Standard.al

Flet nga rajoni “Megaral” biznesmeni i akuzuar për vrasjen e Lamajt

frroku“Jam gati të përballem me drejtësinë, kam miq policë dhe shumë politikanë”

Arben Frroku hedh poshtë pretendimet e policisë dhe prokurorisë se ai është autori i vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj. 43-vjeçari ka reaguar nga ambientet e policisë së Selanikut, duke pohuar se nuk ka qenë ai njeriu që ka qëlluar mbi Lamajn, pasi pikërisht në momentin e vrasjes së efektivit të policisë, Arben Frroku së bashku me nipin e tij, Jak Jaku, kanë qenë në doganën e Kapshticës, duke vulosur pasaportat, për të kaluar në shtetit grek. Biznesmeni Arben Frroku, që ka lidhje të forta me krerët më të lartë të policisë, politikën dhe prokurorë të ndryshëm, tregon se ditën e ngjarjes, pasi ka ndjekur një ndeshje sportive mes Kamzës dhe Tërbunit, është larguar në Tiranë dhe prej këtej ka udhëtuar në drejtim të shtetit helen. Frroku deklaron se gjatë udhëtimit për të shkuar në Greqi nuk ka kaluar fare në zonën e shkollës “Vasil Shanto”, ku edhe ka ndodhur vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj. “Unë s’kam kaluar fare aty, nuk e kuptoj pse kërkojnë të ma faturojnë mua këtë vrasje. Shumë shpejt do vij dhe të përballem me drejtësinë dhe të jap provat e mia për këtë çështje të rëndë. Në kohën kur ka ndodhur vrasja, unë kam qenë në Kapshticë dhe më ka marrë vëllai e më ka treguar se kanë vrarë Dritan Lamajn dhe se po më kërkon policia. Pas kësaj i kam pohuar vëllait se nuk mbaj përgjegjësi për këdo që vritet në Tiranë dhe më pas kam ikur për punët e mia në Greqi”, – ka pohuar biznesmeni Arben Frroku. Ndërkohë, për sa i përket fotos ku ai shfaqet mes drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit, si Agron Kuliçi, Tonin Vocaj, Muhamet Rrumbullaku dhe Nikolin Bala, Frroku ka pohuar se takimi nuk ka qenë i rastësishëm, por kanë ngrënë dhe kanë pirë së bashku atë ditë në malin e Dajtit.

Zoti Frroku, kur jeni arrestuar në Greqi?

Unë jam arrestuar rreth orës 03:00 të mëngjesit që me orën shqiptare i bie ora 02:00 e natës. Janë mbledhur të gjitha forcat e policisë të Selanikut dhe me armë të mbushura, kanë hyrë në ambientet e dhomës së hotelit dhe pa një vendim dhe pa paralajmërim më kanë arrestuar. Kanë qenë forca speciale, unë kam lindur për së dyti.

Ju ku ishit në momentin e arrestimit?

Unë kam qenë në hotel, duke fjetur, dhe me vete kisha dy njerëzit e mi. Kam qenë me një kushëririn tim, i cili kishte marrë leje nga burgu për të më takuar dhe një djalë daje, të cilin e kam shofer dhe ka qenë së bashku me mua.

Policia shqiptare ka njoftuar se në momentin e arrestimit juve ju është gjetur një pistoletë dhe kokainë…

Asnjë gjë nuk ka gjetur. As kokainë, as edhe pistoletë. Mua më kanë gjetur në gjumë, ndërsa Jaku dhe Sokolin kanë qenë në dhomën tjetër. Të gjitha që thuhen janë llafe nga Policia e Shtetit.

Ju në cilën pikë kufitare keni kaluar zoti Frroku?

Unë kam kaluar në Kapshticë, me të gjitha rregullat, me pasaportë dhe me shoferin tim. I kemi vulosur të gjitha dokumentet, na kanë kontrolluar pak nga dogana greke dhe më pas jemi nisur drejt Selanikut.

Sa ka qenë ora kur keni kaluar në doganë?

S’e mbaj mend, por mund të ketë qenë ora rreth 7 ose 8 e darkës.

Po nga Tirana nga cila ora jeni nisur për në Greqi?

Kam pasur një ndeshje futbolli në Laç, me Kamzën, se unë jam president i futbollit të ekipit të Tërbunit. Rreth orës katër, jam larguar nga Laçi në Tiranë dhe më pas, nga ora pesë, jam nisur nga Tirana në Kapshticë.

Në cilën rrugë keni kaluar, keni kaluar në rrugën “Vasil Shanto”?

Aty s’kam kaluar fare unë. Kam kaluar nga “Komuna e Parisit” dhe se një fakt i tillë vërtetohet nëpërmjet telefonave. Unë kam 200 numra telefona të kompanisë, dhe janë Vodafone. Le t’i verifikojnë dhe le të japin faktet.

Ku ishit në momentin e vrasjes së zotit Lamaj?

As nuk e di fare, nuk ia kam idenë, vetëm kur më ka lajmëruar vëllai im. Kam qenë duke dorëzuar pasaportat, kur me lajmëroi vëllai se po të kërkon policia shqiptare. I kam thënë për çfarë, ke bërë vrasje në Tiranë. I kam thënë, që sa njerëz vriten në Tiranë, nuk mbaj përgjegjësi unë dhe se po iki, se kam gjyqe në Selanik.

Ju keni pasur konflikt me kryekomisarin Lamaj dhe a e keni kërcënuar ndonjëherë?

Po, po, kam pasur. Të gjitha ia kam çuar prokurorisë të ndiqet në rrugë ligjore. Ai ka pasur provat dhe dëshmitarët e vet, ndërsa unë të mitë. Unë s’e kam kërcënuar fare dhe s’e kam takuar ndonjëherë. Përveç kontaktit të atëhershëm, kur më ka shoqëruar në komisariat.

A është e vërtetë që ju kanë ndaluar në ambientet e komisariatit?

Në atë periudhë po. Nuk e mbaj mënd se çfarë muaji ka qenë, por shkak i konfliktit ka qenë se Dritan Lamaj më ka ndaluar Ditën e Verës, së bashku me familjen. Më pas ka filluar një procedurë penale për mosbindje ndaj forcave të rendit, që nuk është aspak e vërtetë.

Jeni keqtrajtuar në atë kohë?

Po, jam rrahur, nga vetë shefi i komisariatit.

Në media kanë dalë disa foto ku keni dalë në malin e Dajtit së bashku me disa drejtues të policisë, duke ngrënë drekë me zoton Kuliçi, Vocaj, Bala, Rrumbullaku. Si u gjetët bashkë në atë lokal?

Si u gjetëm bashkë, ishim duke ngrënë drekë në lokal dhe bëmë fotografi. Nuk kemi qenë rastësisht, por kemi qenë bashkë duke drekuar. Unë ata i kam miq dhe i njoh shumë mirë. Nuk kam vetëm ata, por edhe shumë të tjerë. Unë s’jam person i rastësishëm, pasi kam njohje nga politika dhe shumë persona të tjerë në polici. Nuk e mbaj mend se në çfarë kohe kemi dalë në foto.

Drejtuesit e policisë thonë se Arben Frroku është ulur rastësisht në tavolinën tonë, vetëm për të bërë një foto…

Tani ata unë i njoh shumë mirë të gjithë dhe se ata më njohin edhe mua shumë mirë. Madje, Tonin Vocaj, kur i ka vdekur vëllai, i kam shkuar në varrim për ngushëllime. Edhe zotin Bala e njoh dhe se ai është nga Puka. Ai ka detyrat e veta, unë kam detyrat e mia.

Ju jeni i akuzuari kryesor për vrasjen e Dritan Lamaj.

Unë nuk jam personi që kam vrarë, s’kam asnjë lidhje me atë ngjarje. I shpreh ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre, por unë s’kam lidhje me vrasjen.

Do të vini në Shqipëri të përballeni me akuzën e ngritur ndaj jush?

Direkt do vij dhe do jap provat e mia. Unë do vij në Shqipëri, pasi nuk ik nga tokat e mia, pronat e mia dhe biznesi im.

Ku mbaheni tani dhe nëse ktheheni, si do ta provoni pafajësinë tuaj?

Unë ndodhem në Drejtorinë e Policisë së Selanikut që quhet “Megaral”. Sa për pafajësinë, unë e kam të provuar, pasi kam prova dhe dëshmi shumë më të forta se ato që më akuzojnë mua.

 

 

Comments are closed.