Shtatzënia Akuza “mbyll” hetimet në Tiranë austriakët verifikojnë spitalin

0
192

Elton Qyno

florijeProkuroria dërgon letërporosinë në Austri. Pyetet edhe përkthyesja Lumnije Peci

 

Shtatzënia e mistershme e 22-vjeçares Florije Peci në klinikën spitalore të Austrisë ka detyruar Prokurorinë e Tiranës të dërgojë një letërporosi në adresë të autoriteteve austriake, duke u kërkuar këtyre të fundit të kryejnë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Së bashku me letërporosinë, janë dërguar në Austri edhe disa prej provave të administruara në dosje si EKO-t e bëra në maternitetin e Tiranës dhe Librazhdit, dëshminë e të dëmtuarës si dhe dy dëshmitë e tjera të vëllait dhe përkthyeses Lumnije Peci, e cila ka shoqëruar Florijen në spitalin ku ajo u trajtua nga ana shëndetësore, pas rënies në koma në aksidentin e rëndë të ndodhur në muajin maj në Himarë. Sipas burimeve të prokurorisë, tashmë të gjitha hetimet janë përqendruar në Austri dhe se në Shqipëri hetimi për momentin konsiderohet i mbyllur deri në ardhjen e përgjigjes së letërporosisë nga autoritetet austriake. Gjatë kësaj kohe, në Prokurorinë e Tiranës është marrë në pyetje Lumnije Peci, e cila ka treguar se e ka shoqëruar Florijen në spital dhe në banesën e saj, por që nuk ka vënë asnjë gjë të dyshimtë. Përkthyesja ka treguar me detaje të gjitha rregullat protokollare që ishin vendosur në ambientet e klinikës, duke treguar se edhe në dhomën e Florijes ka pasur kamera. Lumnije Peci ka dhënë shpjegime edhe për sa u përket seancave të rikuperimit pas zgjimit nga koma, duke shpjeguar se me Florijen kanë punuar së bashku një mjek dhe një mjeke. Përkthyesja ka hedhur poshtë mundësinë që studentja e Gjuhë-Letërsisë të jetë abuzuar në ambientet e spitalit, por në dëshminë e saj ajo ka pohuar se hetimet do të jenë ato që do zbardhin gjithçka rreth shtatzënisë së mistershme.

Administrimi i provave

Hetimi i nisur nga ana e Prokurorisë së Tiranës ka bërë që në spitalin e Librazhdit dhe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, të sekuestrohen disa nga kopjet e EKO-ve gjinekologjike, që pacientja Florije Peci ka bërë në dy spitalet respektive. Lidhur me këtë ngjarje janë marrë dhe deklarimet e mjekëve që kanë vizituar të aksidentuarën e Himarës, të cilët i kanë konfirmuar prokurorisë së Tiranës, se ngjizja e fetusit në mitrën e Florije Pecit është bërë rreth datës 20 deri 25 shtator të vitit të kaluar. Një gjë e tillë, sipas mjekëve qartësohet nga aparatet shkencore të EKO-s, të cilat janë projektuar për përcaktimin e kohës së ngjizjes së fetusit, peshës së tij në mitër, dhe detajeve të tjera. Pas sekuestrimit dhe administrimit të këtyre provave në dosje, prokuroria e Tiranës, tashmë i është drejtuar me një letërporosi autoriteteve austriake, duke i kërkuar këtyre të fundit të kryejnë hetime lidhur me rastin e përdhunimit të Florije Pecit, në ambientet e klinikës Neorologisches Therapiezentrum Gmundenerberg, në Almunster, në Austri. Burimet pranë prokurorisë thanë për gazetën “Standard” se nuk mund të kryejnë vetë ata hetime në Austri, kjo për shkak se nuk i lejohen nga legjislacioni. Nisur nga kjo situatë, zgjidhja e vetme ka qenë dërgimi i letërporosisë, ku në të është kërkuar marrja në pyetje e stafit drejtues të klinikës ku është kuruar Florije Peci, marrja në pyetje e tre anëtarëve të familjes Kosovare, ku ka qëndruar për disa ditë Florije Peci, si dhe disa detyra të tjera që do të shërbejnë për hetimin.

Pyetja e Florije Pecit

Megjithëse me një kujtesë jo të mirë, ku hera-herës i vjen dhe më pas i ikën, e dëmtuara Florije Peci është marrë në pyetje nga ana e prokurorisë së Tiranës. Burime pranë organit të akuzës thanë se pyetja e Pecit është bërë në praninë e një psikologeje, me qëllim lehtësimin e dhimbjes së saj dhe gjendjes së rënduar psikologjike, në të cilën ajo ndodhet që pas marrjes së lajmit të shtatzënisë misterioze. Anëtarët e hetimit që kanë marrë në dorë këtë çështje, kanë synuar të mësojnë të vërtetën e asaj që i ka ndodhur vetë Florije Pecit, por gjatë seancës së pyetjes kjo e fundit nuk ka qenë në gjendje të tregojë se çfarë ka ndodhur në trupin e saj. Dëshmia e saj, mund të orientonte prokurorinë që të shkonte shumë shpejt tek personi që kishte abuzuar seksualisht me të, por në pamundësi për të rikujtuar atë çfarë i ka ndodhur, Florija është shprehur para hetuesve se nuk mbante asnjë gjë mend.

 

 

Austriakët kërkojnë dëmshpërblim financiar

Kompania CEZ, dy padi në gjykatë

kundër Dollapit e institucionit ERE

Pas heqjes së licencës kompania austriake CEZ Shpërndarje i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me dy padi civile, duke paditur Entin Rregullator të Energjisë, për shfuqizim dhe ndryshim të vendimit për heqjen e licencës. Beteja ligjore mes dy institucioneve të energjisë, pritet të fillojë shumë shpejt, ndërkohë që shorti ka zgjedhur të gjykojë këtë çështje gjyqtaren Brunilda Kadi. Në objektin e padisë të paraqitur në sekretarinë e Gjykatës së Tiranës kompania CEZ, kundërshton vendosjen e administratorit të ri Sahit Dollapi, kërkon rikthimin e licencës si dhe kërkon një shumë financiare për dëmin e shkaktuar, ngë vendimet e një pas njëshme të ndërmarrë nga institucioni i ERE. Padia që do të gjykohet nga gjyqtarja Brunilda Kadi, sipas të dhënave ka dy pika për të shqyrtuar. Atë të kundërshtimit të vendimit të ERE-s për heqjen e licencës së shpërndarjes së energjisë elektrike dhe detyrimin e ERE-s për të kompensuar të gjitha dëmet, që kompania çeke ka pësuar nga heqja e kësaj licence. Ndërsa padia e dytë, që do të gjykohet nga gjyqtarja Ariana Caco, ka tre pika si objekt gjykimi. Konstatimin e pavlefshëm të vendimit të ERE-s për miratimin e rregullore për mbi procedurat e emërimit të administratorit të ri të shoqërisë CEZ. Kundërshtimin e emërimit të administratorit të përkohshëm Sahit Dollapi në krye të CEZ-it. Si dhe detyrimin e ERE-s me vendim gjykate të dëmshpërblej kompaninë çeke për të gjitha dëmet e shkaktuara nga këto vendime të paligjshme. Kompania CEZ në janar të vitit 2008 fitoi licencën për aktivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike me pakicë dhe shumicë.

 

Vrau tre persona, ekstradohet i dënuari me 21 vite burg

Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana dy ditë më parë ka bërë ekstradimin nga Athina drejt vendit tonë të shtetasit shqiptar Malken Muho, 34 vjeç, lindur në Berat. Ky shtetas ishte shpallur person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat, me vendimin nr. 54, datë 26 maj 2003, e ka dënuar me 21 vjet burg për “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga nenet 79 dhe 278/2 të Kodit Penal. I ekstraduari Malken Muho, me datë 27 korrik 1998, rreth orës 20:00, në lagjen “Kushtrimi”, Berat, në bashkëpunim me shtetasin Narbis Goxhi, ka vrarë shtetasit Englant Toska, Gem Arapi dhe Mustafa Ruhja, si dhe ka plagosur disa shtetas të tjerë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinën, më datën 04 tetor 2012, është bërë i mundur arrestimi i këtij shtetasi në Greqi, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë. Në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, ky shtetas i është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

 

Aksidenti, humb jetën zjarrfikësi në Elbasan

Një aksident me pasojë vdekjen e një personi ndodhi mbrëmjen e djeshme në rrugën Elbasan – ish-Kombinati Metalurgjik. Një mjet tip “Opel”, me targa EL 1974 C, me drejtues shtetasin Ilirjan Barja, është përplasur me motorin tip “Honda”, me targë EL 547 A. Si pasojë e përplasjes së fortë të dy mjeteve ka gjetur vdekjen drejtuesi i motorit, Gjergji Kristo, me profesion punonjës i stacionit të shërbimit zjarrfikës në Elbasan. Ndërkaq, policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, deri në zbardhjen e rrethanave të aksidentit të rëndë. Gjatë marrjes në pyetje drejtuesi i mjetit ka treguar me detaje rreth asaj që ka ndodhur ndërkohë që sipas policisë momentalisht atij i është ngritur akuza e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”. Mësohet se viktima kishte disa kohë që punonte si zjarrfikës në qytetin e Elbasanit dhe se në momentin e përplasjes ai po shkonte në banesën e tij.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency