Standard.al

Aref Kadumi, historia e çuditshme e sheikut “të varfër”

 Përgatiti Altin Vorpsi

arefiRoma mund të ndryshojë sërish pronarë. Vetëm pak muaj pasi e la familja Sensi, “ujkonja” nuk ka gjetur qetësi nën drejtimin e italo-amerikanit, Palota. Ky i fundit duket se është mërzitur me këtë aventurë të re dhe po gjen një blerës për skuadrën verdhekuqe.

 

 

“Ulkonja” e Italisë më shumë se kurrë është e lënduar. Pas familjes Sensi tashmë klubi i Romës ndodhet në duart e një aksionari amerikan që ka origjinë italiane, Xhejms Palotës. Deri këtu asgjë nuk është jashtë “skemave”. Gjithçka nisi pak javë më parë kur ky i fundit mendoi që të shiste aksionet. Ai që u zotua ti blinte ato është një nga personazhet më misterioze në Itali. Jeton në Peruxhia edhe pse ka lindur në Jordani. Vëllai i tij është një shitës varëses edhe pse ai vetë është sheik.

 

Në tezgë

Të rejat më të fundit vijnë nga Nablusi (Çisjordani). I dërguari i “Corriere della Sera”, Davide Fratini ka biseduar me Azamin, njërin prej katër vëllezërve të Adnan Adel Aref Al Kadumit. Ai që habit më shumë është fakti se ku e ka gjetur gazetari vëllain e sheikut që pretendon të blejë Romën. Intervistën Fratini e ka marrë në një treg palestinez aty ku Azami ka një tezgë ku ekspozon varëset që kërkon të bëjë tregëti.

 

Raporti i vështirë

Azami nuk është takuar me të vëllain prej gati 20 vitesh: “Nuk erdhi në varrimin e babait tonë që ndërroi jetë në 1990 sepse hebrenjtë kishin rrethuar qytetin tonë. Kështu ai vizitoi mamanë tonë pak kohë më pas”. Që prej asaj herë ata dëgjohen dy tre herë në javë nëpërmjet telefonit dhe Facebook-ut. “Ai ka filluar që të më tregojë për pasionin që ka për skuadrën e futbollit. Gjithashtu më ka thënë që të shikoj disa ndeshje në televizion”.

 

Pasuria

Sa i përket gjendjes ekonomike të vëllait , Azami tregon disa të fshehta: ”Përse habiteni? Ai ka lidhje dhe njohje me disa princa saudit. Nëse më ndihmon ekonomikisht? Më ka dërguar 2.700 dollarë për nonën tonë që jeton me ne. Por fakti që mezi i mora ato lekë pasi këtu kemi procedura shumë të gjata i kërkova që të mos më ndihmojë më. Ne nuk kemi nevojë për para, unë kam makinën time të re dhe mund të blej ç’të dua. Kjo është shtëpia e tij, apartamenti i tij dhe i vëllezërve e motrave ( jemi 8 gjithsej)që nuk jetojnë këtu dhe janë të kyçura. Nëse do të ketë nevojë, mund të kthehet kur të dojë”.

 

 

Dilema

Nëse ka një sheik në Peruxhia, nuk është parë hiç vërdallë. Adnan Adel Aref Kadumi Al Shteui, i cilësuar në kryeqytet si ortaku i mundshëm i Xhejms Palotës tek As Roma, gjithmonë nëse nuk bëhet fjalë për një çështje emrash të njëjtë, jeton prej vitesh në kryeqendrën e Umbrias, siç  thonë mediet, por jo në një pallat përrallash, por në një shtëpi dykatëshe. Në shtëpinë e “sheikut”-nëse i bie derës, ta hap një grua e vjetër: “Më fal, a është zoti Kuadumi?”.”Jo, për momentin nuk është. Kush jeni ju?”. “Një gazetar, zonjë. Thonë që po investon shumë para në skuadrën e Romës. A dini gjë ju?”. ”Jo, unë s´di gjë fare”, dhe mbyllet porta e shtëpisë. Ajo është një shtëpi dykatëshe modeste buzë të rrugës që lidh Montelaguardian dhe Ponte Patolin. Asnjë gjurmë pasurie marramendëse, nja dy makina të cilindratave mesatare, një pamje shumë e bukur mbi kodrën me ullinj dhe pyjet me pisha. “Zonja që ju ka hapur derën është e vjehrra”, do të shpjegonte më vonë një fqinj. Çfarë pune bën?  Në Kordigliano, Adnanin e njohin të gjithë.  “Një njeri shumë i mirë”, betohen fqinjët. Të njëjtët që u habitën shumë kur i dëgjuan emrin në televizion. “Se kemi ditur kurrë që është sheik – thotë një burrë  që banon dy hapa larg tij – ne e dimë që banon këtu prej shumë vitesh dhe ka qenë gjithmonë i sjellshëm. Me se merret? këtë nuk di t´jua them: punon në Romë dhe kthehet në fundjavë këtu. E bija punon me të”. Familja – Adnan Kadumi është një  54-vjeçar jordanez me origjinë palestineze. Është larguar nga vendi i tij në vitet ´60, ku ka braktisur familjen- thonë me prejardhje fisnike- pas pushtimit izraelian të Çisjordanisë.  Në Peruxhia u martua me Maria Grazian, nëpunëse në bashki,me të cilën ka dy fëmijë: djali polic dhe vajza punon me të. Se me çfarë merren, nuk dihet. Deri më tani dihet që Kadumi ka një shoqëri, “Amyga srl” me qendër administrative në rrugën  Mario Anxheloni në Peruxhia, po operative në  Roma. Ndërmjetës? – “Xhaxhai – tregon një fqinj – ka qenë parlamentar palestinez pas rënies së Arafatit, ndërkohë që e motra duhet të jetë martuar me një miliarder a sheik në vendin e tyre”. Këtu lind dyshimi që në fakt mund të kemi të bëjmë me një ndërmjetës. Ndërkohë që në qytet askush nuk duket se e njeh as në ambientet e sipërmarrësve, as në ato të shoqërisë së lartë, duke qenë se pas 25 vjetësh do të ishte dukur kjo gjë. Umbriani skeptik bën dy llogari sidomos kur bëhet fjalë për sheikë dhe futboll.

Shënim: Pjesë nga artikulli të Ivano Porfirit dhe Mauricio Trokolit të publikuar në Umbria 24

 

 

Comments are closed.