Konflikti për shkeljen në këmbë dhe ofendimet, vlonjati vrau 25-vjeçarin

0
144

Elton Qyno

sajmirSajmir Çedja u qëllua nga Artur Zefiri. Policia: Vrasja është bërë në mes të udhëtarëve

Viktima i kërkoi të mos shtyhej dhe të mos shante në autobus. Zefiri dhe Drita, në gjendje të dehur

 

Shkelja në këmbë dhe përdorimi i fjalëve të pista në ambientin e autobusit nga dy persona të dehur, janë bërë objekt i një sherri që ka sjellë më pas përdorimin e thikës, nga një 37-vjeçar nga Vlora. Artur Zefiri, së bashku me Ilir Dritën, kanë hyrë të dehur në autobusin e linjës Qendër – Uzina e Autotraktorëve dhe sapo janë ndodhur mes njerëzve, kanë filluar të shajnë me zë të lartë. Shumë pranë tyre, ndodhej dhe 25-vjeçari Sajmir Çedja, i cili sapo kishte lënë punën e tij në një parkim automjetesh, kishte vendosur të largohej në banesën e tij që ndodhet në zonën e Shkozës. Mirëpo për shkak të sharjeve dhe shkeljes në këmbë që i ka bërë autori i krimit Artur Zefiri, Sajmir Çedja i ka kërkuar që të kishte kujdes në autobus dhe të mos shante. Mirëpo pikërisht pas kësaj kërkese Zefiri dhe 32-vjeçari Drita kanë filluar ta shajnë rëndë 25-vjeçarin, dhe siç ishin në gjendje të dehur kanë filluar ta godasin atë. Pas kësaj, punëtori i parkingut të automjeteve ka dashur të largohet prej tyre, por sipas dëshmitarëve, është qëlluar disa herë me thika nga prapa. Autori i krimit, sipas verifikimeve të bëra nga policia, është shtetasi nga Vlora Artur Zefiri, ndërsa Ilir Drita është bashkëpunëtori i tij në krim. Pas goditjes me thikë dy personat janë larguar me shpejtësi, ku Ilir Drita është fshehur në një banesë të të afërmit të tij, ndërsa Artur Zefiri është arrestuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Fierit.

Arrestimet nga policia

Ende pa u mbushur 24 orë nga vrasja e Sajmir Çedes, policia e Tiranës ka bërë fillimisht arrestimin e shtetasit Ilir Drita, të cilin e ka ndaluar në një banesë. Më pas në orët e mbrëmjes së djeshme, është arrestuar nga policia e Fierit, autori i krimit shtetasi Artur Zefiri, i cili është arrestuar tek disa të afërmit e tij në qytetin e Fierit. Zbulimi i dy personave është arritur të bëhet nëpërmjet dëshmive të personave që kanë qenë prezent në autobusin tip fizarmonikë, ku dhe ka ndodhur vrasja e 25-vjeçarit. Ndërkohë që një faktor tjetër ka qenë dhe lokalizimi nëpërmjet antenave telefonike, duke bërë që të gjendet vendi ku qëndronte i strehuar, 37-vjeçari Artur Zefiri. Pas këtij verifikimi një patrullë policie ka shkuar në banesë duke bërë arrestimin e 37-vjeçarit të akuzuar për vrasje të Sajmir Çedes. Gjatë momentit të ndalimit, sipas policisë së Tiranës të dy autorët nuk kanë shfaqur rezistencë, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje ata kanë treguar se ndienin pendesë për vrasjen e 25-vjeçarit. Në dëshminë e tyre, dy shokët kanë pohuar se kishin qenë në gjendje të dehur dhe se nuk mbajnë shumë detaje rreth asaj që ka ndodhur. Pavarësisht kësaj, policia ka ngritur ndaj tyre akuzën e “Vrasjes me dashje”. Në cilësinë e provës materiale mësohet se është sekuestruar thika e krimit, ndërkohë që në vendngjarje policia ka marrë dhjetëra dëshmi të personave që kanë parë krimin, dëshmi këto që janë administruar në dosjen hetimore.

Familjarët: Autorët të varen

Familjarë të 25-vjeçarit Sajmir Çedja kanë reaguar pas arrestimit të dy personave, duke kërkuar që drejtësia të vendosë varjen e tyre në pikërisht në vendin ku ata kryer vrasjen e djalit të tyre. “Ndihemi shumë të pikëlluar nga ajo që ka ndodhur, shteti duhet të marrë masa të menjëhershme dhe të dënojë me varje të dy personat. Djali ynë dilte nga banesa në mëngjes dhe kthehej në mbrëmje, duke qëndruar në punë, për gjatë gjithë kohës. Mirëpo edhe pse nuk kishte konflikte, kriminelët e vranë. Tani për ata të dy, vetëm një dënim të jepet, ai me varje, dhe se të mos i lejohet as avokat dhe asnjë gjë tjetër. Kjo nuk është e drejtë, të të vrasin, teksa kthehesh në shtëpi”-janë shprehur familjarët e 25-vjeçarit Sajmir Çedja. Ky i fundit mbrëmjen e të shtunës, kishte mbyllur punën e tij në parkingun e automjeteve dhe ka vendosur të kthehet në banesën e tij në Shkozë. Ka hipur autobusin e fundit të linjës Qendër-Unaza e Autotraktorëve, dhe pasi ka shkuar tek vendi i quajtur markata e vjetër, Çedja është përfshirë në një sherr me dy personat e lartpërmendur, duke u qëlluar më pas për vdekje me thikë.

 

Task-forca bën verifikimet për pallatin e Linda Ramës

Pallati i gruas së Edi Ramës, prokuroria

fletëthirrje ish-urbanistit Dritan Agolli

Hetimet rreth ndërtimit jashtë rregullores të pallatit trekatësh nga ana e gruas së kryesocialistit Edi Rama, Linda Rama dhe vëllait e xhaxhait të saj, janë duke vijuar me pyetjen e ish-drejtorit të urbanistikës në bashkinë e Tiranës, shtetasin Dritan Agolli. Në adresë të këtij të fundit, njësia hetimore task-forcë, ka dërguar një fletëthirrje, me qëllim dhënien e shpjegimeve rreth asaj që ka firmosur, për ndërtimin e pallatit trekatësh, në një zonë që ishte parashikuar lulishte dhe për shërbime të tjera publike, për banorët e komunitetit për rreth. Sipas prokurorisë, dosja ndodhet në fazën e verifikimeve paraprake, çka është parë e rrugës thirrja dhe pyetje e ish-drejtorit Agolli dhe disa ish-punonjësve të zyrës së urbanistikës dhe asaj juridike, në kohën e drejtimit të bashkisë nga kreu i Partisë Socialiste. Disa flet-thirrje, sipas akuzës, janë dërguar në adresat përkatëse të ish-punonjësve të bashkisë që do pyeten me cilësinë e personave që kanë dijeni për çështjen. Ndërkaq javën e kaluar, mësohet nga prokuroria, se disa nga këto ish-zyrtarë të bashkisë janë pyetur dhe kanë dhënë versionin e tyre në lidhje me miratimin e lejes së ndërtimit të pallatit të familjes Basha. Këto dëshmi dhe verifikime të tjera hetimore, sipas akuzës, do të provojnë nëse leja e ndërtimit është dhënë konform procedurave ligjore apo miratimin i lejes së ndërtimi është dhënë për të favorizuar familjen Basha. Kjo leje, sipas kallëzimit, të Bashkisë së Tiranës, është dhënë në vitin 2004 ndërsa ndërtimi është bërë vitet e fundit. Në këtë godinë, mësohet se jeton xhaxhai dhe vëllai i bashkëshortes së kreut të PS-së, Edi Rama.

 

Policia bllokon sasinë prej 340 kg marjuanë

Droga nga Shqipëria, kapet në

Igumenicë, tre grekë në pranga

Të paktën 340 kg marijuanë janë kapur dje në kufirin shqiptaro-grek. Mësohet se droga është kapur në vendin e quajtur Sajadhe afër me Igumenicën. Policia greke ka ndaluar një fuoristradë me karroceri të mbushur me ushqim për kafshët, ndërsa gjatë kontrollit ka gjetur të fshehur nën to, 317 pako me 339 kg marijuanë. Mësohet se është vënë në pranga shoferi grek, rreth 30-vjeç. Shumë afër vendit të ngjarjes së parë, u ndalua edhe një makinë tjetër që drejtohej nga dy shtetas grekë njëri 25 dhe tjetri 26-vjeç. Mësohet se droga që iu gjet të rinjve ishte ngarkuar në afërsi të fshatit Çiflik, ndërsa ishte transportuar deri aty me mushka. Lidhur me këtë ngjarje edhe policia Shqiptare ka nisur hetimet për të mësuar rreth identitetit të personave që kanë kryer transportimin e lëndës narkotike në kufirin e gjelbër. Pritet që në ditët në vijim policia të bashkëpunojë edhe me policinë Greke, me qëllim zbardhjen e emrave të personave shqiptarë, të cilët kanë bashkëpunuar me trafikantët grekë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency