Armo”pa punë”. Kompanitë e huaja largohen, Taçi nuk paguan

0
246

Ervin Kaduku

armoKu shkon nafta bruto që po nxirret me shumicë nga kompanitë koncesionare? Vite më parë, u arrit, me shumë bujë, një marrëveshje midis firmave që zotëron zoti Taçi dhe nxjerrësve të naftës në vend

 

Ndërmarrja e përpunimit të naftës bruto në vend – ARMO – e blerë nga biznesmeni Rezart Taçi disa vite më parë, nuk punon prej muajsh. Në fakt, kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, por, të paktën këtë herë, manjati i naftës ka paguar punëtorët e saj, edhe pse rrinë në shtëpi. Më parë, këta punonjës kanë protestuar disa herë, pasi nuk paguheshin, ndonëse kishin kontrata të rregullta me punëdhënësin, që përcaktonin me saktësi kushtet e punës e të pagesës.

Pagesa e punëtorëve është njëra anë. Ajo që është më e rëndësishme, për shtetin, është që rafineria e naftës bruto në vend qëndron e mbyllur. E pra, njëra nga arsyet pse u shitën aksionet shtetërore të kësaj ndërmarrjeje për privatin ishte pikërisht një menaxhim më i mirë i burimeve natyrore të vendit, ku nafta, krahas kromit, mund të konsiderohen si “maja e diamantit” e nëntokës së pasur shqiptare. Nga distanca e disa viteve, mund të shtrohet me të drejtën pyetja: nga mënyra se si po menaxhohet aktualisht ARMO, ka fituar apo ka humbur shteti?

Është e vështirë t’i jepet një përgjigje pozitive kësaj pyetjeje.

 

Nafta

 

Naftë Shqipëria ka pasur që në agun e kohërave dhe ka akoma e kësaj dite me shumicë. Sipas specialistëve, në territorin e Republikës së Shqipërisë ndodhet rezerva më e madhe “on shore” – pra, në tokë, e naftës në Evropë. Ndërkohë, kërkimet më të fundit në det, të autorizuara nga qeveria shqiptare, kanë dhënë edhe një lajm tjetër shumë më të rëndësishëm: edhe “off shore”, pra, edhe në det, në rajonin që përfshihet në juridiksionin e vendit tonë, ka rezerva të jashtëzakonshme nafte e gazi natyror, të afta për ta kthyer Shqipërinë në një “Kuvajt” ballkanik. “San Leon”, kompania e pajtuar nga qeveria për të kryer kërkime hidrokarburesh në zonën detare të Adriatikut pranë Durrësit, ka konfirmuar një gjë të tillë, sikurse edhe kërkimet e palës greke shumë pranë kufijve tanë kombëtarë tregojnë se në këtë zonë ndodhet një “njollë” gjigante nafte e gazi, që mund të ndryshojë krejtësisht perspektivat e shqiptarëve.

Kompanitë koncesionare të nxjerrjes së naftës bruto nga nëntoka shqiptare prej kohësh shënojnë vetëm rritje të rezultateve teknike e financiare të tyre, duke filluar nga “Bankers Petroleum”, “Stream Oil” etj. Kjo e fundit ka thënë për gazetën “Standard” këto ditë se është e gatshme që të furnizojë me gaz natyror një termocentral në Delvinë, që do të ishte një objekt i ri prodhues, shumë i rëndësishëm, i energjisë së rinovueshme në sistemin e energjisë elektrike në vend.

Pra, industria nxjerrëse ka dhënë, me sa duket qartë, rezultatet e pritshme. Shqipëria, në sajë të një programi të suksesshëm qeveritar në fushën e sektorit minerar – e të hidrokarbureve në veçanti – po arrin rezultate të shkëlqyera përsa i përket shfrytëzimit të burimeve natyrore në këtë fushë. Këto sjellin edhe një të ardhur të mirë, jo vetëm për buxhetin qendror, por edhe për komunat përkatëse, duke qenë se renta minerare u kalon pjesërisht edhe pushteteve vendore ku nxirret nafta e gazi.

 

Nafta e Taçit

 

Po, ku shkon nafta bruto që po nxirret me shumicë nga kompanitë koncesionare? Vite më parë, u arrit, me shumë bujë, një marrëveshje midis firmave që zotëron zoti Taçi dhe nxjerrësve të naftës në vend. Sipas saj, këto detyroheshin ta shisnin naftën bruto, të nxjerrë nga nëntoka shqiptare, fillimisht për nevoja të furnizimit të kompanisë ARMO dhe tepricat do të shiteshin në eksport. Kontrata ishte shumë pozitive: ajo nënkuptonte që të rritej prodhimi vendas, si dhe punësimi, duke hapur dyert për industrinë përpunuese, e cila tashmë është privatizuar, madje, që në momentin kur u privatizua, qeveria e detyroi privatin të merrte përsipër edhe detyrimin e modernizimit të linjës së përpunimit, tashmë të vjetruar, me një investim shumëmilionësh.

 

Situatë alarmante

 

Fatkeqësisht, rezulton që nafta bruto vërshon masivisht drejt Italisë apo Spanjës. Pse? ARMO është e mbyllur. Nga ana tjetër, kompanitë që e respektuan fillimisht kontratën me ARMO-n për furnizimin e saj me naftën e nxjerrë prej tyre nga nëntoka shqiptare, u ndeshën para një të papriture: Taçi “harronte” të paguante paratë! Natyrshëm, pas shkeljes së kontratës prej palës blerëse, edhe ata nuk kishte pse të vijonin të zbatonin qorrazi kontratën e furnizimit e t’u mbeste nafta stok. Në këto kushte, nafta shqiptare shkon për të mbajtur me punë italianët e spanjollët, ndërkohë që shumë mirë mund të kishte shërbyer për tregun e punës në vend.

Taçi duket se e ka ves harresën për të paguar paratë. Kjo u dëshmua shumë qartë edhe gjatë procesit të privatizimit të dytë, të tentuar nga ai në sektorin e hidrokarbureve, atë të Albpetrolit. Pas deklaratave tepër të bujshme lidhur me zotërimin e parave për të paguar garancinë e ofertës dhe garancinë e kontratës, duke iu referuar çeku bankar, të lëshuar nga një bankë amerikane, e cila mbeti shumë e habitur nga lakimi i emrit të saj në Shqipërinë e largët, në një kohë kur ligji amerikan ia ndalonte të lëshonte një kambial të tillë, ai ia arriti të bënte bllofin e radhës: njoftoi gjithë botën e biznesit se kishte arritur kontratën me shtetin shqiptar për blerjen e një aseti të jashtëzakonshëm, ndërkohë që një gjë e tillë nuk ishte reale. Ky mashtrim vijon të pasqyrohet në faqen zyrtare të internetit të “Vetro Energy”, kompanisë nga Singapori e SHBA, pas të cilës u fsheh deri në momentin e fundit Taçi, ku Albpetroli figuron si pronë e këtij të fundit. Por, edhe Këshilli i Ministrave tashmë ja ka hequr të drejtën METE-s të vijojë negociatat me kompaninë e tij, duket qenë se u ezauruan, madje tej afateve ligjore, të gjitha mundësitë kohore për të arritur kontratën, ku kush ishte pagesa e garancive. Të cilat Taçi u duk se nuk i kishte.

Po pse vijon ai ta paraqesë si pronë të vetën Albpetrolin? Kjo lidhet me interesa të errëta të biznesit të tij ndërkombëtar, por nga të cilat shqiptarët nuk kanë leverdi.

Garancitë e ofruara nga Taçi në procesin e blerjes së Albpetrolit shteti e ka të lehtë t’i marrë. Ai ka prona në Shqipëri, duke filluar nga ARMO, e kompanitë e tjera. Mos harrojmë se edhe vetë Albpetroli, që ai donte të blinte, i kërkon prej kohësh një detyrim prej 36 milionë eurosh Rezart Taçit. E pra, 85 milionë euro e garancisë së munguar, plus këtë shifër të fundit, do të mjaftonin për të vënë në lëvizje ingranazhet shtetërore që të rikuperonte ato, që ky biznesmen ia ka borxh.

Dhe rimarrja e ARMO-s nga shteti, ndoshta, do të ishte këtë herë në leverdi të ekonomisë shqiptare, duke shmangur makinacionet me shitblerjen e naftës në rrugë të dyshimta, ndërkohë që nëntoka shqiptare është mjaft bujare me frytet e veta.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency