Kush po i blen prokurorët

0
180

Agim Popoci

 

prokuroretLegjendat urbane në Shqipëri nuk rrëfenin vetëm “blerjet” e prokurorëve, por u dëgjuan edhe çmimoret e tyre për raste edhe shumë të rënda; së fundi kur Këshilli i Lartë i Drejtësisë ra në duart e duetit Topi-Spahiu flitej edhe për çmimet e zhvendosjes së gjykatësve dhe prokurorëve nga fshatrat drejt qendrave urbane. Ky lloj emërimi i paguar u qartësua aq shumë në detaje sa u bë edhe i pabesueshëm, por jo e gjitha përfundoi me kaq.

Që prokurorët dhe gjykatësit blihen nuk e kishte vënë njeri në dyshim, në veçanti ata që ishin klientët të tyre, por që prokurorët dhe gjykatësit i blen politika, këtë nuk e kishte marr njeri me mend. Për fatin e keq të shqiptarëve dhe Shqipërisë, ndodhi edhe kjo.

Rasti më i rëndë për drejtësinë shqiptare është ai prokurorit Vexhi Muçmata, i cili nuk u ble për një mëkat të rëndomtë, qoftë edhe të sofistikuar, por u ble nga politika. Që rasti të jetë edhe më banal, u ble nga partia që pretendon nesër të vijë në pushtet dhe akuzat më të rënda i hedh kundër drejtësisë shqiptare.

Pse Vexhi Muçmata vendosi ta linte detyrën e prokurorit këtë nuk e ka të qartë asnjë jurist në Shqipëri, por historia e gjyqësorit dhe politikës shqiptare për rastin konkret, na jep vetëm një përgjigje, të cilën e di vetëm një njeri në tokën shqiptare, kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama. Pse?!

 

Prokurori komunist

 

Që drejtësia është në këtë gjendje, fajet nuk i ka vetëm Vexhi Muçmata, por i gjithë populli shqiptar, i cili është i dënuar vetëm të harrojë. Fillimisht harruan bëmat e prokurorëve të Enver Hoxhës e më pas edhe ato të po këtyre prokurorëve që vazhduan në Shqipërinë pluraliste.

I tillë ishte edhe Vexhi Muçmata, që dikur u quajt i Berishës e sot thuhet se është i Ramës, por ai thjesht është një prokuror i kastës komuniste, që nuk i shërbeu drejtësisë por thjesht partisë. Përkundër faktit që për rastin në fjalë, shqiptarët e kuptuan në Korrikun e vitit 2010, ai vazhdoi të punoj, i shërbeu partisë dhe së fundi edhe u “ble” nga ajo.

Pse shqiptarët nuk u pyetën për asnjë çast, ashtu si edhe KLD-ja se ç’është ky njeri që na paska qenë anëtar partie nga vitit 1988 deri në vitin 1990, dhe “nuk mbante mend nëse kishte hetuar procese gjyqësore politike të kohës së diktaturës” nuk dihet, por refuzimi i mazhorancës për ta kundërshtuar dekretin e Presidentit Topi për kandidimin e Vexhi Muçmatës për anëtar të Gjykatës së Lartë, sot rezulton i drejtë.

Jo në kohën e Enverit, por më 16 korrik 2010, u komentua shumë rrëzimi i kandidaturës për anëtar të Gjykatës së Lartë, Vexhi Muçmata nga 63 deputetë të Partisë Demokratike. Nuk ishte e qartë se pse u mbështet nga 3 deputetë të LSI-së, Dritan Prifti, Lefter Koka, Nasip Naço dhe deputeti i PDIU-së Shpëtim Idrizi, ashtu si edhe abstenimet e deputetit demokrat Paulin Sterkaj, ministrit të Mjedisit Fatmir Mediu dhe deputetit të PDIU-së Dashamir Tahiri.

Por sot është e qartë si loti. Prokurori i Partisë Socialiste nuk e kishte mendjen tek gjyqësori siç kishte deklaruar në Komisionin e Ligjeve dhe problemeve që shqetësojnë sot sistemin e drejtësisë. Më 6 korrik Vexhi Muçmata shprehet se mungesa e profesionalizmit dhe korrupsioni janë ndër problemet kryesore. Kjo mund të jetë edhe e vërtetë, por në shoqërinë shqiptare, mungesë më të theksuar të profesionalizmit dhe korrupsion më të madh se në politikë nuk ka asgjëkund dhe nuk dihet se çfarë kërkon në këtë mjedis të kalbur ky prokuror që nesër pretendon të jetë pjesë e saj. Dhe jo vetëm kaq.
“Këto probleme luftohen duke forcuar kontrollin mbi veprimtarinë e gjyqtarëve, mbi procedurat që ndjekin ata për gjykimet dhe në çdo rast duke mbajtur qëndrimet përkatëse disiplinore”. Kështu shprehet ai po para këtij komisioni duke i bërë me dije shqiptarëve se në këtë sistem shumë të përfolur të drejtësisë i gjithë faji na qenka vetëm tek gjykatësit. Por, jo!
Si në kohën kur prokurori Vexhi na ishte anëtar i PPSH, ashtu edhe sot i PSSH, fajin e kanë ata që lejuan “blerjen” e sistemit të drejtësisë, dhe e çuan drejtë kalbëzimit, sistemin aq shumë të domosdoshëm të tranzicionit, pra qytetari shqiptar. Për fat të keq, amnistimi i prokurorëve komunistë dhe ushtrimi i tyre i detyrës edhe në Shqipërinë postkomuniste, domosdoshmërisht do të lejoj e madje edhe të prodhoj në të ardhmen, prokuror që i binden partisë dhe vetëm ligjit nuk i shërbejnë.

Drejtësia në duart e politikës

 

Drejtësia në duart e krimit është shumë më pak e dëmshme, se ajo në duart e politikës. Duke pasur parasysh prokurorin në duart e krimit, që ka edhe një ditë të gjykimit, prokurori në duart e politikës ka një jetë të tërë gjatë ushtrimit të profesionit si prokuror, dhe përjetësinë tjetër pas shpërblimit të marr nga politika. i tillë është edhe rasti Muçmata.

Duke mos paragjykuar asnjë çast profesional të Vexhi Muçmatës gjatë komunizmit, nuk kemi arsye të besojmë për asnjë çast profesional të këtij prokurori në periudhën kur ai nuk ishte i detyruar të akuzoj njeri sepse këtë e kërkon partia. Dhe kur, kur këtij posti i erdhi dita që edhe mund të “blihet”.

E derisa emërimi i një prokurori, apo “blerja” e këtij posti në Shqipëri na qenka histori në vete, kush është interesuar ta “blejë” dorëheqjen e tij për t’iu bashkuar politikës. Mazhoranca me siguri se JO, por angazhimi i një prokurori që vjen nga drejtësia shqiptare aq shumë e akuzuar nga opozita, është një “blerje” e pakuptimtë në shikim të parë. Por nga këndvështrimet e ndryshme, dalin prokuror dhe politikan të çuditshëm, që vetëm deputet nuk bëhen dot. Vaj halli nëse edhe ulen në Parlament, atëherë kjo përvojë do të dëmtoj jo vetëm ata që zbatojnë ligjin por edhe ata që hartojnë ligjet aq shumë duhura për drejtësinë shqiptare. Që ky, tashmë kandidat i PS-së për deputetë, ishte prokuror i devotshëm i drejtësisë shqiptare, është e qartë se nuk ishte. Sikur të kishte edhe parime themelore kombëtare në mbrojtjen e ligjit dhe shtetit, ai vetëm në politikë nuk do të kalonte. Dhe në fund, sikur edhe ta kishte thënë me sinqeritet angazhimin për zgjidhjen e problemeve të drejtësisë në korrikun e vitit 2010, ai nuk do të “blihej” nga politika dhe nuk do ta braktiste drejtësinë.

Ndërkohë arsyet e Edi Ramës për angazhimin e Muçmatës janë banale dhe dëmtojnë e denigrojnë edhe vetë PS-n. “Juristi Vexhi Muçmata do të udhëheqë skuadrën tonë drejt fitores në Kukës. Jam mirënjohjes Vexhiut, sepse bashkimi i tij në rrugën tonë flet qartë për nevojën qytetare për Rilindjen që duam t’i japim vendit”.

Sikur të kishte qenë edhe kaq i vyer “juristi Vexhi Muçmata” pse nuk vazhdoi t’i shërbejë PS-së dhe drejtësisë si deri më sot, por duhet t’i shërbejë vetëm PS-së apo bëhet fjalë për një jurist të konsumuar që e ka tepruar paksa me shërbimin ndaj partisë. Dhe vetëm kaq, sepse gjithçka tjetër çfarë tha Rama për Muçmatën dhe Kukësin nuk i hynë njeriu në punë.

“Sot në Kukës 70% e familjeve jetojnë me ndihmë ekonomike. Sot Kukësi përfaqësohet nga individë që nuk janë në nivel të duhur për t’u përballur me sfidat e Kukësit”, – thotë kryetari i Partisë Socialiste duke harruar se deputeti aktual Dogjani është zgjedhur po nga Edi Rama si njeri i duhur pavarësisht se detyrë zyrtare nuk kishte rilindjen. Por edhe për këtë lloj angazhimi demagogjia ngelet e njëjtë, komuniste: “Sot jemi krenar për PS që do t’i japë Kukësit mundësinë si një forcë për rilindjen të votojë për një burrë të urtë dhe fisnik dhe djalë i atij komuniteti. Jo një politikan llafesh për Kukësin po një kuksian i mirë për politikën”.

Të bindur se vetëm për 70% e kuksianëve me ndihma ekonomike Vexhi Muçmata nuk do të mendojë kurrë, as atëherë, urojmë që drejtësia shqiptare të përfitojë me sa më pak prokurorë të tillë që i binden partisë, ose në rastin më të keq, “blihen” nga partia, dhe jo cilado, por pasardhësja e Partisë së Punës.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency