Ligjet miratojnë aktin normativ të qeverisë Hipotekimi i 71 mijë apartamenteve, opozita abstenon, të djathtët: Jeni mësuar me katrahurën e Ramës

0
126

Florenc Drizari

komisioniAkti normativ parashikon dhënien e lejes së përdorimit dhe më pas hipotekimin e objekteve që s’kanë zbatuar lejet e ndërtimit

 

Akti normativ i qeverisë që u jep të drejtën qytetarëve të pajisin me leje përdorimi ato struktura që kanë përfunduar ndërtimin që në datën 23.4.2009, ka shkaktuar debate mes deputetëve të mazhorancës dhe të opozitës në Komisionin Kuvendor të Ligjeve. Përfaqësuesit e opozitës e abstenuan draftin dhe thanë se akti normativ anashkalon Kuvendin dhe bëhet për arsye elektorale, ndërsa deputetët e mazhorancës kritikuan punën e disa prej krerëve të qeverisjes vendore, sidomos në Bashkinë e Tiranës duke etiketuar kryetarin e PS Rama në kohën kur ishte kryebashkiak. “Akti normativ, dhe keqpërdorimi i tij është një shembull tjetër se si ky kryeministër e anashkalon, e injoron legjislativin. Kjo është një situatë që nuk zgjidhet për 4 muaj, e as për një vit. Një legalizim i një paligjshmërie skandaloze në menaxhimin urban të territorit. Këtë skandal e shtyjmë në kohë. E them më shkurt kjo qeveri e dështuar kërkon që litarin e ndëshkimit ta lërë jashtë pas 4 muajsh”, – deklaroi nënkryetari i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafaj. Por nga ana e tij, deputeti demokrat Dashnor Sula vuri theksin tek mungesa e një plani rregullues për kryeqytetin duke akuzuar ish-kryebashkiakun e Tiranës. “Zoti Rama për 12 vite që ishte kryetar bashkie nuk bëri plan rregullues sepse interesin këtu e kishte, të jepte leje ndërtimi ku të gjente tokë të lirë. Nuk ke kryetar bashkie të cilët sot ka shtëpi në Nju Jork, atje kanë shtëpi, janë bërë supermiliader, me 3-4 mandate. 85 për qind e tyre, 71 mijë apartamente bëhen fjalë për Tiranë, Durrës e Vlorë, se aty kanë qenë ndërtimet, nuk ke një ndërtim në Pukë”, tha Dashnor Sula, deputet i PD.

Akti normativ i qeverisë

Me nismë të Ministrisë së Transporteve, Këshilli i Ministrave dorëzoi pak ditë më parë në Kuvendin e Shqipërisë aktin normativ për pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit përpara fillimit me efekte të plota të ligjit nr. 10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, edhe në rastet kur “Aktkontrollet përfundimtare, të kryera nga autoritetet vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit, vërtetojnë se strukturat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit të miratuara, por nuk ndryshojnë sipërfaqet dhe volumin e miratuar në leje; Aktkontrollet përfundimtare, të kryera nga autoritetet vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit, vërtetojnë se strukturat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit të miratuara, të shoqëruara me shtesë të sipërfaqes dhe/ose volumit të miratuar në lejet e strukturës”, – thuhet në pikën një të aktit normativ.

Gjithashtu, drafti sqaron se strukturat e lartpërmendura, pajisen me leje përdorimi vetëm për sipërfaqen dhe volumin e përcaktuar në lejen e ndërtimit. Ndërkaq, në pikën 4 në aktit thuhet se miratimi i listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi sipas këtij akti normative bëhet me vendim të këshillit vendor të njësisë përkatëse të pushtetit vendor. “Afati i aplikimit për t’u pajisur me leje përdorimi, sipas këtij akti normativ, është deri në 12 muaj pas miratimit të planeve të përgjithshme vendore të njësive të qeverisjes vendore, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 10119, datë 23.4.2009, të ndryshuar”, – thuhet në pikën 5 të aktit normativ.

 

 

Stano, thirrje politikës shqiptare: Mos anashkaloni axhendën evropiane

Zëdhënësi i komisionerit Stefan Fyle deklaroi një ditë më parë se në zgjedhjet e qershorit duhet të sigurohet pjesëmarrja më e madhe e mundshme dhe të plotësohen standardet ndërkombëtare. Fyle thekson, se edhe pse në fushatë zgjedhore, në Shqipëri nuk duhet anashkaluar axhenda evropiane dhe politika duhet ti kthehet asaj seriozisht menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit. Pas takimit Meta – Fyle, në një intervistë për “ABC News” zëdhënësi Stano tha se “procesi zgjedhor do të jenë shumë i rëndësishëm për vendin, por edhe për imazhin e Shqipërisë tek partnerët evropianë. Është parësore që zgjedhjet të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Duhet të sigurohet pjesëmarrje e madhe e qytetarëve shqiptarë në këto zgjedhje. Ato janë një test jo vetëm për funksionimin e institucioneve demokratike por edhe për rritjen e besimit të qytetarëve shqiptarë te këto institucione”. Sipas Peter Stano takimi Meta – Fyle ishte për të diskutuar konkluzionet e samitit të dhjetorit të vitit të shkuar që përcaktojnë një kalendar të qartë lidhur me integrimin evropian të vendit. “Ata diskutuan gjithashtu edhe zhvillimet e skenës politike në Shqipëri. Komisioneri Fyle nënvizoi që është e rëndësishme që të vazhdohet puna për reformat e axhendës evropiane të Shqipërisë edhe pse vendi ndodhet në një fushatë zgjedhore. Shqipëria nuk ka kohë për të humbur dhe fushata zgjedhore nuk mund të jetë një arsye për të ndalur punën lidhur me reformat e integrimit. Çështje tjetër e rëndësishme e diskutuar midis të dyve ka qenë edhe procesi zgjedhor. Zgjedhjet parlamentare të qershorit do të jenë një test për funksionimin e institucioneve demokratike në vend. Është e rëndësishme që të sigurohet pjesëmarrja më e madhe e mundshme e votuesve në këto zgjedhje. Dhe është thelbësore që klasa politike t’i kthehet axhendës evropiane menjëherë pas zgjedhjeve”, – deklaroi Stano.

 

KiE dhe Ministria e Brendshme diskutojnë sot për strukturat e qeverisjes vendore

Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marco Leidekker, së bashku me përfaqësues të KiE-së dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale në Strasbourg, zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, si dhe ambasadori Zviceran, Alexander Wittwer, do të diskutojnë sot në “Hotel Tirana International” projektin për “Fuqizimin e strukturave të qeverisjes vendore dhe bashkëpunimit të të zgjedhurve vendorë në Shqipëri”. Takimi pritet të mbahet rreth orës 08:30 të mëngjesit dhe ku në fokus do të jetë forcimi i qeverisjes vendore si një mënyrë thelbësore për demokratizimin dhe decentralizimin në Shqipëri. Vëmendja e disa donatorëve dhe organizatave evropiane si Bashkëpunimi Zviceran dhe Këshilli i Evropës është maksimale për këtë fushë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency