Qumështi i infektuar bllokohet nëpër çerdhe e kopshte

0
163

Blerta Mrishaj

primalat..Pipero: Do të çojmë mostrat në Itali, deri tani asnjë rast i prekur

AKU: Hetim rasteve me cerozë dhe kancer, nëse ka patologji të shtuara

 

Bllokim dhe tërheqje të qumështit të kontaminuar nga çdo çerdhe dhe kopsht në kryeqytet. Pas konfirmimit në mënyrë zyrtare se dy lloje qumështesh kanë në përmbajtje të tyre normë të lartë të lëndës së rrezikshme aflatoksinë, ka reaguar Ministria e Shëndetësisë përmes drejtorit të Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero, i cili ka dhënë sqarimet përkatëse dhe hapat që do të marrë ky institucion. Pipero ka deklaruar se aflatoksina transmetohet tek njerëzit nga qumështi i bagëtive dhe, sipas tij, autoritetet e ISHP-së ndërhyjnë tek produktet kur ka kontaminim të njerëzve. Pipero sqaroi se në vendin tonë nuk ka asnjë rast që vërteton infektimin me aflatoksinë. Sakaq, Ministria e Shëndetësisë ka urdhëruar që institucionet shkollore, kryesisht çerdhet dhe kopshtet, të mos përdorin këto lloje qumështi. Përveç Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, edhe Ministria e Shëndetësisë tha se do të nisë për analiza më të detajuara drejt Italisë mostra të qumështit të dyshuar me toksinën kancerogjene.

Masat

“Jemi para jush pas një fakti të bërë publik për mediat pas prezencës së aflatoksinës në qumësht. Fakti që u konstatua fillimisht në Kosovë nuk do të thotë se AKU dhe ISHP e kanë pasur jashtë vëmendjes së tyre mishin dhe qumështin. Autoritetet shëndetësore ndërhyjnë kur ka informacione për shtim të helmimeve në njerëz apo kur ka sinjalizime për prani të faktorëve të riskut, flas për hetim epidemiologjik”, – tha ai. Pipero shtoi se aflatoksinat janë lëndë toksike të prodhuara nga kërpudhat, aflatoksina B1 është më e rrezikshme. Dëmtimet që jep, lidhen me mëlçinë, ku shkakton kancer ose cerozë. Në rastin e qumështit flitet për doza shumë të vogla. Ne s’kemi pasur asnjë rast me probleme nga aflatoksina”, – nënvizoi ai.

Hetimi

Sakaq, strukturat shëndetësore do të nisin një hetim epidemiologjik, në të cilin, sipas Piperos, do të përfshihet si hetimi i mostrave të qumështit dhe hetimi i njerëzve që mund ta kenë konsumuar këtë qumësht për të parë nëse shfaqet apo jo ndonjë dëmtim tek ta. “Do hetohen të gjitha rastet me cerozë dhe kancer, nëse ka patologji të shtuara nga konsumimi i qumështit, hetim epidemiologjik”, – tha ai. “Ne do t’i çojmë mostrat në Itali për të bërë matje cilësore, por hetimi epidemiologjik do vazhdojë”, – shtoi Pipero. Pak ditë më parë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) hoqi nga tregu disa lloje të qumështit shqiptar. Kjo agjenci u ka kërkuar qytetarëve që të mos i blejnë këto produkte qumështi. Nisur nga ky fakt, edhe AKU shqiptare nisi hetimet, prej të cilave u vu re prania e kësaj lënde të rrezikshme në qumësht.

 

Llojet e bllokuara:

Dy prej llojeve të qumështit që janë bllokuar janë “Primalat” dhe “Fast”. Sipas njoftimit të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës janë bllokuar këto lloje produktesh:

– Qumësht “Meggle” 3.2% me datë të skadimit 23.6.2013 me origjinë nga B-H

-Qumësht “Fast” 3.5% me datë skadimi 3.6.2013 me origjinë nga Shqipëria

– Qumësht “Primalat” me origjinë nga Shqipëria, si 3.8%, data e skadimit 5.8.2013

– Qumësht “Primalat” 1.5% ds. 10.3.2013, qumësht “Primalat” 1.6%, data sk. 4.4.2013 si dhe qumështi “Primalat” 3.5% dt. skadimi 1.8.2013

– Qumësht “Zott” 3.5% me datë skadimi 10.6.2013 me origjinë nga B-H, të cilat kanë qenë me data skadimi të ndryshme, si: 10.6.2013, 25.6.2013, 20.5.2013, si dhe qumësht me 0.5% yndyrë me dt. skadimi 5.7.2013 dhe qumësht 2.8% me datë skadimi 5.7.2013

-Qumështi “Dukat” 2.8% yndyrë, me datë skadimi 12.5.2013 dhe qumështi “Dukat” për kafe, të gjitha seritë

 

 

QEZHF

Qumështi i kontrolluar, bllokojmë sasinë e qumështit

 

Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve reagon pas lajmit që qumështi shqiptar, sipas analizave të AKU ka nivel mbi normat e lejuara të lëndës së rrezikshme aflatoksinë. Sipas njoftimit të QEZHF, “çerdhet dhe kopshtet e Tiranës janë furnizuar me produkte ushqimore, përfshirë dhe qumështin, të certifikuar dhe të pajisur me analizat përkatëse nga laboratori i AKU, sipas standardeve në fuqi. Nisur nga shqetësimet e ditëve të fundit për disa marka qumështin, bëjmë me dije se në të gjithë rastet, përdorimi i qumështit në kopshtet dhe çerdhet e Tiranës është paraprirë nga analizat e realizuara nga AKU. Raportet e këtyre analizave e përcaktojnë qumështin e përdorur të parametrave e standardeve të miratuara për konsum”, – thuhet në reagim. Sipas QEZHF, “pavarësisht këtij fakti, deri në sqarimin e plotë të kësaj situate të krijuar, Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve ka ndërprerë menjëherë furnizimin e çerdheve e kopshteve me të gjithë llojet e qumështit që janë përmendur në media dhe nga institucionet kontrolluese, “Primalat”, duke tërhequr dhe të gjithë sasitë që ndodheshin në çerdhe e kopshte. U është kërkuar institucioneve përkatëse, kryerja e analizave për qumështin në tregun tonë, në mënyrë që të tërhiqet për konsum ai produkt që është i standardeve të miratuara për konsum. Vetëm pasi të kemi në dispozicion raportin e institucioneve të specializuara për analizat e produkteve ushqimore, Qendra Ekonomike e Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve do të autorizojë tërheqjen e qumështit të shëndetshëm për fëmijët”, – përfundon deklarata.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency