A mund të ketë marrëveshje historike shqiptaro-serbe?

0
159

Dr. Sali Bytyçi

 

marrViti 2013, për ne shqiptarët, përveç që duhet të jetë Vit i Kujtesës së tragjedisë kombëtare, si vit i përgjysmimit dhe i sakatosjes së qenies sonë, duhet të kthehet edhe në vit të përfundimit të mosmarrëveshjeve më shumë se njëshekullore me serbët.

Për këtë të fundit – përfundimin e mosmarrëveshjeve shqiptaro-serbe – marr shkas edhe nga disa zëra që, në vitin e kaluar, janë dëgjuar nga udhëheqësia serbe, se ka ardhur koha për një marrëveshje historike me shqiptarët! (Këto ditë një gjë të tillë e deklaroi edhe peshkopi Irinej). Por, përveç disa deklaratave, fatkeqësisht, në këtë drejtim nga pala serbe nuk është shkuar më tej, ndërsa ajo shqiptare nuk denjoi as t’i komentojë ato.

Pavarësisht prej kësaj dhe prej mundësisë që në këtë drejtim, në të ardhmen e afërt, të mos lëvizë asgjë, po e ndiej të nevojshme që në lidhje me këtë çështje të shtroj një pyetje dhe të përpiqem t’i jap asaj një përgjigje.

Pyetja është: Vërtet, serbët dhe shqiptarët mund të arrijnë një marrëveshje historike, e cila armiqësinë e deritanishme do ta kthente në miqësi, ashtu siç bënë popujt e Evropës në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar?

Unë mendoj se po.

Por, para se ta eleboroj këtë më tej, dua të them nja dy tri fjalë se përse ka arsye të diskutohet kjo çështje tani, gjë që i bie ndesh tendencës sonë që këtë ta tejkalojmë me heshtje.

Unë për vete nuk mendoj se ka ndonjë arsye që të mos diskutohet sot për një mundësi të tillë, e cila në shikim të parë duket e pakapshme, tani. Njëqind vjet pas përgjysmimit të trojeve shqiptare dhe më shumë se një dekadë pas lirimit të një pjese të tyre (dalja e Serbisë nga Kosova) është momenti që duhet shfrytëzuar për të reflektuar ndaj së kaluarës dhe sidomos për të menduar për të ardhmen tonë të përbashkët që do të mund ta ndërtonim jo mbi raporte varësie, por barazie me njëri-tjetrin.

Inicimi i një marrëveshjeje shqiptaro-serbe të paqes, sot do të ishte në kohën e duhur, ndërsa hapi i parë drejt një marrëveshjeje të tillë do të ishte një shqyrtim gjakftohtë i asaj që ka ndodhur në të kaluarën; në rend të parë nga serbët, por edhe nga ne.

Kështu, sa i përket depërtimit të shtetit serb në trojet e banuara me shumicë nga shqiptarët më 1912-13, ai duhet të kuptohet ashtu siç ishte në fillim: thjesht kolonizim, veprim që në atë kohë ishte në përputhje të plotë me logjikën kolonizuese të shteteve të konsoliduara ndaj hapësirave të pakonsoliduara shtetërore. Këtu duhet të shtojmë edhe atë se, që në krye të herës, ideologët serbë, depërtimin në hapësirën shqiptare e kanë arsyetuar me nevojën e kolonizimit të kësaj hapësire “me popullsi të pacivilizuar”, siç thoshin, nga shteti i tyre. Më vonë, për të mbajtur këtë hapësirë, ia kanë shtuar edhe arsyetimin “historik”, si djep i Serbisë etj., arsyetim që në vetvete nuk paraqet asgjë, përveç një preteksti për ushtrimin e dhunës së pushtetit të tyre në këtë hapësirë. Këtë duhet ta pranojë pala serbe dhe kjo do të ishte hapi i parë i tyre në një marrëveshjeje historike me shqiptarët, e cila do të mundësonte shkarkimin e kësaj pale (palës serbe) nga historia.

Pas pranimit nga ana serbe se depërtimi i tyre në trojet shqiptare s’ishte gjë tjetër përveç kolonizim, hapi tjetër i radhës që do të duhej të bënin serbët sot, për të arritur Marrëveshjen historike me shqiptarët, do të ishte pranimi nga ta i së drejtës së plotë të vetëvendosjes së popullit shqiptar në shtratin e natyrshëm të tij!

Kaq do të mjaftonte që historia e kësaj pjese të Ballkanit të kthehej për së mbari.

Një hap të tillë, serbët tani e kanë më lehtë ta bëjnë se në të kaluarën.

Pse mund të thuhet kështu?

Sepse, qenia shqiptare çdo ditë e më tepër, po arrin të kthehet në shtratin e saj të natyrshëm në pjesën që deri tani ishin objektiva të pretendimeve të serbëve. Kjo po ndodh në Kosovë dhe gjithandej trojeve shqiptare që dikur ishin nën Jugosllavinë. Për serbët tani është më me leverdi ta pranojnë shtrirjen e këtij populli edhe në shtratin e tij të natyrshëm në Maqedoni (fakti i të qenit të shqiptarëve në Maqedoni është rrjedhojë e politikës dhe fuqisë ushtarake serbe, e jo e ndonjë politike maqedonase) dhe Mal të Zi, se sa të vazhdojnë mosmarrëveshjet me shqiptarët për veriun e çështje të tjera që, në fund të fundit, për Serbinë nuk thonë shumë.

Mali i Zi e ka pranuar Kosovën si shtet të pavarur. Maqedonia po ashtu. Një ditë do ta pranojë edhe Greqia. Dy shtetet e para e kanë pranuar pavarësinë e territorit i cili, në krye të herës, si plaçkë e luftërave ballkanike, i takonte Serbisë. Herët ose vonë këtë do ta bëjë edhe shteti i tretë, Greqia, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve të Europës. Tani natyrshëm na vjen një pyetje retorike: pse Serbia, pasi e humbi atë plaçkë të atyre luftërave, nuk e bën gjestin më fisnik, të pranojë të drejtën për vetëvendosje të shqiptarëve në shtratin e tyre etnik, si përfundim të filozofisë kolonialiste, në mos për tjetër, në fund të fundit, edhe si shenjë revolte ndaj atyre që dikur i kishte aleatë?!

Pra, për Serbinë, tani që më nuk janë ato rrethana të para një shekulli, me njohjen e së drejtës së shqiptarëve për të vendosur për fatin e vet në hapësirën etnike të tyre, përfitimi do të jetë më i madh sesa humbja. Tani, edhe ashtu, Serbisë për të dalë në Adriatik i duhen 3-4 orë (me djersën e gjakun tonë ia kemi bërë të mundur këtë), ndërsa para një shekulli një gjë e tillë as që mund të imagjinohej! Kjo është një element shumë i rëndësishëm për interesin e këtij vendi. Mbi bazën e kësaj mund të gjykohet se më me leverdi për këtë vend është jeta e shqiptarëve jashtë kufijve të tij sesa e tillë çfarë ka qenë përgjatë Një shekulli. Një dekadë e Kosovës me Serbinë jashtë, solli mundësi më të mëdha për qarkullim të mallrave dhe ideve se sa Një shekull me Serbinë në Kosovë

Por, kur jemi te gjendja që është krijuar që para një shekulli, duhet të pranojmë edhe ne shqiptarët pjesën e fajit që na takon dhe për të cilin kemi paguar haraç jo pak.

Cili ishte faji ynë?

Faji ynë nuk ishte i vogël. Ai bazën e kishte në nivelin e ulët të organizimit tonë, i cili nuk na dha mundësi të mbronim hapësirën në të cilën jetonim. Dhe, sipas filozofisë së kohës, e cila ende vazhdon të ekzistojë në kokat e disa njerëzve (kujtoni fjalët e Daçiçit, kur tha se ka luftuar me Thaçin dhe, po të mos ishte fuqia e jashtme, do ta mundte), fuqia ushtarake vendoste se deri ku do të shtrihej një shtet e jo e drejta e një populli të jetonte në paqe në truallin e tij. Sipas saj, çdo shtet që kishte afër tij një shoqëri me nivel të ulët fisnor, punën e parë që do ta bënte, ishte kolonizimi i asaj hapësire! Kështu do të bënin anglezët, francezët, italianët etj., e kështu bënë edhe serbët.

Pa marrë parasysh arsyetimin e aneksimit nga ana e Serbisë të hapësirave ku ishin shumicë shqiptarët, ai ishte kolonizim i mirëfilltë. Mirëpo, ka një dallim mes kolonizimeve të serbëve dhe të atyre të popujve të përmendur. Ndërsa anglezët, francezët, italianët etj. kanë kolonizuar vende të largëta, prej të cilave me kohë janë tërhequr, serbët kanë kolonizuar hapësira fqinje, të cilat kanë pretenduar t’i fusin përgjithmonë në kuadër të shtetit të tyre.

Këtij kolonizimi i erdhi fundit, tani të shohim përpara. Historinë t’ua lëmë historianëve: ta shkruajnë sa më shkencërisht. Ndërsa njerëzit të shohin nga ardhmëria.

Serbët janë fqinjët tanë dhe jo vetëm gjeografikisht jemi më së afërti me ta, por edhe me shumëçka tjetër. Ishte niveli ynë i ulët dhe filozofia kolonialiste e kohës, që i shtyri ata në aventurën e hyrjes në tokat tona në dekadën e dytë të shekullit të njëzetë dhe që i tundoi të bëjnë të gjitha ato që i bënë mbi ne! Ndërsa tani, kur po jetojmë në një kohë që e karakterizon një filozofi tjetër, me një nivel shtetformues tjetër tonin, i cili edhe sot, 100 vjet pas, tek ne nuk është i lakmueshëm, ka ardhur koha që t’i ndihmojmë këtij populli dhe, duke i ndihmuar atij t’i ndihmojmë edhe vetes sonë, që të dalim së bashku nga ky qorrsokak ku jemi futur.

 

(Autori është ish-i dënuar politik i viteve ‘80 dhe ish-rob i luftës 1998-1999)

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency