80 mijë emigrantë pritet të kthehen deri në qershor nga Greqia

0
151

Emigrantët: Vetëm qiraja na shkon 400 euro në muaj

kthimiGreqia: Nuk ka pension për emigrantët pavarësisht se kanë plotësuar kushtet

 

Numri i emigrantëve që po përgatisin valixhet për t’u rikthyer në Shqipëri çdo ditë e më shumë po rritet. Sipas të dhënave më të fundit, më shumë se 80 mijë emigrantë po përgatisin dokumentacionin për t’u rikthyer në atdhe. Kushtet e vështira ekonomike dhe mungesa e një vendi pune janë arsyet kryesore që kanë detyruar emigrantët të rikthehen. Sipas mediave greke, deri tani 80 mijë emigrantë kanë filluar procedurën për të ikur nga Greqia. Sipas të dhënave, numri i të kthyerve pritet të jetë më i lartë, pasi shumë prej shqiptarëve presin vetëm që fëmijët të mbarojnë shkollën dhe më pas të rikthehen në Shqipëri. Sipas të dhënave, në Greqi punojnë vetëm 5% e emigrantëve shqiptarë, ku midis tyre përfshihen edhe ata emigrantë të cilët kanë një biznes në shtetin grek. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës në Shqipëri përgjatë 2012-2013 është rritur numri i familjeve që rikthehen nga Greqia, por këtë vit ky numër pritet të arrijë kulmin, pasi shumë shqiptarë mendohet që të kenë vendosur si afatin e fundit të qëndrimit në Greqi muajin qershor, i cili korrespondon edhe me zgjedhjet parlamentare.

Emigrantët

Të pyetur nga mediat greke, shumë emigrantë të cilët qëndrojnë çdo ditë në sheshin “Omonia” në pritje që dikush t’u ofrojë punë shprehen se janë shumë të zhgënjyer dhe se nuk ka rrugë tjetër veçse rikthimin në Shqipëri. “Çfarë të bëjmë këtu, qiraja na shkon 400 euro, dritat dhe uji 200 euro, fëmijët duan lekë, ne duam çdo ditë të hamë. Po harxhojmë nga kursimet tona. Po presim që fëmijët të mbarojnë punë dhe do të ikim menjëherë, do të ikim dhe s’kemi për t’u rikthyer më kurrë në këtë vend”, – shprehet një prej shqiptarëve të acaruar për situatën e vështirë për gazetën greke “Ekathemirini”. Sipas emigrantëve shteti grek nuk i ka mbështetur madje nuk u ka dhënë as ndihmën sociale që ja jep çdokujt. Po kështu emigrantët ankohen për pagesat që duhet të bëjnë për fëmijët ku shkolla çdo ditë u kërkon lekë”. Nuk do ta mbajmë ne Greqinë me lekë, ne kemi ardhur për të punuar dhe jo që shteti grek të na rrjepë. Të gjitha taksat na i ka ngritur tani na thotë dhe se lejen e qëndrimit do të rritë pagesën për çdo vit. Ku t’i gjemë ne lekët. Le t’u rritë taksat shtetasve grekë dhe jo ne pasi ne s’kemi, ç’të nxjerrim do të hamë, por kur s’nxjerrim çfarë të bëjmë”, – përmend emigranti B. S. për mediat greke.

Rikthim “pa kushte”

Kthimi i emigrantëve shqiptarë pritet të sjellë dhe pasoja të rënda për ta. Mediat greke bëjnë të ditur se shteti grek nuk do t’u njohë as sigurimet shoqërore as sigurimet shëndetësore emigrantëve. Nëpërmjet këtyre sigurimeve çdo emigrant, kur do të dilte në pension kishte mundësi të merrte një pension nga shteti grek, por kushtet e vështira ekonomike të Greqisë e kanë detyruar të dalë jashtë legjislacionit të Bashkimit Evropian.

 

 

 

Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, së shpejti me portal pune të përbashkët

 

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia së shpejti do të kenë një portal pune të përbashkët. Ngritja e Portalit Rajonal të Punës ka mbledhur në Prishtinë përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta të Shqipërisë dhe Ministrisë së Punës së Maqedonisë. Kjo iniciativë vjen si rrjedhojë e gjendjes së tregut të punës në rajon, nivelit të papunësisë dhe nevojës për rritjen e absorbimit të fuqisë punëtore nga sipërmarrja jo vetëm brenda kufijve të vendeve përkatëse, por veçanërisht mes tyre, si dhe për shkëmbimin në kohë reale të informacionit mbi kërkesat dhe ofertat e punës në secilin prej vendeve. Iniciativa për ndërmarrjen e hapave për ngritjen e Portalit Rajonal të Punës është bazuar edhe në përvojën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe portalit të punës Eures. Gjatë takimit trepalësh u prezantua Raporti i Fizibilitetit për ndërtimin e Portalit Rajonal të Punës, realizuar me iniciativën e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, si dhe u diskutua rreth mundësive që ajo krijon për çdo vend dhe përfitimeve që vijnë nga ky proces. Kjo iniciativë është vetëm hapi i parë, që si fillim ka një rrjet prej tri shtetesh, por që synon të shtrihet më pas edhe në shtete të tjera. “Punësimi përbën një ndër problemet më të rëndësishme ekonomike dhe sociale të shoqërisë shqiptare dhe qeveria është e angazhuar në zbutjen e pasojave të papunësisë, nëpërmjet sigurimit të rrugëve të zhvillimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës”, – vuri në dukje drejtorja e Politikave të Punësimit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, znj. Arjeta Ndrico. Znj. Ndrico vlerësoi se, “krijimi i një Sistemi Informacioni tё Tregut Rajonal tё Punёs ёshtё njё element shumё i rёndёsishёm nё fushёn e punёsimit, pasi punësimi përbën një ndër problemet më të rëndësishme ekonomike dhe sociale të vendeve ne Rajon”. “Sistemi i Informacionit tё Tregut tё Punёs ёshtё njё prej instrumentave tё rёndёsishёm, nёpёrmjet tё cilit synohet tё harmonizohet oferta dhe kёrkesa nё tregun e punёs, duke synuar njё punёsim sipas aftёsive profesionale tё kёrkuara nga biznesi”, – vlerësoi Drejtoresha e Politikave të Punësimit, duke deklaruar se, Krijimi i Portalit Rajonal të Punës vjen nё njё moment shumё tё pёrshtatshёm pёr Shqipërinë, e cila sapo ka përfunduar informatizimin e shёrbimeve tё punёsimit nё mbarё vendin. Takimin e përshëndeti edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës, z. Nenad Rasic, i cili e vlerësoi si shumë të rëndësishëm procesin e unifikimit të tregjeve të punës së vendeve të Rajonit.

 

 

Hyn në fuqi lista e barnave të rimbursueshme

Nga dita e sotme hyn në fuqi ligji për listën e re të barnave të rimbursueshme. Vendimi është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe nga dita e sotme çdokush do të mund të përfitojë nga 19 barnat e reja. Lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2013 është pasuruar me 19 barna të reja, ku përfshihen 13 formëdoza të reja të barnave të listës si dhe 6 principe aktive të reja. Këto barna shërbejnë për trajtimin e leucemisë, diabetit, reumatizmit, insuficencës renale, epilepsisë rezistente ndaj mjekimeve të tjera, anemisë te fëmijët, për trajtimin e sëmundjeve kardiovaskulare etj, duke e cuar në 426 numrin e barnave të listës së rimbursueshme për vitin 2013. Fondi që do të perdoret nga ISKSH për rimbursimin e barnave këtë vit pritet të shkojë në 8.4 miliardë lekë (të reja), pra rreth 500 milionë lekë më shumë se një vit më parë. Ky fond është 2.5 herë më i lartë se fondi i shpenzuar për listën e barnave në vitin 2006, kur për barnat shpenzoheshin 3.4 miliardë lek. Falë rritjes së fondit për barnat e rimbursueshme me një mbështetje të vazhdueshme të qeverisë, është bërë e mundur që skema të zgjerohet vit pas viti, jo vetëm me barna të reja por me rritjen e popullatës përfituese. Kështu, që nga viti 2005 deri më sot janë shtuar 159 barna të reja dhe 413 alternativa barnash duke e çuar listën e barnave të rimbursueshme në 426 barna dhe 1135 alternativa barnash. Lista e barnave është rritur në mënyrë cilësore, duke rimbursuar edhe barna mjaft të shtrenjta siç është rasti i pacientëve që vuajnë nga leucemia, kostomujore e trajtimit të një pacienti të vetëm, shkon në 382.000 lekë të reja/muaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency