KE, Mirel: Votoni ligjet, për të ecur përpara në BE

0
126

Gëzim Saliu

Bregu-Mirel-NOA1Bregu: Qeveria e angazhuar, opozita mungesë vullneti

 

Komisioni Evropian kërkon rikthimin e konsensusit mes palëve politike në vend për të bërë mundur votimin e ligjeve të domosdoshme për marrjen e statusit kandidat në BE. Drejtori i Zyrës për Zgjerimin në KE, Pier Mirel, bëri të ditur në mbledhjen e djeshme të Komitetit të Integrimit për projektet e IPA-s se vendi ka nevojë për konsensus të gjerë politik, miratim të legjislacionit të nevojshëm dhe zbatim të reformave sipas kritereve të integrimit. “Ka 4 elementë të rëndësishëm për integrimin. Konsensusi i gjerë në vend, që është i domosdoshëm, që do të thotë se të gjitha partitë duhet të jenë në gjendje të tejkalojnë vështirësitë që mendojnë se kanë për të miratuar legjislacionin e nevojshëm për të ecur para. Të merren përsipër reformat e guximshme sipas kritereve të aderimit, ne i kemi paraqitur këto në dokumentin strategjik se ka dy grupe çështjesh që krijojnë vështirësisë për aderimin, kriteret politike, liria e shprehjes, sundimi i ligjit dhe çështjet dypalëshe”, – deklaroi Mirel. Ndërkohë, duke u ndalur në aspektin ekonomik dhe granteve që ka dhënë Bashkimi Evropian për Shqipërinë, Mirel u shpreh se në disa bashki janë hasur vështirësi lidhur me zbatimin e disa projekteve, të cilat janë investuar nga Bashkimi Evropian. “Kam përshtypjen se nuk janë bërë të gjitha përpjekjet e mundshme, sidomos nga bashkitë, jo vetëm nga ministritë. Në disa bashki kemi investuar rreth 50 milionë euro dhe ato nuk kanë bërë aq sa duhet”, – u shpreh drejtori i Zyrës për Zgjerimin në KE, Pier Mirel.

 

Bregu

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, theksoi në mbledhjen e Komitetit të Integrimit për projektet e IPA-s se axhenda e BE-së është mbarëkombëtare dhe mbi të nuk duhet të mbivendosen interesa cinike, në interes të vendit dhe shqiptarëve, dhe jo të partive apo personave të veçantë. Sipas saj, qeveria ka treguar angazhimin e saj të plotë në kuadër të plotësimit të reformave të domosdoshme për procesin e integrimit evropian. “Që prej fillimit të mandatit në 2005 dhe pas MSA në 2006, BE dhe KE ka gjetur te qeveria shqiptare një partner të besueshëm. Nga viti 2007 deri më sot BE ka asistuar me 600 milionë euro, të investuara në infrastrukturë, drejtësi, zhvillimin rural, kulturor etj. Nëse ne sot do kishim statusin e vendit kandidat, do kishim mundësi të përfitonim më tepër fonde IBA-S se në stadin aktual”, – tha ministrja Bregu. Shqipëria humbi në dhjetor të vitit 2012 shansin e tretë radhazi për të marrë statusin e kandidatit, pasi palët politike nuk arritën të gjenin mes tyre konsensusin lidhur me votimin e tri ligjeve të përcaktuara nga BE-ja si kushte. Opozita vendosi si kusht për votimin e këtyre ligjeve zhbllokimin e çështjes së Këshillit të Qarkut Fier, ku, sipas socialistëve, duhej të viheshin në zbatim vendimet e gjykatave, të cilat i japin të drejtën e drejtimit të këtij këshilli socialistëve. Ndërkohë që mazhoranca duke e cilësuar kushtin e opozitës si bllokim, ka bërë të ditur nëpërmjet Kryeministrit të vendit, Berisha, se pas zgjedhjeve të 23 qershorit do të ndërmerret një referendum popullor për tri ligjet. Vetëm pak ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar, Kryeministri i vendit kërkoi nga kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmajli, të nisë përpilimin e kërkesës që do të dorëzohet në KQZ. “Referendumi për votimin e tri ligjeve ka marrë mbështetje të gjerë, si në takimet direkte, ashtu edhe nga reagimet në Facebook. Për të hapur në mënyrën më të sigurt rrugën për votimin e tyre, natyrisht pas zgjedhjeve, sepse ligjet nuk lejojnë që të mbajmë referendum 6 muaj para zgjedhjeve. Kështu, referendumi do të mbahet pas zgjedhjeve”, – tha Kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.

 

Fushata, Rama mbledh deputetët para turit elektoral: Punoni me bazën, aktivë në FB

Në një mbledhje jashtë radhe, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kërkuar nga deputetët socialistë angazhim maksimal në qarqet ku janë zgjedhur në kuadër të parlamentareve të 23 qershorit. Ndërsa vuri theksin në prezantimin e programit “Për një Rilindje Shqiptare”, mësohet se Rama gjithashtu kërkoi një prezencë dhe angazhim më të madh të ligjvënësve socialistë në rrjetet sociale për të komunikuar me njerëzit dhe për të sqaruar jo vetëm programin e PS-së, por edhe qëndrimin e kësaj force politike ndaj problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve. Mbledhja e djeshme i paraprin turit të takimeve që pritet të nisë në qytete dhe komuna të ndryshme të vendit, prej javës së ardhshme, në kuadër të prezantimit të programit të PS-së. Dy ditë më parë, pas mbledhjes së grupit parlamentar, kryesocialisti mblodhi grupin e strategjisë së komunikimit dhe kryetarë të grupeve të punës për programin, ku vuri theksin tek domosdoshmëria e detajimit të “rilindjes” dhe punës në bazë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency