Pensionistët, ja se si do të ndryshojnë pensionet pas korrikut

0

pensionetShifrat, sa do të rriten pensionet për të gjitha kategoritë

Ndryshon pensioni minimal dhe maksimal

Skemës së pensioneve këtë vit pritet t’i shtohen më shumë se 8 mijë të moshuar, të cilët do të marrin pensionin për herë të parë. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të gjithë përfituesve pensioni do t’u llogaritet në bazë të viteve të kontributeve. “Shuma e përgjithshme e pensionit do të jetë jo më shumë se dyfishi i shumës bazë ose 75 për qind e pagës neto mesatare të 3 viteve rresht të 10 viteve të fundit të punës së personit të siguruar, cila të jetë më e vogël”, – përcakton vendimi i qeverisë. Por sa do të jetë masa e pensionit për ata të moshuar të cilët kanë derdhur sigurime vullnetare dhe që nuk kanë qenë të punësuar? ISSH bën me dije se masa llogaritet në bazë të vendimit të qeverisë, që do të thotë se sa më shumë vite kontributesh të jenë derdhur, aq më i lartë llogaritet pensioni. Për të gjithë të moshuarit që do të marrin pension për herë të parë këtë vit duhet të fillojnë të bëjnë gati plotësimin e dokumenteve për të mësuar masën dhe datën në të cilët do të marrin paratë.

Sa do të rritet pensioni pas korrikut

Sipas të dhënave, në 15 korrik pritet të hyjë në fuqi rritja e re e pensioneve për vitin 2013. Më shumë rëndësi pritet t’u jepet pensioneve të ulëta. Kështu, për të gjithë pensionistët të cilët përfshihen në kategorinë e pensioneve të ulëta rritja do të jetë 4 ose 5%, e përkthyer në shifra rreth 5 mijë lekë të vjetra. Po kështu një rëndësi do t’u jepet pensioneve të fshatit, duke filluar nga pensionet e ulëta deri te pensionet e mesëm. Për qytetin pritet të ketë një rritje për 3% që në shifra do të thotë 4-8 mijë lekë, në varësi të pensionit që merr secili.

Ja sa do të rriten pensionet minimale dhe maksimale

-Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në qytet nuk janë më të vogla se 13.712 lekë në muaj për 2012-ën. Nga 2013 të ardhurat minimale do të jenë 14.100 lekë.

-Të ardhurat minimale për pensionin e plotë në fshat nuk janë më të vogla se 8.873 lekë në muaj, nga viti 2013 të ardhurat minimale do të jenë 9130 lekë

-Të ardhurat për pensionin maksimal në qytet janë 23.623 lekë, me rritjen brenda këtij viti do të jenë 23.942 lekë.

Sa është numri i përfituesve

Në total numri i përfituesve është 552 904 persona nga të cilët 291.893 pensione pleqërie urbane, 50 167 pensione invaliditeti urbane dhe 50 656 pensione familjare urbane. Në fshat përfitojnë 160 188 pensionistë si dhe 30 900 persona nga programe speciale si ushtarakë, minatorë, punonjës të ish-industrisë ushtarake/pilotë/detarë dhe profesorë.

 

Paguaj për të marrë më shumë

Ndryshimet që pritet të pësojë skema e pensioneve do të jetë rrënjësore. “Sa më shumë të paguash aq më shumë do të marrësh”, kjo pritet të jetë motoja e re e ISSH e cila do të bëjë të mundur pjesëmarrjen në skemë në një numri më të lartë kontribuuesish si dhe mundësinë për të marrë një pension më të lartë.

 

 

Ja sa u rritën pensionet për vitin 2012

Të ardhurat maksimale për pensionin e qytetit

Ishin 22234 lekë + 350 + 150 = 22734 lekë

Janë 23123 lekë + 350 + 150 = 23623 lekë

Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:

Ishin 7468 + 200 + 690 = 8358 lekë

Janë 7841+ 200 + 690 = 8731 lekë

Të ardhurat e pensionit maksimal të fshatit:

11562+200 = 11762

 

 

 

Bashkia: Abonetë të shiten pa kartonin shoqërues

Bashkia e Tiranës u ka kërkuar të gjithë operatorëve të transportit publik, që të tregtojnë abonentë pa kartonin shoqërues. Kjo, pasi mosmarrëveshjet mes vetë operatorëve kanë shkaktuar probleme në tregtimin e aboneve, kostoja e të cilave binte mbi vetë qytetarët. Për këtë arsye dhe mbështetur në faktin që abonetë e tregtuara nga Drejtoria e Tatim-Taksave kanë të gjithë elementët e nevojshëm të sigurisë, u vendos heqja e kartonit shoqërues të aboneve. Bashkia e Tiranës bën të ditur se mbetet e gatshme të dialogojë me të gjithë operatorët e transportit publik, për të ndërmarrë çdo hap që forcon luftën kundër informalitetit. Nga ana tjetër, nuk mund dhe nuk do të pranohet asnjë hap i njëanshëm që bie ndesh me interesat e konsumatorit. “U bëjmë thirrje operatorëve të transportit publik, t’i rikthehen praktikës së aprovuar ligjore dhe kontraktuale, pasi në të kundërt do të përballen me sanksionet e përcaktuara në kushtet e kontratës, deri në revokimin e licencës së operimit”, – thuhet në deklaratën e bashkisë.

 

 

Lojërat e fatit, Ministria e Financave do të jetë autoriteti kontraktues

Qeveria ka përcaktuar në mbledhjen e sotme Ministrinë e Financave si autoritetin kontraktues për kryerjen e procedurës ligjore për dhënien me koncesion të shërbimit të monitorimit dhe fiskalizimit të lojërave të fatit. “Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurës ligjore për dhënien me koncesion të shërbimit të monitorimit dhe fiskalizimit të lojërave të fatit është Ministria e Financave. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi”, – thuhet në vendimin e qeverisë.