Vatikan, Papa Benedicti mban meshën e fundit

0

MESHANga sot Vatikani është praktikisht pa Papë. Është bërë e ditur se do të ketë një zëvendësim deri përpara Pashkëve katolike

Mijëra persona janë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, për të dëgjuar fjalimin e fundit të Papa Benedictit XVI, i cili sot jep dorëheqje nga Papati. Rreth 200.000 besimtarë e ndoqën drejtpërsëdrejti fjalimin e fundit të Papës përpara se ai të largohet nga Papati. Sheshi u mbush dy orë përpara daljes së Benedictit XVI, i cili do të mbajë edhe dëgjesën e fundit. Duke iu drejtuar besimtarëve Papa tha: “Nuk jam ndjerë kurrë vetëm, ju falënderoj. Nuk e braktis Kryqin, por do të qëndroj në një mënyrë të re”. Më pas ai kujtoi se kur në 19 prill tetë vite më parë pranoi të mbante këtë detyrë të rëndësishme, fjalët e tij qenë: “Zot përse ma kërkon këtë gjë? Është një peshë që më vendos mbi shpatulla, por nëse ti ma kërkon unë e pranoj, sigurisht që ti do të më ndihmosh edhe me gjithë dobësitë e mia”. “Tetë vite më pas, – thotë Papa i tërhequr, – mund të them se Zoti më ka ndihmuar dhe më ka qëndruar pranë, pasi e kam perceptuar çdo ditë prezencën e tij”. Pas përfundimit të këtij riti, Benedicti XVI do të largohet me helikopter. Nga ora 20 e datës 28, ai nuk do të jetë më Papë. Prej mbrëmjes së të enjtes do të mbajë titullin “Papa i Tërhequr Shenjtëria e Tij Benedicti XVI”. “Në këtë moment kam një besim të madh. Komuniteti i besimtarëve dëgjon dhe mirëpret fjalën e Zotit dhe ky është besimi im”, – u shpreh Ratzinger. “Kur pranova këtë post, isha i sigurt. Pyeta zotin se përse më jepte këtë post. Tetë vjet më pas, mund të them se Zoti me më ndihmoi dhe më ndoqi në çdo hap. Patëm momente të vështira. Kisha nuk është imja, as juaja, por është e Zotit. Zoti me udhëhoqi mua dhe ka qenë shumë afër meje. Ti besojmë zotit dhe t`i në zbatojmë fjalët e tij gjithnjë në ditë të mira dhe të vështira. Do të doja që çdo kusht të rinovojë besimin tek Zoti. Faleminderit Zot që më bëre një të krishterë. Kur bëhesh Papë, nuk ke më privatësi, sepse gjithçka u tregohet të tjerëve, pra kur bëhesh Papë, ti nuk ke më një jetë tënden, sepse ai u përket të gjithëve dhe të gjithë i përkasin atij. Vendimi im për të dorëhequr nuk e ka ndryshuar këtë qëndrim, duke u tërhequr në një jetë private, por unë do t’u përkas të gjithëve dhe të gjithë do të më përkasin. Unë do të jem në zemrat e lutësve të Shën Pjetrit. Faleminderit që më kuptuat”, – ishin disa fjalë të Papës. Ndërkohë, nga ora 20:00 e datës 28 shkurt, Benedicti nuk do të jetë më Papë. Prej mbrëmjes së të enjtes do të mbajë titullin “Papa i Tërhequr Shenjtëria e Tij Benedicti XVI”. Benedicti ka bërë të ditur disa javë më parë se më 28 shkurt do të heqë dorë nga detyrat e Papatit. Ai është Papa i parë që jep dorëheqje në gati 600 vjet. 85-vjeçari Ratzinger dha dorëheqjen më parë gjatë shkurtit, duke justifikuar këtë vendim me shëndetin e tij të dobët. Megjithatë, procedura e dorëheqjes vendosi në vështirësi Vatikanin, pasi prej 600 vitesh, të gjithë Papët vdisnin në detyrë dhe nuk ishin regjistruar raste të tjera largimi të vullnetshëm.

Burg përjetë ish-kryebashkiakut të Selanikut

Pesë vjet pas denoncimit të parë dhe pas një gjyqi që ka zgjatur më shumë se 5 muaj, me 50 seanca, 60 dëshmitarë dhe 17 të akuzuar, juria e Gjykatës së Apelit të Selanikut ka dënuar me burgim të përjetshëm ish-kryebashkiakun e këtij qyteti, Vasilis Papageorgopoulos. Të njëjtin dënim kanë marrë edhe një ish-sekretar i përgjithshëm i bashkisë dhe ish-shefi i thesarit, të akuzuar për përvetësimin e më shumë se 21 milionë eurove nga fondi i bashkisë, në një prej skandaleve më të mëdha financiare të kohës në Greqi. Sipas vendimit të gjykatës, Vasilis Papageorgopoulos është shpallur fajtor për krimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë në përvetësimin e parave të bashkisë gjatë kohës që ishte në detyrë prej viti 1999 deri në vitin 2010, ndërsa sekretari i tij dhe shefi i thesarit, përveç veprës së përvetësimit të përsëritur, janë dënuar edhe për falsifikim dhe pastrim parash. Bashkë me ta janë dënuar respektivisht me 10 e 15 vjet burg edhe dy drejtorë të fondit financiar të bashkisë. Për vite me radhë të mbuluar nga kryebashkiaku dhe me dijeninë e plotë të tij, ata kishin krijuar një mekanizëm të përkryer, që gjente burime financiare për bashkinë dhe i përvetësonte ato pa lënë gjurmë. Kryebashkiaku Papageorgopoulos, deputet për 17 vjet i Demokracisë së Re, zv.ministër i Atletikës dhe më pas i zgjedhur tri herë rresht kryetar i bashkisë me përkrahjen e kësaj partie, etiketohej shpesh herë në opinionin publik të qytetit të dytë më të madh të vendit si “Princi” apo “Ludoviku”, për shkak të mënyrës së jetesës dhe të sjelljes, ndërsa përdorte televizionin bashkiak për të bërë qejfin e miqve të tij dhe për të promovuar aktivitetet ku merrte pjesë. Vendimi i gjykatës ka shkaktuar reagime pozitive në Greqi, pasi është hera e dytë pas fillimit të krizës që dënohet me burgim të përjetshëm një politikan për përvetësim të parave të shtetit dhe për korrupsion.

 

 

Grillo: Nuk bëj kompromis me asnjë parti

Sapo u shpallën rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të fundit në Itali, të gjithë rendën të deklaronin se bëhej fjalë për një ngërç politik, për një rezultat që çfarëdo mund të prodhojë, por vetëm qeverinë e ardhshme jo. Lëvizja Pesë Yjet (M5S), që mori një të katërtën e votave në zgjedhjet legjislative italiane, nuk do të japë votëbesimin për një qeveri cilado qoftë ajo, konfirmoi lideri i saj, Beppe Grillo, në blogun e tij. ”Lëvizja Pesë Yjet nuk do të japë votëbesimin as për Partinë Demokrate (PD, e majtë), as për ndonjë parti tjetër”, – theksoi ish-humoristi, deputetët e të cilit janë shumë të mikluar në mungesë të mazhorancës së qartë në Senat. Përveç të tjerave, ai përsëriti se lëvizja e tij që disponon 109 deputetë dhe 54 senatorë do të votojë vetëm ligjet që reflektojnë programin e tij. Këto deklarata u bënë ndërkohë që një nga hipotezat për të nxjerrë Italinë nga qorrsokaku politik të ishte një qeveri e majtë mazhoritare në Parlament dhe minoritare në Senat. Koalicioni i së majtës, i udhëhequr nga Bersani, doli fitues në zgjedhje, ka shumicën e nevojshme për të kaluar qeverinë në Dhomën e Deputetëve, por i mungon një gjë e tillë në Senat. Koalicioni më i mundshëm ishte ai me Mario Montin, por as me forcën politike të këtij të fundit nuk sigurohet numri i nevojshëm në Senat për t’i dhënë bekimin qeverisë. Alternativa mbetet lëvizja e komedianit Beppe Grillo. Aleanca me të është një mision i pamundur. 163 të zgjedhur e Lëvizjes 5 Yjet, sipas analistëve kanë në dorë fatin e Italisë, mund të shndërrohen në faktor stabiliteti ose një faktor destabiliteti. E dyta ka më shumë mundësi. Disa zëra nga brenda kësaj lëvizje deklaruan se nëse shihej një përputhje mes programit të tyre prej 5 pikash dhe alternativës qeverisëse së ardhshme, mund ta votonin atë. Por të mërkurën, Grillo hodhi poshtë këto zëra. “Askush nga Lëvizja 5 Yjet nuk do të votëbesojë askënd, qoftë Bersani, qoftë Berlusconi. 5 yjet votëbesojnë vetëm pesë pikat e programit të tyre”, – deklaroi ai në një intervistë për CNN. Në fakt mediat e huaja janë i vetmi burim informacioni edhe për vetë ato italiane. Grillo refuzon daljen në këto media duke i akuzuar se së bashku me klasën politike janë bashkëfajtore të gjendjes ekonomike në Itali. Grillo sulmoi ashpër kreun e PD-së, Bersani, duke e quajtur “një të vdekur që flet”. Lideri i qendrës së majtë iu kundërpërgjigj duke deklaruar se ishte i hapur për të gjitha kritikat dhe sharjet e Grillos, por në Parlament. Sapo u shpallën rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të fundit në Itali, të gjithë rendën të deklaronin se bëhej fjalë për një ngërç politik, për një rezultat që çfarëdo mund të prodhojë, por vetëm qeverinë e ardhshme jo.