Standard.al

Politika lehtësuese për biznesin, hapen vende të reja pune

Blerta Mrishaj

bashaKryebashkiaku Basha: Reduktim në masën 30% të taksave për një seri sektorësh të artizanatit në qytet, të cilat përbëjnë kryesisht 528 kompani të biznesit të vogël dhe të mesëm që do të përfitojnë

 
Këshilli Bashkiak hap të parën mbledhje për vitin 2013, duke kaluar 18 vendime të rëndësishme, që nga banesat sociale, kreditë, hipotekat, vendosjen e memorialit për simbolet e diktaturës si dhe vendosjen e një sërë bustesh të figurave të njohura. Kryebashkiaku Lulzim Basha në fjalën hapëse të mbledhjes deklaroi se 18 projektvendimet do të ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e banorëve të kryeqytetit. Ai e vuri theksin tek propozimi për miratimin e hipotekimit të 260 objekteve. “Miratimi i listës nga Këshilli Bashkiak i hap rrugën hipotekimit të 260 objekteve mbi 3 kate, me një sipërfaqe totale rreth 930 000 m2 dhe rreth 11 000 apartamente”, – tha Basha. Ulja në masën 30% të taksës së biznesit të vogël, për 523 subjekte të biznesit të vogël që kryejnë aktivitetet e prodhimit apo shitjes me pakicë në fushën e punimeve të artizanatit në qytetin e Tiranës, do të jetë një nga propozimet që Bashkia e Tiranës do t’i propozojë këshillit. Këtu përfshihen biznese në fushën e punimit të drurit, argjendarisë, artizanatit, punimeve të hekurit, rrobaqepësisë, qëndistarisë etj. Një tjetër projektvendim i rëndësishëm që i propozohet për miratim Këshillit Bashkiak të Tiranës është dhe lista e inventarit të pronave të paluajtshme, të cilat janë nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, siç nënvizoi Basha. Edhe kostot e shërbimit taksi do të ndryshojnë. Distanca fillestare prej nga nis punën matësi elektronik i çmimit nuk do të jetë më pas dy km udhëtim, por pas 1.5 km.

Vendimet

“Këto 18 vendime prekin disa fusha të rëndësishme të angazhimeve tona, e para dhe më kryesore mbetet pa dyshim përkushtimi ynë për t’i dhënë qytetit të Tiranës një dinamikë në rritje të zhvillimit ekonomik, për të rritur shanset për punësim, çka sipas nesh kalon domosdoshmërisht nëpërmjet krijimit të një klime sa më të mirë për biznesin. Në këtë kuadër do të veçoja projektvendimin e paraqitur juve sot, siç e kemi paralajmëruar edhe më parë, të reduktimit në masën 30% të taksave për një seri sektorësh të artizanatit në qytet, të cilat përbëjnë kryesisht 528 kompani të biznesit të vogla dhe të mesëm që do të përfitojnë nga kjo masë. Masa e cila konsumon tërësisht kompetencën e Këshillit Bashkiak, por edhe timen si kryetar për reduktimin maksimal deri në 30% të taksave për këto kategori biznesesh”, – deklaroi kryebashkiaku Lulzim Basha, i cili ndër të tjera vlerësoi se vendimi hap vende të reja pune.

 

Ndryshimi

3.5 miliardë shtesë në buxhet

Të tjera ndryshime në buxhetin e bashkisë për vitin 2013, ku ndër të tjera u vendos ndryshime duke bërë një shtesë prej 3.5 miliardë lekësh. Ky është një grant i qeverisë, rritje prej 15%, por edhe si rezultat i korrektimit pozitiv, të një shtese prej 3.5 miliardë lekësh, të ardhura të Bashkisë së Tiranës, të pareflektuara për shkak të vitit kalendarik i cili nuk rakordon natyrisht me rakordimet e vitit financiar. “Pra, në vetvete bëhet fjalë për një shtesë prej afro 3.5 miliardë lekësh në buxhetin e Bashkisë së Tiranës të cilat janë të dedikuara, siç mund a shikoni edhe nga projekt-vendimi 100% për investime në territorin e qytetit”, – deklaroi Basha.

 

Taksitë

Miratohet ndryshimi i tarifave

Sakaq, dje Këshilli Bashkiak ka miratuar kërkesën prej më shumë se një viti të Shoqatës së Shërbimit Taksi në qytetin e Tiranës, për ndryshimin e distancës së zonës fillestare, për mjetet e shërbimit taksi 4+1 (veturave), ku përmes kësaj shkurtohet distanca fillestare që paguhet me çmimin fiks por në këmbim të së cilës, shoqata është e angazhuar të bëjë një formalizim të këtij sektori që pavarësisht prej rregullave në fuqi vazhdon të vuajë në një masë jo të vogël nga informaliteti.

 

Pronat e bashkisë

Brenda një viti evidentohen 7 mijë, dyfishi i inventarizuara në 5 vjet

Brenda një viti janë inventarizuar 7000 prona, të cilat i bashkëngjiten inventarit prej afro 6500 pronash të inventarizuara 5 vitet e kaluara. Dua të përgëzoj me këtë rast drejtoritë përkatëse që kanë bërë këtë punë dhe bashkërendimin me institucionet përkatëse qendrore. Si rezultat i një pune voluminoze, brenda një viti kemi pothuaj dyfishin e pronave të inventarizuara deri tani, prona që shkojnë numerikisht në 13 500, të transferuara Bashkisë së Tiranës.

 

 

Vendimet

Buste për De Radën, Sabri Godon, emërtohen disa rrugë

U miratuan një sërë vendimesh që nderojnë figura të caktuara qytetare, me kontribute të veçanta apo figura historike. Kështu, me votat e këshilltarëve të majtë dhe të djathtë u miratua vendosja e bustit të personalitetit të Rilindjes Kombëtare Jeronim de Rada, vepër e Odise Paskalit, të ekspozuar për një kohë të gjatë në një prej lulishteve të kryeqytetit, por për shkak të rikonfigurimit të asaj zone është hequr busti dhe do të rivendoset në një lulishte tjetër të qytetit, që është pranë Parlamentit. Po kështu, vendosjen e bustit të ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, shkrimtarit, studiuesit, publicistit, z. Sabri Godo. Gjithashtu emërtime rrugësh, duke nisur që me emërtimin “Skënder Xhiku”, dekan i Fakultetit të Bujqësisë dhe një ndër themeluesit e kësaj disipline në Shqipëri dhe “Haxhi Dede Reshat Bardhi”, ish-Kryegjyshi i Kryegjyshatës Bektashiane, figurë e nderuar edhe me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës”.

 

Memoriali i diktaturës

Vendosja në ish-Bllok, pjesë nga Muri i Berlinit, Burgu i Spaçit

Vendosja e një memoriali për simbolet e diktaturës është një projekt i hartuar nga dy persona të njohur publikë, Fatos Lubonja dhe Ardian Isufi, dhe që ndërthur tri simbole të regjimit komunist, bunkerin dhe faktikisht një ndër bunkerët i cili ndodhet pranë Kryesisë së Kuvendit apo në hyrje të ish-Bllokut; një dhuratë nga Bashkia e Berlinit që është një segment origjinal i Murit të Berlinit dhe një instalacion me elementë origjinalë të galerive të Spaçit. “Është pra një vepër e këtyre dy artistëve, e cila realizohet në një pjesë me domethënie historike për kujtesën e qytetarëve shqiptarë dhe veçanërisht të Tiranës, hyrjen e Bllokut”. Kryebashkiaku Basha deklaroi: “Nuk është obelisku i përkujtesës së qëndresës, e cila është një tjetër vepër që po organizohet nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim edhe me Bashkinë e Tiranës dhe për të cilin do të nisim konsultimet publike javën e ardhshme, por është kthimi i disa relikteve për të cilat ka ekzistuar edhe ideja e zhvendosjes, e heqjes fare, siç ishte rasti i bunkerit dhe vendosja e një kontributi nga Bashkia e Berlinit, me një instalacion i cili është gjykuar nga një komision i mirëfilltë ekspertësh dhe artistësh”.

 

 

Comments are closed.