Info/kult 26 shkurt 2013

0
165

 infoKatër instrumentistët e disiplinuar të jazz-it, jo vetëm argëtim

 

Katër instrumentistë të sprovuar bashkohen në një koncert jazz më 28 shkurt, në Universitetin e Arteve, Tiranë. Artistët kanë menduar një program të përzgjedhur me pjesët më të spikatura në zhanrin e kësaj muzike që përfshijnë jazz-in e krijuar që nga 1935-a e deri në ditët e sotme. Sokol Sejdo (Saxophone Tenor), Erjon Medha (Elektrik Guitare), Visar Kuqi (Kontrabass&Elektrik Bass) dhe Emiljano Dhimo.(Drums Set) do të performojnë për publikun disa nga pjesët që kanë bërë historinë në këtë zhanër muzikor. Vlen të përmenden këtu e famshmja këngë “Autumn leaves”, “Cold Duck Time”, “Mercy-Mercy-Mercy” apo “Sweet Georgia Brown”. Kuarteti kërkon të sjellë një frymë profesionalizmi dhe disipline artistike, duke e konsideruar muzikën jazz si një të gjuhë të shprehur, nëpërmjet repertorit të larmishëm ku spikasin ritmet Baladë, Swing, Latin jazz dhe Fanky. Ky qëllim duket se ka bashkuar katër instrumentistë të spikatur në këtë gjini muzikore.

Kuarteti vjen si ide e Sokol Sejdo, i cili dy vite më parë ishte drejtor artistik i një tjetër koncerti recital me Jazz dhe Saksofon. Sokol Sejdo ka bërë master në Konservatorin Giusepe Verdi në Milano . Ai është kompozitori i të parit album për saksofon, publikuar gjatë vitit 2002 ndërsa njihet për interpretimet e tij në jazz, funk, rock, pop dhe muzikë ballkanike.

Në krah të tij qëndrojnë kitaristi Erjon Medha, i trajnuar për muzikën jazz në grupin ”Dormundt Big Band” nga Gjermania dhe Emiljano Dhimo i cili ka mbaruar në Berkley të Kalifornisë dhe ka ende të freskët pjesëmarrjen e tij në vitin 2011 në festivalin “Le Accroche Angers” në Francë dhe në të njëjtin vit edhe në Eurosong. Muzikanti i katërt vjen nga Kosova dhe është një nga instrumentistët më të njohur. Visar Kuqi pas studimeve në Gjermani ushtron profesionin e tij si koncertmaestër në orkestrën filarmonike të Kosovës dhe është themelues i kuartetit të xhazit OM por edhe kompozitor. Ai është pjesëmarrës në tri festivale jazz-i.

Koncerti me pjesët më të njohura dhe më të bukura jazz vjen si akumulim shumëvjeçar pune, ballafaqimesh, studimesh mbi literaturën jazz nga instrumentistët të cilët ndër vite kanë lëvruar këtë zhanër në të gjitha ngjarjet e rëndësishme muzikore.

 

 

“I humburi” i Kongolit në gjuhën spanjolle

Ndër romanet që e krahasuan menjëherë shkrimtarin Fatos Kongolin me ekzistencializmin shqiptar, pra romani “I humburi” sapo doli në qarkullim në gjuhën spanjolle. Njoftimin e bën të ditur botuesi ekskluziv “Toena”. Pas romaneve “Lëkura e qenit”, “Jetë në një kuti shkrepësesh” dhe “Bolero në vilën e pleqve”, ky është libri i katërt radhazi i këtij autori në harkun kohor të katër vjetëve, publikuar nga e njëjta shtëpi botuese “Siruela”, në Madrid. “I humburi” është përkthyer në gjuhën spanjolle nga përkthyesi i mirënjohur, i ndjeri Ramon Sançes dhe bashkëshortja e tij Maria Roces, e cila i është përkushtuar me të njëjtin pasion përkthimeve nga gjuha shqipe. Qysh para se të vihej në qarkullim, ky libër, i vlerësuar si një nga veprat më të mira të autorit brenda dhe jashtë vendit, pati jehonë në shtypin spanjoll. Një nga gazetat më të mëdha në Spanjë, “El Pais”, në një paraqitje për botimet e vitit 2013, e rendiste romanin “I humburi” të Kongolit ndër veprat e përkthyera më të rekomanduara për t’u lexuar gjatë këtij viti.

Vitin e kaluar, me rastin e botimit të romanit “Bolero në vilën e pleqve”, i cili pati një pritje mjaft të mirë në shtypin spanjoll, me jehonë në disa gazeta dhe revista, në një shkrim në faqet e revistës “Revista de letras”, Kongoli cilësohej si “një nga shkrimtarët e sotëm më të mirë evropianë”.

E njëjta shtëpi botuese “Siruela”, vitin e ardhshëm do të botojë romanin “Ëndrra e Damokleut” të Kongolit, tashmë i përkthyer nga znj. Maria Roces. Me këtë rast, botimet “Toena” njoftojnë daljen së shpejti në Francë të romanit “Bolero në vilën e pleqve”, përkthyer në gjuhën frënge nga përkthyesi i mirënjohur Edmond Tupja. Ky libër, i teti në vargun e romaneve të Kongolit, të botuar nga e njëjta shtëpi botuese “Rivages” në Paris, tashmë ndodhet në proces shtypi.

 

Përvathi, përvjetor me ciganet

Piktori Pashk Përvathi hap ekspozitën e tij personale në rastin e 55-vjetorit të lindjes. Ekspozita do të përmbaje 38 piktura në gjininë e peizazhit, portretit dhe natyrës së qetë. “Në ndryshim nga herët e tjera ku jam përfaqësuar gjithnjë me peizazhet e vjeshtës, në këtë ekspozitë do të ketë 10 portrete me gjendje dhe karaktere të ndryshme. Preferencë mbetën përsëri tek unë ciganet për kolorin e tyre dhe nuancat harmonike të veshjeve plot ngjyrë”, shprehet piktori. Do të jenë të ekspozuara edhe 7 natyra të qeta me trëndafila si për ta gëzuar ekspozitën. Peizazhet janë gjithsej njëzet. Tematika është e shtrirë. Ka peisazhe nga Valbona, Rrethinat e Tiranës, Vlora, por edhe nga Fushë Kosova, Gostivari, Cinque Terre dhe Romë. “Mendoj se kjo ekspozitë ka më të veçantë se herët e tjera gjuhën artistike të të shprehurit kur nuk është një përsëritje e të kaluarës por janë kërkuar mjete të reja artistike”, thotë piktori. Peizazhet e Valbonës zënë vendin kryesor. “Duke e njohur tashmë më shumë Valbonën mbasi është udhëtimi i katërt piktorik në atë pjesë epike të alpeve, jam përpjekur të zbuloj thelbin dhe magjinë e këtyre maleve të lartë të eposit tonë. Mendoj se peizazhet e Valbonës janë arritje të pikturës sime”.

Peizazhet nga Italia (Cinque Terre dhe Roma) janë pjesë e një udhëtimi që piktori ka filluar në vendet përreth vendit tonë që i përkasin një ekspozite tjetër në të ardhmen. Por në këtë ekspozitë po ekspozon vetëm tri peizazhe sa për të dëshmuar këtë udhëtim që ai ka filluar. Rrethinat e Tiranes si Petrela, Baldushku dhe Iba, janë të hedhura në telajot e Përvathit gjatë vjeshtës që sapo kaloi. Edhe për peizazhet nga Fushë-Kosova dhe Gostivari piktori tregon se janë impresione të udhëtimeve në këto vende.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency