Takimi Berisha – Thaçi Berisha: Do bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen 1 komb i bashkuar në BE

0
133

Florenc Drizari

brro thaciHashim Thaçi: Informova Kryeministrin Berisha se janë zhvilluar 5 takime me Beogradin. Kosova ka një qëllim dhe një vizion, integrimin në NATO, BE dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara në të ardhmen e afërt

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u prit një vizitë zyrtare në Tiranë nga kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha. Në fokus të diskutimeve mes dy liderëve ishte njohja respektive me ecurinë e zhvillimeve më të fundit të reformave nga të dy vendet. Një hapësirë të veçantë në diskutimet mes tyre zuri edhe dialogu i zhvilluar mes Kosovës dhe Serbisë. Për sa i përket bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në kuadër të integrimit, Kryeministri Berisha tha se është e rëndësishme që shqiptarët të ndihen të bashkuar në Evropë. “Unë e kam theksuar dhe e theksoj, ne jemi një komb, dy vende, dy administrata, ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të ndihen 1, kudo që janë, do të bëjmë gjithçka që të bashkohemi me Evropën. Ky proces i BE-së i jep një përgjigje të shkëlqyer problematikës, sikundër, ka një hapësirë shumë të madhe për të bërë tërësisht të parëndësishëm kufijtë”, – shpreh Kryeministri. Duke folur për takimin mes tij dhe z. Thaçi, Berisha u shpreh: “Patëm një diskutim të zgjeruar për zhvillimet më të rëndësishme në Kosovë dhe në Shqipëri, diskutuam gjerësisht dhe mbi procesin shumë të rëndësishëm të dialogut që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Brukselit, midis qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Republikës së Serbisë, dialog i cili del jashtë suazës së rëndësisë bilaterale, e cila është sigurisht e madhe, por ka dhe një rëndësi të madhe për të gjithë rajonin. Unë e informova Kryeministrin Thaçi për përpjekjet që po bëhen në Shqipëri për një proces zgjedhor, të lirë të ndershëm e dinjitoz për shqiptarët, vendosmërinë e qeverisë për të bërë gjithçka për një proces të civilizuar, të denjë, gjithashtu e njoha me reformat që po ndërmerr qeveria në mënyrë që të përballojë më tej, me sukses krizën dhe të garantojnë rritjen ekonomike dhe të punësimit të qytetarëve”.
Nga ana e tij, z. Thaçi deklaroi: “Gjatë këtij takimi e informova Kryeministrin Berisha për punën e institucioneve të Kosovës, në këtë periudhë të 5-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ku edhe sapo kemi përfunduar kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë. Sot, Kosova si shtet sovran është njohur prej afro 100 shteteve më të fuqishme botërore. Sot, Kosova po konsolidohet dhe forcohet gjithnjë e më tepër, po integrohet në të gjithë organizmat financiarë dhe ndërkombëtarë qoftë BB, FMN, si dhe me organizata të tjera rajonale. Kosova, pavarësia e saj, ka dërguar mesazhin më të mirë për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë për të gjithë rajonin”.
Ndërkaq, duke folur për vizat mes dy vendeve, kur Shqipëria është më afër Bashkimit Evropian, Kryeministri Berisha sqaroi se është një proces më i ndërlikuar në të cilin kërkohet përmbushja e disa standardeve nga Kosova në marrëveshje me BE-në. Sipas Berishës, qeveria shqiptare është e hapur për të ndihmuar në këtë drejtim. “Kjo do të zgjidhet me një marrëveshje të negociuar me qeverinë e Kosovës në një kohë të përshtatshme. Aktualisht, konsolidimi i pavarësisë së Kosovës është interesi kombëtar i shqiptarëve dhe nuk mund të mendohet që të bëhet një by-pass që këtej të negociohet me Brukselin për vizat dhe këtej të them: “Hajde se do t’jua zgjidh unë”. Kjo nuk mund të ndodhë. Ky është një proces, në të cilin qeveria e Kosovës është e angazhuar në mënyrën më serioze, është një proces certifikimi në të cilin paraqitet një listë prej 120 kërkesash dhe duhet të plotësohen. Dëshira ime është dhe duhet tu bëjmë thirrje që tua akordojmë sa më shpejt lëvizjen e lirë, por hapat të cilat ndërhyjnë në një proces, këto nuk mund të ndodhin nga Shqipëria”, – u shpreh Kryeministri Berisha.

 

 

Thaçi: Serbia është pajtuar me shpërbërjen e strukturave të saj në Kosovë

Në takimin që zhvilloi në Tiranë me Kryeministrin Berisha, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mësohet të ketë informuar homologun e tij për zhvillimet më të fundit të bisedimeve me Beogradin dhe për prioritetet për sa u përket reformave në fushën e integrimit në BE. Sipas tij, falë diskutimeve, Serbia ka rënë dakord për shpërbërjen e strukturave të saj paralele në Kosovë. “Mund të them se këto takime për normalizimin përfundimtar mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë janë në një frymë konstruktive dhe pozitive. Deri tani, siç e informova Kryeministrin Berisha, janë zhvilluar 5 takime. Kemi arritur disa pajtueshmëri verbale që presin në të ardhmen të zyrtarizohen. Ajo që është me shumë rëndësi, është se Serbia më në fund është pajtuar për shpërbërjen e plotë të gjitha strukturave ilegale të sigurisë dhe këtu përfshihen edhe mekanizmat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe në të njëjtën kohë edhe të inteligjencës serbe BIA dhe të mekanizmave të tjerë që i kanë të instaluar në terren dhe punojnë për destabilitetin e vazhdueshëm të asaj pjese të Kosovës dhe të gjithë Kosovës”, – u shpreh Hashim Thaçi.

 

Berisha: Kë ftoi në debat Rama?!

Gjatë takimit që Kryeministri Berisha zhvilloi një ditë më parë me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, ai foli edhe për deklaratat e zhvillimit të një debati politik të mundshëm mes tij dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Duke iu përgjigjur interesimit të mediave për këtë çështje, kreu i qeverisë ironizoi edhe ftesën e Ramës duke thënë: “Nuk e mora vesh, më ftoi mua në debat Edi Rama apo ftoi zëdhënësen time Laura Vorpsi?! Do ta diskutojmë me Laurën”. Ndërkaq, dy ditë më parë kryesocialisti Rama, i ftuar në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, foli për një takim rastësor jashtë vendit mes tij dhe zëdhënëses së PD-së, Laura Vorpsi. Në intervistën e tij në “Opinion”, Rama kritikoi komunikimin publik të mazhorancës dhe tha se zëdhënësja Vorpsi foli me vlerësime për të. Ndërkaq, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i znj. Vorpsi, e cila e quajti një takim rastësor dhe se respektoi bashkëshorten e tij, Lindën.

 

Imami: Belshi, së shpejti një destinacion i ri për turizëm

Gjatë një takimi që pati një ditë më parë me drejtuesit e pushtetit vendor të zonës së Dumresë në Qarkun e Elbasanit, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka kërkuar më shumë impenjim nga drejtuesit e njësive vendore dhe të gjithë aktorët e tjerë për sa i takon rritjes së treguesve të punës në drejtim të hartimit të strategjive për zhvillimin me ritmet e duhura të Belshit dhe jo vetëm. Ministri Arben Imami, pasi është njohur me problemet e trashëguara ndër vite të Dumresë, ka kërkuar në emër të qeverisë “Berisha”, që pushtetit vendor në të gjitha komunat dhe mbi të gjitha ai i Bashkisë së Belshit të bëjnë përpjekjet maksimale për të shmangur ndotjen që u është shkaktuar 82 liqeneve karstike, që shtrihen në këtë zonë. Imami ka sugjeruar që gjatë kësaj pranvere kurora e gjelbër dhe bregu i liqenit që shtrihet buzë Belshit të “çlirohet” njëherë e përgjithmonë nga ndërtimet e paligjshme.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency