Murinjo, 1000 ditë dhe 1000 probleme

0
144

murinjoMarrë nga “mundodeportivo.com”

 

 

 

 

Pak ditë më parë Hoze Murinjo “mbushi” 1000 ditët e para tek skuadra e Realit të Madridit. Për “Mundo Deportivon” “orakulli nga Setubali” u soll si garanci për sukses, por fusha tregoi tjetër gjë…

 

 

Zyrtarisht Hoze Murinjo u prezantua si trajner i Realit të Madridit më 31 maj 2010. Ndërkohë që 24 shkurtin e kaluar ai bëri plot 1000 ditë në bankinën e “mbretërorëve” që tani nuk janë shumë të denjë të mbajnë një nofkë të tillë. Konfliktet që ka sjellë ky trajner kanë bërë që imazhi i Realit në sytë e botës të mos jetë më edhe aq “i bardhë”. Pas tërë këtyre ditëve Murinjo ka bërë atë çka shumë pak do t’ia dilnin. “Orakulli nga Setubali” konsiderohet si “armik” jo vetëm nga rivalët e Realit, por edhe nga disa segmente të rëndësishme të këtij klubi.

 

Nuk i dha fund hegjemonisë së Barcelonës

Florentino Perezi i pagoi Interit plot 16 milionë euro që të merrte shërbimet e Hoze Murinjos që në 2010 përveçse ishte nën kontratë me klubin zikaltër arriti që të bënte edhe tripletën e famshme, duke fituar Ligën e Kampioneve, kampionatin dhe Kupën e Italisë. Qëllimi i Perezit ishte që të merrte një teknik që t’i jepte fund hegjemonisë së Barcelonës që në dy vitet e fundit kishte fituar shtatë tituj përballë 0 titujve të Realit. Rezultati? Shumë i dobët. Murinjo me Realin e tij ka mundur që të marrë vetëm një La Liga (2011-12), një Kupë Mbreti (2010-11) dhe një Superkupë Spanje (2012). Edhe pse të martën e kaluar ai mundi që të eliminonte Barçën nga kupa, nuk ia ka dalë qëllimit të vet. Hegjemonia e Barcelonës nuk ka marrë fund as në këtë edicion, pasi në La Liga, katalanasit janë vite dritë larg madrilenëve.

 

Asnjëherë nuk ra në dashuri me “Bernabeu”-n dhe Real Madridin

Hoze Murinjo nuk e ka fshehur kurrë keqardhjen për faktin se “Bernabeu” asnjëherë nuk e ka parë si idhull. Asnjëherë “Santiago Bernabeu” nuk ka rënë në krahët e tij. kjo mbase edhe për faktin se vetë Murinjo gjithmonë ka përfituar nga rasti për të treguar se zemra e tij rreh për Interin.

 

Dështoi të fitonte “të dhjetën”

Reali i Madridit prej 11 vitesh po ëndërron që të fitojë Kupën e dhjetë të Kampioneve në historinë e vet. Murinjo mbërriti në Spanjë me një “CV” të pasur me të tilla kupa. Këtë të fundit ai e fitoi me Porton dhe Interin. Ndërkohë, sot ai ka lënë pezull zemrat e tifozëve që shohin teksa skuadra e tyre ka përballë një mision të pamundur në “kupën me veshë të mëdhenj”: Reali pasi barazoi 1-1 në fushën e vet do të luajë javën që vjen në “Old Trafford” një sfidë që vlen për një vend në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve.

 

180 milionë euro që nuk shërbyen për gjë

Për të plotësuar “kapriçot” e Murinjos, Florentino Perez ka shpenzuar 180 milionë euro. Themi “kapriçot” pasi përveç Ëzillit dhe Di Marias të tjerat që kanë ardhur nuk kanë bindur kurrë. I pari prej këtyre të fundit është Fabio Koentrao që la Benfikën pasi Reali pagoi plot 30 milionë euro. Një shifër e tillë mund të konsiderohet si e hedhur për kot pasi asnjëherë portugezi nuk ia ka dalë të mposhtë konkurrencën e Marselos. Një tjetër blerja që pothuajse mund të konsiderohet e dështuar është edhe ajo e Luka Modriçit. Mesfushori kroat la këtë verë Londrën (luante për Totenhemin) pasi Reali pagoi 40 milionë euro. Kaq shumë milionë janë hedhur kot, pasi Modriç kurrë nuk ka mundur që t’i bëjë presion (për këtë mision e bleu mbrinjo) Ëzillit apo edhe Alonsos. Si të mos mungonin tërë këto shpenzime në këto tri vite, Murinjo ka përgatitur edhe një tjetër listë. Këtë verë Perezi nëse nuk e shkarkon do t’i duhet që t’i sjellë në Madrid Murinjos lojtarë si Icko, David Silva dhe Santi Kazorla.

 

Ndryshoi tërë strukturën e Realit

Një tjetër “mëkat” i Murinjos është edhe ai që ka të bëjë me stafin drejtues të kësaj skuadre. Njëri pas tjetrit kanë rënë në këmbët e portugezit të gjithë. Ndër më të famshmit mund të përmendim emrin e Horge Valdanos dhe Zinedin Zidanit. Nëse Perezi do të largojë Murinjon atëherë duhet të mendohet mirë se pas vetës portugezi ka lënë tokë të djegur…

 

Vazhdon të injorojë rëndësinë e fjalës “zotëri”

Siç dihet fare mirë, Reali i Madridit është një nga ato klube që ka një imazh gati perfekt. Gjithmonë ky klub është drejtuar nga “zotërinj” në kuptimin e vërtetë të fjalës. Por në këto tri vite Murinjo ka bërë gjithçka për të prishur disi këtë imazh të Realit. Ai vazhdon të injorojë traditë e këtij klubi. Shembull? Më i fundit vjen nga ceremonia e ndarjes së “Topit të Artë” 2012. Mbrinjo duke e ditur se as vetë dhe asnjëri prej lojtarëve të tij do të fitonin çmim vendosi që të mos udhëtonte fare drejt Zvicrës.

 

Provokator i shumë sherreve

Ai është fajtor pasi ka kthyer “klasiket” mes Realit dhe Barçës në beteja. Në njërën prej tyre ai i futi edhe gishtat në sy Tito Vilanovës. Ai ka bërë “armiq” edhe lojtarët e vet. Një shembull i mirë edhe Iker Kasijasi dhe Mesut Ëzili. I pari u ul në stol pasi sipas Murinjos më i mirë është Adan. Ndërkohë që i dyti u zëvendësua vetëm për kapriço në mes të garës mes Realit dhe Deportivo La Korunjës. Të dy këta lojtarë nuk kanë qenë më kot në shënjestër të Murinjos. Ai konsideron Kasijasin si një “tradhtar” pasi vazhdon të ruajë raporte të mira me lojtarët e Barçës. Ndërkohë që gjermanin e akuzon se është bërë pjesë e “klanit të spanjollëve”. Një tjetër figurë të keqe Murinjo e bëri edhe kur detyroi disa prej lojtarëve të Realit që të merrnin kartonë të verdhë në një sfidë të Ligës së Kampioneve përballë Ajaksit. Kështu ai mendonte që “t’i pastronte” ata nga kartonët. Edhe kjo histori i ka dëmtuar shumë imazhin Realit në botë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency