Dëshmia e Zeqirit: E vrava 22-vjeçarin se më qëlloi i pari

0
197

Sonja Caka

uzin.Gjykata lë në burg 35-vjeçarin, i akuzuari zbardh konfliktin me viktimën para krimit

 

Pranon krimin para gjykatës dhe jep arsyet që e çuan në konfliktin mes tij dhe viktimës dhe me pasojë kryerjen e vrasjes së 22-vjeçarit në linjën e autobusit Uzina e Autotraktorëve – Qendër. “E vrava sepse më qëlloi i pari. Konflikti mes nesh nisi kur unë i kërkova shoferit të niste autobusin, pasi po vonohej shumë në stacion”, – deklaroi dje në sallën e gjyqit Artur Zeqiri, i akuzuar për vrasjen me dashje të të riut Sajmir Çedja. Më tej në dëshminë e tij para gjyqtares së gatshme, Zeqiri shpjegoi: “Në momentin që i fola shoferit të autobusit për të mos u vonuar në stacion, ky djali më tha mos më bërtit te veshi. Nisëm të debatonim dhe ai më qëlloi i pari. Unë kisha një thikë me vete dhe e qëllova”, – përfundoi dëshminë 35-vjeçari Zeqiri, i arrestuar dy ditë më parë nga policia për vrasjen e të riut nga Shkoza. Ndërkohë, para se të justifikonte veprimet e kryera natën e ngjarjes i akuzuari, prokurori ndërtoi për togat e zeza dinamikën e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e vonë të 23 shkurtit. Më pas, prokurori kërkoi nga gjykata caktimin e masës “Arrest me burg” për Artur Zeqirin, për akuzën e “Vrasjes me dashje”. Pasi ka dëgjuar të dy palët dhe fjalën e fundit të vetë të akuzuarit, gjyqtarja Blerina Muça la në burg 35-vjeçarin, duke i lënë kohë organit të akuzës për hetime të mëtejshme.

Akuza

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet Artur Zeqiri ka ndodhur mbrëmjen e 23 shkurtit, ku i riu Sajmir Çerdja u qëllua dy herë me thikë nga 35-vjeçari Artur Zeqiri, i cili rezulton të ketë precedentë penalë të mëparshëm dhe të jetë shpallur në kërkim nga Turqia. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:30, brenda autobusit të linjës Qendër-Uzina e Autotraktorëve. Sapo ka hipur në autobus, në afërsi të Rrugës së Elbasanit, viktima është ndeshur me dy pasagjerë të dehur. Gjithçka nisi pas kërkesave të njërit prej personave të dehur për t’u nisur autobusi pasi po vonohej shumë në stacion. Në atë moment ka reaguar i riu Çedja dhe mes tyre kanë nisur të shkëmbehet dhunë verbale, e cila më pas doli jashtë kontrollit, deri në përplasje fizike. Pas pak minutash Zeqiri e ka qëlluar dy herë me thikë të riun. Njëra prej goditjeve ishte fatale, pasi i kishte prekur zemrën. Pasagjerët që ndodheshin prezent, janë shokuar dhe ulërimat e tyre, bënë që shoferi i autobusit të ndalojë në mes të rrugës dhe të hapë dyert. Vrasësi është larguar duke u fshehur në zonën e “Ali Demit”, ku dhe u arrestua rreth orës 05:00 të së dielës. Pas arrestimit, Zeqiri ka pranuar krimin dhe ka dhënë shpjegime rreth shkaqeve që çuan në konflikt atë dhe viktimën, me pasojë vrasjen e 22-vjeçarit.

 

 

Vendimi

I vodhi çantën një vajze, 6 muaj burg minorenit

I vjedh çantën një vajze në bashkëpunim me një shokun e tij, i cili edhe pas shpalljes së vendimit nuk u zbulua si identitet nga minoreni. Gjykata e dënon me 6 muaj burg përfundimisht, pasi përfiton prej moshës dhe gjykimit të shkurtuar, ndërkohë që masa e dënimit do të zbatohet në burgun e të miturve në Kavajë ndaj të pandehurit Renato Feruku. Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur në prill të vitit të kaluar, në mesnatë, në rrugën “Hoxha Tahsim”, ku i pandehuri Renato Feruku në bashkëpunim me një person tjetër të paidentifikuar ende i kanë vjedhur çantën shtetases Eni Zhegu. Pasi ia kanë marrë me forcë nga krahu, ata janë larguar me vrap. E dëmtuara u është vënë nga pas dhe me ndihmën e disa kalimtarëve të rastit, ka bërë të mundur të kapë të pandehurin Renato Feruku, ndërsa personi tjetër i paidentifikuar është larguar. Po ashtu, është gjetur prej të dëmtuarës pranë vendit ku është kapur në flagrancë i pandehuri, çanta e vjedhur. “Unë kam qenë në rrugën “Hoxha Tahsim” në krahun e djathtë duke u ngjitur për në Unazë. Kam qenë vetëm duke ecur dhe çantën e kisha në dorën e djathtë, tek bërryli. Kam ndjerë se kishte njerëz pas meje, por kam menduar se ishin kalimtarë. Gjatë kohës që po ecja, ndjeva që dikush futi dorën tek hapësira që krijonte rripi i çantës tek parakrahu im dhe ma tërhoqi, por nuk ma mori dot herën e parë. Pastaj ma tërhoqi dhe një herë dhe e mori. Unë ktheva kokën pas dhe pashë që ishin dy persona. Brenda çantës kishte një portofol me monedha, një portofol tjetër me pak lekë dhe me fotografi, si dhe dokumente të tjera të miat personale, si karta e bankës, karta e identitetit etj. Mbaj mend që të dy ishin veshur me tuta me ngjyrë gri të hapur dhe me kapuça në kokë. Duke i ndjekur nga pas, pashë dy burra që ishin rreth 2 metra përpara drejtimit nga ku po ecnin këta djemtë dhe unë i thashë “kapini se më vodhën”. Unë më pas shkova në Komisariat dhe atje pashë që nga kontrolli që i ishte bërë, i ishin gjetur kartat e mia të identitetit dhe të bankës, si dhe disa gjëra të tjera të cilat me përkisnin mua” përfundon dëshminë e dëmtuara Zhegu.

 

Dajti

Nuk paraqitet avokati i Ministrisë së Drejtësisë, shtyhet gjyqi

Sërish shtyrje e procesit gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Dritan Dajti. Shkak është bërë mosparaqitja e avokatit Vasil Shëngjergji, i caktuar nga Sektori i Ndihmës Juridike Shtetërore për të asistuar me mbrojtje të pandehurin Dajti. Gjithashtu, në seancë mungonte edhe avokati i zgjedhur prej vetë Dajtit, Hasaf Hadëraj, për të cilin sërish u kërkua procedim disiplinor nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe Ministria e Drejtësisë. Pas refuzimit të avokatëve për mbrojtjen e Dajtit, ka reaguar edhe ky i fundit duke u shprehur se është e vështirë për të gjetur një avokat që ta mbrojë atë. Dhe për këtë fajësoi qëndrimin e gjykatës ndaj tij. “Ju i keni rrëzuar gjithë kërkesat e avokatëve të mi mbrojtës. Kur ata kërkuan ndarjen e çështjes sime ndaj Erges Xhoxhajt, ju nuk e pranuat. Kur e kërkoi Prokuroria e pranuat menjëherë. Kur unë kërkova përjashtimin e një anëtari të trupit gjykues ju sërish nuk e pranuat dhe kur e kërkoi Prokuroria e pranuat”, – u shpreh i pandehuri Dajti.

 

Abu Rayyan

Iu pushua nga prokuroria kërkesa për procedim penal, rrëzohet edhe nga gjykata

Gjykata e Tiranës ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Hamzeh Abu Rayyan për kundërshtimin e vendimit të datës 13.11.2012 “Për mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin nr. 8154 viti, 2012” të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Në kërkesën e tij, administratori i pronave të Yasin Kadi akuzon prokurorinë se nuk ka zhvilluar hetime ndaj akuzës së tij për “Dhunim banese” nga ana e grupit të punës, i ngritur në bazë të urdhrit nr. 38 datë 20.5.2011 të ministrit të Financave. “Ky grup pune shpërtheu derën e apartamentit ku unë banoja dhe pa më njoftuar as mua dhe as përfaqësuesit e mi, ka marrë në administrim apartamentin së bashku me pasuritë brenda saj duke u dhënë me qira… Me këtë veprim ata kane dhunuar banesën time, vepër kjo e parashikuar nga neni 254 i Kodit Penal… Për sa më sipër, unë kërkova të ndiqeshin penalisht personat që kanë vepruar në kundërshtim me ligjin”, – bënte me dije në kërkesën e tij Abu Rayyan. Por, në vendimin e saj, gjykata konstatonte se ishin kryer të gjitha veprimet hetimore nga ana e prokurorisë dhe për këtë arsye rrëzonte kërkesën.

 

Gjykatë

Mungesa e provave, shtyhet kërkesa e Tabakut për përjashtim të gjyqtarit

Gjykata e Tiranës ka shtyrë për më 17 mars shqyrtimin e kërkesës së gjyqtarit Neritan Tabaku për përjashtim të gjyqtarit Bujar Krasniqi nga gjykimi i çështjes së tij. Shkak është bërë mungesa e provës për të cilën ai ka ngritur pretendimin se gjyqtari Bujar Krasniqi ka konflikt interesi në çështje. “Kërkoj shtyrjen e seancës për të sjellë shkresën ku vërtetohet se vajza e gjyqtarit Bujar Krasniqi punon në institucionin e Ministrisë së Drejtësisë”, – është shprehur dje në sallën e gjyqit para gjyqtarit Sokol Tona, gjyqtari Neritan Tabaku, i akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”. I gjendur përballë kësaj situate, gjyqtari Tona vendosi ta shtyjë seancën për më 17 mars, duke i lënë kohë Tabakut të sigurojë shkresën për të cilën pretendon konfliktin e interesit për gjyqtarin Krasniqi. Kërkesa e Tabakut u depozitua në Gjykatën e Tiranës javën e kaluar, kur për herë të parë ai vendosi të paraqitet në procesin gjyqësor në ngarkim të tij. I pandehuri Tabaku kërkoi përjashtimin e gjyqtarit Krasniqi, me argumentin se vajza e tij punon në Ministrinë e Drejtësisë dhe ka qenë ky institucion që inicioi procedimin disiplinor ndaj tij. Ka replikuar gjyqtari Krasniqi, duke thënë se nuk ka lidhje kjo çështje dhe se do ta mbyllte me nder punën e tij para se të dilte në pension, duke pranuar kërkesën e Tabakut për përjashtim të tij nga gjykimi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency