Tallen me trashëgiminë, deputetët show politik!

0
150

Violeta Murati

resataurimNuk është hera e parë që Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik (mungon fjala kulturë) thërret ministrat e Kulturës për të raportuar për një gjendje që në dukje del papritur alarmante! Kështu ndodhi edhe dje, ku ishte i thirrur ministri i Kulturës Aldo Bumçi për të dhënë “raport për situatën dhe masat” në trashëgiminë kulturore. Me vete Bumçi kishte dy përfaqësues, njërin drejtorin e Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe, dhe tjetrin Olsi Lafe, drejtorin për Trashëgiminë Kulturore në MTKRS.

Tri ishin situatat pse u thirr ministri: e para, dëmtimi i kishës së Valshit, Elbasan, ku u përdhunua e u grabit një ikonë e Onfurit. I paprecedentë ky rast, por jo i panjohur! E dyta, shkatërrimi i burgut të Spaçit, denoncuar pak kohë më parë nga Fatos Lubonja dhe Maks Velo, ithtarë të kthimit të kampit në muze. E treta, edhe pse jo e identifikuar si zonë historike para hyrjes në Kalanë e Krujës është identifikuar një ndërtim pa leje. Tavolina prej nga fliste Bumçi ishte mbushur me letra, formate fotografike nga zonat e ekspozesë së mësipërme, si dhe një bllok i trashë ku ishte shënuar: projekti i sistemit të alarmit për mbrojtjen e kishave. Dhe tavolina e deputetëve kishte po aq grumbuj letrash, sidomos krahu i PS-së mbante formate akoma më të madha, të objekteve të përmendura në gjendje alarmante! Ai që kishte treguar më shumë kujdes, sigurisht ishte deputeti Auron Tare, dikur ish-funksionar monumentesh, por edhe një aktivist i njohur që flet më shumë në media për to.

Për dy orë e gjysmë, debati pikërisht u përball mes këtyre të dyve, Bumçit dhe Tares. Të tjerët dolën jashtë funksionit. Përveç pyetjes nga një deputete e Shkodrës se ç’po bëhej me fototekën “Marubi”, me shtëpinë e Luigj Gurakuqit… morën përgjigje të shpejta, se për Marubët është blerë një ndërtesë në pedonalen historike, shumë lirë nga çmimi, falë pronarit bujar është strehuar fototeka! Luigj Gurakuqi ka shtëpi të shkatërruar, shembur prej 16-17 vitesh, nuk mund të ndërtohet, po të paktën ende nuk është dhënë ndonjë leje ndërtimi për pallat!

Deputetit socialist, Auron Tares, i ishte vënë në dispozicion nga Ministria axhenda e ndërhyrjeve restauruese të monumenteve në gjithë Shqipërinë. Jo ndonjë punë invenstiguese siç do ta hamendësonim para se Bumçi ta “dekonspironte” këtë, si shenjë të një zbulimi jo aq të rëndësishëm nga opozita! Efekti i Tares në leximin e investimeve ishte përsëritja e një firme ndërtimi, kompania “Gener 2”, që kishte rrezikuar monumentet gjatë ndërhyrjeve restauruese si në Gjirokastër apo dhe rasti i rrezikut të rënies së kupolës në kishën e Mesopotamit, e cila ka pesë vjet e kyçur për këtë arsye. E qartë se kjo firmë ka marrë shumicën e buxhetit nga Ministria e Kulturës për restaurime. Sapo Tare lexoi shifrat e investuara të Ministrisë, që si duket kanë shkuar dëm, Bumçi reagon: “Ua kemi pezulluar licencën, për shkak të punimeve të dobëta në Gjirokastër!” Ministri përmend se janë hedhur fonde spanjolle, suedeze, amerikane, evropiane për investime në monumente të tilla si në Tiranë, Krujë, Elbasan, Shkodër… duke dalë nga çështjet e ekspozuara, edhe pse ishte thirrur.

Përgjigjja e parë: Kisha e Shën Premtes, tha ministri, me të njëjtin si një muaj më parë, është rast i paprecedentë, por jo i ri si rast vjedhjeje! Kjo vjedhje është ende nën hetim – raportoi Bumçi, i cili replikës së deputetëve të PS-së, nëse kishte qenë në “vendin e ngjarjes”, iu përgjigj për një dëmin që ata kanë kryer, duke hyrë në kishë, ndërsa ajo ishte ende zonë krimi! Situata sot: në kishën e Shën Premtes, pjesa e dëmtuar e afreskut po restaurohet, kanë mbledhur copat e suvasë që kanë rënë përtokë gjatë grabitjes, dhe në total Bumçi tha se do mund të riparohet deri në 40% Onufri. Për këtë kishë priten dhe ekspertë nga UNESCO. Në këtë ndërhyrje Bumçi pati rast të ripërsëriste, duke treguar bllokun e trashë mbi tavolinë, se kanë gati projektin për pajisjen me sistem alarmi të 51 kishave të spikatura për nga vlera. Një projekt që do t’i shtohen më vonë dhe monumente të tjera dhe objekte kulti! Mjaftonte kjo si përgjigje për Kishën e Valshit duke kaluar në burgun e Spaçit. Situata: drejt shkatërrimit total, ku edhe telat me gjemba janë marrë nga fshatarët e zonës për gardhe shtëpie. Denoncimi është kryer nga dy ish të burgosur, Lubonja dhe Velo, tashmë një çështje e njohur në media. Më 12 janar 2012 një grup pune është ngritur për të ndërtuar konceptin e një muzeu atje, ku kampi të shndërrohej në muze. Ministria tha se për projektin e parë janë hedhur 25 milion lek, dhe me këto sa është ngritur një ide fillestare, ende e papërfunduar. Këtu përfshihet një pjesë e ish kampit, që në total përfshin 23 ha tokë, e administruar nga Komuna Rosh. “Qeveria është e gatshme ta financojë”, ka thënë Bumçi, duke bërë të ditur se ish kampi i Spaçit është shpallur si një nga shtatë sitet në rrezik. Në fillim të marsit përfundon aplikimi pranë Europa Nostra-s, ndërkohë që një agjenci suedeze është e gatshme të financojë këtë projekt. “Burgu i Spaçit është lënë në mëshirë të fatit, nuk ka rojë”, thanë deputetët e PS-së, vetëm njëri se të tjerët zërë se nuk ishin! Erozioni, dëmtimet nga njerëzit! – janë arsye të “forta” të shfajësimit nga Bumçi, pse ish-kampi i Spaçit është shkatërruar, sa për të kujtuar se deri në 2007, kur u hoq nga puna, ky vend ka pasur roje. Doli përsëri çështja e kishës së Valshit, se aty deri më 2007 ka qenë një roje, dhe se ky ka njoftuar për vjedhjen e Onufrit pasi shkonte çdo ditë vullnetarisht atje, jo prifti! Këtë informacion e tha Bumçi.

Dikush nga deputetët e PS-së kujtoi kujdestarët, pse u hoqën! Bumçi duke marrë seriozisht pyetjen përgjigjet, se me rrogë të ulët, këta “s’kishin as autoritet ku shërbenin dhe si pastrues”, ne duhet të shtojmë edhe ciceronin, të ndeshur jo pak. Raste flagrante janë dhe kur kujdestarët e monumenteve të largëta nga zona e banimit merrnin rrogën pa shkuar në punë.

Duke parë arsyet pse ishte thirrur Bumçi, kryetarja e komisionit, zonja Laskaj, ndërhyn: “Duhet të jeni pak më racional, se kemi nivel, se nuk është vendi të diskutojmë këtu atributet e rojeve. Ne duam garanci që monumentet të mos jenë më objekt të shkatërrohet. Ne nuk jemi aq të pasur me këto!” Ironia e Bumçit ndaj deputetëve të PS-së: “Kujdestarët janë i vetmi debat i prodhuar deri tani!”

Sa për ndërtimet e paligjshme në Krujë, për Bumçin ka qenë më e lehtë, duke thënë se “unë nuk jam institucioni që e mbulon këtë fushë” dhe se “ndërtime në zona arkeologjike nuk ka” dhe lejet e ndërtimit janë dhënë nga kryetarët e bashkive, kryesisht të majtë! Ndërtesa për të cilën bëhet fjalë lidhet me një investim njëkatësh, që vazhdon qendrën historike, duke i ngjarë Pazarit të Krujës. Ky qytet u la këtu, nuk pati më fjalë. Ky u konsiderua “shpjegim jo serioz”, nga deputetët, majtas.

Por, debati i “llogarive” nuk mbaroi. Deputeti Tare lexoi një shkresë me shkrim që ka mbërritur në Ministri të Kulturës nga UNESCO-ja për gjendjen e Gjirokastrës dhe Beratit. Socialisti i ri Tare citoi anglisht fjalët e para të letrës: “Shprehim shqetësimin e madh nga ndërtimet pa leje dhe nuk ka plan për ndërhyrje ndaj tyre…” Bumçi, pa mohuar këtë shkresë, ka mundur të thotë se ka pasur rritje fondesh për këto dy qytete. Në Gjirokastër është investuar në ndriçim, këtu para kanë hedhur turqit. Tare akuzon se fondacioni “Culture Heritage” nuk ka qenë serioz në ndërhyrjet restauruese. Ndërsa Bumçi i garanton të kundërtën, se kjo OJQ me origjinë suedeze ka pasur seriozitet dhe ka restauruar shtëpitë e Babametove dhe disa objekte të tjera. “Këto qytete nuk janë më në rrezik”, tha Bumçi duke e kaluar përgjegjësinë edhe në pushtetet lokale, në rastin e Gjirokastrës, ku bashkinë e kanë të majtët. Argumenti i ministrit: “Ne s’kemi instrumente për ndalimin e ndërtimeve pa leje; nuk mbajmë përgjegjësi për çfarë bëjnë kryetarët e bashkive!”

Parimisht Bumçi e shikon drejt çështjen, duke kërkuar bashkëpunim prej tyre, si dhe masa penalizimi në raste të shkeljes, por edhe të ndajnë së bashku përgjegjësitë për restaurimet e bëra. E gjithë kjo shndërrohet menjëherë, sikur të kesh ndezur një kunj shkrepëseje, në një grindje politike (nuk na lejon logjika të përdorim fjalën debat). Derisa zbulojnë papritur territoret e monumenteve, mjaftueshëm në një togfjalësh të ashpër dhe të dhimbshëm se si tallen me trashëgiminë kulturore deputetët: A është trashëgimi politike?! Bumçi e mbyll fjalën se deputetët socialistë nuk e kanë hallin tek shkatërrimi i monumenteve, tek Kruja, por tek ethet e listës së deputetëve! Të gjithë kuptohen mirë mes tyre, se janë politikanë. Për ta përforcuar këtë, deputeti Mark Marku, me shumë vështirësi për të marrë fjalën, e shpreh: “Ministri u paraqit me korrektësi, sigurisht jo përgjigjet që donte opozita!” Prandaj mbyllja e këtij raportimi të ministrit të Kulturës do të kalojë si gjithë ministrat e tjerë, prej të paktën 15 vitesh, duke mbetur në fjalët fataliste mbi trashëgiminë: na shkatërroi komunizmi, e vodhëm e grabitëm vetë, i shkatërroi edhe koha, agjentët atmosferikë! “Këto objekte janë ruajtur nga Fati. Ndaj nuk i japim dot përgjigje këtyre anomalive”, ka folur më në fund deputeti i PD-së, Mark Marku. Pas dy orësh e gjysmë show politik përpara mediave, duke ditur se sot mbushen faqet e gazetave, është mbyllur raporti i ministrit të Kulturës përballë deputetëve të PS-së!

 

 

Akuzat

–          Personi që ka restauruar Kishën e Mesopotamit ka marrë gjysmën e buxhetit të Ministrisë

–          UNESCO, letër Ministrisë se firmat që kanë marrë tenderët në Ministri po shkatërrojnë Gjirokastrën dhe Beratin

–          Në zonën historike të Krujës ka ndërtime pa leje

–          Ish-kampi i Spaçit drejt shkatërrimit, pa roje

–          Një firmë për mirëmbajtjen e reklamave ka fituar kontratën e rikonstruksionin të mozaikut, që po bie

 

 

Turizmi religjioz

Shën Gjergji në Mesopotami, kupola 5 vjet në rrezik

Nëse Onfuri konsiderohet si maja e ajsbergut, është folur dje dhe për kishën e Shën Gjergjit në Mesopotami, e mbyllur prej pesë vjetësh pasi i rrezikohet rënia e kupolës.

Shkaku janë ndërhyrjet restauruese. Ky ishte një nga debatet e nxehtë dje në komision ku gjithë “faji” u është hedhur firmave që marrin tenderët për ndërhyrje restauruese.

Ne listën që Ministria i ka vënë në dispozicion deputetit Tare, lexohen disa emra firmash që kanë shkuar deri në deklarata si “projektet i bëjmë vetë, se Instituti i Monumenteve nuk bën”, dhe nëse janë duke ndërhyrë në Gjirokastër punëtorët i marrin nga Librazhdi!

Për Kishën në Mesopotami, ministri tha se kanë ftuar një nga ekspertet më të njohura italiane, Lucia Binda, por ende nuk kanë mbërritur në një projekt ndërhyrjeje. Megjithëse në këtë kishë ministria ka hedhur disa herë fonde, por nuk është folur për një projekt që do të hapte dyert e kishës.

 

Restaurimi i radhës, 4 milionë lekë

Mozaiku i Tiranës vendosur në ballë të Muzeut Historik Kombëtar është dëmtuar sërish pas ndërhyrjes bërë pak kohë më parë. Deputetët e PS-së kanë akuzuar Bumçin se i ka besuar rikonstruksionin e mozaikut një kompanie që merret me mirëmbajtjen e rrugëve. Dhe rezultati është rënia e mozaikut. Bumçi e ka pranuar se mozaiku është ndërtuar gabim qysh në fillim, duke i konsideruar si probleme të origjinës. Por, megjithatë nuk e ka lënë pa përgjigje “akuzën” e PS-së, duke njoftuar se është gati projekti prej 4milionë lekë të reja për ndërhyrje në pjesët më të dëmtuara rëndë, jo në gjithë strukturën e mozaikut.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency