Standard.al

Debate në Kuvend për vrasjen e Komisar Dritan Lamajt Topalli, Ballës: S’do jesh më deputet, zgërdhihesh kur flet për vrasjen e komisarit, kërko falje!

Florenc Drizari

parlamentiTaulant Balla: Mjedisi shqiptar sot është i ndotur edhe nga këta “barkderra”, të cilët kanë marrë në qafë punën e policisë
Kryetarja e Kuvendit: S’ke lënë gur pa hedhur kundër atij njeriu. Të vijë turp të vijë

 

Kuvendi i Shqipërisë u përfshi në debate të ashpra dhe akuza të ndërsjella mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës lidhur me vrasjen e pak ditëve më parë të komisar Dritan Lamajt në kryeqytet. Deputetët e opozitës kërkuan shkarkimin e disa prej krerëve të Policisë së Shtetit, ndërkohë që përfaqësuesit e mazhorancës akuzuan homologët e tyre socialistë për lidhje me të arrestuarin si i dyshuar kryesor nga forcat e rendit për vrasjen e Dritan Lamajt. Fillimisht, debati nisi mes deputetit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli.
DEBATI TOPALLI – BALLA

Gjatë kohës në të cilën po diskutohej projektligji “Për vlerësimin strategjik mjedisor” në Republikën e Shqipërisë, deputeti Taulant Balla akuzoi drejtuesit e mazhorancës për mungesë respekti ndaj të ndjerit Dritan Lamaj duke thënë se Kuvendi duhet të kishte mbajtur 2 minuta heshtje në nder të tij. Por Kryetarja Topalli rikujtoi duke etiketuar deputetin Balla se ka hedhur akuza të rënda ndaj komisar Lamajt disa kohë më parë dhe për këtë tha se ai duhet të kërkonte ndjesë para Parlamentit. “Do kishte qenë në nderin e këtij Parlamenti që 4 ditë pas vrasjes së një kryekomisari ta nisnit seancën me 2 minuta heshtje në nderim të atij punonjësi shteti të vrarë për shkak të detyrës. Për çfarë strategjie mjedisore të flasim kur në sallë ka frikë të vijë ministri i Brendshëm dhe të japë shpjegime për këtë fotografi”, – tha Balla. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit u shpreh: “Dëshiroj ta marr si ndjesë nga zotëria që flet se në 2005 e kanë masakruar me konferenca shtypi këtë komisar që sot nuk jeton dhe për të cilin ne shprehim dhimbjen më të madhe. Me konferenca shtypi nga zotëria që flet sot”.
Debati mes deputetit Taulant Balla dhe Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli vazhdoi për disa minuta dhe të dy ligjvënësit u përfshinë edhe në akuza të ndërsjella mes tyre. Kryetarja Topalli duke i rikujtuar deputetit Balla disa lidhje me biznesmenë që sipas saj bëjnë trafiqe duke mos deklaruar të ardhurat. “Ti me ata klientët e partisë që të mbajnë ty me ato trafiqe që bën dhe me kompanitë që ke disa të shkruara dhe disa të pashkruara në deklaratën e pasurisë. Je ti i paguar nga ata klientët dhe kur je bashkë me ato klientët dhe të shoh unë, ty të zverdhet fytyra. Kërko të falur për komisarin!”, – tha Topalli. Nga ana e tij, deputeti socialit duke rimarrë fjalën për çështjen e projektligjit iu rikthye akuzave të tij duke etiketuar edhe përfaqësues të policisë që janë shfaqur në një foto të publikuar nga media dy ditë më parë. “Mjedisi shqiptar sot është i ndotur edhe nga këta “bark derra” të cilët kanë marrë në qafë punën e policisë së shtetit. Mjedisi është i ndotur edhe nga ky ministër i paaftë. Ky parlament është i ndotur sa të jetë kjo grua në krye të tij”, – deklaroi Taulant Balla. Në të njëjtën linjë ishte edhe reagimi i kryetares së Kuvendit. “Me thënë të drejtën më i ndotur që me pas ty këtu nuk ka për të pas më, nuk ka. Por ky parlament ka për të shpëtuar prej teje. Ti nuk hyn më në parlamentin e ardhshëm dhe unë do jem më e lumtura e botës që mos të kem”, – tha Topalli.

 

 

PD miraton procedurat për referendumin e tri ligjeve, PS: Iniciativa është hipokrizi

Pas përfundimit të votimit në Kuvendin e Shqipërisë, Komisioni i Ligjeve ka miratuar vetëm me votat e mazhorancës kërkesën e 67 deputetëve për zhvillimin e referendumit në miratimin e 3 ligjeve, si kusht për marrjen e statusit kandidat për në BE. Opozita mungoi në mbledhje, ndërkohë që deputetët e mazhorancës vlerësuan rëndësinë e iniciativës për proceset integruese të vendit. “Kam paraqitur pikërisht sot pranë këtij komisioni, si hapi i parë për ta kaluar më pas në seancë plenare, kërkesën për të thirrur referendumin popullor për miratimin e këtyre 3 akteve”, – deklaroi deputeti Tritan Shehu. “Besoj se unë mbledh vullnetin unanim të anëtarëve të Komisionit të Ligjeve prezent në këtë mbledhje, për të miratuar kërkesën dhe projektvendimin që e shoqëron atë dhe për t’i kërkuar Kuvendit që ta miratojë në seancën e ditës së hënë”, – u shpreh kryetari i komisionit, Ilir Rusmali. Nga ana e tij, nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, duke folur jashtë parlamentit sqaroi mungesën e opozitës në mbledhje dhe tha se referendumi nuk mund të zhvillohet këtë vit. “Për shkak të mënyrës se si u organizua kjo mbledhje, në shkelje të rregullores së Kuvendit, duke u zhvilluar mbledhja me një njoftim blic, brenda ditës së sotme me materiale të papërgatitura ende dhe kryesorja në momentin kur ne ishim në seancë plenare”, – u shpreh Xhafaj. I pari ndër firmëtarët e kërkesës për referendum është Kryeministri Berisha, që pasohet nga Kryeparlamentarja Topalli dhe mjaft deputetë të Partisë Demokratike.

 

Bejtja në Kuvend, Topalli – Bejtes: Të premtoj se do të të gjej një nuse në Shkodër

Përtej debateve të ashpra që shoqëruan një ditë më parë seancën parlamentare lidhur me vrasjen e komisarit Dritan Lamaj, në sallën e Parlamentit nuk munguan edhe batutat. Deputeti socialist Ilir Bejtja duke kritikuar mënyrën e drejtimit se seancës nga Kryetarja e Kuvendit tha: “Do të doja t’i sugjeroja, meqë është nga të paktat gra në botë që drejtojnë Parlamentin, dhe atje ku gratë drejtojnë Parlamentin, i japin Parlamentit butësi, të heqë dorë nga arroganca. Po na prish punë edhe ne beqarëve. Në këtë Parlament nuk duhet të bëjë vetëm rolin e Kryetares, por duhet të sillet edhe si femër, si grua”. Nga ana e saj Kryetarja e Kuvendit duke ironizuar batutat e Bejtes tha: “Ti te koshi i pulave e paske mendjen. N’pension politik ke me dal, por meqë po më akuzon që unë i kam të gjitha fajet që t’kam lan edhe pa u martu, unë të premtoj që do të gjej një nuse në Shkodër, në fund të fundit, nëse nuk e gjen në Elbasan. Kohë ke boll, në opozitë keni për të mbetur. Unë mendoj edhe për opozitën”.

 

 

ZBARDHJE DEBATESH NË PARLAMENT

PËR KOMISARIN LAMAJ

Taulant Balla: Do kishte qenë në nderin e këtij parlamenti që 4 ditë pas vrasjes së një kryekomisari ta nisnit seancën me 2 minuta heshtje në nderim të atij punonjësi shteti të vrarë për shkak të detyrës. Për çfarë strategjie mjedisore të flasim kur në sallë ka frikë të vijë ministri i Brendshëm dhe të japi shpjegime për këtë fotografi.
Jozefina Topalli: Dëshiroj ta marrë si ndjesë nga zotëria që flet se në 2005 e kanë masakruar në me konferenca shtypi këtë komisar që sot nuk jeton dhe për të cilën ne shprehim dhimbjen më të madhe. Me konferenca shtypi nga zotëria që flet sot.
Taulant Balla: Manushaqe mbylle gojën!
Jozefina Topalli: Hiqja fjalën zotërisë! Je jashtë rendit të ditës. Në bazë të rregullores nuk lejohet me fy asnjë. Kërko të falur për atë komisar që nuk jeton. Kërko të falur këtu në parlament. Nuk ke lën gjë pa thënë për atë komisar që nuk jeton më. Kërko të falur!
Taulant Balla: Shiko katër hidrocentralet për të cilat vajte deri në Turqi.
Jozefina Topalli: Ti po e mbyll këtë parlament dhe ti s’vjen më në parlament. Nuk vjen më në zgjedhjet e ardhshme. Do të them diçka. Nuk ke lënë gjë pa thënë kundër Sali Berishës. Ti me ato klientat e partisë që të mbajnë ty me ato trafiqe që bën dhe me kompanitë që ke disa të shkruara dhe disa të pashkruara në deklaratën e pasurisë. Je ti i paguar nga ato klientat dhe kur je bashkë me ato klientat dhe të shoh unë, ty të zverdhet fytyra. Kërko të falur për komisarin!
Taulant Balla: Ti kërko falje dhe jo të kërkoj unë falje.
Jozefina Topalli: Përulem përpara çdo polici që ka dhënë jetën e tij për rendin dhe qetësinë, kurse ti s’ke lën gurë pa hedhur kurndër atij njeriu. Të vijë turpt të vijë! Ku e çon fytyrën mor? Po ku ke fytyrë ti. E di çfarë thonë në zonën tënde? Ky do të turpëronte babën e tij po të ishte pak më i mirë. Keni 8 vite që luani me vdekjen.
Sajmir Tahiri: Lëre të flasi!
Jozefina Topalli: Unë do respektoj rendin e ditës. Jashtë rendit të ditës keni të drejtë me fol për çdo temë që dëshironi.
Taulant Balla: Zonjë, mirë unë po e shkel rregulloren, po ti me çfarë të drejte ma heq mua fjalën?
Jozefian Topalli: Me këtë rregullore që keni miratuar ju.
Taulant Balla: Unë nuk jam hipokrit. Unë nuk mund të komportohem me këtë sjellje të këtij parlamenti sot.
Jozefina Topalli: Respekto rregulloren!
Taulant Balla: Ky parlament nuk mund të hyjë në punime normale pa dhënë shpjegime Ministri i Brendshëm për…
Jozefina Topalli: Atëherë zotëria nuk mund të vazhdojë më.
Sajmir Tahiri: Lëre të flasi për temën.
Jozefina Topalli: Për temën ka minutat e tij. Për çështjen e strategjisë mjedisore, nëse dëshiron të flasësh fol.
Taulant Balla: Mjedisi shqiptar sot është i ndotur edhe nga këta “bark derra” të cilët kanë marrë në qafë punën e policisë së shtetit. Mjedisi është i ndotur edhe nga ky ministër i paaftë.
Jozefina Topalli: Pyete shokun tënd me të cilin bën tregti.
Taulant Balla: ky parlament është i ndotur sa të jetë kjo grua në krye të tij.
Jozefina Topalli: Me thënë të drejtën më i ndotur që me pas ty këtu nuk ka për të pas më, nuk ka. Por ky parlament ka për të shpëtuar prej teje. Ti nuk hyn më në parlamentin e ardhshëm dhe unë do jem më e lumtura e botës që mos të kem.

DEBATET MES MEDIUT DHE SHALSIT

Eduard Shalsi: Zoti ministër, ku e keni fondin për mjedisin? Ministria e Mjedisit është parë si qokë. Sot punonjësit janë më shumë të shqetësuar sesi të bëjnë të mundur rizgjedhjen e Fatmir Mediut deputet. Kjo qeveri nuk e ka pasur dhe as nuk e ka prioritet mjedisin… ke 20 vjet që merresh me politikë dhe të paktën duhet të të vinte turp kur ti drejtohesh shqiptarëve.
Eduard Shalsi harron letrat në foltore dhe më pas vjen ministri Fatmir Mediu.
Fatmir Mediu: Merri dhe fshiu! Fshiu se duhen! Foli dhe qehajai apo dhe tellalli i partisë. Ish nënkryetari i Bashkisë në Tiranë dhe një nga ndotësit më të mëdhenj. Ti nuk meriton asnjë përgjigje se je një mashtrues ordiner! Ministria e Mjedisit nuk ka dhënë asnjë qindarkë për reklamë dhe ky mashtrim i juaji është i radhës. As tek Klani, as tek Topi e as diku tjetër sepse nuk ka pasur fonde Ministria e Mjedisit të dedikuar për reklamë.
Ndërhyrje nga deputeti Eduard Shalsi nga salla e Kuvendit, jashtë mikrofonit.
Fatmir Mediu: Nëse e do personalisht, ta kthej edhe personalisht (Ok).
Jozefina Topalli: Ju lutem z. Shalsi mos ndërprisni.
Fatmir Mediu: Do t’i këshilloja z. Rama të ndryshojë pak fjalimet sepse sa herë që flet thua po të njëjtën gjë. Hajde pak më i përgatitur herën tjetër ku të flasësh.

DEBATET MES NOKËS, TAHIRIT DHE BALLËS

Sajmir Tahiri: Je ministri i parë që po varros kaq shumë komisarë dhe ministri i vetëm mediokër nga koka tek këmbët në luftën kundër krimit. Jepni dorëheqjen!
Ardian Turku: Ju nuk keni faj se po të dëgjojnë Sajmir Tahirin po kemi frikë të pimë dhe kafe se po të dënohen pas 5 vjetësh dalim ne fajtorë.
Flamur Noka: Keni 24 orë që keni inspiruar këtë fushatë të gjerë politike, për të denigruar procesin,
Për sa i përket fotos, kjo ishte një foto normale… po, po, me të cilën, po të merrem unë me fotot tuaja, do t’ju nxjerr juve, gjysma juaj ose më shumë se gjysma juaj, se i kam fotot, duhet të lini jo vetëm parlamentin, por duhet të lini edhe Shqipërinë.
(Ndërhyn Taulant Balla nga salla pa mikrofon)
Flamur Noka:
Por unë po jua them, por… Taulant, meqë don ta nxjerr, ta nxjerr unë ty! Ti je i lidhur këmbë e kokë me trafikun e drogës dhe të femrave. Ti z. Taulant e ke emrin Fatos Gjura dhe ti dihesh… Dhe e dyta: jep një çikë përgjigje për atë vajzën, të cilën ke tentuar ta përdhunosh. Bëj analizat, se mund të dalësh edhe me SIDA, se e di ti historinë!…
Sa i përket z. Tahiri, i them, meqë ju i referoheni fotos, atëherë i them: – z. Tahiri, para ekzaktësisht 16 ditësh, ti zotëri te dy kullat, me kë ke ngrënë darkë? Nga ora 20:30 deri 02.30 ti z. Tahiri ke qenë me të dyshuarin për vrasës të kryekomisarit kur ke ngrënë darkë. Sqaroni qytetarët, ti sa herë ke shkelur, ke ngrënë dhe ke pirë në lokalin e të dyshuarit për vrasje. Kombinati z. Tahiri e di shumë mirë. Ke shkuar në lokalin e tyre, i ke miq dhe ke ngrënë e ke pirë.
Taulant Balla: Ti kujton se pisllëqet që bën vetë, i bëjnë edhe të tjerët.

BATUTAT MES ILIR BEJTES DHE TOPALLIT

Ilir Bejtja: Nuk e di do jem apo s’do jemë deputet mandatin tjetër. Po të ma thotë mirë do bënte se më duket se po harxhojmë kohën kot.
Ardian Turku: Po ta jap unë në vend të Kryetares, pyet Edi Ramën.
Ilir Bejtja: Mirë bën, nëse e di. E paskemi kështu si tek grupi jonë. Do të doja ti sugjeroja, meqë është nga të paktat gra në botë që drejtojnë parlamentin, dhe atje ku gratë drejtojnë parlamentin, i japin parlamentit butësi, të heqi dorë nga arroganca. Po na prish punë edhe ne beqarve. Në këtë parlament nuk duhet të bëjë vetëm rolin e kryetares, por duhet të sillet edhe si femër, si grua.
Ardian Turku: Z. Bejtja, flisni për mjedisi e jo për gjëra të tjera.
Ilir Bejtja: Do ta vazhdoj 2 sekonda.
Ardian Turku: Po s’ta ka falin kryetarja për beqarinë mor burrë.
Ilir Bejtja: kjo është gjë shumë më e rëndë sesa mjedisi, është ndotje akustike.
Ardian Turku: Z. Bejtja futuni në temë.
Jozefina Topalli rikthehet në sallën e parlamentit.
Ilir Bejtja: Zonja kryetare edhe njëherë ma tregoni do jemë apo s’do jem në parlament.
Jozefina Topalli: Ti te koshi i pulave e paske mendjen. N’pension politik ka me dal por meqë po më akuzon që unë i kam të gjitha fajet që t’kam lan edhe pa u martu, unë të premtoj që do të gjej një nuse në Shkodër në fund të fundit nëse nuk e gjen në Elbasan. Kohë ke boll, në opozitë keni për të mbetur. Unë mendoj edhe për opozitën.

Comments are closed.