Grabit argjendarinë, sulmon policinë dhe më pas vetëvritet në Elbasan

0
161

Sonja Caka

makinaPolicia, 30 minuta aksion për kapjen e 23-vjeçarit Përparim Bala nga Bulqiza. I riu i rrëmben automjetin një çifti nga Durrësi, qëllon drejt policisë dhe më pas veten

 

Grabit një argjendari, largohet me furgon dhe përfundon në një tjetër qytet. Përplaset me policinë, nuk i ndalon kërkesës së tyre për kontroll, kërcënon një çift të cilit i merr automjetin, qëllon ndaj policisë e cila ishte vënë në ndjekje të tij dhe më pas vetëvritet. Kjo dinamikë ngjarjeje të kujton skenarët e filmave hollivudianë, veçse nuk ka ndodhur në ndonjë shtet të huaj por në vendin tonë. Gjithçka nis në Bulqizë me një grabitje argjendarie dhe përfundon në aksin rrugor Elbasan-Librazhd me vdekjen e protagonistit Përparim Bala.

Ngjarja

Një 23 vjeçar, i cili është identifikuar nga policia e Elbasanit si Përparim Bala me banim në Bulqizë, ka vrarë veten pas një shkëmbimi zjarri me uniformat blu të këtij qyteti. Ky ka qenë momenti i fundit i gjithë ngjarjes, ndërsa më parë u kishte rrëmbyer makinën një çifti nga Durrësi, të cilët kanë qenë duke udhëtuar drejt Librazhdit. Ngjarja në fjalë e ka zanafillën në postbllokun e ngritur në dalje të qytetit, në vendin e quajtur Mengël, ku patrulla e Policisë ushtron prej kohësh kontrolle të vazhdueshme për personat që posedojnë armë apo lëndë narkotike, por edhe persona të shpallur në kërkim. Sipas burimeve, mjeti i radhës që qarkullonte në këtë aks ka qenë një furgon i linjës Elbasan – Përrenjas. Vetëm 50 metra para se të mbërrinte postbllokun, mjeti tip furgon është ndaluar nga një pasagjer, i cili pasi ka zbritur ka parë policinë, dhe ka ndaluar nën kërcënimin e armës mjetin tip “Renault” me targë DR 6487 E. Sipas çiftit që ndodhej në mjet, mësohet se 23-vjeçari nën kërcënimin e armës në kokë, i ka thënë drejtuesit që të ecë dhe të mos ndalojë mjetin dhe t’i përgjigjet urdhrave të tij. Po, sapo ka kaluar pak metra rrugë, çifti ka zbritur nga makina, dhe në këtë moment policia ka kërkuar që 23-vjeçari të ndalojë, por ky i fundit ka qëlluar me armë tip Pistoletë TT në drejtim të tyre, dhe këtu mësohet se ka pasur edhe shkëmbim zjarri mes forcave të policisë edhe autorit, i cili ka vazhduar të ecë në drejtim të Librazhdit. Ka qenë pikërisht ky momenti kur uniformat blu të Elbasanit ka kërkuar përforcime edhe nga qyteti i Librazhdit. Duke parë se ka qenë i rrethuar në të dy anët e rrugës, mësohet se 23-vjeçari ka vrarë edhe veten brenda në mjet. Policia e cila ka rrethuar zonën, ka mundur ta identifikojë atë si Përparim Bala nga Bulqiza.

Hetimi

Pas vetëvrasjes së Përparim Balës, policia e Elbasanit ka nisur bashkëpunimin me kolegët e Dibrës për të zbardhur plotësisht detajet e ngjarjes, si edhe motivet që e çuan 23-vjeçarin të vjedhë me maskë një dyqan në Bulqizë dhe më pas të arrijë të vrasë veten. Bulqiza, qyteti ku banonte 23-vjeçari ishte zanafilla e gjithçkaje. Paraditen e djeshme, së bashku me një tjetër person me maska vodhën nën kërcënimin e armës një argjendari. Më pas ndodhi situata e mesditës së djeshme. Dëshmitarë të shumtë kanë rrëfyer ngjarjen e parë në distancë, duke e përshkruar të denjë për një skenar filmi hollivudian. Në momentin që policitë e Elbasanit nga njëra anë dhe ajo e Librazhdit nga ana tjetër nisën ndjekjen e 23-vjeçarit, të gjitha mjetet kanë ndaluar qarkullimin dhe janë bërë dëshmitarë të gjithë ngjarjes të rrallë për ta. Dëshmitarët bëjnë me dije se gjithçka zgjati rreth 30 minuta, ndërsa shtojnë se 23-vjeçari Bala qëllonte vazhdimisht me armë ndaj policisë derisa i mbaruan plumbat. Pasi e ka parë veten të rrethuar në vendin e quajtur “Kthesat e Murrashit”, vetëm 500 metra para se të hysh në qytetin e Librazhdit, 23-vjeçari ka ndaluar për pak sekonda mjetin, e ka fikur atë dhe më pas e ka drejtuar armën tip pistoletë në drejtim të kokës së tij duke vrarë veten. Policia edhe pse ka dëgjuar një të shtënë në mjet, pasi ka qenë vetëm rreth 150 metra larg mjetit të viktimës, nuk ka dyshuar se ai mund të vriste veten. Pasi kanë lajmëruar disa herë që ai të dilte nga makina, dhe kur nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga viktima, patrulla e policisë është afruar dhe ka parë të vrarë 23-vjeçarin, i cili u identifikua vetëm 15 minuta pas vetëvrasjes. Grupe ekspertësh mbërritën në vendngjarje dhe nisën hetimet mbi zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dyshimeve të sapongritura u dha fund Prokuroria e qytetit të Elbasanit që hodhi poshtë versionin se plumbat e policisë kanë vrarë të riun. Sipas ekspertëve të prokurorisë në vendngjarje, Përparim Bala ka vrarë veten me pistoletën e tipit “TT”. Prokuroria e Elbasanit sqaroi se Përparim Bala pasi ka vjedhur automjetin ka qëlluar sërish në drejtim të policisë që ishte vënë në ndjekje të tij. “Ka qenë Bala ai që ka qëlluar në drejtim të policisë duke thyer dhe xhamin e pasëm të automjetit që përdori për arratisje. Në mjet u gjetën 2 gëzhoja të armës së vetëvrasjes”, – ka deklaruar Prokuroria.

 

Rrëfimi

Gruaja: Na kërcënoi me pistoletë në kokë, menduam se do na vriste

E shokuar për atë çka u ka ndodhur, bashkëshortja e drejtuesit të mjetit tip Reno me targa DR 6457 E, i është afruar vendngjarjes vetëm pasi autori kishte vrarë veten. Ajo ka deklaruar për policinë se “na kërcënoi nën drejtimin e pistoletës në kokë, u terrorizuam nga frika. Menduam se kaq e kishim se do të na vriste, por që fatmirësisht ne shpëtuam, dhe as nuk duam t’ia dimë për mjetin”.

 

Korçë

Tentohet grabitja e argjendarit, qëllohet me armë

Tentohet të grabitet një tregtar floriri në qytetin e Korçës. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm, teksa tregtari Enver Mane ka dalë nga banesa. Mësohet se Manes i është prerë rruga nga një person i maskuar, i cili edhe ka qëlluar me armë drejt tregtarit. Fatmirësisht, mësohet se plumbat nuk e kanë prekur Manen, pasi ai është shmangur. Pas ngjarjes autori është larguar nga vendngjarja, ndërsa policia e qytetit juglindor po punon për identifikimin dhe kapjen e tij. Sipas të bijës së tregtarit të sulmuar, kjo ngjarje ndodh për herë të dytë, ndërsa mësohet se autori ka qenë duke e pritur tregtarin te shkallët dhe se e ka qëlluar dy herë me armë. Por, sipas dëshmisë së vajzës së tregtarit, fatmirësisht ai ati u shpëtoi plumbave.

 

Mirditë

Merret peng 22 ditë një 21-vjeçare, pranga pengmarrësit

Çlirohet nga pengmarrja prej afro 1 muaji një 21-vjeçare nga Mirdita, të cilës i ishte premtuar martesë nga pengmarrësi që i doli në fund një burrë i martuar. Lidhja me Mirash Kolajn dhe ëndrra për martesë me të i ka kushtuar makth për afro 1 muaj 21-vjeçares me iniciale Dh. L., ndërkohë që më në fund ka ndërhyrë policia dhe çdo gjë ka marrë fund duke i vënë prangat pengmarrësit. Sipas burimeve policore, për afro një muaj vajza me inicialet Dh. L. u mbajt peng në një banesë në Mirditë nga personi që i premtoi martesë dhe që rezultoi të ishte burrë i martuar dhe me fëmijë. Mbi vajzën u ushtrua dhunë fizike, psikologjike si dhe marrëdhënie seksuale me dhunë. Pas marrjes së informacionit, policia mundi të vihet në gjurmët e pengmarrësit duke cliruar ditën e djeshme vajzën e re. Në pranga është vënë shtetasi Mirash Kolaj. Mbi të riun rëndon akuza për ‘heqje të e lirisë së tjetrit’ dhe çështja i ka kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

I ngacmon motrën, adoleshenti vret me thikë 24-vjeçarin

Vrasja me thikë në Kamëz, 17-vjeçari E. D, rrëfen para policisë: E vrava Elsonin se më ngacmonte motrën

Ngacmimi i një personi të afërm të familjes është bërë shkak që mes dy të rinjve të niste një grindje, e cila ka përfunduar me një viktimë. Përplasja mes të rinjve ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme në Institutin Bujqësor, ku mes të riut Elson Fjerza dhe adoleshentit E. D. ka nisur një debat për ngacmimin e një pjesëtares së familjes së këtij të fundit nga ana e 24-vjeçarit. Debati ka degjeneruar në përdorim dhune, i cili më pas ka përfunduar me përdorimin e thikës nga ana e adoleshentit me iniciale E. D., çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme të riut Fjerza. Dëshmitarë që kanë parë ngjarjen janë munduar t’i japin ndihmën e parë 24-vjeçarit, duke u përpjekur ta transportojnë me urgjencë për në Spital Ushtarak, por për fat të keq ai ka ndërruar jetë rrugës. Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë të komisariatit nr. 5, të cilët janë vënë në ndjekje të autorit dhe brenda një kohe të shkurtër kanë vënë në pranga 17-vjeçarin E. D.

Hetimi

Pas ngjarjes, policia ka marrë menjëherë në pyetje 17-vjeçarin, lidhur me shkaqet që e çuan në kryerjen e këtij krimi. Forcat e policisë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të kësaj ngjarjeje të rëndë. Paraprakisht mësohet se mes dy personave të përfshirë në konflikt, shkak është bërë një femër, e cila dyshohet të ishte motra e autorit dhe që ngacmohej nga viktima. Nga hetimet paraprake mësohet se autori i krimit njihet si një person me precedentë penal për policinë, pasi pak kohë më parë mbi të rëndonte akuza e vjedhjes. Pas arrestimit, adoleshenti ka rrëfyer në polici se sherri me 24-vjeçarin, të cilin e kishte edhe komshi, ka ndodhur pasi ai i kishte ngacmuar motrën. Viktima me origjinë nga Fushë Kruja, jetonte në zonës së 3 tek shinat e trenit në Tiranë.

Precedenti

Vrasja e djeshme në Kamëz është e treta brenda pak ditësh dhe e dyta që kryhet me armë të ftohtë, thikë. Pak ditë më parë, në autobusin e linjës Uzina e Autotraktorëve-Qendër u vra me thikë një 22-vjeçar nga Shkoza, i cili punonte në një parking dhe si picier. Më 23 shkurt, një 35-vjeçar ka qëlluar me thikë dhe i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme 22-vjeçarit Sajmir Çedja. Konflikti mes autorit dhe të riut ka ardhur për shkak të zhurmës që bëhej në autobus nga autori dhe një shoku i tij, në gjendje të dehur.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency