Shkrimtarët dhe gazetarët të organizuar si formacione ushtarake

0

 Çelo Hoxha

Loading...

diktaturaShkrimtarët, piktorët, skulptorët, muzikantët, humoristët, gazetarët ishin pjesë integrale e forcave që e instaluan dhe e mbrojtën me mish e me shpirt diktaturën

 

Shkrimtarët, piktorët, skulptorët, muzikantët, humoristët, të gjithë të përfshirë në termin “punonjës kulture”, ishin, gjatë kohë së diktaturës, pjesë integrale e forcave që e instaluan dhe e mbrojtën me mish e me shpirt, deri ditën e fundit, edhe pas rënies madje, regjimin komunist.

Ata funksionin si ushtarët, veçse, në vend të armëve të zjarrit, përdornin, për të vrarë “armiqtë”, penën. Për ata, armik ishte qytetar shqiptar, i cili nuk ishte brumosur me idetë marksiste-leniniste, që nuk ishte “revolucionar”, që nuk i dinte përmendësh fjalimet e diktatorit, që nuk e kishte fshirë nga kujtesa të kaluarën e tij personale, të familjes së vet dhe të kombit shqiptar.

Në vitin 1967, kur shqiptarët ishin zhveshur tërësisht nga prona, regjimi vendosi ta zhvishte dhe vlerat metafizike. Dhe këtë punë më mirë mund ta kryenin artistët. Orientimet për shkatërrimin kulturor të shqiptarëve u dhanë në Kongresin e V të PPSH, në fund të vitit 1966. Viti pas ardhës filloi me betimin e shkrimtarëve dhe artistëve për përkushtim.

Në 10 janar 1967, punonjësit e kulturës, letërsisë dhe arteve të rrethit të Shkodrës organizuan një mbledhje për të miratuar një nismë të re në shërbim të partisë dhe pastaj i dërguan një letër “shtabit të çeliktë të partisë heroike”, domethënë KQ të PPSH. Letra u botua në “Zërin e popullit”, si kryeartikull, në 15 janar.

Punonjësit e kulturës të Shkodrës kishin vendosur që gjatë vitit 1967 ta lidhnin veprimtarinë e tyre me dy tema, sipas tyre, “të mëdha aktuale”: 1) kolektivizimi i fshatrave të zonave malore dhe 2) aksionet “entuziaste” të rinisë në ato që ata i konsideronin si vepra të mëdha të pesëvjeçarit.

Shqetësimi i punonjësve të kulturës ishte që ta kryenin me nder këtë detyrë dhe mënyra e përshtatshme, sipas tyre, për ta kryer me nder ishte vendimi që kishin marrë për të vendosur “në lëvizje çdo forcë të mundshme nga gjini i popullit, punëtorë e fshatarë, arsimtarë a të rij e të reja”. Me pak fjalë, ata do të shërbenin si hosten për të shtyrë të tjerët në punë.

Ata zotoheshin se do të krijonin vepra të reja nga jeta dhe puna e aksioneve ku do të merrnin pjesë vetë. Veprat e tyre, këto vepra, do t’i lexonin dhe ekspozonin në mjediset e aksionistëve. Në këtë krijimtari, sipas letrës, vendin kryesor do ta zinin “heronjtë e ditëve tona, punëtorët, fshatarët, ushtarët, të rinjtë e gratë, intelektualët popullorë dhe kuadrot revolucionarë”. Me pak fjalë: “njerëzit e rij të ekuem nga partia”.

Kjo është periudha që vlerësohej shumë, në retorikën politike të kohës, si periudha e prurjeve të mëdha në letërsi dhe arte. Mënyra e realizmit shprehet qartë nga punonjësit e kulturës së Shkodrës: “Krijimet e bukura letrare e artistike të masave do t’i botojmë në organet tona letrare dhe do t’i çfaqim në skenat tona”. Pra, duke u bërë të gjithë shkrimtarë e artistë.

Punonjësit shkodranë kishin bindjen se “tue shkri me popullin, me lëvizjen e tij amatore letrare-artistike”, do ta ngrinin lart rolin e kulturës, letërsisë dhe arteve, me frymë kombëtare, “si armë të fuqishme të partisë” për thellimin e më tejshëm të “revolucionit tonë ideologjik dhe kultural”.

Revolucioni kulturor ishte një huazim nga Kina. Kjo ishte periudha kur në shtypin shqiptar botoheshin artikuj të shumtë të gazetave kineze. Në të njëjtën ditë me letrën e punëtorëve të kulturës të Shkodrës, në gazetë u botuan dhe letrat që punëtorët e kombinatit të tekstileve “Stalin” në Tiranë, punëtorët e kombinatit të tekstileve të Beratit, dhe ndërmarrje të tjera, i kishin dërguar shtabit të përgjithshëm të punëtorëve dhe 31 organizatave kineze, të cilat i kishin shkruar një letër të hapur popullit të Shangait, se gjoja kishin zbuluar komplotistë dhe revizionistë që kishin guxuar “të pengonin ecjen përpara në vendin tuaj (Kinë) të Revolucionit të math kultural proletar”. Kombinati i Beratit mbante emrin Mao Ce Dun.

Kaq duhej që të fillonin betimet publike punonjësit e kulturës së rretheve të tjera, Shkodra sa kishte thyer akullin. Punonjësit e kulturës në Elbasan thuajse bënin të njëjtat premtime, në letrën e tyre drejtuar KQ të PPSH, e cila u publikua në 19 janar 1967.

“Ne i premtojnë Komitetit Qendror të Partisë se do t’i plotësojmë me nder detyrat që na shtron Kongresi i 5-të për krijimin e një letërsie dhe arti revolucionar të realizmit socialist, në luftë të pamëshirshme kundër ndikime të huaja, për kalitjen tonë revolucionare në bazë të mësimeve të marksizëm-leninizmit fitimtar, për zbatimin e vijës së masave në fushën e kulturës, letërsisë dhe barteve dhe për thellimin e mëtejshëm të revolucionit tonë ideologjik e kultural”, – shkruanin punonjësit e kulturës, letërsisë dhe arteve të rrethit të Elbasanit.

Shkrimtarët elbasanas i premtonin partisë që, së pari, do të lidheshin ngushtë “me fshatrat e zonave malore të porsa kolektivizuara” dhe, së dyti, “me aksionet vullnetare të masave dhe veprat e mëdha të ndërtimit socialist të vendit”, atje ku ata mendonin se lindnin heronjtë “e ditëve tona”.

Më 27 janar 1967, ishte radha e punonjësve të kulturës, artit dhe letërsisë të Durrësit t’i shkruanin KQ të PPSH se për ata nuk kishte “ideal më të lartë se ai që me veprat tona, me krijimtarinë tonë, t’i shërbejmë çështjes së partisë”. Arsyeja e këtij përkushtimi tyre: “Partia dhe shoku Enver na kanë edukuar ne që kudo e kurdo ta ndjejmë veten si nxënës të palodhur të mësuesit të madh popull”. Ata citonin Enver Hoxhën që kishte thënë: “Partia ka krijuar dhe edukuar njerëz të mrekullueshëm, që numërohen me qindra mijë, të cilët me një hov madhështor ndërtojnë socializmin”. Njerëzit që diktatori citohej t’i quante të mrekullueshëm ishin, sipas punonjësve të Durrësit, “besnikë të çështjes së partisë e popullit, njerëz që interesat personale dhe imediate ua nënshtrojnë interesave të përgjithshme dhe të perspektivës”. Citimi i fundit fsheh gjithë thelbin e propagandës së diktaturës: për të fshehur varfërinë, mungesën e lirisë dhe gjithë privimet që u kishte shkaktuar qytetarëve regjimi komunist, propaganda e regjimit u kërkonte të mos shikonin interesat e tyre dhe të familjes, të mos përqendroheshin te nevojat e tyre të ngutshme, por të vazhdonin të ëndërronin, të mendonin se gjithë të tjerët, veç tyre (interesi i përgjithshëm), ishin të lumtur, dhe se ata vetë do të mbërrinin lumturinë në të ardhmen (perspektiva). Edhe 23 vjet pas marrjes së pushtetit, komunistët nuk guxonin të bënin një bilanc të punës së tyre në përputhje me përmbushjen me interesat individuale të qytetarëve.

Punonjësit e kulturës, artistët dhe shkrimtarët ishin në anën e regjimit, duke e përforcuar propagandën me letrat e tyre. Ata flisnin me një fjalor militarist: “Ashtu si në të kaluarën, ne do të vazhdojmë të organizojmë brigada kulturave, të cilat do të shkojnë nga qyteti në fshat, ku do të jetojnë e punojnë bashkë me fshatarët”. Shprehja “si në të kaluarën”, mund të na çojë mbrapa sa të duam, deri në periudhën e luftës, kur brigada të tjera, të armatosura jo me pena dhe lapsa, por me armë zjarri, shkonin nga qyteti në qytet, nga fshati në fshat, terrorizonin popullsinë, vrisnin banorë të qytetit dhe fshatit, çarmatosnin pjesën që nuk e vrisnin, digjnin shtëpi. Këto ishin brigadat partizane, të cilat sollën në pushtet, me anë të dhunës, partinë që shkrimtarët, 23 vjet më vonë, i përuleshin me poshtërim.

Brigada e Durrësit kishte epërsi nga rrethet e tjera, sepse ata kishin një burim frymëzimi real: një marinar të vdekur, pas një aksidenti në punë. Marinari quhej Adem Reka. Në vend të hetonte ngjarjen, të zbulonte shkaqet e vdekjes dhe përgjegjësitë, regjimi i ra shkurt, e shpalli viktimën hero të punës socialiste, duke e kthyer në model për gjithë të tjerët.

Përveç dashurisë patetike të punonjësve të kulturës, shkrimtarëve dhe artistëve, në garë për të treguar përuljen më të thellë ishin dhe brigadat fantazme të korrespodentëve vullnetarë të shtypit. Në gazetën zyrtare të PPSH-së në fillim të vitit 1967 janë botuar një sërë artikujsh të nënshkruar: Brigada e shtypit e “Zërit të popullit”, për X rreth ose për Y fshat. Grotesku i kalon dhe përmasat e groteskut, kur lexon një letër, drejtuar diktatorit, nga “Brigadat e korrespodentëve vullnetarët të “Zërit të popullit”, “Bashkimit”, “Zërit të rinisë”, “Hostenit” dhe radios së kooperativës bujqësore të Fiersheganit, në rrethin e Lushnjës.

Përmbajtja e letrës (të cilën ne po e botojmë të plotë) nuk ka rëndësi. Por vetëm ideja që në një kooperativë ekzistonin brigada të tëra me gazetarët është komik përtej imagjinatës, ndërsa serioziteti me të cilin kësi gjërash botoheshin në shtypin zyrtar është i pa kuptueshëm për një mendje normale. Kjo tregon gjendjen e rëndë mendore të shoqërisë dhe udhëheqjes politike të saj. Brigada, më së pari, është një term ushtarak. Përdorimi i një termi ushtarak për të emërtuar njësi civile tregon shkallën e lartë të mendësisë ushtarake të shoqërisë.

Megjithatë, llogaritë, sipas koncepteve ushtarake, dalin shumë ekstravagante. Brigada është një formacion i përbërë nga batalione; batalionet ndahen në kompani; kompanitë mund të kenë dy ose më shumë skuadra; një skuadër mund të ketë diku te 20 vetë (edhe më pak ose më shumë, por marrim një numër fiks). Marrim vetëm shifrat minimale: dy skuadra një kompani, dy kompani një batalion, dy batalione një brigadë, gjithsej 80 persona.

Kooperativa e Fiersheganit, 10 fshatra bashkë, le të themi kanë qenë diku te 10 mijë banorë, që është, natyrisht, një shifër e ekzagjeruar, prapë kur mendon se aty kishte rreth 80 gazetarë, shifra është astronomike. Asnjë institucion mediatik në botë nuk e ka luksin të ketë një përqendrim të tillë gazetarësh në një numër ka të vogël banorësh. Mediet e sotme në Shqipëri nuk i kanë kaq gazetarë as në Shqipërinë etnike.

Termi brigada përdorej edhe në kooperativa. Punonjësit e një fshati ndaheshin në disa brigada. Një brigadë mund të kishte nga 50 deri në 200 punonjës, varet nga numri i banorëve të fshatit. Sërish, edhe me këtë standard, numri i gazetarëve, të organizuar në brigadë, rezulton të jetë shifër astronomike.

Dhe Enver Hoxha u përgjigjej publikisht këtyre sajimeve propagandistike. Në 1 mars 1967, ai i dërgoi një letër brigadës së gazetarëve të Fiersheganit. “Është nder i madh të jesh korrespodent vullnetar i shtypit dhe i radios sonë. Pa ju ngec në vend edhe shtypi, edhe radioja, pasi ju u jepni atyre ushqimin kryesor, të shëndetshëm, pa fraza boshe stereotipe, ju jetën e gjallë, eksperiencën e madhe të popullit. Shkruani thjesht, qartë dhe me guxim për çdo gjë, ashtu siç është populli, ashtu siç do populli, me atë kurajo të madhe që karakterizon popullin tonë”, – thuhej në letrën e Hoxhës.

Ja ç’shkruanin gazetarët e Fiersheganit: “Në brigadat e korrespodentëve vullnetarë e shtypit në kooperativën bujqësore të Fiersheganit do të punojmë që të gjithë kooperativistët të merren më shumë me shtypin, të njohin më thellë problemet që trajtohen në faqet e tij dhe, nga ana tjetër, të bashkëpunojmë më tepër me gazetat, duke pasqyruar në to eksperiencën tonë, duke kritikuar të metat që do të vëmë re në punë e në jetë. Kështu do të lidhemi më ngushtë me shtypin dhe do ta bëjmë atë ashtu si thotë partia, tribunë të masave. Ne kemi bindje se kjo punë do të na revolucionarizojë ne të gjithë kooperativistëve, si dhe vetë gazetat, për të kryer më mirë detyrat që na ngarkon partia”.

Në një artikull të brigadës së korrespodentëve të Shkodrës shkruhej: “Populli si gjykatësi më i mirë punës së tregtisë dhe organeve të tjera të pushtetit”.

Siç shihet, ndryshe nga shpresonte diktatori, turmat e gazetarëve shkruanin fjalë boshe.

 

(Shënim: Për këtë artikull është konsultuar shtypi i kohës. “Zëri i popullit”, 13, 15, 19, 25, 27 janar 1967, 1 mars 1967.)

 

***

 

Këtu po botojmë një tufë reportazhesh dhe një poezi të shkruar përgjatë vitit 1967, për të pasur një ide të përafërt për frymën e gazetarisë dhe krijimeve letrare që shkruanin shkrimtarët, të cilët betoheshin se do t’i shërbenin partisë me mish e me shpirt. Në reportazhin e letrarëve dhe artistëve që shkojnë në hekurudhë, janë identifikuar dy persona. Njëri prej tyre, shkrimtari, dihet që më vonë bashkëpunoi me sigurimin dhe hetuesinë për të bërë ekspertiza letrare, kundër shkrimtarëve që nuk shiheshin me sy të mirë nga regjimi. Në reportazhin e Koço Kostës, si dhe në të tjerët, ka më shumë trillim sesa realitet. Personazhet e tij, megjithatë, janë njerëz që kanë qenë delegatë në Kongresin e 5-të, njerëz të partisë. Njëri nga personazhet përpiqet ti ngjajë Adem Rekës. Ai ishte një marinar që kishte vdekur aksidentalisht në punë dhe regjimi e shpalli hero. Kjo isha ambicia e atyre njerëzve: të vdisnin si rastësisht.

 

Reportazh

 

Letrarë dhe artistë të rinj të Tiranës nisen për në zonat malore në hekurudhë

 

Dje, një grup të rinjsh dhe të rejash, me tesha në duar hynë në rrugën që të çon për në stacionin e trenit. Niseshin për udhë, po ku?

– Ku shkoni, shokë?

– Disa nga ne do të shkojnë në hekurudhën Rrogozhinë-Fier, kurse disa të tjerë në hapjen e tokave të reja, në Mallakastër.

– Jeni vullnetarë?

– Po. Jemi dy brigada letrarësh, piktorësh e muzikantësh të rinj të Tiranës që shkojmë në këto aksione për t’u njohur me punën dhe jetën e rinisë dhe të popullit.

Këto dy brigadave të talenteve të reja në fushën e letërsisë dhe të arteve kanë marrë një iniciativë të vlefshme. Të përfshirë nga hovi i madh i të gjithë popullit dhe rinisë sonë për të vënë në jetë vendimet historike të Kongresit të 5-të të Partisë, kanë vendosur të shkojnë në aksionet e rinisë për të njohur jetën dhe punën që bëhet atje, në mënyrë që të krijojnë vepra sa më dinjitoze dhe me përmbajtje revolucionare.

– Kjo është një nevojë e domosdoshme për ne, – më thotë piktori i ri Bashkim Ahmeti. – S’mund të krijosh vepra që pasqyrojnë denjësisht rininë, pa hyrë në mezin e saj, në jetën dhe punën e saj të vrullëshme.

– Unë po vete në hekurudhë – më thotë letrari i ri Koçi Petriti. Kam pasur një poemë për hekurudhën. Më duhet material, më duhen përshtypje dhe mbresa, më duhen njerëzit që punojnë atje, ambientet. Këto s’fitohen dot duke i parë nga larg, po duke shkuar në vend.

– Si do t’i mblidhni këto materiale?

– Natyrisht, në radhë të parë, duke punuar vetë. Do të punojmë në trasenë e re së bashku me gjithë vullnetarët e tjerë.

– Të tjerë do të nisen?

– Do të nisen më vonë dhe brigada të tjera – më thotë njëri nga ata. Do të shkojnë në kooperativat e reja malore, e në portin e Durrësit për t’u njohur me jetën dhe veprën e heroit Adem Reka.

Iniciativa e tyre është e bukur dhe për t’u marrë shembull nga gjithë letrarët e artistët e vëndit.

Udhë e mbarë dhe sukses!

 

Korresp. i “Zërit të rinisë”

 

 

Aksioni

 

Dhe vargu i kazmave u shkri

Me kallot e duarve të forta

E zhurma e punës

E së madhes vepër

– zhurma

Me këng t’çelikut përzjerë

Më lart u ngrit kët’ herë.

Të fortat duar,

Të hekurtat shina

përpjetë i çon.

Ja karrocat, karrocat me dhe.

Rritet traseja

Rritemi dhe ne.

 

Mira Poda, vullnetare, brigada “Reshit Çollaku”, Dushk

 

(Zëri i rinisë, 18 gusht 1967)

 

 

Vullnetarë që largohen, vullnetarë që vijnë

 

Mijra të rinj dhe të reja, para ca ditësh, lanë trasenë dhe u larguan për në rrethet e tyre. Ata ikën nga Myzeqeja e gjerë ndryshe nga ajo dita e parë, kur zbritën dhe nisën të zgjasin trasenë. Tashti nëpër mendjet e tyre rridhnin mendime dhe ndjenja të tjera, më të mëdha, më të bardha; sytë e tyre shndrisnin dhe të dukej sikur prej atij shkëlqimi rinor, buronte një dritë e pashtershme jete, ngazëllimi. Ata erdhën nga katër anët e vëndit. Në fillim ndiheshin të ndrojtur, e të pamësuar me punën që do të bënin, disi të heshtur. Po dalëngadalë kënga e tyre u ngrit e fuqishme, e lartë, e hekurtë. Ata punuan në ndërtimin e rrugës hekurudhore me një shpirt të lartë luftarak dhe me një gadishmëri të plotë. Punuan dhe erdhi koha e u larguan. Seicili turn ishte si një skalion më vete, i cili zbriste që nga lart si një ortek i madh i pandashëm: skalione… skalione nisi rinia jonë marshimin e saj të madh.

Dikur, a e dinte vallë ajo rrugica atje në Korçë se ajo Shpresa, për dy muaj rresht do të printe tërë atë brigadë fshatarësh dhe fshataresh të malësive të Oparit?

Shpresa Bilbili e quajnë. Deri para pak muajsh Shpresa punonte si leshpunuese në kooperativën e tekstilit në Korçë. Ajo sapo ka hyrë në 22-tat. Ka kohë që Shpresa bën pjesë në radhët e PPSH. Si punëtore të mirë e të dalluar organizata, ku Shpresa bënte jetën e partisë, e zgjodhi atë delegate për në Kongresin e 5-të. Në kongres Shpresa ndiqte me vëmendje raportin që jepte shoku Enver. Gjithë atyre ditëve ajo mendonte: “ç’kam bërë unë deri tashti?”. Ky mendim e ndoqi për ditë të tëra, deri sa më në fund, ajo vendosi të shkojë vullnetare në fshat një deri në tre vjet. Dhe u nis e shkoi në malësitë e Oparit, në Gjonababas. Atje kanë shkuar dhe vullnetarë të tjerë dhe të gjithë punojnë në kooperativë së bashku me fshatarë.

Unë e takova Shpresën një ditë kur po kthehej nga traseja.

– A lexoni libra? – i thashë.

– Po, tashti që kam shkuar në fshat lexoj më shumë.

Cilit hero mundoheni t’i ngjani?

Ajo vuri buzën në gaz dhe në ballë ai nishani iu drodh si një yll i shndritshëm.

– Adem Rekës, tha ajo.

Duke biseduar ajo më tregoi shumë gjëra për punën që ato bëjnë nëpër fshatrat e Oparit për të zhdukur zakonet prapanike. Për këtë oparakët kanë ngritur edhe një këngë:

Vajza oparake

Zduke dollomanë

Atë do ta ruaç, veç për festival

Vajza oparake…

Kur po bisedoja më Shpresën, një shok nga të shtabit u hodh papritur e tha:

– Ja, ai është Jak Ruçi.

Ish një djal i hequr, por tërë muskuj. Kish ca flokë të pakrehur e të serta. Këmisha e djersitur i ish zbërthyer dhe era e pasdites e godiste në gjoks. Ai kish ardhur në hekurudhë që nga Sheshaj i Rrëshenit.

– Shkruaj për Jakun, më thotë përgjegjësi teknik i sektorit, shkruaj. A e di ti si thoshin studentët? “Shqipëria me njerëz si Jaku e ndërton shpejt komunizmin”. Po duhet të punosh që ta njohësh Jakun. Ç’djalë që është! Malësor i vërtetë.

Unë bisedova një copë herë me Jakun. Ai fliste qetë qetë, pa më shikuar në sy. Por nuk fliste për veten e tij. Ai fliste vetëm për malësorët.

– Asnjëri s’ka kërkuar lejë nga brigada ime, më thosh Jaku, asnjë vullnetar s’asht ba problem në shtab. Vetëm pesë ditët e para ishim nga 93 për qind, ndërsa më vonë mbi 100 për qind… A e di ti se Prena Lesi nga kooperativa Fang shkëmbeu letra me të fejuarin? Edhe Tereza Paloka… A e dini se ç’do të thotë kjo për malësoret?

Ndërsa një tjetër më tha se Jaku paska qenë vullnetar në ngritjen e Kombinatit të tekstilit “Stalin” dhe se atje është dekoruar me Urdhërin e punës të klasit III.

Një ditë traseja ngeli e heshtur, me kujtimet e atyre që u shpërndanë përmes atdheut. Të dielën, përsëri shpërthyen këngët, thirrjet, buzëqeshjet.

Karvani i maqinave me vullnetarë kalonte përmes rrugëve të gjata të vëndit dhe shpërndante shpërthimet rinore. Erdhën vullnetarët nga Cakrani i Fierit, nga kooperativa e Remas-Mollës, nga Ballshi, nga Bodrishta e jugut, nga veriu i largët. Përmbi ta valëviteshin flamujt e kuq në të cilët dridheshin emrat e heronjve, emrat e dëshmorëve të tyre.

Ja, ajo vajza atje quhet Farushe Nazëra. Ajo zbriti në sektorin e Lushnjës. Farushja vjen për herë të parë në aksion. Para ca kohe ishte delegate në Kongresin e 5-të të BRPSH. Tashti la torrnon dhe rrëmben karrocën. Ai vullnetari i ri quhet Hamit Gropa. Ai ka qenë edhe herë tjetër vullnetar. Në vitin 1966 ka punuar në Uznovë të Beratit një muaj. Ndërsa në krye të brigadës së parë që erdhi nga Gjirokastra prin kooperativistja e re Amali Çaro…

E kështu Myzeqeja u mbush përsëri me mijra të rinj dhe të reja fshatarësh. Përsëri ajo nisi të rrëkëllejë gazin dhe punën e vullnetarëve të rinj.

 

K. KOSTA

 

(Zëri i rinisë, 4 tetor 1967)

 

Loading...