Standard.al

Tregu i mishit në kaos, përpunuesit importojnë 95% mish nga Brazili

Ervin Kaduku

mishiVlera totale e kafshëve në Shqipëri është vlerësuar në rreth 380 milionë euro, ku Fieri dhe Vlora ndajnë pjesën më të madhe

 

Pas skandalit të përhapur në Evropë, ku u konstatuan raste të shumta të mashtrimit të konsumatorëve, të cilëve u ishte shitur mish kali për mish lope, konsumatori shqiptar, me të drejtë, shtron pyetjen: po ne, shqiptarët, a e dimë çfarë hamë?

Në fakt, tregu i mishit mbetet ende shumë kaotik, në vend numërohen rreth 40 thertore. Kafshët theren në përgjithësi në fermë ose në disa raste në ambiente therje primitive në dyqane mishi, duke kufizuar veprimtarinë e thertoreve. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, brenda vendit veprojnë më shumë se 1,400 dyqane të tregtimit të mishit. Të gjitha thertoret janë duke punuar nën kapacitetet e tyre për shkak se askush nuk i detyron tregtarët që t’i therin bagëtitë atje. Prandaj thertoret kanë kapacitete të limituara financiare dhe si pasojë nuk janë në nivelet e kërkuara të Bashkimit Evropian.

Gjatë viteve të fundit (2011-2012) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer kontrolle në disa dyqane mishi, duke i detyruar ata që të respektojnë standardet për therje të kafshëve në njësitë e specializuara.

 

Mundësitë

 

Blegtoria, sipas specialistëve, mund të shfrytëzojë shumë mirë avantazhet natyrore, që ka Shqipëria. Nevojat për mbështetje financiare më pak është e nevojshme në prodhimin e mishit të derrit dhe të pulës. Mundësitë për zgjerimin e kullotave natyrore janë të kufizuara për shkak të situatës gjeografike në Shqipëri me sipërfaqe të konsiderueshme malore. Pengesë për rritjen e mëtejshme të blegtorisë është edhe kostoja e lartë e ushqimit, i cili është me çmim të lartë, pasi importohet i gjithi.

Shqiptarët janë konsumatorë të rregullt të produkteve të mishit, kjo edhe për shkak të traditës së vendit. Shqipëria ka kushte optimale për mbarështimin e deleve dhe dhenve në zonat kodrinore dhe malore, por edhe lopë në zonat fushore të vendit. Konsumatorët shqiptarë janë konsumatorët besnikë të produkteve të mishit në familje, për shkak të shijes së mirë. Ata kryesisht konsumojnë viçi në gatimet e tyre të përditshme. Konsumi i mishit është rreth 40-50 kg për frymë në vit, ende më i ulët se mesatarja e BE-së.

Kriza ekonomike nuk ka ndikuar në tregun e mishit që është rritur me 1.4% në bazë vjetore, ndërkohë që konsumatorët janë zhvendosur drejt produkteve të freskëta duke iu larguar ushqimeve gjysmë të gatshme, për shkak të çmimeve më të lira. Fuqia blerëse e ulët e konsumatorëve shqiptarë ka nxitur më shumë konsumin e mishit të pulave, mbështetur nga rritja e prodhimit vendas (megjithatë prodhimi pulave ende përbën vetëm 12% të tregut të mishit të brendshëm).

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, 60% e tregut të mishit të pulave mbulohet nga prodhimi vendas. Ka 22 mijë ferma të mesme dhe të mëdha të kafshëve në Shqipëri, me një minimum prej 6 krerë bagëti secila. Numri i fermave është rritur në 5-6 vitet e fundit ndërkohë që sipërmarrësit vendas e kanë zhvendosur fokusin në sektorin e bujqësisë, pasi ky i fundit ka mbetur relativisht i paprekur nga kriza ekonomike.

 

Të dhënat

 

Tregu i mishit përllogaritet të ketë arritur një qarkullim vjetor prej rreth 185 milionë eurosh në vitin 2011, ku prodhimi vendas përbën 60% të tregut të përgjithshëm. Prodhimi i mishit arriti 147.000 tonë në vitin 2011, me një rritje prej 1,37% në baza vjetore. Prodhimi ka vazhduar të rritet me gjithë ngushtimin e tregut, për shkak të cilësisë të lartë dhe investimeve të rritura në sektorin e blegtorisë. Prodhimi është fokusuar në lopë, që zënë 6% të të gjithë mishit të prodhuar në ferma.

Vlera totale e kafshëve në Shqipëri është vlerësuar në rreth 380 milionë euro, ku Fieri dhe Vlora ndajnë pjesën më të madhe. Familjet që jetojnë në fshat janë kryesisht në nivelin e mbijetesës dhe shumica e prodhimit bujqësor është e destinuar si konsum në shtëpi. Si rezultat i kësaj, vetëm 30% e produkteve blegtorale arrijnë në treg. Ndërmjet fermerëve shqiptarë dhe industrisë së përpunimit të mishit nuk ka lidhje që të mundësojnë shfrytëzimin e lëndës së parë nga vendi.

Kjo sepse mishi në vend është i pakët dhe i shtrenjtë, ndaj dhe kompanitë e përpunimit importojnë 95% të mishit të tyre që përdorin në prodhim, kryesisht nga Brazili dhe Kanadaja.

Shqipëria ka ende një hendek të madh në furnizimin me mish, veçanërisht në mishin e pulës. Por në vitet e fundit, numri i fermave të pulave është dyfishuar, duke mbuluar mbi 60% të konsumit total të këtij produkti. Kjo ka ndodhur sepse kthimi i investimit në këtë lloj biznesi është i shpejtë.

Edhe importet e mishit janë rritur gjatë vitit 2011. Importet e mishit u rritën 5.6% krahasuar me vitin 2010. Tregjet kryesore importuese janë Brazili, Argjentina, Greqia dhe Italia, ku operatorët kryesisht importojnë produkteve të ngrira të mishit.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë importet arritën në 75 milionë euro në vitin 2011.

 

 

Comments are closed.