Vrasja për tokën e resortit, bie në pranga vëlla i piktorit

0
189

Elton Qyno

vrasjaLeonard Tragaj u kap në një apartament në zonën e Plazhit. Vëllai u vetëdorëzua në muajin korrik 2012

 

Pas tetë muaj kërkimesh, policia e Durrësit ka arritur të arrestojë vëllain e piktorit të njohur durrsak Ardian Tragaj, shtetasin Leonard Tragaj. 33-vjeçari është kapur në zonën e plazhit në Durrës, teksa qëndronte i fshehur në një banesë. Rreth lëvizjeve të tij kishte marrë informacione të sakta policia e Durrësit, e cila pas rrethimit të zonës ku ndodhej banesa, ka vendosur të hyjë brenda duke kryer arrestimin e Tragajt, i cili së bashku me vëllain e tij, piktorin Ardian Tragaj, ekzekutuan në muajin korrik 2012 me armë zjarri dy persona dhe plagosën dy të tjerë. Shkak i këtij konflikti ka qenë pronësia për truallin në plazhin e Golemit, ku dy vëllezërit kishin ndërtuar një kompleks turistik të quajtur “Ura Li” në afërsi të Malit të Robit në zonën e Golemit. Mirëpo vetëm disa muaj pas përurimit të hotelit, mes dy vëllezërve Tragaj dhe shtetasve Sulejman Shehu dhe Durim Pashalliu ka lindur një konflikt për pronësinë që çoi në vrasjen e dyfishtë. Si pasojë e përplasjes me armë, kanë mbetur të plagosur Erion dhe Beglie Shehu, djali dhe gruaja e Sulejman Shehut. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, në datën 25 Korrik, policia e Durrësit arriti të arrestojë shtetasin Erion Shehu, pasi gjatë një kontrolli në makinën e tij, këtij të fundit ju sekuestrua një armë automatike, ndërkohë që në mbrëmjen e ditës së krimit në policinë e Durrësit është vetëdorëzuar piktori dhe njëherësh qytetari i nderit të Durrësit, shtetasi Ardian Tragaj.

Arrestimi në banesë

Kanë qenë agjentët e policisë së Durrësit ata që kishin marrë disa të dhëna rreth vendndodhjes së shtetasit të shpallur në kërkim nga Prokuroria e Kavajës, Leonard Tragaj. 33-vjeçari kishte disa kohë që qëndronte në një apartament në zonën e Plazhit, dhe se aty prej disa muaj nuk ishte shqetësuar nga askush. Ai arrinte të dilte vetëm gjatë orëve të natës, ndërkohë që për sa i përket lëvizjeve gjatë orëve të ditës, Tragaj i shmangte ato të gjitha. Mirëpo edhe pse ka qëndruar pa lëvizur, dikush nga fqinjët ka tradhtuar Leonard Tragaj, duke njoftuar policinë e Durrësit për prezencën e tij në një zonë të banoar në Plazh. Kaq ka mjaftuar që agjentë të policisë, të bëjnë rrethimin e pallatit ku ndodhej apartamenti dhe më pas kanë vendosur të trokasin tek dera. Sapo, Tragaj ka bërë hapjen e derës, menjëherë ai është ndaluar nga agjentët e policisë, po bërë asnjë rezistencë. Më pas ai është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, ndërkohë që ditën e hënë 33-vjeçari pritet të dalë përpara gjykatës së Kavajës, ku do të njihet me masën e sigurisë “Arrest në burg” të marrë ndaj tij në mungesë.

Krimi i dyfishtë në Golem

Masakra me armë ndodhi në afërsi të një resorti turistik në bregdetin e Malit të Robit. Ngjarja tragjike, që kishte si motiv konfliktet e pronësisë, përfundoi me dy të vrarë dhe dy të plagosur si dhe kërcënoi seriozisht jetën e qindra pushuesve, të cilën ndodheshin për t’u relaksuar në këtë zonë mjaft të frekuentuar. Sipas policisë, sherri i nisur mes pjesëtarëve të familjes Tragaj dhe Shehu, pretenduese të sipërfaqes së tokës që shtrihej para resortit, degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit. Ardian Tragaj, piktor abstraksionist, qëlloi mbi pjesëtarët e familjes Shehu, të cilët e kërcënonin me armë për atë pjesë toke, të cilën ai e konsideronte të tijën. Për pasojë, mbeti i vrarë Sulejman Shehu dhe Durim Pashallari. Ky i fundit ishte roje në objektin e Tragës, dhe është vrarë aksidentalisht prej tij. Të plagosur mbetën gruaja dhe djali i viktimës Shehu, përkatësisht Erion dhe Beglie Shehu. Ndërkohë që nga hetimet e kryera është konstatuar se në krim ka marrë pjesë dhe vëllai i piktorit, shtetasi Leonard Tragaj, i cili në atë periudhë është larguar nga vendi i krimit duke mos rënë në prangat e policisë.

 

Heroina në Vlorë

Policia kap tre shpërndarësit brenda në qytet

Policia e Vlorës ka vënë në pranga tre persona për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në kuadër të operacionit të koduar “Autostrada”. Altin Rrushiti, 33 vjeç, Adriatik Salaj, 31 vjeç, dhe Admir Karajani, 35 vjeç, u kapën duke u shitur heroinë përdoruesve të drogës. Policia sekuestroi në cilën e provës material edhe 60 doza heroinë, në zotërim të të arrestuarve. Sipas burime të policisë së Vlorës, tre personat kryenin shpërndarjen e lëndës narkotike në zona të ndryshme të qytetit. Nisur nga kjo situatë, tre personat e ndaluar janë marrë në pyetje lidhur me mënyrën e sigurimit të lëndës narkotike dhe shpërndarjes së saj. Por pavarësisht insistimit të agjentëve të policisë, tre shtetasit e mësipërm nuk kanë pranuar të tregojnë personin nga e blinin heroinën të cilën më pas e shpërndanin në zona të ndryshme. Policia tha se ka sekuestruar aparatet celularë të shpërndarësve, për të mësuar rreth personave që kanë biseduar në telefon.

Situata në burgje

505 të dënuar që janë punësuar në burg, nuk paguhen

Rreth 505 të dënuar të punësuar në burgje,nuk paguhen prej vitesh. Shqetësimi ngrihet nga zyra e Avokatit të Popullit, e cila kërkon ndërhyrjen e menjëhershme për respektimin e ligjit. Zëvendëskomisionieri për Burgjet, Harallamb Bano, thotë se ky është një cenim i rëndë i të drejtave të të dënuarve. “Sot në burgje punojnë rreth 505 të dënuar. Ka disa qëndrime të gabuara që ne jemi munduar t’i korrigjojmë nëpërmjet rekomandimeve që i kemi dërguar prokurorit të përgjithshëm. Ka një urdhër të prokurorit të përgjithshëm i cili ka urdhëruar të gjitha prokuroritë që t’u heqin shpërblimin e punës që u jepet të dënuarve sipas një dekreti të vitit 1989”, – thotë Bano. Ligji parashikon që të dënuarit e punësuar brenda sistemit të burgjeve të përfitojnë 3.9 ditë ulje dënimi, për çdo muaj pune si dhe një shpërblim simbolik në para.

 

Rrëshqitje dheu

Tepelenë, vështirësi qarkullimi në rrugë

Sërish rrëshqitje dherash në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, 200 m nga Uji i Ftohtë. Autoritetet e qarkullimit rrugor njoftojnë se nuk është bllokuar rruga, por ka vështirësi në lëvizje, pasi është shkaktuar baltë e madhe. Shirat e rënë gjatë natës, por edhe ditët e fundit kanë krijuar një situatë problematike në këtë aks rrugor. Për gjatë ditës së djeshme ka pasur disa momente kur në rrugë kanë rrëshqitur dhera, duke bërë që kalimi i mjeteve të ndërpritet për disa minuta me radhë. Disa fadroma kanë punuar për largimin e masivit të dheut dhe baltës së krijuar, duke mundësuar pastrimin e rrugës. Ndërkohë që shumë nga drejtuesit e mjeteve që ishin nisur në drejtim të Sarandës, kanë refuzuar kalimin në këtë rrugë, duke zgjedhur Llogoranë dhe rrugën e ndërtuar së fundi nga Vlora, Himarë dhe më pas në Sarandë.

 

 

Ngjarja në mëngjesin e djeshëm në Durrës, në kërkim autorët

Konflikti banal, dy persona hakmerren ndaj

tregtarit, i vënë tritol në derën e dyqanit

Një sherr për motive banale ka bërë që dy persona në Durrës të hakmerren ndaj një tregtari, duke i vendosur tritol në derën e shtëpisë. Ngjarja e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të djeshëm në zonën e Drejtorisë së Hekurudhës, ku nga shpërthimi i fuqishëm pati vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht jo në njerëzNë momentin e shpërthimit në objekt nuk ka pasur asnjë person. Pronari i dyqanit thotë se nuk ka konflikte me askënd dhe me ta dëgjuar shpërthimin ka njoftuar policinë. Ndërkohë, drejtues të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se janë identifikuar autorët e dyshuar të këtij krimi me objekt shkatërrimin e pronës. Nga hetimet e para, bazuar dhe në dëshmitë e marra, rezulton se motivi i ngjarjes është një konflikt banal mes të dyshuarve dhe pronarit të dyqanit. Megjithatë, ende nuk ka të ndaluar, por vetëm persona të shoqëruar, ndërsa vazhdon kryerja e procedurave hetimore për fiksimin e provave dhe dokumentimin e ngjarjes. Gjatë marrjes në pyetje pronari i dyqanit ka treguar se gjatë gjithë jetës së tij nuk ka pasur asnjë konflikt, ndërkohë që kohët fundit kishte bërë debat me dy persona, ku shkak ka qenë një grindje joserioze, por banale. Nisur nga kjo situatë, hetimet e policisë tashmë janë përqendruar tek dy personat e identifikuar nga uniformat blu, të cilët ende nuk janë arrestuar për shkak të largimit nga banesa e tyre. Policia ka kryer kontrolle në disa lokale dhe zona që frekuentohen zakonisht nga dy personat e dyshuar, por s’ka mundur të lokalizojë dhe arrestojë ata.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency