Rilindja e demagogjisë

0
133

Çelo Hoxha

 

psJavën e kaluar, Partia Socialiste mbajti një konferencë për prezantimin e programit elektoral të saj, i cili, të paktën për mua, kishte tingëllime me zanafillë thellë në kohë, që nga 1945-a e këtej. Kurse ca gjëra duket sikur u thanë vetëm për të qeshur.

Fjalimi i deputetit Taulant Balla i drejtohej asaj pjese të PS-së që motiv nxitës të ekzistencës së tyre kanë urrejtjen ndaj Berishës. Pjesa tradicionale e saj, ajo që e zhvendosi objektin e sulmit të energjisë së saj negative nga Ahmet Zogu te Sali Berisha.

PS nuk ka pse t’i lërë disa gjëra për kur të vijë në pushtet. Nëse PS mendon që Sali Berisha ka vendosur pasuri të paligjshme, ajo duhet të bëjë publikeelementet prej nga arrin në një përfundim të tillë dhe të depozitojë në prokurori një kërkesë për ndjekje penale të kryeministrit. Ajo ka pasur tetë vite në dispozicion dhe nuk e ka bërë një gjë tillë. Pse duhet ta bëjë pasi të vijë në pushtet? Dhe si do ta bëjë? Do të ndryshojë prokurorët e gjyqtarët?

Këto pyetje kërkojnë ca shpjegime. Të hetosh kundërshtarin politik, kur je në pushtet, është një veprim shumë i dyshimtë. Ne ende sot nuk dimë s’e çfarë ishte Fatos Nano, një hajdut apo viktimë e politikës, sepse ai u fut në burg kur ishte në opozitë, doli nga burgu kur burgjet u hapën në mënyrë të paligjshme dhe mori pafajësinë kur ishte vetë në pushtet.

Ajo që dihet me siguri është kjo: një deputet i PS-së është dënuar, me gjobë, tri herë nga gjykata për shpije në vitet e fundit. Ai shpifi kundër një deputeteje të PD-së, kundër një ministri dhe kundër fëmijëve të Kryeministrit. Liria është, para së gjithash, përgjegjësi. Njeriu nuk mund të lëshojë gjithfarë akuzash në publik, nëse nuk ka fakte t’i mbrojë ato.

Me deklaratën se do të hetojë pasuritë e Kryeministrit kur të vijë në pushtet, PS paralajmëron ditë të errëta për demokracinë, sepse ky është një sinjal për hetime politike.

Fjalimi i deputetes Mimi Kodheli ishte për borxhin publik. Ajo hodhi në ajër disa shifra të borxhit pa shumë lidhje logjike me njëra-tjetrën, duke përfshirë edhe borxhin prej 1.26 miliardë dollarësh që bizneset u kanë bankave. Fakti që bizneset u kanë borxhe bankave, nuk është tregues i një ekonomie të mirë, por nuk sqarohet se çfarë borxhi është, sepse ato mund të jenë kredi, të cilat kanë afate. Fakti që një qytetar ka marrë kredi për 20 vjet, nuk mund të konsiderohet si borxh, nëse ai shlyhet. Pastaj, borxhi mes bizneseve dhe bankave nuk ka lidhje me qeverinë, sepse të dyja palët janë subjekte private që operojnë në një shoqëri të lirë.

Një fjalim tjetër me interes për satirë ishte fjalimi i ish-deputetit, të cilit iu hoq mandati për shkelje ligjore, Ilir Beqja. Sekretari i programit të PS-së foli për bujqësinë. Sipas tij, PS do të rimëkëmbë bujqësinë, do të investojë 160 milionë dollarë në 4 vjet, do të marrë përsipër të mirëmbajë rrjetin e kanaleve të larta, kanalet e mesme dhe të ulëta do t’ia lërë në administrim pushtetit vendor, i cili brenda 2 vjetësh do të pajiset me të gjitha mjetet dhe mekanikën e nevojshme, do të mbështetë daljen e produkteve në treg duke nxitur krijimin e qendrave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtimit me shumicë të produkteve bujqësore e blegtorale në përputhje me hartën e rajonizimit të kulturave dhe racave dhe metafora më e madhe: do të 5-fishojë financimin publik për të mbështetur zhvillimin e prodhimit bujqësor.

Zoti Beqja flet si plaku i Vitit të Ri, i cili, sipas imagjinatës fëminore, zbret natën te pema dhe lë dhurata për të gjithë. Premtimet me kanale kulluese e ndërmarrje grumbullimi sikur shumë të dëgjuar, me origjinë të thellë në të shkuarën. Të parat që u krijuan nga regjimi komunist ishin ndërmarrjet e grumbullimit, të cilat mbusheshin me mallrat e sekuestruara. Hekurudhat, kanalet kulluese e kësi veprash, të ndërtuara bazuar në planet e qeverisë, dështuan me rënien e komunizmit. Megjithatë, në fund diskutimi përfundon te lekët. Ku do t’i marrë PS lekët që do të realizojë këto premtime? Sigurisht, nga buxheti i shtetit. Çfarë është buxheti i shtetit? Tërësia e taksave të qytetarëve dhe të ardhura të tjera. Atëherë fushata e premtimeve në këtë formë është thjesht një mënyrë joshje për të fituar kontrollin e buxhetit. Duke u premtuar para fshatarëve, PS përpiqet t’u blejë votat paradhënie.

Në fjalimin e zotit Beqja kishte vetëm një fjali që ia vlen të mbahet mend, fjalia e fundit, një thirrje direkte dhe e sinqertë për fshatarët: “Do ta bëjmë së bashku. Në çdo arë, në çdo serë, në çdo stallë dhe në çdo kullotë. Që të nesërmen e 23 qershorit”. Kush nuk e beson, le të klikojë faqen e PS-së në internet.

Çështja e premtimeve në fushatë nuk ekzagjerohet vetëm nga PS-ja. Edhe PD sillet sikur veprat që bën qeveria e saj i bën me buxhetin e partisë dhe jo të qytetarëve. Kjo është një formë e vjetër të menduari, mbeturinë e propagandës komuniste. Megjithatë, PS dhe PD dallojnë shumë në premtimet që bëjnë dhe përqindjen e atyre që realizojnë. Kur ishte Kryeministër Pandeli Majko, u vendos një taksë regjistrimi për drejtuesit e automjeteve, gjoja për ndërtimin e rrugës Durrës – Kukës. Thonë se u mblodhën rreth 450 milionë dollarë, por as PD nuk e sqaroi ndonjëherë fatin e atyre parave, nuk e ka përdorur as për fushatë këtë skandal financiar të kundërshtarëve të saj.

Rruga Durrës – Kukës u bë, por nga PD-ja, dhe jo me ato para që u destinuan për të. Ky shembull, dhe jo premtimet, mendoj unë, e bën të qartë dallimin mes të djathtës dhe të majtës në Shqipëri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency