për të nisur rikonstruksionin e impiantit të Arsenalit. Akoma nuk ka ardhur një deklaratë zyrtare nga ana e Arsenalit për këto zhurma të krijuara. Por, duhet thënë që as nga ana e vetë presidentit nuk janë dhënë shenja të lënies pas dore të ekipit. Duhet thënë që “ganersat” vijnë pas disfatash të mëdha si në Premier Ligë dhe në Champions, ku pësuan disfatë në fushën e tyre. Është hedhur në këto ditë edhe ideja e largimit të Arsen Vengerit nga skuadra. Por kjo gjë është kundërshtuar nga ekipi, i cili i ka dhënë të gjithë besimin trajnerit. Nëse arabët arrijnë që të blejnë ekipin, do të shohim një Arsenal tjetër. Rruga ku do të drejtohet strategu francez, nuk do të jetë më vetëm te të rinjtë, por edhe te lojtarët e mëdhenj që bëjnë diferencën. Tifozët janë të ekzaltuar dhe mezi presin shpalljen e pronarëve të rinj.