Standard.al

I dyshuari në vrasje, u dënua për kanosjen e shitësit në Kashar

Elton Qyno

vrasjaNipi i Frrokut, Jak Jaku, kërcënoi shitësit për paketën e cigareve

Gjykata e dënoi me 8 muaj burg, nuk u arrestua nga policia

 

Nipi i biznesmenit Arben Frroku, Jak Jaku, nuk është i panjohur për drejtësinë shqiptare, pasi ai rezulton të jetë dënuar me 8 muaj burg për akuzën e kanosjes me armë. Ky dënim është marrë në vitin 2004, kur Jak Jaku së bashku me shtetasin Klodian Murati kanë kërcënuar me armë zjarri një shitës dyqani, i cili nuk pranoi t’i jepte një paketë me cigare. Fill pas kësaj mes tyre ka lindur një konflikt, ku njëri nga pronarët e dyqanit, Albert Shehi, ka qëlluar me pëllëmbë të pandehurin Klodian Murati. Pas kësaj gjakrat janë ndezur akoma edhe më tepër, duke bërë që Jaku dhe Murati të shkojnë në banesën e Jakut, ku dhe kanë marrë një armë zjarri dhe janë rikthyer sërish në vendngjarje. Sapo kanë shkuar afër dyqanit, Jak Jaku ka filluar të qëllojë në ajër, duke i kërcënuar dy vëllezërit se do t’i vriste, fill pas sherrit të bërë në ambientet e dyqanit. E gjithë ngjarja është regjistruar në dhjetorin e vitit 2003 rreth orës 23:00, ndërkohë që më pas Jaku dhe Murati janë larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Policia që ka shkuar në vendngjarje ka bërë sekuestrimin e gëzhojave, ndërkohë që pas marrjes në pyetje të dy vëllezërve arriti të bënte në atë kohë dhe identifikimin e autorëve të këtij krimi. Lidhur me këtë ngjarje Gjykata e Tiranës në vitin 2004 dënoi në mungesë me 8 muaj burg të pandehurin Jak Jaku, ndërkohë që bashkëpunëtorin e tij Klodian Murati e dënoi me 1 milion lekë gjobë.

Ngjarja në Kashar

Të pandehurit Jak Jaku dhe Klodian Murati janë banorë të fshatit Kashar, Tiranë. Më datën 9.12.2003, rreth orës 23:00, të dy të pandehurit kanë shkuar në dyqan, i cili ndodhet në banesën e shtetasit Albert Shehi për të blerë. Në momentin e vajtjes tek dyqani ky ka rezultuar i mbyllur dhe të dy të pandehurit kanë trokitur në portën e shtëpisë, duke thirrur shtetasin Enkeled Shehi. Si pasojë e të trokiturit tek porta ka dalë shtetasi Albert Shehi vëllai i Enkeledit dhe ka parë të pandehurin Klodian Murati dhe dy persona të tjerë përpara derës së dyqanit. Kur ka dalë i dëmtuari Albert Shehi i pandehuri Klodian i ka thënë atij të thërriste vëllain e tij Enkeledin pasi do të blinin një paketë cigare. Kështu Albert Shehi është futur në dhomën ku flinte vëllai Enkeledi dhe i ka thënë të dilte se jashtë e prisnin disa çuna që donin të blinin një paketë cigare dhe ky i fundit është ngritur dhe ka shkuar për të hapur dyqanin. Sapo është futur brenda, dy të pandehurit Jak Jaku dhe Klodian Murati kanë filluar të shanin dhe të fyenin. Shtetasi Alberti Shehi, vëllai i të dëmtuarit, ka dëgjuar të bërtitura dhe në moment ka hyrë në dyqan dhe ka parë që dy të pandehurit kanë filluar të shanin dhe të kanosnin edhe Albertin. Ndodhur përpara këtij fakti, ky i fundit ka qëlluar me shpullë të pandehurin Klodian Murati.

Jaku kërcënon me armë

Pas këtij momenti të dy të pandehurit kanë dalë nga dyqani, duke i sharë dhe kërcënuar në vazhdimësi të dëmtuarit. Pas kësaj situate të krijuar, të dy të pandehurit kanë vajtur në banesën e të pandehurit Jak Jaku,e cila ndodhej aty afër dhe kanë marrë një armë zjarri të cilën e mbante atë pa leje dhe i pandehuri Jak Jaku ka qëlluar në ajër duke sharë dhe kërcënuar se do ti vrisnin të dy vëllezërit Shehi. Po në të njëjtën mënyrë ka vepruar dhe i pandehuri Klodian Murati që ishte së bashku me të pandehurin Jak Jaku. Duke parë acarimin e menjëhershme të situatës shtetasi Albert Shehi ka njoftuar policinë dhe të dy të pandehurit janë larguar nga vendi i ngjarjes.

 

Vrasja e Lamajt

Ka qenë ora 16:20 kur kryekomisari Dritan Lamaj është qëlluar me breshëri automatiku në makinën e tij tip “Lancia”. Fillimisht, ish-shefi i komisariatit nr. 6 ka hapur derën e makinës dhe zvarrë ka arritur të dalë, duke i kërkuar ujë edhe njërit prej shitësve aty afër. Sapo ka mbërritur në Spitalin Ushtarak, kryekomisari ka gjetur vdekjen.

200 metra

Vetëm 200 metra larg banesës së tij që ndodhet në zonën e shkollës “Vasil Shanto” janë dëgjuar të shtënat e armës. Fillimisht të gjithë kalimtarët janë shtrirë në tokë, ndërkohë që shumë pak kanë qenë ata që i kanë parë siluetën makinës, prej nga vinin të shtënat. Pas krimit, në rrugë kanë dalë dhe familjarë të kryekomisarit Lamaj, të cilët kanë vënë kujën, pas pamjes makabre.

22 plagë në trup

Ky është konkluzioni i nxjerrë nga akti i ekspertimit mjekoligjor. Nga këqyrja e trupit të pajetë të Dritan Lamajt janë gjendur plot 22 plagë në trup dhe se të gjitha kanë qenë tejshpuese. Plumbat kanë hyrë dhe dalë, ndërkohë që pjesën më të madhe të predhave, kryekomisari e ka marrë në shpatull dhe krahun e majtë.

Arben Frroku

I vetmi person që është arrestuar në Greqi, dhe jo në Shqipëri për vrasjen e Dritan Lamaj, është biznesmeni Arben Frroku. Ky i fundit gjatë muajit shtator 2012 ka pasur përplasje me Lamajn, përplasje këto që kanë sjellë dyshime të forta tek prokuroria se Frroku së bashku me nipin e tij Jak Jaku, janë autorët e vrasjes së kryekomisarit.

 

Eugen Beci

Drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është ai që drejton hetimet rreth zbardhjes së vrasjes së ish-shefit të komisariatit në Kombinat. Beci njihet si prokurori që ka administruar shumë dosje të rënda, duke përfshirë atë të hetimit të kontrabandës së cigareve në Durrës dhe vrasjen e kreut të Partisë Demokratike në Kukës.

Kosta Beluri

Beluri është zv.drejtuesi i Krimeve të Rënda dhe se prej një jave është aktivizuar në hetimin e vrasjes së kryekomisarit Lamaj. Kosta Beluri, njihet si një nga prokurorët më të ftohtë për sa i përket hetimit të një dosjeje, duke arritur të sigurojë prova dhe të analizojë ato, deri tek personat që rezultojnë pjesëmarrës në krime.

Anton Martini

Prokurori Martini është ai që menaxhon të gjitha veprimet e hetimit në teren. Martini njihet si prokurori i bandave, pasi gjatë ushtrimit të detyrës së tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ka hetuar dhe gjykuar një sërë grupe kriminale si bandën e Durrësit, bandën e Cërrikut, bandën e Niklës dhe shumë grupe të tjera kriminale.

Bernard Çaushaj

Drejtori i Policisë së Tiranës është pjesë e grupit hetimor në vrasjen e kryekomisarit. Në të gjitha analizat hetimore që janë zhvilluar për këtë çështje, Çaushaj ka qenë pjesëmarrës. Drejtori ka pasur njohje të ngushta me Dritan Lamaj dhe se kushdo tjetër nuk mund të dijë më shumë se ai rreth kërcënimeve dhe rrezikut që kishte Lamaj

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Comments are closed.