Standard.al

Krimet e Rënda: Avokatët po sabotojnë gjyqet, zvarritje pafund të proceseve

Sonja Caka

avokatetPropozimi: Vendosje kriteresh nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë për avokatët kryesisht në listën e dërguar gjykatave

 

Përgjatë një viti të tërë, por edhe dje, Gjykata e Krimeve të Rënda ka ngritur një shqetësim të vazhdueshëm, zvarritjen e proceseve gjyqësore. Dhe, kreu i kësaj gjykate, z. Sandër Simoni, e ka drejtuar sërish gishtin ndaj avokatëve, si problematikët dhe “sabotuesit” e këtyre proceseve, duke munguar dhe bërë shpesh shkak për shtyrje të njëpasnjëshme të seancave. Madje, në pamundësi edhe për t’iu drejtuar drejtpërdrejt kreut të Dhomës Kombëtare të Avokatisë në këtë analizë, pasi nuk ishte i pranishëm, por edhe nuk kishte dërguar një përfaqësues, kryegjyqtari Simoni ngriti shqetësimin edhe për listën e avokatëve kryesisht përpiluar dhe dërguar nga kjo dhomë. Sipas z. Simoni, kjo listë nuk funksionon, duke bërë që disa procese të bllokohen prej vitesh. “Ka rezultuar se lista e avokatëve të caktuar kryesisht, depozituar në gjykatën tonë sipas ligjit procedural nuk është funksionale; kjo listë nuk ka adresa të sakta, numra kontakti; kemi pasur vështirësi në gjetjen e avokatëve që përfshihen në të; dhe për më tepër avokatët e thirrur nga ana e gjykatës nuk janë paraqitur në mbrojtje të të pandehurve të këtij procesi” ka referuar në shqetësimin e tij kryegjyqtari. Ky shqetësim i z. Simoni ishte konstatuar më herët edhe nga përfaqësuesi i EURALIUS-it në Shqipëri, z. Joaquin Urias. Me këtë shqetësim ishte njohur edhe zv.kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë z. Elvis Çefa, i cili kritikoi ashpër avokatët, ndaj të cilëve, sipas tij, do të merren masa disiplinore me ndryshimin e ligjit. Më tej, kryegjyqtari paraqiti punën e bërë nga stafi i gjyqtarëve të gjykatës që drejton, duke analizuar çështjet e trajtuara dhe përfunduara, shqetësime të tjera të gjykatës që drejton, si dhe disa propozime edhe të mëparshme për kalimin e disa çështjeve në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Rënda, pra shtrirjen e kompetencës së veprave penale që gjykon aktualisht. “Një ide është të përshihen në kompetencën e gjykatës krimet kundër personit, neni 79 në tërësi vrasje për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, apo e vjedhjes me armë, vjedhje me armë me pasojë vdekjen, shohim që këto vepra penale kanë një rritje nëse i referohemi në vitet e fundit. Një ide tjetër është figura të reja të veprave penale të shtohen në Kodin Penal, duke riformatuar Kodin Penal dhe të mund të përfshihen në kompetencën e Gjykatës së Krimeve të Rënda”, – tha Simoni.

Analiza

Në paraqitjen e analizës së çështjeve që janë trajtuar përgjatë vitit të kaluar në këtë gjykatë, kryegjyqtari Simoni ka vënë theksin te fakti që në Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk duhen parë statistikat sasiore të dosjeve të gjykuara, pasi nuk duhet parë shifra por tipologjia e çështjeve. Sipas tij, edhe gjatë vitit të kaluar janë shqyrtuar çështje me një numër të madh të akuzuarish si asnjëherë në praktikën gjyqësore të gjykatave, deri në 16 të akuzuar, procedime të lidhura, vepra penale si trafikime narkotikësh, armësh, të kryera në bashkëpunim nga organizata kriminale, grupe të strukturuara kriminale, vrasje në rrethana cilësuese etj. Ndërkohë që, forma më tipike e natyrës së krimit të organizuar në Shqipëri paraqitet ajo e trafiqeve dhe kryerja e veprave penale në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nga analiza e gjykatës rezulton se për vitin 2012, numrin më të madh të çështjeve e përbëjnë ato të “Trafikimit të narkotikëve”, me 61.5%, të numrit total të çështjeve, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Rrëmbimi i personit” që zënë 15.3%, të numrit total të çështjeve të gjykuara në këtë vit, “Trafikimi i qenieve njerëzore” me 3% të numrit total të çështjeve, “Vrasjet e kryera ndaj personave me cilësi të veçanta” që zënë 6.1% të numrit të çështjeve, “Trafikimi i armëve dhe municioneve” që zë 5.3% të këtij numri, vepra të kryera nga organizata kriminale e grupe të strukturuara kriminale që zë 6.1%.

Propozimi

Gjykata vëren në analizën e saj se me gjithë përpjekjet maksimale të gjykatës si për sa i përket planifikimit të seancave gjyqësore, ashtu dhe realizimit të njoftimeve, disa çështje nuk kanë arritur të përfundohen në afatet kohore të arsyeshme, dhe kjo kryesisht për shkakun e moskorrektesës së avokatëve mbrojtës, kjo dhe për shkak të angazhimeve të tyre në gjykatat e tjera por shpesh dhe për sjellje të tilla si mosparaqitje pa shkak, lënie, braktisje, mbrojtje, largim nga sallat e gjyqeve, heqje dorë nga mbrojtja pa ndonjë shkak etj. “Sigurisht që mungesat e herëpashershme të mbrojtësve të të pandehurve është një nga shkaqet kryesore të ngadalësimit të përfundimit të çështjeve. Një çështje kjo që ne e kemi bërë problem gjatë gjithë vitit për të gjitha institucionet përkatëse dhe për median dhe që e theksojmë dhe në këtë analizë” evidenton si një nga shqetësimet në punë e saj Gjykata e Krimeve të Rënda. Gjykata propozon se do të ishte e nevojshme vendosja e kritereve për caktimin e avokatëve kryesisht nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, duke përzgjedhur një numër më të pakët avokatësh, të cilët të kenë eksperiencë në mbrojtjen e çështjeve penale. Kjo, sipas kryegjyqtarit Simoni, do të sillte përmbushje të kushtit për një mbrojtje efektive për të pandehurit, të cilët akuzohen për krime të rënda si gjatë fazës së hetimit ashtu edhe të gjykimit.

 

Detaj

21 kërkesa për sekuestro dhe konfiskime të pronave me origjinë kriminale

656 kërkesa për përgjime ka pasur në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga organi i akuzës

Janë sekuestruar

Në lekë: 18335671

Në euro: 635328.7

Në dollarë:     37246.03

Sipërfaqe: 5562 m2

Troje: 4629.79 m2

Janë konfiskuar

47,112.17 Lekë

– 3 biznese, nga të cilat konfiskimi 100% i shoqërisë aksionere “BP” sh.a, konfiskimi 50% i shoqërisë aksionere “CA”, si dhe konfiskimi i 30% të aktivitetit të shoqërisë aksionere “BSA”.

– 4 Automjete të tipit: Mitsubishi, Mercedez-Benz, Chrysler dhe BMW X5.

 

Itali

Kapen me 13.7 kg marijuanë, pranga dy shqiptarëve

Dy persona janë vënë në pranga nga policia italiane pasi u është kapur në posedim 13.7 kg marijuanë. Mediat italiane bëjnë me dije se lënda narkotike ishte e fshehur në një makinë, e cila kishte zbritur nga një anije që vinte nga Greqia. Gjatë kontrollit të automjetit, dy shqiptarët kanë treguar shenja nervozizmi, duke mos ofruar një shpjegim të pranueshëm të vizitës së tyre në Itali. Policia pas dyshimeve ka ushtruar kontroll të imtësishëm në makinë, duke zbuluar edhe drogën e ndarë në 25 pako, e cila nëse do të hidhej në treg do të sillte një fitim prej 130.000 eurosh. Nga hetimet paraprake mësohet se droga kishte hyrë nga Shqipëria në Greqi, me destinacion final Italinë.

 

Gjirokastër

Kapet me 5 kg drogë i riu, e kishte blerë në Lazarat

Një sasi prej 5 kg marijuanë është sekuestruar nga strukturat e drejtorisë së kufirit të Kakavijës gjatë kontrollit në një automjet tip “Citroën”, me targa greke YPN 1263, ndërsa mësohet se është arrestuar drejtuesi i mjetit, Angjelos Llazari, 27 vjeç, nga Himara. Sipas burimeve zyrtare policore, rezulton se nga kontrolli u konstatua se në gomën rezervë 27-vjeçari kishte fshehur 5 kg marijuanë që e kishte blerë në Lazarat dhe do ta trafikonte në Athinë. Para efektivëve të policisë, i riu ka bërë me dije se sasinë e drogës e kishte blerë në Lazarat dhe do ta shiste në Athinë, pasi ta kishte ndarë në doza më të vogla. I arrestuari Llazari, para se të vinte në Kakavijë dhe të vijonte rrugën drejt Greqisë, ishte kthyer në Lazarat ku kundrejt shumës 1 mijë euro, kishte blerë sasinë prej 5 kg marijuanë.

 

Kosovë

I riu shqiptar vritet në luftën kundër regjimit të Assad-it

Një tjetër i ri shqiptar vritet në Siri, ku gjendej përkrah forcave çlirimtare për të ndihmuar çlirimin nga regjimi i Assad-it. Sipas burimeve të “Bujanoci.net”, të premten e kaluar në Siri u varros Muaz Ahmeti nga fshati Tërnoc i Komunës së Bujanocit. Ai u vra në luftën e shenjtë të Sirisë, në të cilën po merrte pjesë vullnetarisht përkrah forcave çlirimtare. Mësohet se Muaz Ahmeti ka lindur në fshatin Tërnoc, më 30 mars 1990. Studimet i kishte filluar në Kajro të Egjiptit në vitin 2008. Familja e dëshmorit Ahmeti ka konfirmuar vdekjen e të birit të tyre dje dhe ka hapur mortin në fshatin Tërnoc. Ngushëllime janë duke i dhënë numër i madh i qytetarëve nga gjithë Komuna e Bujanocit familjes Ahmeti.

 

Kakavijë

Përplasje me armë mes policisë dhe trafikantëve në kufirin e gjelbër mes dy shteteve

Një arsenal i vërtetë armësh është sekuestruar nga policia greke, ndërsa mësohet se zbulimi i tyre është bërë pas një konflikti me armë mes trafikantëve dhe policisë në kufirin e gjelbër mes dy shteteve, përkatësisht në zonën e Kakavijës. Policia e shtetit fqinj ka evidentuar dy persona të cilët u konsideruan si të dyshimtë. Për këtë arsye u është kërkuar që të ndalonin për efekt kontrolli. Thirrjes së policisë i janë përgjigjur me armë dy të dyshuarit, ndërsa ka pasur një reagim edhe nga ana e policisë. Pas kësaj bëhet me dije se të dy personat janë larguar me vrap në drejtim të pyllit që gjendej pranë. Edhe pse policia e Greqisë kërkoi ndihmë me forca të tjera, si dhe nisi kontrollin e imtë të zonës, nuk ka arritur të gjejë të kërkuarit. Burime policore të vendit fqinj, të cilave u referohen mediat online greke, bëjnë me dije se ngjarja është shënuar herët në mëngjesin e djeshëm. Ndërkohë, shton se gjatë kontrollit të imtësishëm të zonës, konkretisht në vendin e përplasjes me armë, janë gjetur një sasi e madhe armësh, të cilat dyshohet se po trafikoheshin për në Greqi. Policia ka sekuestruar arsenalin e armëve në dy çanta, përkatësisht automatikë, granata dhe fishekë, ndërsa vijon puna për kapjen dhe identifikimin e transportuesve të armëve.

 

Comments are closed.