Berisha: Rama ia arriti qëllimit, koka drejtuese e PS-së në duart 99-shave

0
141

 Ina Jano

berishaKryeministri tha se referendumi për votimin e tri ligjeve ka marrë një mbështetje të gjerë dhe njoftoi se në mars Presidenti do të japë mendimin në lidhje me mbajtjen e tij

Kreu i qeverisë: Rama ka në biografinë politike numrin e disfatave më të mëdha, të rreshtuara njëra pas tjetrës, se çdo politikan tjetër në Evropë

 

 

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka komentuar dje konventën e Partisë Socialistë që u zhvillua në fundjavën e kaluar, duke ironizuar kreun e kësaj partie se ka rikthyer në kupolën drejtuese të socialistëve të gjithë 99-shat e tij. Kreu i mazhorancës deklaroi se të gjithë neobllokmenët tashmë kanë drejtimin e selisë rozë, ndërsa pohoi se me këtë veprim Rama ka arritur qëllimin e tij të cilin e kishte që në fillim. Zoti Berisha vijoi edhe më tej me argumentin, duke nënvizuar se me këto veprime nuk është çudi që ndonjë ditë Rama të ndryshojë edhe emrin e Partisë Socialiste. “Zoti Edi Rama po përgatit me vendosmëri skenarin e vitit 2009. Ai në konventën e tij dekapitoi de facto Parinë Socialiste dhe i vuri asaj atë kokë që ka kohë që e drejton dhe e sundon, i vuri asaj 99-shat, një grusht më të ngushtë neobllokmenësh. Dhe ju e patë se kush e paraqiti programin e Nastradinit. Ilir Beqja, një neobllokmen që ka meritën e veçantë se ka ndarë paratë e tenderëve publikë me baxhanakun e kryetarit. Pastaj ishin “Mjaft”-i dhe 99-shat, të cilët morën frenat e partisë, mund të themi, 70-vjeçare. Unë prisja që t’i ndryshonte edhe emrin. Dhe mos u çudisni që shumë shpejt t’i ndërrojë edhe emrin”, – tha lideri i mazhorancës. Ai përmendi edhe figurën e Erion Veliajt, si një prej drejtuesve të “Mjaft”-it, që kanë shpërdoruar fondet e kësaj organizate. “Ai largoi të gjithë eksponentët e Partisë Socialiste, sepse, sipas tij, e turpërojnë atë parti. Ndërkohë që e nderon Erion Veliaj, për meritën e vetme se ndërtoi vilat me paratë e “Mjaft”-it dhe vodhi kompjuterin e financave për të zhdukur gjurmët”, – vijoi kryetari i qeverisë në mbledhjen e përjavshme me deputetët demokratë.

 

Referendumi për ligjet

Kreu i qeverisë foli edhe për referendumin për tri ligjet, që do të zhvillohet në vend menjëherë pas përmbylljes së procesit të votimit. Numri një i mazhorancës tha se ideja e hedhur pak javë më parë për referendumin ka gjetur një mbështetje të plotë tek të gjithë qytetarët dhe do të ndërmerren të gjithë hapat për ta kthyer atë në realitet. Sipas tij, nuk ka ndodhur kurrë në asnjë vend që të ndalohet procesi i integrimit evropian dhe kjo të bëhet nga opozita në këtë lloj mënyre, duke penguar të gjitha përfitimet që do të kenë qytetarët shqiptarë nëse statusi do të ishte marrë. “Zoti Rusmajli, si kryetar i Komisionit parlamentar të Kushtetutës dhe Ligjeve, ju lutem të formuloni tekstin-kërkesë që këto ligje të shkojnë në proces referendumi. Ky vendim është plebishitar, pasi janë qindra e mijëra të rinj, qytetarë, që kanë shprehur mendime pozitive dhe, në të gjitha bisedat e bëra, kërkohet që të mos ketë më bllokim. Duhet ta dorëzoni këtë kërkesë sa më shpejt në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në mënyrë që Presidenti i Republikës të ketë mundësinë, gjatë muajit mars, për ta shqyrtuar dhe për të dhënë verdiktin e tij për këtë akt madhor në historinë e integrimit të vendit. Ky akt do t’u provojë të gjithë shqiptarëve dhe botës se qytetarët e këtij vendi kanë vullnetin më të fortë, kanë dëshirën më të madhe, të ecin në rrugën e integrimit, të ndërtojnë Shqipërinë evropiane. Ndaj dhe le të fillojmë punën që sot. Është në nderin tuaj, zotërinj deputetë, që do të vendosni firmat në këtë kërkesë, për t’i thënë atij që mendon se mund të bllokojë me murin e bllokimit se Kushtetuta e vendit na autorizon që t’i drejtohemi sovranit, kur interesat e tij e kërkojnë këtë. Ky do të jetë një vendim shumë i drejtë. Natyrisht, si deputet i këtij vendi, kam dëshirë edhe unë të vendos firmën time në kërkesën për këtë referendum”, – tha Kryeministri, ndërsa pohoi se kjo e Ramës është vetëm një energji negative dhe e ligë që përdoret nga ai për interesa personale.

Edi Rama

Për Kryeministrin Berisha, Rama është i vetmi politikan në Evropë që gjatë karrierës së tij politike, ka pasur kaq shumë disfata. Duke u shprehur se gjithsesi kreu i PS-së do të jetë në opozitë edhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ai tha përpara deputetëve demokratë se qytetarët shqiptarë nuk do t’ia falin Ramës bllokimin e integrimit dhe puçin për të rrëzuar me dhunë pushtetin. Ai i bëri thirrje kryetarit të selisë rozë të rikujtojë humbjen që pësoi në 8 maj për zgjedhjet lokale. “Ajo që është e sigurt, zoti Rama e di që në zgjedhje ka të garantuar humbjen. Kjo jo vetëm për faktin se në tërësinë e tij Rama ka në biografinë politike, numrin e disfatave më të mëdha, të rreshtuara njëra pas tjetrës, se çdo politikan tjetër në Evropë. Pra ky e di që është një politikan – siç do t’ i thoshte një diplomat i shquar, shumë, shumë i mirë, – për të qëndruar përfundimisht në opozitë. Ai e di që shqiptarët nuk mund t’ia falin puçin që organizoi për marrjen e pushtetit dhe e ndëshkuan atë në zgjedhjet e 8 majit, në mënyrën më të merituar. E dinë që shqiptarët, të përkushtuar për vlerat e demokracisë, nuk mund të shohin në krye të tyre aventurierë të etur për pushtet, që mendonin se edhe me zjarr do të mund të vinin në krye të vendit”, – përfundoi kryetari i ekzekutivit.

 

Deputetët firmosin për referendumin, Berisha mes tyre

Kreu i qeverisë ka njoftuar pasditen e djeshme në faqen e tij zyrtare në Facebook se deputetët do të firmosin për referendumin për tri ligjet që do të bëjnë që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Kryeministri ka pohuar se edhe ai do të jetë një nga firmëtarët edhe për shkak të reagimit që ka marrë nga ata. “Deputetët firmosin për referendumin për tri ligjet! Si mik i juaji në Facebook, unë do jem një nga firmëtarët.
Ju falënderoj me shumë mirënjohje për mbështetjen tuaj të fuqishme për miratimin me referendum të tria ligjeve që kërkohen për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë nga BE dhe që prej muajsh janë bllokuar nga z. Rama. Sot u vendos që këto ditë të dorëzohet në KQZ, me firmën e deputetëve tanë, kërkesa për thirrjen e referendumit për miratimin e tri ligjeve të bllokuara nga z. Rama. Ky është një vendim historik, me të cilin qytetarët shqiptarë do të faktojnë mbështetjen e tyre plebishitare për integrimin e vendit në BE. Ky vendim, është përgjigja më e merituar e sovranit ndaj murit të bllokimit të z. Rama dhe planeve të tij për të bojkotuar Parlamentin pas humbjes së zgjedhjeve të qershorit që vjen, qëndrim që ai mbajti pas zgjedhjeve të vitit 2009. Referendumi është përgjigjja më e përshtatshme ndaj njeriut që di vetëm të bllokojë, vetëm të bojkotojë. Shqipëria evropiane është misioni ynë. Ne do fitojmë!”, – shkroi lideri i mazhorancës.

 

 

Ndryshimi

Taksat do të paguhen online

Çdo sipërmarrës në Shqipëri që ka në përdorim një smartphone ose një tablet me shërbimin e internetit, nuk është më i detyruar të shkojë tek zyrat e tatimeve për t’u njohur me detyrimet e tij ndaj shtetit apo të shkojë në sportelet e bankave për të bërë pagesën. Dy aplikacione të reja të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve u mundësojnë biznesmenëve që këto dy veprime t’i bëjnë nëpërmjet telefonit celular. Aplikacioni i parë i pagesës elektronike i lejon një biznesmeni që të krijojë llogarinë e tij elektronike tek tatimet dhe nëpërmjet saj të lidhet me bankat për të bërë pagesën pa qenë e nevojshme të paraqitet fizikisht. Kryeministri Sali Berisha i ndodhur në inaugurimin ditën e djeshme tha se ky është një nga projektet me të rëndësishme të programit të Shqipërisë dixhitale, jo vetëm se redukton ndjeshëm kostot e biznesit dhe rrit cilësinë e shërbimit, por hap rrugën e përfitimit të këtij shërbimi për të gjithë qytetarët. “Ky është një transformim epokal, pasi është arritur koha rekord, më e shkurtër për taksapaguesin, për të paguar dhe kontrolluar detyrimet e tij. I garantoj qytetarët shqiptare se pagesa elektronike do të jetë realitet i prekshëm brenda vitit 2013”, – tha Berisha. Aplikacioni i dyte inovativ i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është mobile-tax (taksa nga celulari). Nëpërmjet të cilit çdo tatimpagues mund të kontrollojë në çdo kohe situatën e tij nga telefoni celular dhe të marre informacionet e duhura nga administrata tatimore për të paguar në kohë detyrimet. Ky aplikim është pjesë e projektit Shqipëria në celular, që, sipas kreut të mazhorancës redukton korrupsionin dhe rrit transparencën e qeverisjes. “M-Albania synon t’u japë në dorë, në celularin e tyre qytetarëve shqiptarë dhe biznesit të gjitha shërbimet e kësaj administrate. Le të kalojmë ne gradualisht tek monedha elektronike. Është pa diskutim monedha më e pastër, më e sigurt, me qytetare në shërbimin ndaj qytetarit”, – tha Berisha. Gjithashtu, Kryeministri theksoi se është e domosdoshme që edhe doganat të adaptojnë me shpejtësi shërbimin e-Pagesa. “Unë i garantoj qytetarët se shërbimi e-Payment do të jetë një realitet i prekshëm nga të gjithë shqiptarët brenda vitit 2013”, – tha lideri i qeverisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency