Pinin uiski dhe kokainë pranga në Selanik Arben Frrokut e Jak Jakut

0
158

Elton Qyno

frrokuBiznesmeni i dyshuar prangoset në dhomën e një hoteli në Greqi

Arrestohet dhe djali Grand Frroku. Kapen snajperë dhe automatikë

 

Kapen duke pirë uiski dhe kokainë në ambientet e një hoteli në Selanik tre të dyshuarit e vrasjes së kryekomisarit. Plot 24 orë pas vrasjes mafioze të Dritan Lamajt, është mundësuar arrestimi në Selanik të Greqisë i tre personave të dyshuar si autorë të vrasjes. Njëri nga të arrestuarit është pikërisht biznesmeni i një lokali bastesh sportive “Xhoi Lloto”, Arben Frroku, i cili në muajin shtator 2012 ka pasur një përplasje fizike dhe kërcënime të vazhdueshme me ish-shefin e komisariatit nr. 6, konflikte këto që janë pasqyruar të plota në gazetën “Standard” të ditës së djeshme. Së bashku me Arben Frrokun, në prangat e policisë helene ka rënë dhe shtetasi Jak Jaku, i cili ka qenë së bashku me Arben Frrokun, duke qëndruar i fshehur në dhomën e një hoteli, që ndodhet në qendër të Selanikut, përballë gjykatës së qytetit. Së bashku me ta, ka qenë edhe një person tjetër që ka mbiemrin Frroku, i cili kishte marrë vetëm 6 ditë leje nga burgu në Greqi, dhe i është bashkuar shoqërisë së dy miqve të tij. Gjatë operacionit në orët e para të mëngjesit policia ka sekuestruar dhe një automjet tip “ML 320”, e cila është bllokuar në parkimin e hotelit. Biznesmeni Frroku së bashku me personin Jak Jaku dyshohet se kanë kaluar kufirin ilegalisht, nëpërmjet malit, dhe më pas janë hedhur në tokën greke, prej nga aty kanë marrë një makinë që priste në rrugë, posaçërisht për transportimin e Frrokut në thellësi të tokës helene. Mirëpo rreth këtyre lëvizjeve është vënë në dijeni Policia e Shtetit, e cila në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kanë urdhëruar menjëherë autoritet greke arrestimin e Arben Frrokut dhe bashkëpunëtorit tjetër të tij. Ndërkohë që, disa orë më parë, policia e Tiranës me urdhër të prokurorisë ka bërë arrestimin e djalit të Arben Frrokut, shtetasit Grand Frroku, i cili në muajin shtator të vitit të kaluar është përplasur fizikisht me viktimën Dritan Lamaj, ish-shefin e komisariatit në Kombinat. Pas tij në pranga është vënë dhe 21-vjeçari Ndue Jaku, në banesën e të cilit janë kapur një arsenal i madh armësh dhe një sasi kokaine dhe heroine.

Dy provat që tradhtuan

Menjëherë pas vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj, policia e Tiranës ka shkuar në banesën e biznesmenit Arben Frroku, duke ushtruar një kontroll të imtësishëm, por që në fakt s’ka mundur ta gjejë atë. Nga ky kontroll është bërë vetëm shoqërimi i djalit të tij, i cili gjatë marrjes në pyetje ka pohuar se nuk kishte asnjë informacion rreth vendndodhjes së babait të tij. Pikërisht kjo dëshmi ka bërë që policia dhe prokuroria të dyshojnë rreth një largimi të mundshëm jashtë shtetit të Arben Frrokut dhe personave të tjerë që kanë marrë pjesë në vrasjen e kryekomisarit, 200 metra larg banesës së tij që ndodhet në zonën e shkollës “Vasil Shantos”. Sipas burimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ekzistojnë dy prova që implikojnë biznesmenin Arben Frroku dhe shokun e tij Jak Jaku. Prokurorët thonë se pamjet filmike dhe disa prej dëshmitarëve kanë arritur të dallojnë autorët e krimit, duke bërë edhe identifikimin e tyre. Sipas njoftimit zyrtar të policisë, nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale të kryera ka rezultuar se autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje të rëndë janë shtetasit Arben Frroku, 44 vjeç, banues në Tiranë, dhe Jak Jaku, 31 vjeç, banues në Tiranë. “Në sajë të masave të marra dhe shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me autoritetet policore greke, është bërë i mundur ndalimi i këtyre dy shtetasve në qytetin e Selanikut, në Greqi. Nga analizimi i ngjarjes dhe i provave të administruara nga grupi hetimor është arritur në konkluzionin se vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj, është kryer nga autorët e dyshuar për shkak të detyrës si punonjës policie. Në vijim të veprimeve të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarje nga strukturat e policisë është ushtruar kontroll në banesat e autorëve të dyshuar,ku gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve Jak Jaku dhe Ndue Jaku është gjetur e sekuestruar një arsenal armësh, përkatësisht, 1 armë zjarri, snajper, 2 armë zjarri automatike, tip “Kallashnikov”, 1 armë zjarri pistoletë, tip “Bereta”, 2 armë gjahu, një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme etj. Po ashtu u gjetën e sekuestruan rreth 529 gramë lëndë narkotike e dyshuar heroinë, 396 gram lëndë narkotike e dyshuar kokainë, si dhe rreth 35 gram lëndë narkotike e dyshuar marijuanë. Nga strukturat e policisë u kryen të gjitha veprimet procedurale, ndërkohë që ndaj shtetasit Ndue Jaku, 21 vjeç, banues në Tiranë, është marrë masa e arrestit në flagrancë.

Makina e krimit e vjedhur

Planifikimi i vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj u ka marrë autorëve një kohë të gjatë, duke studiuar çdo detaj të imtësishëm, që nga sigurimi i automjetit, vendin e ekzekutimit dhe zgjedhjes së personave profesionistë, me qëllimin e vetëm që çdo plumb të hynte në trupin e kryekomisarit, dhe jo jashtë objektivit të tyre. Hetimet e 24 orëve të fundit kanë treguar se autorët e vrasjes kanë përdorur një automjet të vjedhur në qytetin e Durrësit, të cilën e kishin marrë tri ditë para se të kryhej vrasja. Mjeti tip “BMW”, ngjyrë gri, me targa DR 1944 F, që dyshohet se është përdorur në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, i përket një qytetari nga Durrësit të quajtur Fatmir Lila. Ky i fundit ka denoncuar grabitjen e makinës tri ditë më parë në komisariatin e Durrësit, ndërkohë që silueta e saj mendohet se është parë vetëm nga sytë e pak dëshmitarëve dhe një kamere të instaluar në ambientet e jashtme të një lokali. Pikërisht kjo siluetë është parë në ekzekutimin e 41-vjeçarit Lamaj, që kohët e fundit mbante detyrën e specialistit të sigurisë publike në Policinë e Shtetit. Policia e Tiranës e ka gjetur mjetin të braktisur në fshatin Domje, ndërkohë që shumë persona janë shoqëruar në polici, të cilët kanë qenë më tepër persona që kanë pasur konflikte me kryekomisarin. Mes të shoqëruarve ka pasur dhe katër persona nga zona e Pukës, të cilët mendohet se kanë marrë pjesë në vrasjen mafioze të Dritan Lamaj, babait të një vajze 6-vjeçare të quajtur Rea Lamaj, dhe bashkëshorti i Anila Lamajt. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, Policia e Shtetit është duke punuar për të zbuluar plotësisht zinxhirin e personave që kanë organizuar vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

 

 

Akuza pyet katër bodigardë

dhe biznesmenin e universitetit

Grand Frroku: Nuk kam dijeni se ku ndodhet babai im

Homazhet, Dritan Lamaj prehet në Varrezat e Dëshmorëve

 Elton Qyno

 

Krahas dëshmitarëve të shumtë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë përgjatë ditës së djeshme në pyetje djalin e biznesmenit Arben Frroku, Grand Frroku, i cili ka dhënë shpjegime rreth asaj që dinte për konfliktet dhe vrasjen e kryekomisarit. Frroku ka treguar se ishte dhunuar fizikisht nga ish-shefi i komisariatit nr. 6 në Kombinat, ndërkohë që ka hedhur poshtë pjesëmarrjen e tij në vrasje. Përgjatë gjithë natës së djeshme, Grand Frroku ka treguar të gjitha konfliktet që familja e tij ka pasur me Lamajn. I riu është pyetur edhe rreth vendndodhjes së babit të tij, Arben Frroku, por rreth kësaj ai nuk ka pranuar të tregojë asnjë gjë. Pavarësisht kësaj, Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë ditës së djeshme ka mundur të bjerë në gjurmët e autorit të vrasjes, duke bashkëpunuar më pas me autoritetet greke, prej nga është mundësuar arrestimi i tre personave të dyshuar si autorë të krimit të rëndë. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, hetuesit pohojnë se në pyetje janë marrë protagonistët e konfliktit të muajit shtator 2012 me disa efektivë të policisë. Në listën e personave të marrë në pyetje kanë qenë edhe disa prej studentëve të një universiteti privat dhe bodigardët e këtij universiteti.

Bodigardët dhe biznesmeni

Bëhet me dije se brenda 24 orëve nga vrasja e kryekomisarit Dritan Lamaj, janë marrë në pyetje katër persona nga zona e Pukës, të cilët shërbejnë si bodigardë pranë një universiteti privat. Mes personave të pyetur ka qenë edhe vetë biznesmeni i universitetit, i cili është shoqëruar në policinë e Tiranës, ku edhe ka dhënë shpjegime së bashku me bodigardët, për rrethanat e ngjarjes së vrasjes së 41-vjeçarit Lamaj. Përpara hetuesve ata kanë treguar se kanë pasur konflikte me ish-shefin e komisariatit nr. 6, konflikte që më pas i kanë zgjidhur privatisht. Ndërkohë, shumë persona të tjerë, banorë të zonës së Kombinatit dhe Yzberishtit, janë marrë në pyetje, ku kanë treguar rreth konflikteve dhe kërcënimeve të vazhdueshme që kishte marrë shefi i komisariatit nr. 6. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, tashmë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka tërhequr dhe denoncimin që kryekomisari ka bërë në Prokurorinë e Tiranës, ku ka denoncuar disa persona për kanosjen e tij, për shkak të detyrës që ai mbante.

Homazhet ndaj Dritan Lamajt

Kryekomisari Dritan Lamaj, i vrarë dy ditë më parë në një atentat në Tiranë, është nderuar nga qytetarë, personalitete të larta të qeverisë dhe politikës. Kryeministri Sali Berisha, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, ministri i Brendshëm Flamur Noka, ministri i Drejtësisë Eduart Halimi, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, funksionarë të lartë të policisë dhe kolegë të Lamajt bënë homazhe pranë trupit të të ndjerit. Homazhet në nderim të kryekomisarit Dritan Lamaj u zhvilluan në ambientet e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë nga ora 12:30–13:30, ndërsa më pas trupi i të ndjerit është dërguar në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë ku edhe do të prehet përbri kolegëve të tij që humbën jetën për shkak të detyrës.

Kryeministri Berisha ka shprehur ngushëllimet e tij më të thella për rënien në detyrë të kryekomisarit të shquar të Policisë së Shtetit.

 

Propozimi pritet të bëhen në 11 mars

Halimi: Kush qëllon ndaj policisë,

dënimi jo më pak se 38 vjet burg

Goditjet më të fundit ndaj drejtuesve në strukturat policore kanë sjellë një reagim të menjëhershëm institucional, pikërisht aty ku hartohen propozimet për ndryshimet në politikën penale, konkretisht në Ministrinë e Drejtësisë. Një ditë pas krimit të rëndë, ku u ekzekutua në mënyrë mafioze komisari Dritan Lamaj, ka reaguar përmes rrjetit social Facebook edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, i cili ka deklaruar se së shpejti pritet të propozohet ashpërsim i dënimit të personave që qëllojnë mbi uniformat blu. Sipas tij, personat që qëllojnë mbi policinë, nuk duhet të dënohen më pas se 38 vjet burg. “Sërish një krim i rëndë, i ndodhur mbrëmë. Krimi goditi sërish duke vrarë një komisar policie e duke goditur në fakt gjithë policinë. Ata që qëlluan mbi komisar Lamajn dhe të gjithë ata që guxojnë të qëllojnë mbi policinë, nuk duhet të dënohen më pak se 38 vjet burgim”, – shkruan në Facebook z. Halimi, duke shtuar se për këto ndryshime pritet së shpejti të propozohet një paketë e re. “Në datën 11 mars, ne do prezantojmë paketën më të ashpër të drejtësisë kriminale penale në këto 20 vjet. Ne duhet ta mbështesim më shumë se kurrë sot policinë”, – përfundon postimin e tij ministri Halimi, një reagim ky i ardhur pas krimit të rëndë ndaj ish-shefit të komisariatit nr. 6 në kryeqytet. Më herët, ministri Halimi ka deklaruar se në këtë paketë ndryshimesh parashikohen ashpërsime të dënimeve për veprat penale të gjakmarrjes, ku autorët e këtyre krimeve duhet të dënohen jo më pak se 40 vjet, ndërsa ka parashikuar ashpërsim të dënimit edhe për personat e kapur me armë pa leje apo dhe lëndë eksplozive dhe armë të rënda e municione.

 

 

Eugen Beci, takim me Adriatik Llallën

Letërporosi në Greqi për

ekstradimin e të dyshuarve

Pas arrestimit në Greqi të dy autorëve të dyshuar të vrasjes së Dritan Lamajt, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë me dije se shumë shpejt do të përcjellë në Greqi kërkesën për ekstradimin e Arben Frrokut dhe mikut të tij, Jak Jaku. Kërkesa do të kryhet në mënyrë urgjente, me qëllim ekstradimin sa më parë të dy të dyshuarve kryesore, rreth vrasjes së Dritan Lamaj. Nuk dihet nëse një grup prokurorësh do të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, por siç mësohet tashmë të gjitha veprimet do të kryhen në rrugë zyrtare. Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka thirrur në një takim urgjent prokurorin e çështjes së vrasjes së komisarit, Dritan Lamaj. Eugen Beçi ka mbërritur në zyrën e Llallës ku kanë diskutuar rreth hetimit për zbardhjen e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj.

 

Ministri Noka viziton familjen

Kryeministri: Autorët do të marrin

dënimin e merituar për krimin

Kryeministri Sali Berisha e quajti vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj një akt barbar, duke garantuar më pas të gjithë qytetarët se autorët e këtij krimi të rëndë do të marrin ndëshkimin e merituar. “Ky akt kriminal, barbar, do të marrë të gjithë ndëshkimin e merituar ligjor. Qeveria do mobilizojë çdo burim e mundësi që autorët e këtij akti të përballen me drejtësinë dhe me të gjithë rreptësinë e ligjit. Shpreh mbështetjen e qeverisë për forcat e rendit, garantoj qytetarët se krimi nuk do të mund të mposhtë vullnetin e këtyre forcave për të bërë ligjin në katër anët e këtij vendi. Ngushëllimet më të thella për familjarët, të afërmit, miqtë e kolegët”, – vuri në dukje Kryeministri Sali Berisha. Ndërkohë që ministri i Brendshëm gjatë ditës së djeshme ka zhvilluar një vizitë në familjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, duke ngushëlluar bashkëshorten dhe të afërmit e tjerë. Noka i ka garantuar familjarët se shumë shpejt do të kryejnë arrestimin e autorëve të këtij krimi të rëndë, që ndodhi vetëm 200 metra larg banesës së kryekomisarit Lamaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency