Standard.al

Ish-polici: Hajdutin e kisha në makinë, zbriti në zonën e Plazhit, s’di çfarë vodhi

Elton Qyno

 

dritan lamajProkuroria: Gentjan Bejtja bëri transportimin e personit që vodhi BMW-në

Identifikohet hajduti, sa zbriti nga makina hipi në BMW-në e lënë ndezur

Gentjan Bejtja, personi që është arrestuar nga ana e policisë si autor i grabitjes së BMW-së të përdorur në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, ka qenë vetëm transportuesi i vjedhësit të makinës, dhe jo personi që ka marrë pjesë direkt në grabitjen e mjetit në qytetin e Durrësit. Një fakt i tillë konfirmohet nga ana e burimeve pranë Prokurorisë së Durrësit, të cilat shpjegojnë se ish-efektivi i Policisë së Burgjeve ka zbritur nga makina e tij një person tashmë të identifikuar, por ende të paarrestuar, shumë pranë vendit ku ishte parkuar BMW-ja, në pronësi të Fatmir Lilës dhe më pas është larguar. Për shkak se skena është arritur të kapet nga kamerat e sigurisë të një biznesi aty afër, mjeti me të cilin lëvizte Bejtja, është identifikuar nga targat, ndërsa personi që ka zbritur nga makina, menjëherë ka hipur në makinën tip “BMW” me targa DR 1944 F, dhe më pas është larguar me shpejtësi. Pas kësaj, hajduti ka shumë gjasa ta ketë shitur automjetin për llogari të personave që kanë marrë përsipër vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Sipas Prokurorisë së Durrësit, Gentjan Bejtja ka bërë vetëm rolin e transportuesit të personit që ka marrë makinën, të cilin pasi e ka lënë ngjitur me mjetin tip “BMW”, është larguar për në banesën e tij. Tashmë policia dhe prokuroria e Durrësit kanë shpallur në kërkim vjedhësin e vërtetë të makinës, i cili rezulton të jetë shok me Gentian Bejten.

Ish-polici s’pranon krimin 

Që nga momenti i arrestimit të 32-vjeçarit Gentian Bejtja, ky i fundit ka hedhur poshtë implikimin e tij në lidhje me grabitjen e mjetit, duke kundërshtuar me forcë ngjarjen e të dielës së kaluar, ku 200 metra larg shtëpisë së tij, mbeti i vrarë me 12 plumba ish-shefi i komisariatit nr. 6, Dritan Lamaj. Bejtja ka treguar se ditën e enjte të javës së kaluar, ka qenë së bashku me shokun e tij (emri nuk bëhet i ditur) në një kafe në qytetin e Durrësit. Më pas, rreth orës 20:00, kanë vendosur të largohen dhe se gjatë rrugës, shoku i tij i ka kërkuar që ta linte buzë rrugës, në lagjen nr. 8 në Durrës. Më pas, Gentjan Bejtja ka pohuar se është larguar me mjetin e tij dhe se nuk ka asnjë informacion se çfarë ka bërë më pas personi që i kërkoi të zbriste. Nga ana tjetër prokuroria dhe policia e Durrësit tregojnë se një skemë e tillë ka qenë e organizuar nga dy personat dhe se Bejtja ka bërë transportimin e hajdutit, deri në momentin kur ata kanë vënë re se qytetari Fatmir Lila ka parkuar BMW-në e tij buzë rrugës dhe më pas është larguar për disa minuta në një dyqan. Pikërisht në këtë moment, Lila ka lënë çelësat në makinë dhe sapo hajduti ka zbritur nga makina, ka hipur menjëherë në BMW-në e lënë ndezur, duke u larguar menjëherë me shpejtësi. E gjithë skena ka ndodhur në sytë e kamerave, ndërkohë që pas disa ditësh nga krimi i rëndë është identifikuar drejtuesi i mjetit prej nga zbriti hajduti i makinës, i cili ra në prangat e policisë. Aktualisht, dosja hetimore është duke u ndjekur nga Prokuroria e Durrësit, ndërkohë që Gentjan Bejtja, me origjinë nga Fushë-Kruja, nuk ka pranuar të flasë, duke u shprehur se nuk ka asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur, pasi ka lënë shokun e tij në rrugë.

15 kallëzime kundër Lamajt

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka sekuestruar 15 kallëzime kundër Dritan Lamajt, të cilat ndodheshin në Prokurorinë e Tiranës. Të gjitha kallëzimet, sipas të dhënave, janë pas konfliktit që ka pasur Lamaj me Arben Frrokun, ndërsa kallëzime kanë bërë të afërmit e të dyshuarit për vrasjen, si dhe pronari i Universitetit “Vitrina”, Edmond Vlashaj. Sipas të dhënave, vetë Arben Frroku ka bërë rreth katër denoncime kundër Lamajt, të cilin e akuzonte për dhunë fizike dhe verbale, madje edhe për tejkalim kompetencash. Mësohet se kallëzimet e para janë bërë në muajin mars 2012 dhe më pas kanë vazhduar për muaj të tërë. Kujtojmë këtu se dhjetëra persona protestuan kundër kryekomisarit, të organizuar në një shoqatë. Sipas grupit hetimor të Krimeve të Rënda, këto kallëzime po shikohen për të parë të gjithë “kundërshtarët” e viktimës, gjatë kohës që ushtronte detyrën e tij si shef komisariati në zonën e Kombinatit.

 

Ndue Jaku lihet në burg nga Gjykata e Tiranës

Iu kapën snajperë dhe drogë në shtëpi,

“Arrest me burg” kushëririt të Frrokut

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “Arrest me burg” për Ndue Jakun, vëllai i Jak Jakut, njëri prej të ndaluarve për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Seanca e masës së sigurisë është zhvilluar disa ditë pas ndalimit të 21-vjeçarit, të cilit gjatë kontrollit në banesë iu gjet arsenal armësh, të cilat janë dërguar në laboratorin kriminalistik për t’iu nënshtruar ekspertizës balistike. Përfundimi i ekspertizës do të përcaktojë nëse është qëlluar me ndonjërën nga këto armë ndaj viktimës Lamaj. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Blerina Muçaj ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për Ndue Jakun, djali i dajës së Arben Frrokut, për akuzat e “Armëmbajtjes dhe municioneve luftarake pa leje”, si dhe “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, lidhur me sasinë e drogës që u bllokua në banesën e tij gjatë kontrolleve të policisë pas vrasjes së kryekomisar Dritan Lamajt në kryeqytet. Ndue Jaku u arrestua pak pas ndalimit në Selanik të biznesmenit Arben Frroku dhe vëllai të tij Jak Jaku. Policia nisi kontrollet në banesat e të ndaluarve menjëherë pas ndalimit, ku gjeti dhe sekuestroi armë e municione luftarake.

 

Njoftimi zyrtar i policisë greke

Frroku dhe Jaku erdhën në Selanik

me motor, bënë sherr në një diskotekë

Sot (dje) në Selanik, në 28.2.2013 u arrestuan dy shqiptarë, të dyshuar si vrasësit e një prej zyrtarëve të lartë të policisë shqiptare. Të dy të arrestuarit, sipas policisë shqiptare, kanë marrë pjesë në një sulm mafioz, i cili i morri jetën Dritan Lamajt. Të akuzuarit kanë mbërritur në Selanik nëpërmjet një motori që mendohet se e kanë marrë rrugës. Të dy burrat u arrestuan në qendër të Selanikut si dhe kishin me vete një sasi të vogël kokaine. Para se të arrestoheshin, të dy personat kanë kryer një konflikt të vogël në një prej lokaleve të natës në Selanik. Nëpërmjet bashkëpunimit me policinë shqiptare po bëhen gati të gjitha dokumentet e nevojshme për të dërguar në Shqipëri sa më parë të akuzuarit. Sipas policisë shqiptare, të dy këta persona akuzohen në Shqipëri si të dyshuarit kryesorë për vrajen e Dritan Lamajt si dhe për disa biznese të paligjshme si lojëra fati dhe klube nate.

 

 

 

 

Comments are closed.