Sokol Sejdo: Saksofoni, mikrofoni i shpirtit

0
253

Intervistoi: Enkeleda Peti

sokoliNë Tiranë katër instrumentistë bashkohen për të sjellë një koncert jazz-i, me pjesët më të spikatura në zhanrin e kësaj muzike që përfshijnë jazz-in e krijuar që nga 1935-a e deri në ditët e sotme. Sokol Sejdo (Saxophone Tenor), Erjon Medha (Elektrik Guitare), Visar Kuqi (Kontrabass&Elektrik Bass) dhe Emiljano Dhimo (Drums Set) do të performojnë për publikun disa nga pjesët që kanë bërë historinë në këtë zhanër muzikor

 

Sot në mbrëmje në sallën e Akademisë së Arteve do të performojnë në kuartet Sokol Sejko (Saxopone tenor), Erjon Medha (Elektrik guitar), Visar Kuqi (Contrabass e Elektrik Bass) dhe Emiljano Dhima (Drums Set). Koncerti do të jetë i rrymës jazz dhe nëpërmjet katër instrumentistëve do të vijnë pjesë, si: “Sweet Georgia Brown”, “So What”, “Nature Boy”, “Mbrëmja ra” (Sonet për veten)… Agim Krajka, “Lester Leaps”, “Cold Dukck Time”, “As Time goes By”, “Spain”.

Saksofonisti Sokol Sejdo është autor i parë i albumit për saksofon në Shqipëri. Në koncertin e tij në maj 2010 në sallën e koncerteve jazz, Sejdo ka qenë producent, ideator dhe instrumentist. Pjesëmarrës në shumë aktivitete, gjithashtu pedagog 12 vite në Liceun Artistik. Në një intervistë për “standard”, ai flet për jazz-in, ndërthurjen e jazz-it me folkun, saksofonin që siç e quan ai, mikrofoni i shpirtit, për hapësirën që i lihet muzikës jazz, muzikën instrumentale dhe projektet në të ardhmen.

 

Çfarë personifikon jazz-i për ju?

Për mua si muzikant i jazz-it që edhe e luaj jazz-in, interpretoj, por edhe studioj mbi të, është një rrymë muzikore, është një kulturë e huaj, por është edhe një gjuhë, le ta konsiderojmë një gjuhë e shkruar dhe kjo gjuhë duhet mësuar dhe ka rregullat dhe standardet e veta.

 

Po për ndërthurjen e jazz-it me folkun si vjen kjo në bandën tuaj?

Ajo quhet etnik – jazz, dhe është një shkallë që vjen pas njohjes së kësaj kulture, kësaj gjuhe siç thamë. Menjëherë mbërrijmë pastaj në bashkëpunimin dhe hulumtimin e folkut, se çfarë ofron folku ynë dhe çfarë ka për të thënë për jazz-in. Domethënë është një shkallë paksa për profesionistët që arrijnë njohjen e kësaj gjuhe dhe për mua është bashkëpunimi i folkut me jazz-in, etnik-jazz.

 

Shpjeguat çfarë rryme është, por ju si e shikoni këtë rrymë?

Ne këtë rrymë e shikojmë në këtë prizëm që nëse do të paraqitej mundësia, do të paraqiteshin vlerat, gjërat e mira që ne kemi si komb. Nëpërmjet muzikës, folkut tonë kjo është mundësia më e mirë për t’u dhënë atyre muzikën jazz.

 

Gjithmonë një instrument përfaqëson diçka, për një muzikant për ju çfarë është saksofoni?

Saksofoni për mua është mikrofoni i shpirtit. Unë kam zgjedhur që të flas mendimet e shpirtit që kam nëpërmjet këtij instrumenti.

 

Pse vendosët të riktheheshit?

Vendosa të rikthehesha pas 2 vjetësh me një koncert. Ka qenë një periudhë e gjatë, ku muzikanti akumulon dhe ka se ç’thotë, kështu që edhe kushtet edhe mundësitë na kanë ardhur të tilla që them se u poq koha për një koncert tjetër.

 

A është e vështirë të bësh muzikë?

Nuk është e vështirë të bësh muzikë, bën kushdo, ka të drejtë të bëjë. Me një kitarë, me një festë, në një gëzim me miq me shokë. Por kur futesh në aspektin profesional, atëherë duhet të flasësh profesionalisht, ke përgjegjësi, shtohet përgjegjësia.

 

A i jepet jazz-it hapësira e duhur për të marrë fansa?

Njëzet vitet e tranzicionit që vijnë pas regjimit, të gjithë muzikantët janë të lirë të eksperimentojnë dhe të kërkojnë dhe të bëjnë gjithçka, thjesht duhet vullnet, pasion në këtë fushë që të arrijë si tek muzika klasike ashtu dhe tek jazz-i. Është e njëjta rrugë, duhet thjesht pasion dhe vullnet nga ana e muzikantëve.

 

Në fakt e kisha fjalën për ambientet, sa ju krijohet mundësia?

Ambientet që na kanë shërbyer për muzikën jazz, kanë qenë të pakta dhe duhen falënderuar, por kanë pasur efektin e duhur. Ne jemi të kënaqur me atë ambient, me atë publik, prej të cilit kemi marrë duartrokitjet, dhe kemi marrë ndjesinë e duhur për të ecur përpara, për të luajtur.

 

Çfarë publiku tërheq përgjithësisht kjo muzikë?

Kemi disa nivele të publikut që kemi ndeshur nëpër ambiente, që na kanë ofruar për të luajtur jazz. Ka qenë një publik, për shembull i poetëve, i shkrimtarëve, i inxhinierëve, i doktorëve që krejt rastësisht apo jo rastësisht nëpërmjet vargut të poetit që ai shkruan kaq modern ka ndaluar tek vargjet e improvizimit tonë si muzikant, sepse jazz-i ka të bëjë me improvizimin dhe ata kanë gjetur vargjet e tyre tek vargjet tona dhe natyrshëm kanë gjetur veten dhe kanë ndaluar aty tek ne. Bile kanë dalë nga guaska ku ata janë strehuar nga komerçi që po ndodh prej abuzimeve me muzikën dhe e kanë parë si diçka të parë për të dëgjuar një muzikë të vërtetë në një ambient. Kur kanë parë këtë atmosferë që kemi krijuar, janë bërë të përjavshëm. Ka edhe një nivel tjetër pastaj. Publiku që është krejt i rastësishëm, por edhe ky arrin të dallojë ndryshimin e tempeve e ritmeve, të muzikës. Është popullore, është rrok apo është pop. Edhe këta komplet rastësisht i ka tërhequr atmosfera e jazz-it, kështu që unë nuk mund ta përgjithësoj publikun, sepse publiku merr atë çka do. Atë çka i duhet mendoj unë këtij publiku sot, kësaj shoqërie, mendoj se kjo rrymë muzikore e çliron nga abuzimet apo nga zhurmat, sjell një tjetër atmosferë të qetë meditimi muzike dhe e drejton këtë publik drejt leximit të librit, kulturës dhe e ngre në nivel intelektin e këtij publiku që mendoj se ka nevojë.

 

Si lindën bashkëpunimet?

Bashkëpunimet në art janë krejt të natyrshme. Unë kam bërë bashkëpunime edhe me shqiptarë këtu në Shqipëri, pas këtij bashkëpunimi kam menduar të dal përtej. Duke dalë përtej këtë herë kombinimi dhe bashkëpunimi na çojnë në një basist, kontrabasist koncert-master të filarmonisë së Prishtinës, që quhet Visar Kuqi. Ai bashkohet me 3-shen tonë shqiptare nga Shqipëria.

 

A ka ndihmë për jazz-in nga strukturat shtetërore apo private?

Kam pasur vështirësi tek koncerti i parë, se ky është koncerti i dytë, dhe si çdo autor i ri që në fillim duhet edhe ta njohin, nuk mund të fitosh mbështetjen, qoftë të subjektit shtetëror, qoftë të subjektit privat menjëherë kam pasur vështirësitë e mia. Por derisa puna vetë ka folur, tek ky i dyti nuk kam ndeshur, përkundrazi ndjehem i llastuar e i privilegjuar sepse shoh që edhe subjektet shtetërorëe, edhe private po i shoh të angazhuara në këtë zhanër dhe i shoh përtej asaj që kemi kaluar gjatë atij regjimi që e persekutonte këtë rrymë, dhe që e quante si kulturë të huaj, të ndaluar. E shpreha që në fillim që përderisa është një 20 vjeçar që po jetojmë të lirë, jemi të lirë, tani thjesht të vrasësh mendjen dhe të punosh, të përkushtohesh dhe rrugën e gjen vetë

 

Pse nuk lindi nevoja për një këngëtare?

Sepse jam pasionant i muzikës instrumentale dhe duke studiuar thellë këtë zhanër muzikor ka forma të ndryshme, muzika bëhet në forma të ndryshme, ku mund të përshtatësh edhe këngëtarët. or mund të bësh edhe muzikë instrumentale me instrumente, ku rolin e solistit, këngëtarit e zë në instrumenti, në këtë rast saksofoni. Koncerti varet nga saksofoni tenor është forma e instrumentit që quhet tenor dhe duke u bazuar në kulturën e huaj siç e ka bota që bën për saksofon koncert mbaj koncert nga fillimi deri në fund një recital. Koncertin e parë e kam pasur me shtatë veta setet, kurse ky i dyti është kuartet me katër veta. Reduktim i numrit, por shkalla e vështirësisë shtohet më tepër.

 

Projektet tuaja për të ardhmen?

Them se jemi afër ëndrrës për t’u ballafaquar me botën nëpërmjet një festivali jazz. Kompetent për këtë është shoqata “Syri blu”, zoti Besim Petrela që po merret me organizimet e muzikantëve shqiptarë dhe me aktivitetet, eventet e muzikës jazz, qoftë në Shqipëri, qoftë përtej kufijve. Këtë radhë besoj se i takon atij të flasë më gjerë, por ne jemi kuarteti i parë në Shqipëri që po lozim në rrymën jazz dhe mendoj se jemi ndër të vetmit që do të përfaqësojmë Shqipërinë shumë shpejt edhe në festivale jazz përtej kufijve.

 

 

Katër instrumentistët, histori jazz-i

Në Tiranë katër instrumentistë bashkohen për të sjellë një koncert jazz-i, me pjesët më të spikatura në zhanrin e kësaj muzike që përfshijnë jazz-in e krijuar që nga 1935-a e deri në ditët e sotme. Sokol Sejdo (Saxophone Tenor), Erjon Medha (Elektrik Guitare), Visar Kuqi (Kontrabass&Elektrik Bass) dhe Emiljano Dhimo (Drums Set) do të performojnë për publikun disa nga pjesët që kanë bërë historinë në këtë zhanër muzikor. Vlen të përmenden këtu e famshmja këngë “Autumn leaves”, “Cold Duck Time”, “Mercy-Mercy-Mercy” apo “Sweet Georgia Brown”. Kuarteti kërkon të sjellë një frymë profesionalizmi dhe disipline artistike, duke e konsideruar muzikën jazz si një të gjuhë të shprehur, nëpërmjet repertorit të larmishëm ku spikasin ritmet baladë, swing, latin jazz dhe fanky. Ky qëllim duket se ka bashkuar katër instrumentistë të spikatur në këtë gjini muzikore.

Kuarteti vjen si ide e Sokol Sejdos, i cili dy vite më parë ishte drejtor artistik i një tjetër koncerti recital me jazz dhe saksofon. Sokol Sejdo ka bërë master në Konservatorin “Giusepe Verdi” në Milano. Ai është kompozitori i të parit album për saksofon, publikuar gjatë vitit 2002, ndërsa njihet për interpretimet e tij në jazz, funk, rock, pop dhe muzikë ballkanike.

Në krah të tij qëndrojnë kitaristi Erjon Medha, i trajnuar për muzikën jazz në grupin ”Dormundt Big Band” nga Gjermania dhe Emiljano Dhimo, i cili ka mbaruar në Berkley të Kalifornisë dhe ka ende të freskët pjesëmarrjen e tij në vitin 2011 në festivalin “Le Accroche Angers” në Francë dhe në të njëjtin vit edhe në Eurosong. Muzikanti i katërt vjen nga Kosova dhe është një nga instrumentistët më të njohur. Visar Kuqi pas studimeve në Gjermani ushtron profesionin e tij si koncert-master në orkestrën filarmonike të Kosovës dhe është themelues i kuartetit të jazz-it OM, por edhe kompozitor. Ai është pjesëmarrës në tri festivale jazz-i. Koncerti me pjesët më të njohura dhe më të bukura jazz vjen si akumulim shumëvjeçar pune, ballafaqimesh, studimesh mbi literaturën jazz nga instrumentistët të cilët ndër vite kanë lëvruar këtë zhanër në të gjitha ngjarjet e rëndësishme muzikore.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency