Ekspertiza: Në trupin e kryekomisarit u gjetën 22 plagë tejshpuese

0
181

Elton Qyno

dritanPlumbat i këputën kockën e krahut, nuk i prekën organet jetësore

Lamaj tentoi të mbrohej, të gjithë plumbat i hynë në shpatull

 

Plot 22 plagë të thella në trup ka marrë kryekomisari Dritan Lamaj, i cili u qëllua me breshëri kallashnikovi nga dy persona, 200 metra larg banesës së tij në zonën e shkollës “Vasil Shanto”. Ky ka qenë konkluzioni i ekspertëve mjekoligjorë, të cilët gjatë kryerjes së autopsisë së trupit të Dritan Lamajt, kanë konstatuar se në trupin e tij, ka pasur 22 plagë të shkaktuara nga plumbat e automatikut. Në aktin e ekspertimit të përpiluar nga specialistë të Institutit të Mjekësisë Ligjore thuhet se të gjithë plumbat kanë qenë tejshpues, duke arritur të shkaktojnë plagë hyrëse dhe dalëse. Në vendngjarje, sipas aktit të ekspertimit, janë gjetur vetëm dy predha, të cilat kanë mbetur në makinën tip “Lancia” të kryekomisarit Dritan Lamaj dhe se tashmë ato janë dërguar në laboratorin shkencor të kriminalistikës, me qëllim kryerjen e verifikimeve të nevojshme me armët që janë gjetur në shtëpinë e Jak Jakut në Tiranë. Burime pranë policisë së Tiranës thanë për gazetën “Standard” se pjesën më të madhe të plumbave shefi i komisariatit e ka marrë në pjesën e shpatullës, në krahun e majtë, një në kofshën e majtë, ndërsa një plumb tjetër e ka marrë në sup, plumb i cili i ka shkaktuar thyerjen e kockave, ku njëra prej tyre i ka hyrë i ka prekur pak mushkërinë. Ndërkohë që për sa i përket shkakut të vdekjes së ish-shefit të komisariatit nr. 6 në Kombinat, njëherësh dhe socialistit të policimit në komunitet pranë Policisë së Shtetit, ka qenë hemorragjia e madhe e gjakut.

Këputja e krahut

Breshëri i plumbave të derdhur nga kallashnikovi i autorëve të krimit kanë sjellë këputjen e krahut të majtë të Lamajt. Sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor, shumë prej plumbave kryekomisari i ka marrë në krah dhe në pjesën e shpatullës së majtë. Dy prej plumbave i kanë prekur kockën e krahut, duke i shkaktuar këputjen. Sipas specialistëve, në momentin e qëllimin me armë, kryekomisari ka tentuar të shtrihet në sedilje dhe ka ngritur krahun lart, duket mbrojtur pjesën e kokës. Mirëpo për shkak të qitjes së afërt dhe fuqisë tepër të madhe të automatikut, plumbat kanë depërtuar në sedilje dhe më pas kanë hyrë në shpatullën e kryekomisarit dhe në krah. Ndërkohë që më poshtë në aktin e ekspertimit mjekoligjor tregohet se dy plagë të tjera, viktima Dritan Lamaj, i ka në pjesën e ballit dhe në vesh. Sipas argumentit të specialistëve të mjekësisë ligjore, të dyja plagët nuk janë shkaktuar nga plumbat, por nga goditja e kokës në trotuar. Lamaj ka arritur të hapë derën e makinës dhe më pas kur ka dalë jashtë duke u tërhequr zvarrë, trupi i tij, është shembur në pllakat e trotuarit dhe për pasojë, janë shkaktuar dy plagët, ku njëra ndodhet në pjesën e ballit dhe tjetra në vesh. Të gjitha këto plagë i kanë shkaktuar vdekjen kryekomisarit, i cili fillimisht ka qenë në gjendje të flasë, por më pas ka rënë në vdekje klinike.

Mundësia e shpëtimit

Burime pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore thanë se nëse do t’i ishte dhënë ndihma e shpejtë nëpërmjet një ambulance dhe një frymëmarrje artificiale në kohë, kishte shumë gjasa që kryekomisari të shpëtonte. Ai nuk mund të ishte në gjendjen e tij të parë, por sipas mjekëve të spitalit, gjithçka mund të rikuperohej, pasi plumbat nuk i kanë prekur organet jetësore, por vetëm shpatullën, këmbën dhe krahun. Dritan Lamaj gjeti vdekjen teksa mjekët po përgatiteshin ta fusnin në operacion dhe se për shkak të gjakderdhjes së madhe, komisari ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Në vendngjarje janë fiksuar mostra gjaku, të cilat u janë bashkuar veprimeve hetimore, ndërkohë që dhjetëra gëzhoja janë sekuestruar në rrugë. Sipas policisë, krimi i rëndë ka ndodhur për shkak të detyrës si shef komisariati që Frroku ka kryer në zonën e Kombinatit. Gjatë kësaj kohe, Arben Frroku është përplasur fizikisht me autorin e dyshuar të vrasjes, dhe për pasojë goditja e Lamajt është bërë për shkak të hakmarrjes.

 

Ende nuk gjendet arma e krimit

Gjykata vendos “Arrest në burg”

në mungesë për biznesmenin Frroku

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën “Arrest me burg” për biznesmenin Arben Frroku, autor i dyshuar për vrasjen e Dritan Lamajt, ish-shefi i komisariatit nr. 6 në Tiranë. Krimet e Rënda me kërkesë të prokurorisë caktuan në orët e vona të pasdites së djeshme masën e sigurisë në mungesë për të dyshuarin Arben Frroku, i cili ndodhet në Greqi. Arben Frroku dyshohet se është personi që i mori jetën ish-shefit të komisariatit nr. 6 në Tiranë, duke e qëlluar me breshëri automatiku mbrëmjen e së dielës vetëm pak metra larg shtëpisë së tij. Biznesmeni i “Xhoi Lloto” u vu në pranga pak orë pas atentatit mafioz të shënuar në zonën e “Vasil Shantos”. Frroku u arrestua dje në Selanik të Greqisë bashkë me të dyshuarin tjetër, Jak Jakun, 31 vjeç, ndaj të cilit është marrë masa e arrestit në burg në mungesë. Policia e Shtetit, e cila konfirmoi lajmin bëri me dije se gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e autorëve të dyshuar, u sekuestruan 1 snajper, 2 armë zjarri automatike kallashnikov, 1 pistoletë, 2 armë gjahu, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme, etj. Ndërkohë autoritet kufitare në Kapshticë deklaruan se shtetasit Arben Frroku dhe Jak Jaku kanë kaluar kufirin rreth orës 21:30 si persona të rregullt. Tashmë të gjitha armët e sekuestruara i janë nënshtruar një ekspertize të mirëfilltë me qëllim, zbulimin e tyre nëse janë përdorur në vrasjen e kryekomisarit apo jo. Deri në këto momente, prokuroria shprehet se ende nuk ka gjetur armën e krimit, me të cilën është vrarë Dritan Lamaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency