Standard.al

Agjenti i infiltruar zbulon 30 mijë euro të falsifikuara, katër në pranga

Elton Qyno

 

euro flalseZbulohet baza në rrugën “Bardhyl”, arrestime edhe në një banesë pranë Ambasadës Amerikane në Rrugën e Elbasanit

Katër falsifikatorët bien në pranga, i pesti i shpëton arrestimit të agjentëve të policisë

 

Katër persona janë arrestuar nga policia e Tiranës, pasi janë autorë të falsifikimit të një shume prej 30 mijë eurosh dhe 2 milionë lekësh të vjetra shqiptare. Mësohet se një agjent policie ka arritur të infiltrohet brenda grupit, duke porositur euro të falsifikuara. Pas marrjes së një shume dhe kryerjes së ekspertimit në laboratorin shkencor, ka rezultuar se kartëmonedhat kanë qenë të falsifikuara. Nisur nga kjo situatë prokuroria ka autorizuar vijimin e veprimeve stimuluese, duke bërë që agjenti të infiltrohet brenda grupit të falsifikatorëve, duke zbardhur të plotë skemën e grupit. Sipas policisë së Tiranës, ka qenë operacion i sektorit kundër krimit ekonomik dhe financiar, ku pas një hetimi tremujor për dokumentimin e aktivitetit kriminal është mundur të realizohet arrestimi i shtetasit Klodian Ceka, 28 vjeç, Florian Qatibi, 27 vjeç, Besjan Cici, 25 vjeç, Stefano Gjonej, 22 vjeç. Të katër këta persona janë arrestuar në zonën e rrugës Bardhyl dhe në zonën e Rrugës së Elbasanit, pranë Ambasadës Amerikane, në orët e pasdites së djeshme. Nga hetimet e kryera është arritur të provohet se katër personat e sipërcituar kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kohë të gjatë, duke siguruar mjetet dhe ambientet për falsifikimin e kartëmonedhave të valutës euro, por edhe lekë shqiptare. Gjatë operacionit policor të koduar “Euro”, policia ka arritur të bëjë bllokimin vetëm të shumave financiare të falsifikuara, ndërkohë që për sa i përket sekuestrimit të mjeteve që shërbenin për falsifikimin e monedhave, nuk është arritur të bëhet zbulimi i tyre. Katër personat janë arritur të kapen në momentin kur ata po tentonin t’i hidhnin në treg shumën e eurove, moment ky kur kanë ndërhyrë edhe agjentët e policisë së Tiranës, të cilët kanë bërë arrestimin në kushtet e flagrancës. Operacioni është arritur të kryhet në dy kohë, ku fillimisht është goditur baza në rrugën “Bardhyl” dhe më pas është bërë dhe arrestimi i disa prej falsifikuesve në një shtëpi pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Operacioni “Euro”

Agjentë të sektorit kundër krimit ekonomik dhe financiar në Drejtorisë e Policisë Tiranë kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Euro”, ku u arrestuan në 4 shtetas për “Falsifikim të kartëmonedhave” dhe një tjetër shtetas është shpallur në kërkim policor. Në kuadër të këtij operacioni policor, i realizuar me pjesëmarrje dhe koordinim të strukturave të krimit ekonomik-financiar, sektori i operacioneve speciale dhe nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore kundër Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës, u finalizua me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme parash në valutë shqiptare dhe euro si dhe arrestimin në flagrancë të 4 shtetasve. Operacioni u realizua në afërsi të rrugës “Bardhyl” në Tiranë dhe rreth orës 16:00 u arrit kapja e shtetasve Klodian Ceka, 28 vjeç, banues në Tiranë, Florijan Qatibi, 27 vjeç, banues në Tiranë, Besjan Cici, 25 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, dhe Stefano Gjonej, 22 vjeç, banues në Tiranë. Ndërkohë, gjatë këtij operacioni ka mundur të shpëtojë nga prangat e policisë një person i pestë, i cili tashmë është shpallur në kërkim policor nga ana e prokurorisë së kryeqytetit. Operacioni policor u finalizua pas një punë operative hetimore dhe procedurale, duke u mundësuar dokumentimi ligjor i përfshirjes së shtetasve të sipër cituar në veprimtarinë kriminale. Në një periudhë 3-mujore hetimi, është arritur të sigurohen provat e mjaftueshme për t’u vërtetuar faktin, që shtetasit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë prodhuar dhe hedhur në qarkullim kartëmonedha euro dhe valutë shqiptare të falsifikuara.

Provat e sekuestruara

Për gjatë hetimeve të kryera, duke mbajtur në përgjim ambiental të pestë personat dhe vëzhgime në teren, policia ka arritur të mbledhë prova bindëse për të provuar fajësinë e tyre. Kështu veç përgjimeve dhe fotografimeve një agjent policie është ai që ka zbërthyer të gjithë skemën e grupit. Pas dokumentimit të plotë të veprimtarisë kriminale, është urdhëruar arrestimi i pesë personave. Gjatë operacionit policor, u dokumentua tërësisht se kartëmonedhat euro ishin të prerjes 50 euro dhe 1000 lekë të reja. U sekuestruan në cilësinë e provës materiale, shuma prej 30 mijë euro dhe shuma e parave valutë shqiptare prej 2 milionë të vjetra. Ndërkohë që lidhur me këtë ngjarje të gjitha materialet hetimore i kaluan njësisë hetimore task-forcë, pranë Prokurorisë së Tiranës.

 

Nderohen dy SHIK-asit e vrarë në Vlorë në vitin 1997

Berisha homazhe për dy oficerët e SHIK-ut:

Vrasësit ishin politikë, u dënuan me votë

Kryeministri Berisha nderoi dje Dëshmorët e Atdheut Besnik Hidri dhe Lekë Qokaj, ish-punonjës të Shërbimit Informativ, të rënë në krye të detyrës më 28 shkurt 1997, në Vlorë, në mbrojtje të institucioneve shtetërore. Kreu i qeverisë bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule pranë trupave të tyre, të cilët me një ceremoni të veçantë u përcollën në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, në Tiranë. Besnik Hidri dhe Lekë Qokaj janë dekoruar (pas vdekjes) nga Presidenti i Republikës me “Medaljen e Shqiponjës së Arte” me motivacionin: “Në shenjë nderimi dhe vlerësimi të lartë për veprimtarinë dhe kontributin e vyer në shërbim të shtetit, deri në aktin sublim, dhënien e jetës në krye të detyrës”. Ndërsa, në vitin 2006 janë shpallur Dëshmorë të Atdheut me vendim të Komisionit të Posaçëm Qeveritar. Numri një i qeverisë tha se i gjithë kombi shqiptar përulet me nderimin më të madh para këtyre dëshmorëve për qëndresën, trimërinë, dhe heroizmin e tyre, që me rënien në krye të detyrës fituan nderin dhe pavdekësinë. “Në rrafshin politik ky rebelim u mbyll në mënyrën më dinjitoze nga qytetarët shqiptarë që bënë, ata që erdhën me dhunë të largoheshin me votë”, – deklaroi Berisha. Për sa i përket mospërfundimit të gjyqit ndaj vrasjes së dy oficerëve të SHIK-ut, Berisha u përgjigj: “Në tërësi ndonjëherë vlerësimet, korrigjimet edhe mund të vonojnë, drejtësia vonon, por s’harron”. Besnik Hidri dhe Lekë Qokaj janë ekzekutuar me mjete të forta dhe armë, gjatë kohës së shërbimit të tyre në Vlorë. Në atë periudhë qyteti është përfshirë nga trazirat, për shkak të falimentimit të firmave piramidale, duke bërë që shumë qytetarë të irrituar të sulmojnë komisariatin e policisë dhe zyrat e SHIK-ut në Vlorë.

 

Ngjarja në Lushnjë

Vëllezërit Bello plagosin me armë pronarin e lokalit

Plagosje me armë zjarri në qytetin e Lushnjës. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të mbrëmjes në lagjen “Xhevdet Nepravishta”. Sipas policisë, vëllezërit Bledar dhe Erges Bello, përkatësisht 35 dhe 31 vjeç, kanë shkuar në lokalin e 37-vjeçarit L. C. dhe në sherr e sipër e kanë qëlluar me pistoletë në këmbë. Viktima është dërguar me urgjencë drejt spitalit ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Forcat e komisariatit të policisë kanë arritur që brenda pak minutash të arrestojnë dy vëllezërit të dyshuar si autorë të krimit. Gjatë marrjes në pyetje ata kanë treguar se shkak i këtij konflikti ka qenë një sherr për motive banale.

 

Arrestime në Vlorë

Policia kap tre persona për krime të ndryshme

Forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë në 24 orët e fundit kanë zhvilluar një sërë operacionesh, ku janë arrestuar 3 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Shtetasi Aliu Aliu, 35 vjeç, është prangosur pasi akuzohet për vjedhje në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje. Gjykata kishte vendosur për të masën “Arrest me burg”. Një tjetër shtetas, Stamir Hamza, 30 vjeç, u arrestua pasi dyshohet se është autor i disa vjedhjeve, kryesisht të banesave dhe lokaleve. Për akuzën “Prodhim të lëndëve narkotike” është prangosur Nexhmi Nexhipi. Gjatë arrestimit ai është kapur me 5 kg kanabis. Aktualisht të gjitha veprimet hetimore ndaj këtyre personave, i janë dërguar Prokurorisë së Vlorës për hetime të mëtejshme.

 

Dogana Qafë-Botë

Prishet sistemi kompjuterik, radhë të gjata në kufi

Defekti i radhës në kompjuterët e kontrollorëve të palës greke ka bërë që të bllokohet puna prej orës 17:00 të pasdites së djeshme në pikën kufitare të Qafë-Botës. Duke u bllokuar hyrja e emigrantëve shqiptarë që duan të hyjnë në territorin e vendit tonë, janë shkaktuar edhe radhët e gjata në anën e shtetit grek të makinave dhe kalimtarëve. Autoritetet kufitare shqiptare bëjnë me dije se ata vetë nuk kanë probleme dhe radhët janë krijuar vetëm në tokën greke. Kjo nuk është hera e parë që pala greke shfaq probleme në pikat e kalimit kufitar, ku në shumë raste nuk ka qenë sistemi kompjuterik, por grevat e njëpasnjëshme të zhvilluara, si pasojë e krizës së rëndë financiare që është përfshirë Greqia.

 

 

 

Comments are closed.