Ariu dhe menaxheri

0
157

Enver Robelli

menaxher1. Vrasja

I paturpshëm, kryeneç, i rrezikshëm, i paparashikueshëm. Kështu nuk përshkruhet një kriminel në Zvicër, as një plaçkitës banke, as një vjedhës dyqani. Jo, kështu javën e kaluar gjerë e gjatë në mediet vendore është përshkruar M13. Tani do të pyesni se ç’dreq është ky M13? Markë armësh? Tank sovjetik? Raketë kineze? Gabim, fund e krye. Bëhet fjalë për një ari, tre vjet e gjysmë i vjetër ose i ri, 140 kilogramë i rëndë. M13 kishte ardhur nga Italia veriore në Zvicër, më saktë në kantonin Graubünden, një trevë e njohur e turizmit alpin. Në kërkim të ushqimit M13 s’kishte përtuar të shtegtonte edhe nëpër katunde, kishte shkatërruar zgjoje bletësh dhe kishte sulmuar tufa dhensh, madje muajve të fundit M13 s’trembej as prej njerëzve, i ndiqte ata, i frikësonte, ua fuste lepurin në bark. Para disa ditësh M13 frikësoi edhe një vajzë.
Duket se me këtë veprim ariu i vogël i sherreve të mëdha e mbushi kupën. Të mërkurën e kaluar për M13 ranë kambanat e vdekjes apo ngordhjes, varësisht nga këndvështrimi. Ky rast i shpëtoi edhe mediet zvicerane: të mërkurën e kaluar vrasja e M13 ishte tema e ditës. Një gazetë përgatiti dy faqe, një tjetër edhe më shumë, gazetat lokale e shënuan vrasjen e M13 në mënyrë protokollare, hap pas hapi, madje me kronologji. Ekspertë të ndryshëm, filozofë e zoologë, dhanë mendimet e tyre, kritikuan shoqërinë, e cila është gjithnjë e më jotolerante ndaj kafshëve. Mes shumë detajeve tejet interesante mësuam se dëmi që M13 ka shkaktuar në kantonin Graubünden arrin në 20 mijë franga (rreth 16 mijë euro). Njëkohësisht Zvicra nga buxheti ndan për çdo vit 850 mijë franga (690 mijë euro) për masa preventive në ruajtjen e tufave të dhenve dhe zgjojeve të bletëve nga sulmet që mund të vijnë prej arinjve, ujqve dhe rrëqebujve. (Për të gjithë ata që eventualisht nuk e dinë ç’është rrëqebulli, ja shpjegimi nga Fjalori i Gjuhës Shqipe: “Kafshë e egër mishngrënëse e ngjashme me macen, me trup deri një metër të gjatë, me qime të butë, të dendur e me ngjyrë të murrme lara-lara, me veshë të ngritur e me bisht të shkurtër”).

2. Plaçkitja

72 milionë franga janë shumë e madhe. Konvertuar në euro: 58 milionë! Këtë shumë ishte parashikuar ta merrte si shpërblim drejtori i firmës farmaceutike “Novartis”, Daniel Vasella, në përfundim të karrierës së tij. Nga ana e tij, sipas kontratës lamtumirëse, Vasella nuk do të punonte për ndonjë ndërmarrje konkurrente të firmës “Novartis”, e cila është gjigant i prodhimit të ilaçeve dhe si e tillë njihet në gjithë botën. Por, a është normale që një menaxher të marrë këtë shumë marramendëse? 72 milionë franga! Aq më tepër që Vasella deri më tani ka qenë ndër menaxherët më të paguar në botë dhe gjatë më shumë se dy dekadave punë në fushën e farmaceutikës me siguri ka kursyer ndonjë metelik. Pra, edhe sikur të mbeste pa asnjë të ardhur, 57-vjeçari Vasella nuk do të vuante urie deri në pensionim.
Lajmi se “Novartis” do t’i paguante drejtorit në largim 58 milionë euro si shpërblim nxiti si rrallëherë më parë reagime nga opinioni zviceran, por edhe më gjerë, madje deri në faqet e gazetës “Financial Times”, e cila konsiderohet të jetë Bibla dhe Kurani i çdo menaxheri. Sipas arkivit të medieve zvicerane, brenda një jave janë botuar 671 tekste mbi “rastin Vasella”. Në shumicën e tyre dominon zemërimi, mllefi, kritika, qortimi, fajësimi. Një ortek medial në pikë të dimrit! Në një kohë kur shtete të tëra gjenden para kolapsit financiar, kur shumë firma falimentojnë ose luftojnë kundër falimentimit, çohet një ndërmarrje dhe ia paguan drejtorit këtë shumë, e cila është vështirë edhe të përfytyrohet. Natyrisht “Novartis” është firmë private dhe mund të bëjë çfarë të dojë me mjetet e veta. Kjo është një mënyrë argumentimi, por e papranueshme për opinionin. Dhe ishte opinioni, mediet, personalitetet me ndikim që e bënë Daniel Vasellan “për pesë pare”, duke e akuzuar për grykësi, mungesë sensi, etike dhe çka jo tjetër. Valles së kritikëve iu bashkua edhe një prift mjaft popullor në Zvicër, i cili madje është edhe mik me drejtorin e deritanishëm të “Novartis”. Duke e parë presionin e madh, Vasella deklaroi se paratë, 72 milionët e famshëm, nuk e kishte ndërmend t’i harxhonte për nevoja private, por do t’i dhuronte për qëllime humanitare. Pothuaj askush nuk i besoi. Dhe për këtë kishte arsye: humbja e besimit në opinion! Dhe fakti se për çdo vit rroga e tij sillej rreth 20 milionë franga. Supozohet se gjatë karrierës së tij në “Novartis” (dhe firmën paraardhëse të “Novartis”) Vasella ka fituar nja 400 milionë euro.

3. Njerëz dhe kafshë

Rasti i ariut të vrarë ilustron në mënyrë simbolike hallet e sotme të Zvicrës. Në cilin vend të Ballkanit apo edhe më gjerë në Evropën Juglindore do të bëhej temë aq e madhe publike vrasja e një kafshe të egër, e cila kishte të “mbjellë” në trup një “chip”, përmes të cilit autoritetet mund të përcillnin lëvizjet e saj. Shpesh nga ky vëzhgim prodhoheshin edhe lajme për industrinë e medieve. Ariu M13 është parë sot në filan vendin, lajmëronte agjencia zvicerane e lajmeve SDA. Ariu M13 ka ndjekur një çift italian, bëhej e ditur ditën tjetër. E kështu me radhë. Pothuaj çdo zviceran qe shndërruar në spektator të spektaklit me ariun M13, me përbindëshin e parehatshëm. Tani M13 iku, trupin e tij do ta mbushin me sanë dhe do ta ekspozojnë në një muze. Me siguri qindra e qindra fëmijë dhe kureshtarë të tjerë do ta vizitojnë muzeun për ta parë ariun që dikur mbushi faqet e gazetave jo vetëm zvicerane, por edhe të përditshmet lokale në Italinë veriore, Austri dhe Gjermani. Shembulli i ariut nuk tregon vetëm mungesën e halleve të tjera të shoqërisë zvicerane, por shpalos edhe vetëdijen e qytetarëve mbi natyrën, sfidat që mund të sjellin kafshët e egra për një ambient, i cili urbanizohet gjithnjë e më shumë dhe rrjedhimisht mbetet gjithnjë e më pak vend për kafshë të egra. Ariut M13 i takon merita e thellimit të debatit mbi bashkëjetesën e njerëzve dhe kafshëve. Në Zvicër.

4. Njerëz dhe etikë

Rasti i menaxherit Daniel Vasella tregon se jo vetëm në kohëra të lulëzimit të ekonomisë, por edhe në kohëra krize ekziston një fytyrë e egër e kapitalizmit, i cili i frikëson njerëzit ngjashëm si ariu M13. Në raste të tilla në shoqëritë e zhvilluara dhe të cilat kanë arritur një nivel të lartë të demokracisë, disa gjëra nuk kalojnë. Për shembull në Zvicër mjaftoi vetëm zemërimi publik për ta detyruar një menaxher të heqë dorë nga futja në xhep e një shume që mendohej se është e pamerituar. Në këtë kontekst u diskutua edhe për etikën, edhe për moralin, edhe për ndershmërinë dhe sinqeritetin. Nuk ishte e nevojshme të bëhej një revolucion, as të organizoheshin demonstrata, as të derdhej gjak. Jo, me disa artikuj gazete një menaxher, jo aq simpatik, u shtrëngua të heqë dorë nga 72 milionë franga. Ky shembull tregon se ka vende ku fjala publike, kritika dhe qortimi merren shumë seriozisht. Dhe ka vende (nuk po i përmendim cilat janë ato), ku kritika publike, zbulimi i skandaleve nga mediet, denoncimi i krimeve apo korrupsionit thjesht shërbejnë vetëm për argëtim negativ të popullsisë, por nuk ka asnjë pasojë për keqbërësit. Sepse keqbërësit e shohin hapësirën publike si pronë të tyre private. Ashtu e kishte parë edhe ariu M13, por e ndali plumbi. Menaxherin Daniel Vasella, ndërkaq, e ndali zemërimi publik. Edhe ky firmën e shihte si pronë private të tij. Por, edhe në firmë private duhet respektuar disa rregulla. Mos të flasim për rregullat që duhet respektuar brenda organizimit shtetëror. Atje ku ka shtet. /Koha ditore/

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency