A është Beppe Grillo një kloun politik apo shpresa e njerëzve?

0
174

 

beppe“Djali plëngprishës” i politikës italiane, Beppe Grillo, bën përshtypje të fortë në publik para së gjithash nëpërmjet mënyrës së tij të pafre të të shprehurit. Tani ai mund të luajë rolin kyç në formimin e qeverisë.

Grillini quhen bashkëluftëtarët e tij, Grillo të vegjël. Dhe vërtet, kështu duket, Beppe Grillo është për shumë përkrahës të tij një lloj udhërrëfyesi atëror. Nga sheshet publike në vend ai shpreh me zë të lartë zemërimin, përbuzjen ndaj establishmentit politik të Italisë, të cilat i ka të përbashkëta me shumë italianë pas skandaleve politike të viteve të fundit. Dhe ai përdor me sukses internetin për të komunikuar drejtpërdrejt dhe në mënyrë të pafiltruar me zgjedhësit e tij.

Grillo, i cili u bë i njohur në Itali si aktor dhe satirist, hyri vonë në politikën aktive. Në vitin 2009 65-vjeçari themeloi partinë e tij, Lëvizjen 5 Yje (Movimento 5 Stelle). Qysh në 2007-n shpalli të ashtuquajturën “Vaffa-day”, “Ditën ma rruaj”, dhe nxori në protestë kundër politikanëve qeverisës italianë dhjetëra mijëra vetë në gjithë vendin. Ai operon në Itali një blog të rëndësishëm politik, gati një milion vetë janë pasues të tij në Twitter.

 

Forca e tretë politike

Lëvizja 5 Yje u bë aty për aty forca e tretë politike e vendit në zgjedhjet parlamentare. Formimi i qeverisë pa së paku tolerimin prej saj duket i pamundur, pasi asnjëra prej aleancave partiake nuk ka shumicë të vetën në dy dhomat e parlamentit. Një bashkëpunim i dy forcave më të mëdha politike, aleancës së qendrës së majtë të Pier Luigi Bersanit dhe aleancës së qendrës së djathtë, të organizuar prej Silvio Berlusconit, duket i papërfytyrueshëm.

Ndërkohë ka një afrim të përmbajtur midis Bersanit dhe Grillos. Ky deklaroi pas publikimit të llogaritjeve të përafërta: “Nuk ka strategji, ne do të mbështesim nga ligji në ligj ide, të cilat përputhen me tonat”.

 

Aleancë e vështirë

Dhe pa dyshim që ka elemente të përbashkëta të Partito Democraticos së Bersanit dhe Lëvizjes 5 Yje. “Beppe Grillo hyri në politikë në sfondin e konfliktit të tij personal me Silvio Berlusconin. Ky është një motivim bazë, të cilin ka ku ta kapë edhe Patito Democratico. Ka interesa të përbashkëta, thotë Roman Maruhn i Institutit Goethe në Palermo.

Megjithatë, Grillo dhe Bersani nuk kanë kurrsesi qëndrime të njëjta, para së gjithash edhe personalisht. Për Grillon Bersani është pjesë e elitës politike italiane dhe mban bashkëpërgjegjësi për politikën e viteve të fundit. Për këtë arsye Luca Verzichelli, politolog në Universitetin e Sienës, bën fjalë në intervistë për Deutsche Welle-n për një “mision të pamundur” për sa i takon aleancës mes dy forcave.

Por, në qoftë se politikanët i kapërcejnë rezervat e tyre të ndërsjella dhe zhvillojnë një dialog serioz, atëherë është së paku e mundur që në disa pika të rëndësishme të hartohet një strategji e përbashkët, thotë Verzichelli. /DW/

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency