40 ditë afat për kërkesën, nëse s’paraqitet, Frroku lirohet

0
205

Elton Qyno

frroku

Gjykata e Selanikut mbyll në qeli vrasësin e dyshuar të Lamajt

Frroku: Kam lidhje të shumta, por jo me Ramën, jam kristiandemokrat

 

Brenda 40 ditëve, autoritetet shqiptare të drejtësisë duhet të paraqesin në Greqi kërkesën për ekstradimin e të dyshuarit kryesor në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, Arben Frroku. Nëse një kërkesë e tillë nuk paraqitet brenda afatit, atëherë Gjykata e Selanikut vendos menjëherë lirimin e biznesmenit Frroku dhe për pasojë akuza e vrasjes së kryekomisarit Lamaj bie automatikisht. Arben Frroku ka dalë paraditen e djeshme para Gjykatës së Selanikut, ku është përballur për herë të parë me akuzën e vrasjes. Së bashku me avokatin e tij, ata kanë mohuar akuzën duke pretenduar se në momentin e krimit ai ka qenë në pikën doganore të Kapshticës dhe jo në Tiranë. Pavarësisht nga kjo, prokurori i çështjes që ishte ngarkuar të mbronte interesat e letërporosisë së ardhur nga Shqipëria, ka kërkuar masën e 40 ditëve në burg, praktikë kjo që ndiqet për rastet e ekstradimit. Nga ana tjetër, avokati grek ka kundërshtuar, duke i kërkuar Gjykatës së Selanikut lirimin e klientit të tij, pasi, sipas tij, ai nuk ka kryer asnjë krim në Shqipëri. Avokati mbrojtës ka shtuar se Arben Frroku do të rikthehet me vullnetin e tij në Shqipëri për t’u përballur me akuzat dhe se për këtë ka kërkuar lirimin e Frrokut. Mirëpo, nga ana tjetër, përfaqësuesi i prokurorisë ka pohuar se 43-vjeçari akuzohet për një akuzë të rëndë dhe ka rrezik ikjeje, dhe nisur nga kjo situatë është e nevojshme që ai të qëndrojë në burg deri në momentin e ardhjes së akteve hetimore nga Shqipëria. Pas dëgjimit të palëve, trupi gjykues i Gjykatës së Selanikut ka vendosur të lërë në burg për 40 ditë biznesmenin Frroku, me qëllim ekstradimin më pas në drejtim të vendit tonë. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme është zhvilluar masa e sigurisë edhe për shtetasit Jak Jaku dhe Sokol Marku, të cilët janë kapur me disa gramë kokainë, për të cilët gjykata ka vendosur masën e arrestit në burg. Jak Jaku është lënë në qeli për 40 ditë, në pritje të ekstradimit, ndërkohë që Sokol Marku është lënë në “Arrest me burg”.

Interpoli ndjek ekstradimin

Me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, zyra e Interpolit në Tiranë tashmë ka nisur të gjithë praktikën ligjore për ekstradimin e Arben Frrokut dhe nipit të tij, Jak Jaku, nga Greqia në drejtim të Shqipërisë. Burime pranë prokurorisë thanë për gazetën “Standard” se e gjithë praktika ligjore tashmë është përpiluar dhe se brenda një kohe fare të shkurtër ajo do të përkthehen në Ministrinë e Drejtësisë dhe menjëherë do i dërgohet autoriteteve greke. Këto të fundit nëpërmjet Gjykatës së Selanikut, kanë vendosur një periudhë kohe prej 40 ditësh dhe se brenda kësaj kohe, burimet sqarojnë se do jetë gjithçka gati, për të vendosur ekstradimin drejt Shqipëri të biznesmenit Arben Frroku, i cili momentalisht është i dyshuari kryesor për vrasjes e kryekomisarit Dritan Lamaj. Frroku ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e prokurorisë dhe policisë shqiptare, duke pohuar se ai është i pafajshëm dhe se s’ka marrë pjesë në vrasjen e kryekomisarit Lamaj. Biznesmeni Frroku ka pranuar se ka pasur konflikte me Lamajn, por në të gjitha rastet ai i është drejtuar Gjykatës dhe Prokurorisë së Tiranës, duke e ndjekur çështjen në mënyrë ligjore dhe jo në rrugë të tjera. Sipas Frrokut, Dritan Lamaj të prehet i qetë, por ishte person me shumë probleme në zonën e Kombinatit, probleme këto që nuk i ka pasur vetëm me biznesmenin Arben Frroku.

Frroku: Jam kristiandemokrat

Pas daljes nga salla e gjyqit, biznesmeni Frroku ka reaguar në media duke iu kundërvënë politikanëve shqiptarë rreth debatit të bërë në emër të tij në sallën e Parlamentit. Sipas Arben Frrokut, ai ka lidhje me njerëz të ndryshëm, duke filluar nga politikanë, efektivë policie etj. “Kam shumë njohje, si në politikë, polici e biznes, por përjashtoj që kreu i PS-së, Rama, të më ketë bërë ndonjë ofertë për kandidim në zgjedhjet e ardhshme në qytetin e Shkodrës”, – pohoi biznesmeni. Në këtë mënyrë Frroku hodhi poshtë deklaratat e bëra një ditë më parë nga Ministria e Brendshme që deklaronte se Rama i ka propozuar ta bëjë deputet. “Nuk kam asnjë lidhje me Ramën, unë jam kristiandemokrat i pastër”, – theksoi Frroku. Biznesmeni mohon se e kanë kapur me drogë dhe armë në hotel. “Jak Jaku u kap nga dhoma tjetër e hotelit duke konsumuar kokainë, ndërsa armët u kapën në shtëpinë e tij në Tiranë. Nuk mbaj përgjegjësi për shtëpinë e tij”, – nënvizoi biznesmeni Arben Frroku.

Gjergji Jorgo

Pas publikimit të fotove me supermashtruesin Indrit Aliu, drejtori i Policisë së Korçës, Gjergji Jorgo ,ka reaguar për gazetën Standard duke pohuar se fotoja është një spekulim i padrejtë. “Me atë foto, kërkohet të hidhet baltë mbi policinë dhe punën hetimore kundër krimit që bëjnë çdo ditë punonjësit e policisë. Si fotoja ashtu dhe shkrimi nuk kishin asnjë gjë”, – shprehet drejtori Jorgo.

 

Gentian Bejtja mohon vjedhjen e BMW-së

Ish-polici i burgut, gjykata i

cakton masën e “30 ditëve në burg”

Vlerësohet si i ligjshëm ndalimi i 32-vjeçarit Gentjan Bejtja nga Gjykata e Durrësit për akuzën e “Vjedhjes në bashkëpunim” të automjetit, i cili u përdor nga autorët e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. Megjithatë, në përfundim, gjykata e la në burg me afat 30 ditë 32-vjeçarin, duke i lënë kohë organit të akuzës për të sjellë prova të tjera që implikojnë këtë person. Prokurori i çështjes, Ilir Turja, u kërkoi togave të zeza gjatë seancës së caktimit të masës së arrestit burg me afat 45-ditor, në mënyrë që të sigurohen provat mbi fajësinë e 32-vjeçarit, të mbështetura kryesisht në tabulatet telefonike, këqyrjen e pamjeve filmike të fiksuara nga një kamera sigurie pranë vendit të ngjarjes dhe saktësimin e dëshmive nga dëshmitarët okularë. Ka reaguar ndaj kësaj kërkese mbrojtja e 32-vjeçarit Bejtja, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë që të fajësojë klientin e tij. Sipas avokatit, prokuroria ka pasur kohën e mjaftueshme për të siguruar provat kundër klientit të tij nëse do të kishte të tilla. Në këto rrethana, mbrojtësi ligjor kërkoi lirimin e klientit të vet. Sipas burimeve policore, Gentjan Bejtja, baba i dy fëmijëve dhe në pritje të një fëmije të tretë u ndalua natën e 25 shkurtit i akuzuar për bashkëpunim në vjedhjen e makinës BMW, pronë e shtetasit Fatmir Lila, mjet që më pas u përdor në vrasjen e Lamajt dhe u gjet i braktisur në Domje të Tiranës me targa të hequra.

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency