Turqia është e vetmja urë mes Lindjes dhe Perëndimit

0
133

Augustin Palokaj

turqiaKa shumë vende dhe popuj, sidomos në Ballkan, në atë Lindor e Perëndimor, që pretendojnë të jenë “ura” lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit apo edhe “mure mbrojtëse” të Perëndimit. Por asnjë shteti apo kombi nuk i takon ky epitet më shumë sesa Turqisë. Ajo është shtet anëtar i NATO-s, ndërsa ka stazhin më të gjatë të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në këtë kohë kur BE-ja është e pasigurt dhe e pasinqertë nëse e do apo jo Turqinë si vend të saj anëtar në një të ardhme, ky shtet ka rritur dukshëm rolin në Lindjen e Mesme dhe në zonat rreth saj. Po ashtu ka një angazhim të shtuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Kryetari i Serbisë, Tomislav Nikoliq, në Ankara thotë se “miqësia e Serbisë dhe Turqisë është më e madhe se çfarëdo këmbimi tregtar”. Mikpritësit turq ia kthejnë se “asnjëherë raportet e Turqisë me Serbinë nuk kanë qenë më të mira“. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e quan homologun e tij turk “vëlla“, ndërsa ai i Shqipërisë, Sali Berisha, thotë se “shqiptarët dhe turqit janë të një gjaku”. Turqia ndërmjetëson edhe në zgjidhjen e problemeve mes Bosnjë-Hercegovinës me Serbinë duke zhvilluar samite trelaterale. Edhe me Kroacinë, Turqia i ka punët shumë mirë. Madje disa muaj para se Kroacia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, Turqia ka dalë në pozitën e parë si investuesja më e madhe e huaj në Kroaci në vitin e fundit. Rasti i Kroacisë mund të shihet edhe si një fenomen kulturologjik. Telenovelat turke në këtë vend janë duke i thyer të gjitha rekordet e shikueshmërisë. Javën e fundit për një natë është matur se dy telenovela turke, të dyja në të njëjtën kohë në dy kanale televizive, i kanë shikuar 1.8 milionë kroatë. As gjysmëfinalja e Botërorit 1998 në Francë, kur Kroacia doli e treta në botë, nuk ka pasur më shumë shikues sesa serialet “Sulltani” dhe “Sila”, që transmetohen në kanalet televizive kroate. Të njëjtin sukses këto seriale e kanë korrur edhe në vendet e tjera të Ballkanit, por kjo nuk është parë si fenomen. Kroatët gjithmonë janë konsideruar si më të afërmit me Perëndimin sesa me të tjerët në rajon, dhe kjo edhe sot, sidomos nga ata që nuk kanë shumë njohuri për proceset e zgjerimit të BE-së, mendohet të jetë arsye pse Kroacia ka ecur aq shumë krahasuar me të tjerët në integrimet në BE. E më larg sesa Kroacia serialet turke nuk kanë depërtuar. Në Evropën Perëndimore as që dinë për to, me përjashtim të emigrantëve.
Kështu sot pothuajse të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit që kanë qenë pjesë e Perandorisë Otomane ndiejnë një afërsi me Turqinë edhe kulturore, edhe politike.
Fenomeni i serialeve turke ka edhe një anë. Ato janë jashtëzakonisht të shikuara edhe në vendet arabe. Një kolege turke më tregonte se sa e befasuar kishte qenë gjatë një vizite në një vend arab, kur në të gjitha takimet e pyesnin për telenovelat dhe aktorët turq. “Kur vizitova një stacion televiziv m’u afrua një gazetare arabe. Ishte e mbuluar aq shumë, saqë mezi ia shihja pakëz sytë. Dhe ajo më pyeti: a janë vërtet meshkujt turq aq romantikë. Ishte pyetja që më së paku e prisja nga një femër e tillë”, – më thoshte ajo. Serialet e tilla kanë bërë aq shumë bujë në Lindjen e Mesme, saqë me qindra mija turistë vijnë për të shikuar disa nga vendet ku janë xhiruar disa skena.
Për qytetarët e Lindjes së Mesme dhe të botës arabe, Turqia pa dyshim është Perëndim, si në aspektin kulturor ashtu edhe në atë politik dhe ekonomik. Për ta është vërtet demokraci perëndimore. Popujt e Ballkanit në Turqi ende e shohin veten. E shohin Lindjen në atë kuptimin melankolik të fjalës. Serialet kanë tema të lidhjeve familjare dhe nuk kanë shumë dhunë sikur ato të Perëndimit.
Turqia është e tillë, mes Lindjes dhe Perëndimit, aleat i Perëndimit me sy nga Lindja. E për një Turqi të tillë ka nevojë Perëndimi, ndërsa edhe Turqia me lidhjet me Perëndimin vetëm sa do ta forconte rolin e saj edhe në Lindje.
Nga aspekti politik dhe gjeostrategjik nuk ka dyshime se Evropës i nevojitet Turqia. Ata të cilët mendojnë politikisht duan edhe që BE-ja të mos ia mbyll dyert Turqisë. Por ata të cilët mendojnë më shumë në aspektin social, në atë teknikë dhe në përmbushjen e kushteve, nuk e shohin Turqinë në BE shpejt. Në njërën anë kanë frikë nga një shtet aq i madh, dhe sipas standardeve të BE-së, aq i varfër (mendohet për kokë banori), ndërsa në anën tjetër duhet pranuar se Turqia është ende larg përmbushjes së të gjitha standardeve evropiane, sidomos të atyre që kanë të bëjnë me lirinë e shprehjes dhe të drejtat e qytetarëve dhe të pakicave.
Bashkimi Evropian pas plot tre vjetësh bllokade ka arritur më në fund pajtim që të rifillojë puna në vazhdimin e negociatave të anëtarësimit të Turqisë në BE. Franca, e cila e ka mbajtur deri tash të bllokuar kapitullin 22 në negociata, atë për “politikën rajonale dhe koordinimin e fondeve strukturale”, ka dhënë dritën jeshile që të punohet në këtë kapitull, që shënon edhe zhbllokimin e negociatave.
Deri më tash janë bllokuar 13 kapituj në negociatat e Turqisë me BE-në. Prej tyre 6 i ka bllokuar Franca dhe 7 Qiproja. Presidenti i mëparshëm i Francës, Nicolas Sarkozy, ka pasur qëndrim se “Turqia kurrë nuk mund të bëhet anëtare e BE-së”, ndërsa ndërrimi i pushtetit në Francë ka relaksuar edhe qëndrimin ndaj zgjerimit, pra edhe ndaj Turqisë. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, po ashtu është shprehur publikisht kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, por Gjermania në praktikë nuk e ka penguar procesin negociator.
Kjo sjellje e Evropës e ka irrituar Turqinë. Kryeministri i saj, Erdogan, shpesh ka tërhequr vërejtjen se Turqia “nëse Evropa do t’ia mbyllë dyert, do të shikojë nga Lindja”. Por as Erdogan nuk e ka vënë në dyshim dëshirën e Turqisë që të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së një ditë. Turqia madje është shumë realiste në këtë dhe e sheh vendin në BE jo më herët se në vitin 2025. Kështu del të jetë më realiste sesa vendet e Ballkanit.
Por në anën tjetër, për vendet e Ballkanit askush në BE nuk ka dyshim se një ditë të gjitha, kur t’i përmbushin kushtet e kërkuara, do të hyjnë në BE. Për Turqinë, me vite do të vazhdojë dyshimi nëse ajo, qoftë edhe nëse i përmbush të gjitha kriteret, do të pranohet në BE. Shumica e europerëndimorëve sot janë kundër anëtarësimit të Turqisë në BE, ndërsa elitat politike gjithnjë e më shumë mendojnë për një “partneritet të privilegjuar” në fund të rrugës në vend të anëtarësimit të plotë. Por nga një komb aq krenar, nga një shtet aq i rëndësishëm, nuk mund të pritet të pranojë aranzhime të tilla. Prandaj edhe BE-ja duhet të jetë më e hapur ndaj Turqisë, ndërsa kjo ta kuptojë se pikërisht procesi i përafrimit me BE-në e ka ndihmuar zhvillimin e saj dhe e ka bërë Turqinë e sotme të jetë më shumë Perëndim sesa Lindje. /Koha ditore/

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency