Të gjithë për “Oscar 2013”!

0

oscarNuk ka asnjë media amerikane e angleze që sektorin e tyre të filmit nuk e ka stërmbushur me parashikime për fituesit e çmimeve “Oscar” që do të ndahen në orët e para të së hënës sipas orës lokale. Por sivjet parashikimet janë kundërthënëse krahasuar me ato të vitit të kaluar kur kritikët ishin treguar të saktë për filmin pa zë “The Artist”. Kësisoj për “Oscar 2013” kritikët nuk kanë mundur të përcaktohen me përqindje të lartë për vetëm një film. Megjithatë filmi i Ben Affleck “Argo”, ai i Kathryn Bigeloë “Zero Dark Thirty” dhe ai i Steven Spielberg “Lincoln” janë përmendur si më favoritët për të marrë “Oscar” në kategorinë kryesore. Megjithatë filmi që flet për dramën iraniane të vitit 1980 kur janë kidnapuar gjashtë diplomatë amerikanë ka marrë përkrahjen më të madhe nga disa ngjarje të fuqishme kinematografike në botë. Nëse merren parasysh çmimet që filmat e nominuar për “Oscar” i kanë dhënë “Los Angeles film Critics Association”, “Golden Globe”, “American Cine Editors”, “Neë York Film Critics Cirsce”, “Ëriters, Proucders, Screen Actors and Director Guild of Amerika” dhe tetë organizatave të tjera që në përbërjen e tyre kanë kritikët më të rëndësishëm të kinematografisë botërore, del që filmi “Argo” prin me përqindjen më të madhe për mundësinë e marrjes së çmimit kryesor. Pas tij vijnë filmat si “Zero Dark Thirty” e “Lincoln” që ka marrë 12 nominime gjithsej. Megjithatë regjisori i filmit që flet për jetën e presidentit amerikan Abraham Lincoln, Steven Spielberg prin me më së shumti pikë nga kritikët si favorit për të marrë “Oscarin” për regjisorin më të mirë. Ang Lee regjisor i filmit “Life of Pi”, David O. Russell për “Silver Linigs Playbook” i rrinë afër listës së favoritëve në këtë kategori. “Ne kemi një përballje të jashtëzakonshme këtë vit. Parashikimet e të gjithëve mund të dalin thjesht paragjykime kur të dielën do të ndahen çmimet. Megjithatë favoritët gjithmonë ekzistojnë”, thuhet në një deklaratë të “Los Angeles film Critics Association”. Ndërsa pritet të kenë një konkurencë të fortë edhe filmat dokumentarë, që tashmë janë përcaktuar pretendentët.

Filmat dokumentarë janë një gjini jo shumë popullore e filmit. Ata nuk kanë efekte speciale dhe në ta nuk interpretojnë yje të kinemasë. Protagonistët janë zakonisht njerëz të thjeshtë që përballen me rrethana jo të zakonta. Këta filma nuk shfaqen në kinematë e mëdha dhe nuk janë konkurrentë përsa i përket të ardhurave nga shitja e biletave. Por përmes temave sociale e politike që lëvrojnë, filmat dokumentarë mund të ndryshojnë mendjet dhe zemrat e shikuesve. Ndjekim një përmbledhje të filmave dokumentarë që konkurrojnë këtë vit për çmimet Oscar.

Dokumentari i regjisorit Dick Kirby “Lufta e padukshme” flet për një aspekt të rëndë: përdhunimet në ushtrinë amerikane. Filmi ngre pretendimin se që nga vit 1991 rreth gjysmë milioni gra e burra në ushtrinë amerikane janë dhunuar seksualisht nga eprorët e tyre, dhe ushtria amerikane nuk ka bërë asgjë për të ndëshkuar fajtorët. “Sa më shumë intervistonim, aq më shumë ndjenim se ky ishte një film që duhej ta bënim”, thotë Dick Kirby, regjisor i filmit.

Filmi “Portierët” është ndër të preferuarit e kritikës. Regjisori izraelit Dror Morej intervistoi 6 ish drejtues të Shin Bet, agjencia e zbulimit të brendshëm në Izrael, përgjegjëse për grumbullimin e të dhënave në bregun e Pushtuar Perëndimor. Ata thonë se lufta ndaj terroristëve palestinezë nënkuptonte një kosto morale e njerëzore. Filmi paraqet ndarjet e brendshme në Izrael dhe ofron një parashikim të zymtë për të ardhmen e vendit nëse nuk bëhet paqe me armiqtë.

Filmi “Five Broken Cameras” nga Ermad Burnat, një fshatar palestinez, dhe regjisori izraelit Guy Davidi, është video-ditari i jetës së Emadit nën pushtimin izraelit të bregut Perëndimor.

Filmi tregon se si fshatarët palestinezë luftojnë kundër kufizimeve të sigurisë të vendosura nga izraelitët që i kanë ndarë ata nga tokat e tyre. “Si t’i mbijetosh një epidemie” është kronika e viteve të para të epidemisë së Sidës dhe se si një grusht aktivistësh frenuan valën vdekjeprurëse të saj. “Çdo gjë që lidhet me mënyrën se si praktikohet sot mjekësia dhe kujdesi shëndetësor është rezultat i aktivizimit në luftën kundër sidës. Ndaj doja të tregoja një histori fitoresh dhe arritjesh”, thotë David France, realizues i filmit. Këto katër kandidatura në kategorinë e filmit dokumentar rrëfejnë histori të fuqishme me pamje novatore. Por asnjë prej tyre nuk ka rrëmbyer zemrat e votuesve të Akademisë së çmimeve Oscar sa filmi “Searching for sugarman”.

Regjisorja fituese e çmimeve Emmy Nina Seave thotë se Akademia e çmimeve Oscar duket se është e prirë për dokumentarë me tema tërheqëse dhe argëtuese dhe ky film e plotëson këtë pritshmëri. Ndonëse çmimet Oscar mund të jenë një konkurrim shumë popullor, të pesë dokumentarët janë përzgjedhur kryesisht për meritë të tyre, dhe jo nga fitimet që kanë siguruar nga shitjet e biletave.

 

 

Mesha e fundit e Papës

Papa u tha dhjetra mijëra të pranishmëve në Sheshin e Shën Pjetrit se ai nuk do ta braktisë kishën, por do të vazhdojë të shërbejë nëpërmjet lutjeve

 

Dhjetra mijëra njerëz u mblodhën sot në Vatikan për të dëgjuar lutjet e fundit të Benediktit të16-të si Papë, të cilat ai i ofroi nga dritarja e apartamentit të tij mbi Sheshin e Shën Pjetrit.

Papa u tha të pranishmëve se ai nuk do ta braktisë kishën, madje do të vazhdojë të shërbejë nëpërmjet lutjeve pasi të largohet nga detyra e Papës në fund të muajit.

Ati i shenjtë, udhëheqës i më shumë se një miliardë të krishterëve në gjithë botën, do të dalë të mërkurën për herë të fundit në publik në Sheshin e Shën Pjetrit.

Kardinalët po mbërrijnë në Romë për të zgjedhur pasardhësin e Benediktit të 16-të, ndërsa Vatikani përballet me njoftime të papërshtatshme të medias.

Vatikani ka kritikuar median se po bën atë që e quan trysni ndaj kardinalëve përmes shpifjeve përpara zgjedhjes së papës së ri. Zyra e sekretarit të shtetit të Vatikanit tha dje se “përhapja e lajmeve shpesh të paverifikueshme ose krejtësisht të rreme” është “për të ardhur keq” dhe shkakton dëme serioze ndaj njerëzve dhe institucioneve.