Standard.al

Albpetrol, METE-Taçi, mashtrimi me garancinë 85 milionë euro

Ervin Kaduku

albpetrolSi është puna me 85-milionëshin e garancisë? Me sa duket, kjo shifër as ka qenë ndonjëherë në dispozicion të zotit Taçi e të kompanive të shumta të tij dhe as ka ndërmend të jepet ndonjëherë nga askush, kudo në botë

 

Kohët e fundit, në dispozicion të gazetës “Standard” ka ardhur një deklaratë e shkruar nga drejtuesit e bankës së Çikagos “American Chartered Bank”. Ishte normale që ata, të cilët kanë marrë në duart e tyre drejtimin e sektorëve të caktuar të administratës shtetërore të Shqipërisë, të bënin një minimum sforcosh për të mësuar zyrtarisht një fakt të thjeshtë: si dhe kur është lëshuar garancia e sigurimit të ofertës prej 85 milionë eurosh nga ky institucion bankar i nivelit të dytë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mbështetje të një oferte – e cila rezultoi fituese – për blerjen e një ndërmarrjeje të naftës që po privatizohej në Shqipëri, në vjeshtë të vitit të kaluar. Kjo ka të bëjë edhe me faktin se, në përputhje me aktet nënligjore të lëshuara nga Këshilli shqiptar i Ministrave, kjo shifër duhet të kalojë në pronësi të buxhetit të shtetit shqiptar, tashmë, kur kanë kaluar të gjitha afatet ligjore të negocimeve midis Ekzekutivit shqiptar dhe kompanisë “Vetro Energy”. Afatet kanë qenë si më poshtë: 30 ditë për negocime, plus edhe 30 ditë të tjera – si afat fundor – në rast se nuk arrihet menjëherë kontrata dypalëshe e shitjes. Këto afate kanë kaluar me kohë, praktikisht që në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, ndërkohë që këtë shifër të konfiskuar nga Ministria e Financave nuk e konfirmon kush, të paktën deri tani. Apo kemi të bëjmë me një “ëndërr të një nate vjeshte”?

“Vetro Energy” u paraqit në opinion dhe para Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pranë ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të drejtuar nga zëvendësministri – aktualisht me pozitat më të sikletosura në qeverinë shqiptare – Sokol Dervishaj, si një kompani amerikano-singaporase, por shpejt suvaja ra poshtë dhe, pas cipës së hollë të një boje paksa transparente, u duk se fjala ishte për një lojë të radhës të Rezart Taçit, i cili nuk e “bënte sefte” një lojë bllofesh, kombëtare e ndërkombëtare. Vetë ky “manjat” u prezantua mes biznesmenësh nga SHBA në hotel “Rogner”, duke thënë se ishte ai “boss”-i i transaksionit. Transaksion, që rezultoi i paqenë. “Sheiku” shqiptar i naftës deklaroi se paratë ishin, jo më 85 milionë, jo më 170 milionë (vlera e garancisë së kontratës), por edhe 850 milionë eurot, që ishin pagesa e plotë, që ai kishte ofruar për blerjen e industrisë së naftës dhe perspektivës së transmetimit të gazit natyror në vendin tonë, duke “lënë pa gojë” edhe kundërshtarët më të egër të tij, në biznes apo jashtë biznesit, në Shqipëri apo edhe jashtë saj.

 

Blerja e Albpetrolit

 

Që në muajin nëntor, pa u tharë mirë boja e një VKM-je, që shpallte si ofertë më të mirë atë të zotit Taçi, ky “sheik” nxitonte të nxirrte në faqen e internetit të “Taçi Oil” një fakt të paqenë: pronësinë e tij mbi kompaninë “Albpetrol”. Gjë, që nuk ishte atëherë e vërtetë dhe nuk është e vërtetë as edhe sot e kësaj dite. Pasi, për të marrë një mall, madje shumë të kushtueshëm, duhen paguar paratë. Po, a i kishte paratë “Taçi Oil”, “AMRA” apo “ARMO” e Ballshit, “Anika Enteprise”, “Texas Refineries”, apo të gjithë kompanitë, me të cilat ky zotëri paraqitet në treg për të blerë një mall super të shtrenjtë? Si asete, i ka, natyrisht, ndoshta edhe më tepër se kaq. Si likuiditete? Me sa duket, këtu ngec sharra në gozhdë! Të gjithë ata, që kanë pasur të bëjnë me këtë zotëri, apo me kompanitë e tij pa fund, duhet të kenë mësuar një gjë: ai nuk e ka për gjë të premtojë, por vështirë se realizon në kohën e duhur dhe siç duhet premtimet. Për këtë, kanë përvojë të hidhur, jo vetëm shqiptarë, por edhe biznesmenë nga pjesë të tjera të botës, jo domosdoshmërisht nga Evropa. Kompanitë e tij janë të pranishme në të gjitha regjistrat e gjykatës së Tiranës, kur është fjala për problem mosrealizimesh kontratash apo detyrime të pashlyera, punonjësit e Ballshit kanë gjithashtu një përvojë të hidhur nga personi që u bën një festë për Vitin e Ri, por “harron” t’u japë për muaj rresht pagat, me të cilat do të ushqejnë fëmijët, të paguajnë qiratë e banesave apo këstet e kredive.

Por, problemet me të tretët janë një gjë dhe problemet me shtetin-pronar janë një gjë tjetër. Ish-emigranti i suksesshëm në Milano, që për pesë vjet arriti të kthejë ndërmarrjen e tij të naftës në numrin një në Shqipëri, ndoshta është mësuar me sukseset e arritur shpejt në vitet 2000-2005, në kohën e qeverisjes së majtë, por, pas privatizimit të një pjese të ARMO-s, duket se diçka nuk po shkon ashtu siç duhet. Madje, zëra nga qeveria thonë se, edhe pas blerjes së rafinerisë, pagesat nuk u kryen sipas rregullit të vendosur nga Këshilli i Ministrave me anë të një Vendimi përkatës, por me këste e me vonesa të konsiderueshme. Por, aktualisht vendi ynë ndodhet në “syrin e ciklonit” të një krize globale, të cilës i ka shpëtuar vetëm në sajë të reformave tepër të guximshme e radikale, të cilat rezultuan vendimtare për fatet e ekonomisë së vendit, duke i krijuar edhe atij, si shumë biznesmenëve të tjerë, mundësi të sigurojë fonde të konsiderueshme, duke ulur taksat në nivelin e 10-përqindëshit të taksës së sheshtë, ndërkohë që më parë paguante “qimet e kokës” dhe një gjë të tillë e kërcënon sërish ta kthejë opozita socialiste.

 

85 milionë euro

 

Por, si është puna me 85-milionëshin e garancisë? Me sa duket, kjo shifër as ka qenë ndonjëherë në dispozicion të zotit Taçi e të kompanive të shumta të tij dhe as ka ndërmend të jepet ndonjëherë nga askush, kudo në botë. Letra e bankës amerikane të Çikagos e konfirmon këtë për një numër arsyesh ligjore e profesionale të shtetit amerikan. Mbetet vetëm që një gjë të tillë ta konfirmojë vetë Taçi e të tërhiqet nga gara, por si mund t’i shpëtojë ai kaq lehtë detyrimit për të paguar 85-milionëshin? Kjo do të bëhej e mundur vetëm në rast se atë do ta mbronin sektorë të caktuar në METE. Vetëm se, përtej Ekzekutivit, në një shoqëri demokratike ekziston edhe një pushtet tjetër, ai gjyqësor, të cilit nuk mund t’i shmangesh me ndihmën e një ministri apo të një zëvendësministri. Paratë që ai pretendon se i ka bllokuar si garanci oferte, bën mirë t’i nxjerrë, natyrisht jo nga “caveau” i një banke të Çikagos, ku nuk kanë qenë kurrë, por duhet t’ia kalojë në llogari ministrisë së Financave, ndryshe rrezikon sekuestër dhe konfiskim edhe të pronave të fituara më parë.

Megjithatë, topi mbetet në fushën e METE-s, që është autoriteti kontraktor, i autorizuar nga qeveria shqiptare për të kryer veprimet me ofertuesin fitues. Taçi mund të pretendojë se është një zhongler i vërtetë në këtë fushë dhe një gjë të tillë e dëshmojnë ofertat e tij publike për të blerë skuadra të famshme futbolli, që kanë rezultuar në fiasko. Por çdo lojë e ka një fund, qoftë edhe kur për të miratohet një kohë shtesë….

 

 

Comments are closed.