Vritet me 12 plumba përpara shtëpisë kryekomisari Lamaj

0
153

Elton Qyno

dritaniAtentat mafioz ndaj ish-shefit të komisariatit nr. 6 në Tiranë

Dritan Lamaj u qëllua teksa parkonte makinën 200 metra larg shtëpisë

 

Ekzekutohet në pritë përpara shtëpisë ish-shefi i komisariatit nr. 6, njëherësh dhe specialisti në Drejtorinë e Parandalimit të Krimit, pranë Policisë së Shtetit, Dritan Lamaj. Efektivi i policisë ka qenë duke parkuar automjetin e tij dhe sapo ka tentuar të zbresë për të shkuar në banesën e nënës dhe vëllait të tij, pallat në të cilin jeton dhe vetë, që ndodhet vetëm 200 metra nga vendi i krimit, është ndeshur me breshëritë e kallashnikovit. Më shumë se 12 plumba janë derdhur mbi makinën e punonjësit të policisë, ndërkohë që pas breshërisë së fuqishme, e gjithë zona është alarmuar, duke u dhënë mundësi autorëve të largohen me shpejtësi pa rënë në prangat e policisë së Tiranës. Krimi i rëndë është kryer mes shumë personave, të cilët kishin dalë në rrugë dhe shumë të tjerë qëndronin në kafenetë dhe disa pika bastesh sportive që ndodhen në zonën e shkollës “Vasil Shanto” në Tiranë. Disa prej dëshmitarëve tregojnë se nuk kanë arritur të shohin asnjë gjë, pasi në momentin e krimit zona ishte në errësirë dhe se pas breshërisë së gjatë të armës, të gjithë kalimtarët, por edhe klientët e lokaleve janë shtrirë në tokë, duke arritur të ngrihen vetëm pas disa minutash dhe, sipas tyre, s’kanë mundur të shikojnë asnjë person të pajisur me armë.

Vrasja mafioze

Nga mënyra e ekzekutimit vrasja është konsideruar si tipike mafioze. Rreth katër persona mësohet se kanë marrë pjesë në krimin e rëndë dhe se vrasja është kryer në një distancë të afërt dhe të gjithë plumbat janë qëlluar nga prapa. Ish-shefi i komisariatit nuk ka pasur asnjë mundësi të reagojë dhe të shohë autorët e krimit, pasi personat që kanë qëlluar kanë hapur zjarr nga prapa. Sipas burimeve të policisë, autorët e krimit kanë ndjekur për një periudhë të gjatë Dritan Lamajn dhe më pas kanë vendosur të planifikojnë edhe vrasjen e tij. Për eliminimin e punonjësit të komisariatit janë vënë në lëvizje më tepër se katër persona, duke bërë që ata të paguajnë një vrasës profesionist për “zhdukjen” e Lamajt. Nisur nga kjo situatë, autorët kanë përcaktuar edhe vendin e krimit, duke zgjedhur rrugën përpara shtëpisë ku banon Dritan Lamaj, së bashku me gruan dhe vajzën e tij 6 vjeçe. Në të njëjtin pallat banon edhe nëna dhe vëllai tjetër i Lamajt. Teksa kanë zgjedhur vendin, autorët kanë vendosur edhe ditën e diel, kur shumë zyrtarë të policisë janë pushim. Nisur nga kjo situatë, dy persona kanë qëndruar të fshehur në errësirë, duke pritur ardhjen e shefit të komisariatit. Ka qenë ora 18:30, kur Dritan Lamaj është shfaqur në rrugë me makinën e tij dhe ka tentuar ta parkojë atë buzë rrugës. Sapo e kanë parë, një ose dy persona të pajisur me armë zjarri automatikë, i janë afruar makinës dhe duke mos pritur daljen nga mjeti të shefit të komisariatit kanë qëlluar me të plot 12 herë duke, i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Trupi “shoshë” nga plumbat

Si pasojë e breshërisë së gjatë të automatikut, të gjithë plumbat kanë hyrë në trupin e ish-shefit të komisariatit Dritan Lamaj. Ky i fundit ka qëndruar vetëm disa sekonda në jetë dhe më pas ka rënë në vdekje klinike, duke vdekur ende pa shkuar në Spitalin Ushtarak. Breshëritë kanë bërë “shoshë” trupin e punonjësit të policisë, duke mos i dhënë këtij të fundit mundësi të reagonte me pistoletën e tij të shërbimit. Pas ngjarjes së rëndë, e gjithë zona është rrethuar nga policë, ndërkohë që në të gjitha rrugët e daljes nga Tirana janë ngritur postblloqe me forca të FNSH-së dhe shërbime të tjera. Policia ka bërë shoqërimin e më shumë se 50 personave, duke bërë administrimin e dëshmisë së tyre në dosjen hetimore. Dyshimet e para rreth kësaj vrasjeje lidhen me detyrën e punonjësit të policisë si shef komisariati në zonën e Kombinatit, ku përgjatë katër viteve në këtë detyrë, ai është përplasur dhe ka krijuar konflikte me shumë biznesmenë të kësaj zone, disa prej të cilëve e kanë denoncuar publikisht në media.

Dëshmitarët: U dëgjua një zhurmë motori pas krismave

 

Shitësi i dyqanit: Lamaj ishte i gjallë

më kërkoi ujë, kur ia hapa derën e makinës

Teksa është qëlluar me 12 plumba, ish-shefi i komisariatit nuk ka mundur të dalë nga makina, por ka mbetur i përgjakur në sediljen e mjetit të tij tip “Lancia” me targë TR 2564 N. Ka qenë vetëm një nga shitësit afër vendit të krimit ai që ka hapur derën e mjetit dhe ka konstatuar trupin e përgjakur të punonjësit të policisë. Shitësi i dyqanit tregon se sapo ka parë të përgjakur Dritan Lamajn, ai i ka kërkuar disa personave ndihmë për ta çuar në spital. Mirëpo pas këtyre fjalëve, sipas tij, punonjësi i policisë i ka folur nëpër dhëmbë, duke i kërkuar ujë. Menjëherë shitësi ka vrapuar drejt dyqanit të tij prej nga ka marrë një bidon me ujë dhe ka tentuar t’i japë 41-vjeçarit Dritan Lamaj. Pas dhënies së ujit, Lamaj është transportuar me shpejtësi në drejtim të spitalit, por ende pa mbërritur në sallën e reanimacionit, ai nuk ka mundur të jetojë, duke dhënë shpirt. Ndërkohë, shitësi i dyqanit që ndodhet shumë afër vendit të krimit tha se pas disa minutash nga breshëritë e armës, janë afruar familjarët e Dritan Lamajt, ku nëna e tij ka filluar të bërtasë me zë të fortë se i kishin vrarë djalin. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë shumë nga personat që ndodheshin në kafenetë dhe pikat e basteve sportive janë shoqëruar në ambientet e policisë së Tiranës, ku janë marrë në pyetje rreth asaj që kishin arritur të shihnin në momentin e vrasjes së Dritan Lamaj, kryekomisarit të vrarë përpara shtëpisë së tij në zonën e “Vasil Shantos” në Tiranë. Të gjithë personat kanë pohuar se nuk kanë arritur të shohin asnjë gjë, por kanë pohuar se pas vrasjes është dëgjuar një zhurmë motori, duke aluduar se vrasësit janë larguar me motor nga vendi i krimit. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, janë shoqëruar shumë persona, por në fakt asnjëri prej tyre nuk është arrestuar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency