Kapet fushë-krujësi Grabiti BMW-në e përdorur në vrasjen e kryekomisarit Lamaj

0
120

Elton Qyno

grandGentian Bejtja u prangos nga policia në qytetin e Durrësit

32-vjeçari s’pranon të flasë, dyshohet se shiti BMW-në tek vrasësit e Lamajt

 

Një person nga Fushë-Kruja është arrestuar si i dyshuar në grabitjen e makinës tip “BMW”, e cila rezulton të jetë përdorur në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj mbrëmjen e të dielës. 32-vjeçari Gentian Bejtja nga zona e Fushë-Krujës, është ndaluar si autori kryesor i vjedhjes së automjetit me targa DR 1944 F,ndërkohë që nuk dihet nëse ai këtë veprim e ka kryer për llogari të autorëve të krimit ose jo. Nga dyshimet e para mendohet se automjeti që i përkiste shtetasit Fatmir Lila, është marrë në mesnatë dhe se disa nga kamerat e bizneseve në zonë, kanë fiksuar autorin e vjedhjes, i cili ka arritur ta hapë me shpejtësi makinën dhe më pas të largohet në drejtim të paditur. Burimet pranë policisë thanë se vjedhja e makinës mund të jetë bërë me urdhër të personave që kanë qëlluar mbi 12 plumba mbi ish-shefin e komisariatit nr. 6 në Kombinat. Ndërkohë, një dyshim tjetër i policisë është se rënia në duart e autorëve të krimit të makinës së vjedhur mund të ketë qenë një rastësi, ku grabitësi ja ka shitur BMË me çmim më të ulët, autorëve të vrasjes së 41-vjeçarit Dritan Lamaj. Pavarësisht dyshimeve, hetimet rreth kësaj vrasje janë duke vijuar me qëllim identifikimin e personave të tjerë që mendohet se kanë pasur gisht në vrasjen me 12 plumba në trup të kryekomisarit Dritan Lamaj.

Bejtja hesht në polici

Gjatë marrjes në pyetje, 32-vjeçari Bejtja ka preferuar të mos flasë asnjë fjalë, duke heshtur përballë pyetjeve të policisë së Durrësit. Sipas këtyre burimeve, Bejtja ka pohuar se nuk ka qenë autor i grabitjes dhe se për më tepër ka dashur të mbrohet me një avokat gjatë procesit të hetimit. Mirëpo nga ana tjetër, policia ka këmbëngulur në bindjen e saj se 32-vjeçari është autori i vjedhjes së makinës. Nisur nga kjo situatë, policia ka ngritur akuzën e “Vjedhjes në bashkëpunim”, ndaj tij, duke bërë që materialet hetimore ti referohen prokurorisë së Durrësit për hetime të mëtejshme. Sipas burimeve të policisë së këtij qytetit autori i grabitjes së makinës që është përdorur në vrasjen e kryekomisarit në Tiranë, është prangosur gjatë mëngjesit të djeshëm në një banesë në Durrës. Ai ndodhej vetë në momentin e arrestimit, ndërkohë që nga kontrolli i banesës nuk është gjetur asnjë mjet, i dyshimtë që mund të provonte grabitjen e makinës. Policia shprehet e bindur se identifikimi dhe më pas arrestimi i Gentian Bejtes, është bërë nga kamerat e sigurisë të një biznesi, shumë pranë të cilit ishte parguar automjeti i vjedhur. Nga analizimi i të gjitha këtyre të dhënave, është arritur të mundësohet dhe zbardhja e plotë e vjedhjes, duke arrestuar vetëm njërin nga dy grabitësit e makinës tip BMË me targa DR 1944 F. Mësohet se Gentian Bejtja është pjesë e një grupi kriminal përbërë nga katër persona të tjerë, të cilët tashmë janë arrestuar nga ana e policisë së Durrësit në kuadër të operacionit policor “Start 2013”.

Makina u gjet në Domje

Katër ditë pas grabitjes së makinës, automjeti është gjendur i braktisur dhe më targa të hequra në fshatin Domje të Tiranës. Pronari i makinës, Fatmir Lila, kishte denoncuar në policinë e Durrësit, vjedhjen e makinës, por më pas mjeti është arritur të shikohet nga disa kamera në zonën e shkollës “Vasil Shanto”, ku pikërisht nga automjeti në fjalë, janë parë dy persona që kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Dritan Lamaj. Pamjet filmike kanë regjistruar të gjithë skenën, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të automjetit tip “BMW” ngjyrë gri, që është drejtuar në drejtim të kodrave të selitës. Gjatë ndjekjes policia ka humbur gjurmët mjetit ndërkohë që makina është gjendur vetëm pas arrestimit të dy të dyshuarve Jak Jaku, dhe biznesmenit Arben Frroku, në një hotel në Selanik të Greqisë. Pritet që në ditët në vijim, mjeti ti nënshtrohet ekzaminimeve shkencore nga ana e policisë, ndërkohë që shumë veprime janë duke u kryer edhe në disa drejtime të tjera me qëllim zbardhjen e plotë të vrasjes së Dritan Lamajt.

 

Djali i biznesmenit: Lamaj, njeri me probleme, ne u jemi drejtuar institucioneve

Letra e Grand Frrokut: Po akuzohemi padrejtësisht

ja provat tona që babai nuk qëlloi mbi kryekomisarin

Në emër të familjes Arben Frroku, në radhë të parë më lejoni të shpreh keqardhje dhe ngushëllimet e sinqerta familjes së kryekomisarit Dritan Lamaj për humbjen tragjike dhe të parakohshme të pjesëtarit të tyre të dashur. Dua që të theksoj që në fillim se disponojmë të gjitha provat e mjaftueshme për të deklaruar se im atë nuk mund të jetë fajtor dhe as i implikuar në këtë ngjarje të rëndë. Për sa kemi marrë vesh nga mediat vizive apo të shkruara, i ndjeri ka pasur një sërë konfliktesh për shkak të detyrës dhe rasti ynë i trumbetuar me forcë ka qenë vetëm njëri prej tyre,dhe për këtë ne i jemi drejtuar organeve kompetente, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nuk mund ta kuptoj ngutjen e policisë së shtetit për të ngushtuar rrethin e të dyshuarve tek babai im dhe për ta shpallur si të dyshuarin kryesor. Në këtë rast është cenuar ajo që quhet prezumimi i pafajësisë. Nevoja e policisë për t’i vënë një emër kësaj pune,ne vend që të sqarojë opinionin dhe familjarët e të ndjerit, po shpërndan shumë tym dhe po i hedh benzinë zjarrit, pasi krijon artificialisht konflikt midis dy familjeve dhe fiseve në fjalë. Dua të bëj me dije opinionin publik se që në çastin që u njoftua ngjarja, policia e shtetit ka ushtruar kontroll në banesat tona dhe na ka shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku kemi dhënë shpjegimet e nevojshme. Më duhet të shpjegoj në linja të përgjithshme lëvizjet e tim ati, me dijeninë time. Më datë 24 shkurt 2013 babai im Arben Frroku ka qenë në Laç në ndeshjen midis Kamzës dhe Tërbunit, pasi prej disa kohësh është president i kësaj të fundit. Pas mbarimit të ndeshjes ka ardhur në Tiranë në ambientet e biznesit të tij “AML” dhe për këtë disponojmë prova dhe filmime. Më pas është nisur për të shkuar në Selanik tek një kushëri yni. Besoj se përkimi i ngjarjes me ikjen e tim ati është një konçidencë që po tentohet të keqpërdoret nga strukturat e policisë dhe për këtë do kemi rastin që ta zbardhim në ditët në vazhdim. Në emër të familjes Frroku dua të shpreh besimin se e vërteta do të zbardhet si drita e diellit dhe do të kemi një realitet krejt tjetër nga kjo e paraqitur nga policia. Duam të besojmë gjithashtu së drejtësia do veprojë me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin. Në emër të familjes Frroku
Grand Arben FRROKU

 

 

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency