Standard.al

Lasgushi vdekërronte!

Anna Kove

lasgushiSi ndodh që ende sot në Pogradec është sërish ngjarje e të përditshmes jeta e Poetit? Ajo kurrë nuk mbërriti të jetë shteruese, edhe një çerek shekulli pas vdekjes së tij. Akoma jo. Sa herë shkon atje, dëgjon diçka që të befason. Gjer në tronditje! “Vdekë-rronte”. Lasgushi vdekërronte – tha Kadareja, kur Lasgushi qe ende gjallë dhe e dinin të vdekur.

Në Pogradec ende fundjavave shkojnë të pushojnë dhe qetësojnë “mendjen” dhe “xhepat” politikanë të rinj. Por në atë qytet të vogël e të harruar, kjo nuk përbën ngjarje. Aspak. Siç nuk përbën ngjarje as e shkuara e pushimeve të Diktatorit, edhe pse “Blloku” i vilave ekziston ende aty si memorie e gjallë, dhe e frikshme, mbi pronat e ligjshme të pogradecarëve të vjetër.

“Vdekërronte” nuk është thjesht një arketip linguistik. Është shumë më shumë se kaq. A nuk vdekërronin Camaj, Zorba, Rreshpja, Gjetja, kur ishin gjallë?

Sa herë shkon në Pogradec, e kupton se, edhe pse ka vdekur, Poeti rron në memorien kolektive të atij qyteti. Rron si të ishte i gjallë. Aq të gjalla janë rrëfenjat mbi të. Si fjalët e bukura: “llaftarisht”, “pleqërisht”, “miturisht”, “dhembshurisht”, poeti na la trashëgim edhe një fjalë të paharruar. “Shokërisht”. E kishit dëgjuar? Dashuria “shokërishte”. Ajo që të larton. Të bën të pavdekshëm. Edhe pse lindur dhe e rritur në këtë qytet, dhe i njoh që nga rinia e hershme përmendësh vargjet e Poetit, kur e dëgjova mbrëmë me buzë të dridhura nga miku i vjetër i poetit, kjo fjalë më bëri të lotoj. Jo vetëm si pjesë e leksikut të tij poetik, ajo ishte pjesë e filozofisë së një dashurie të madhe, asaj që falet nga thelbi i shpirtit. Poeti falte shumë dashuri. Bënte miq. Diktatorët s’munden. Kanë puthadorë të vdekshëm shëmtuar.

Ndaj miqtë e Poetit s’pushojnë sot së rrëfyeri me adhurim, edhe pse janë vetë ashtu, as të gjallë dhe as të vdekur. “Shokërisht” janë dashur prej Llazarit. Dhe po “shokërisht” po ia kthejnë gjithë dashurinë, duke e kthyer në legjendë, tani që ai s’është më. Apo është?

Poeti është profetik, dhe mbase e ka ditur këtë, kur shkruajti vargjet e tij të fundit: “Nga varr’ i natuar/del flakë e harbuar…”.

Pogradec 24.2.2013

 

 

 

 

 

Comments are closed.