Kriza politike në Itali dhe ca mësime prej saj

0

Artan FUGA

Loading...

f fuga        Javën e fundit në të gjitha mediat kryesore evropiane u dha lajmi dhe u debatua lidhur me rezultatin e zgjedhjeve në Itali. Pas shpalljes së tij, bursat ndien një lëkundje jo të vogël dhe ankthi i politikanëve të ndryshëm lidhur me stabilitetin e fuqisë së tretë ekonomike evropiane u rrit. Skenarë nga më të ndryshmit janë hedhur në qarkullim, si duke u bazuar në deklarata të politikanëve italianë, ashtu edhe në spekulime gazetarësh dhe analistësh politikë. Italia që dukej sikur kishte gjetur një lloj orientimi politik, qoftë edhe të përkohshëm, me kabinetin e Mario Montit, si edhe me politikat e tij të “shtrëngimit të rripit”, tani duket e hapur përpara të gjitha erërave të vështirësive financiare dhe ekonomike që fryjnë në botë.

Rezultati i zgjedhjeve politike të fundit në Itali tashmë dihet. Në kushtet e një krize të fortë ekonomike, të rënies së nivelit të fuqisë blerëse qytetare, të rritjes së papunësisë dhe një pesimizmi social në rritje, të mosbesimit te klasa politike dhe sidomos pas pakënaqësive lidhur me qeverisjen e dikurshme të Berluskonit, zgjedhjet politike nuk krijuan kushte për të dhënë një stabilitet politik vendit.

Partia e qendrës së majtë e Bersanit ndonëse arrin të kontrollojë relativisht dhomën e ulët nuk ka votat që të arrijë të njëjtin objektiv edhe në Senatin italian. Me pak fjalë, pa përsëritur lajme që tani dihen, e ka të pamundur e vetme qoftë të votojë ligje me shumica të cilësuara, qoftë të qeverisë sepse sipas kushtetutës italiane për këtë duhet edhe kontrolli prej saj i Senatit. Ajo nuk qeveris dot pa bërë aleancë ose me Berluskonin që ka qenë tabela e shënjestrës së saj prej vitesh, ose pa aleancë me lëvizjen qytetare virtuale të Grilos, me të cilën nuk ka asnjë pikë themeltare të përbashkët në objektivat politikë. Do të kishte qenë një aleancë amorale politikisht. Do ta dëmtonte rëndë në të ardhmen e afërt politike të saj.

Kështu, mund të thuhet se dalja drejt një gjendjeje stabiliteti politik është shumë e vështirë, pothuajse e pamundur, sepse lojërat politike për të krijuar shumica të qëndrueshme që të nxjerrin një qeveri me mbështetje koherente elektorale janë aq të vështira saqë edhe mund të duken të pamundura.

Mirëpo duhen ndarë dy koncepte të ndryshme. I pari ka të bëjë me pyeten nëse Italia është në kushtet e një krize politike apo jo? Përgjigja që japin analistët politikë perëndimore dhe tregjet financiare është: Padyshim që po! Koncepti i dytë që lidhet me një pyetje tjetër është: A kemi vetëm një koniunkturë krize politike apo, më tepër sesa kaq, kemi një krizë të partive politike dhe të gjithë sistemit të tyre në Itali? Mua më duket personalisht se ata që i përgjigjen me një fjali pohuese kësaj pyetjeje të dytë nuk janë shumë larg së vërtetës. Gjendja është shumë më serioze sesa një koniunkturë jo fort e qëndrueshme politikisht, nga ato të cilat Italia moderne në historinë e vet ka njohur me dhjetëra.

Kështu ne vijmë te problemi kyç, i cili kërkon argumente për të përballuar pyetjen: Përse mendojmë se ka edhe një krizë të një shkalle të caktuar edhe përfaqësimi politik?

E para sepse nëse mbledhim numrin e zgjedhësve që nuk kanë pranuar të vijnë fare në votime dhe ata që kanë votuar me “votë të bardhë”, shtuar edhe zgjedhësit e Xhuzepe Grilos, pra zgjedhësit që kanë votuar jo për një parti politike, por për një lëvizje qytetare të personifikuar nga një personazh publik, këta janë më shumë sesa zgjedhësit që kanë votuar për partitë e koalicioneve të majta dhe të djathta bashkë. Partitë mbledhin më pak votues sesa zgjedhësit që nuk u besojnë atyre.

Së dyti, sikurse e shprehëm edhe më lart, kemi më shumë se njëzet për qind e votuesve që hedhin votën e tyre te peshorja që mat një lëvizje qytetare, e lindur dhe e strukturuar jashtë kulturës politike tradicionale, e përfaqësuar nga një njeri i vetëm, me komunikim në mediat e reja, dhe me të zgjedhur qytetarë të profesioneve të ndryshme, aspak me një karrierë apo formimi a status politikani të mirëfilltë.

Së treti, mjaft parti nga ato tradicionalet si Lega Nord apo partia komuniste, pra të ekstremeve të djathta apo të majta tradicionale kanë humbur edhe ato shumë elektorat, sikurse parti të tjera të vogla, që ndonëse gëlojnë, nuk arrijnë të zgjedhin asnjë deputet. Partitë e vogla të organizuara si aparate politike nuk arrijnë të kenë besueshmëri elektorale, aq sa nuk marrin as edhe nga një deputet, kurse një lëvizje e ndërtuar thjesht si një thirrje qytetare në mediat qytetare arrin të dalë në ballin e legjitimitetit elektoral.

E theksoj edhe një herë se veç krizave të koniunkturave jo të qëndrueshme politike, Italia moderne ka njohur edhe kriza të mëdha të përfaqësimit politik, prej të cilave do të veçoj tri prej tyre, me ngarkesë te fortë historike dhe ideologjike. Sigurisht asnjë fazë nuk vjen për të njëjtat shkaqe sikurse edhe të tjerat, nuk ka të njëjtat karakteristika, prandaj asnjë lloj supozim krahasimi nuk mund të bëhet midis tyre.

Kriza e parë e madhe është ajo viteve ‘20 dhe ‘30 të shekullit të kaluar që u saldua me praktikat dhe ideologjinë që pranonte vetëm një parti. Këtu nuk ranë vetëm politikanë, apo edhe një pjesë e elektoratit, por edhe filozofë që për nga pesha e tyre, nuk mund të thuheshin se ishin të lehtë dhe pa identitet të veçantë në skenën filozofike të Evropës së asaj kohe. Kam parasysh qëndrime politiko-filozofike të Xhentiles, i cili përpunonte idenë se uniteti i kombit dhe partitë politike në një spektër politik janë të pajtueshme me njëra-tjetrën.

Pas disa dekadash jete politike pasionante që lidhen me defashistizimin e Italisë pas Luftës së Dytë botërore, rënia e Murit të Berlinit, solli si pasojë indirekte edhe transformimin e skenave politike kudo në Lindje dhe në Perëndim. Partia komuniste italiane, e njohur për orientimin e vet tradicionalist, me orientime të forta lindore, u trondit dhe pësoi një krizë të thellë në konceptin e vet ideologjik, pastaj në format e organizimit të vet të brendshëm, e më pas, sigurisht edhe në mbështetjen e vet elektorale. Por, e habitshme ishte ajo që ndodhi me demokristianët, në çastet kur supozohej se do të nxirrnin përfitime nga kriza e së majtës. Një sërë skandalesh politike dhe financiare, lidhjesh okulte me botën e errët të paligjhshmërisë, i rrënuan ndjeshëm legjitimitetin elektoral. E gjitha kjo, dihet, bëri që një personazh i njohur nga bota e biznesit, Berluskoni, të shfaqet në politikë me një aktivitet të papërballueshëm, duke i mbivendosur jetës politike të zhvilluar me parametra klasikë, një model të prejardhur nga pragmatizmi, liberalizmi ekstrem, modeli i sipërmarrjes, etj., me të gjitha ekseset e veta dhe konfliktet e dyshuara apo të pranuara të interesit që u debatuan për vite në media dhe në opinionin publik.

Kriza e tretë është kjo e tanishmja me parametrat që u përmendën më lart, ku partitë jo vetëm e kanë pothuajse të pamundur të japin një qeverisje të qëndrueshme, por edhe nuk arrijnë të gjitha bashkë të mbledhin një elektorat që të përbëjë shumicën e qytetarëve që kanë të drejtë vote.

Është e vërtetë që situata e sotme politike në Itali artikulohet në një koniunkturë të vështirë ekonomike. Mbi të gjitha nuk është fare e sigurt nëse politika e “shtrëngimit të rripit” është ajo që duhet dhe për sa më sipër ekonomistët dhe financierë në zë në Evropë dhe në Perëndim kanë shtruar pikëpyetje të forta. Taksim më i fortë i bizneseve, ndoshta me të drejtë, por a i lejon ato të performojnë një sipërmarrje më kompetitive në treg? Taksa të shtuara për shtresat e mesme? Ndofta i sjell buxhetit të shtetit më shumë të ardhura, por a nuk e ul fuqinë blerëse pra edhe mundësitë e ekonomisë për të rimarrë veten? Mbajtja e një monedhe europiane të fortë, por a nuk e bllokon kjo punësimin dhe financimin e sipërmarrjeve që prodhojnë e punësojnë duke vështirësuar riekulibrimin e balancës tregtare me jashtë? Lidhur me këto dilema, përgjigjet e qeverisjes Monti si duket nuk e kanë kënaqur elektoratin italian. Por, jo vetëm ato…

Nga rezultatet elektorale në një vështrim të përgjithshëm mund të pritej që mosbesimi ndaj elitave politike mund të shkonte në favor të alternativës politike të Montit, qoftë edhe për të vazhduar një politikë deri në pikën e matjes së rezultateve të saj. Por, elektorati duke mos i dhënë më shumë se 10%, dëshmoi pikërisht se nuk ishte fort dakord me të. Një pjesë e elektoratit për shkak se shprehte një lloj pakënaqësie ndaj politikave shtrënguese në planin financiar ndjekur nga Bashkimi Evropian, dhe një pjesë e elektoratit sepse asketizmi ekonomik e ka varfëruar. Partitë regjionaliste mbesin të forta në zonat e Veriut, Piemontit, Venecias, Lombardisë etj., por pak përfaqësuese në planin kombëtar. Autonomia lokale u duket më e përshtatshme sesa investimi politik kombëtar.

Dukej se bilanci politik i Berluskonit do të ndiqte vlerësimin e bilancimit ekonomik të qeverisjes së tij. Por, nuk doli ashtu. E djathta, sikurse shprehen analistet perëndimorë, nuk nxori asnjë kandidaturë më të besueshme sesa ai. Aq më shumë që elektorati që tradicionalisht voton djathtas nuk u shpërbë në bërthamat e veta të forta.

Një pjesë e pakënaqësisë politike nuk shkoi te e majta e qendrës sepse zgjedhës të pakënaqur nuk erdhën fare në votime dhe një pjesë ia dhanë votën Xhuzepe Grilos. Këto shtresa e projektuan pakënaqësinë e tyre jo te kjo apo jo politikë e caktuar, por mbi klasën politike italiane në përgjithësi duke shprehur një mosbesim te thellë për te gjitha modelet e propozuara.

Mbetet për t’u analizuar thellë fakti që lëvizja qytetare e animuar nga aktori Xhuzepe Grillo, e artikuluar në mediat qytetare, tërhoqi në mënyrë të konsiderueshme, votat e një elektorati shumë të gjerë.

Në gjykimet që jepen, këtu mendoj se duhet mbajtur parasysh fakti se ka qenë tërheqëse për njerëzit sepse brenda kësaj lëvizje u vendosën në rend të ditës edhe objektiva të thellë që kanë të bëjnë me shëndoshjen e sistemit të qeverisjes, dhe jo vetëm me disa objektiva socialë dhe ekonomikë.

Personalisht i përmbahem mendimit se nuk është kriza ekonomike që prodhon krizën politike, por është një lloj mangësie që manifeston sot sistemi i qeverisjes çka sjell dobësi në administrimin e ekonomisë. Lëvizja qytetare ngriti probleme të rëndësishme si ato që kanë të bëjnë me numrin e të zgjedhurve, me bashkimin dhe superpozimin e mandateve, me privilegjet, me korrupsionin administrativ, me moralin e klasës politike, me konfliktin e interesit, të cilat partitë politike nuk i mbajtën, dhe ndofta nuk kishin interes t’i mbanin parasysh.

Por, nuk besoj se është vetëm kjo anë. Ka një aspekt edhe më të rëndësishëm. Me mediat e reja hapësira politike është demokratizuar jashtë mase. Në ballë të skenës ka dalë qytetari, i cili tashmë mund të diskutojë lirisht në rrjete besimi dhe miqsh, të cilët mund të mbartin me miliona individë si anëtarë të tyre. Një komunikim paralel, horizontal dhe në dy drejtime, pra edhe si reagim politik edhe si kundërveprim politik. Hapësirat politike të krijuara nga mediat qytetare nuk janë një meting virtual sikurse i quajnë gabimisht. Aty, “pjesëmarrësi” në meting është në tribunë njësoj si politikani më njohur. Nëse qytetari është aktori kryesor politik në hapësirat politike të krijuara nga mediat qytetare, nuk ka arsye që ai të mos revendikojë në mos sot nesër përfaqësim politik të drejtpërdrejtë. Këtu ka nisur që modeli i demokracisë përfaqësuese klasike të “fusë ujë”. A është më modeli partiak si forma më e lartë e organizimit politik të qytetarëve? Kjo ide është ngritur në plan të parë.

Shembullin e kanë dhënë vetë politikanët e partive. Krerët e tyre prej së paku dy dekadash komunikojnë pothuajse në mënyrë të drejtpërdrejtë me elektoratin, duke zëvendësuar rrjetet e militantëve me specialistët e marketingut politik. Nëpërmjet televizionit lideri politik komunikon direkt me elektoratin e tij, veçse në rrugë asimetrike dhe lineare, ai flet, elektorati dëgjon.

Kjo rrugë është hapur, duke e kthyer partinë në një mekanizëm formal ku aparatçikët politikë kanë gjithmonë e më pak funksione, por kërkojnë gjithmonë e më shumë privilegje personale. Në këto kushte, kur mediat qytetare e lejojnë mundësinë e komunikimit nëpërmjet një shkëmbimi idesh të drejtpërdrejtë, horizontal dhe interaktiv, lind prirja për ta shndërruar hapësirën politike të diskutimit qytetar duke anashkaluar disi edhe vetë qarqet e politikës partiake.

Është partia politike që nis edhe zbeh rolin e saj në përpunimin e opinionit qytetar. Qytetari nis të bëhet gazetar dhe botues, dhe pastaj ai po kalon në një fazë te dytë, nis të bëhet edhe politikan aktiv. Me dhjetëra do të jenë qytetarët e thjeshtë që sipas rezultatit të zgjedhjeve në Itali do të shkojnë direkt nga ekrani i kompjuterit drejt e në kolltukun e deputetit ose senatorit.

Ne po jetojmë kohën jo vetëm të rinovimit të modeleve të veprimit politik, të politikës në përgjithësi, por edhe krizën e përfaqësimit, pikërisht kur qytetari e ka të vështirë të pranojë ndërmjetës politikë nëse këta nuk komunikojnë në mënyrë të barabartë me të, edhe racionale, pa emocione mitingjesh me të.

Politika gjithmonë e më shumë po i ikën rrugëve të qyteteve për të lëvizur në autostradat e komunikimit virtual.

Lidhjet e dikurshme politike, hierarkitë e dikurshme politike, vendi dhe statusi i dikurshëm i politikanit janë në transformim të thellë pikërisht si pasojë e mjeteve dhe formave të reja të komunikimit.

Është hapur një epokë e re e demokratizimit. Prandaj, e kanë, sipas meje, gabim, ata që krizën politike në Itali, e lidhin vetëm me krizën ekonomike, ose me faktorë të tjerë të një analize tradicionale. Nuk duhet injorohet fakti që mediat qytetare kanë krijuar lidhje virtuale mes qytetarëve, midis tyre, mes tyre edhe pushtetit, kanë krijuar kufij të rinj të hapësirës publike politike, të formave të organizimit, të qarkullimit të informacionit politik, të edukimit politik të qytetarit, të përpunimit të credo-ve dhe logove politike, të demonstrimit të vullnetit politik, të debatit politik.

Nuk janë më studiot e televizionit në emisionet politike që manipulojnë ekskluzivisht mendimin politik të elitave politike e të analistëve.

Qytetari ka web-in politik.

Nga kjo pikëpamje shumë funksione të dikurshme të politikanit sigurisht që po rimodelohen. Politikani ka rolin e vet të pazëvendësueshëm, njësoj si gazetari, por në përputhje me kohën.

Sikurse e shprehin analistë perëndimorë priten negocime midis forcave të përfaqësuara në të dy nivelet e legjislativit të Italisë për të parë fatin e qeverisë së ardhshme, por në çdo rast zgjedhje të reja të shpejta mund të duken në horizont.

 

 

 

 

Loading...