Berisha: Frika e Ramës për statusin, miliona euro humbje për shqiptarët

0
139

Ina Jano

berishaTë rinjtë, faktor kryesor në fitoret e PD-së. Qeveria, e gatshme të bëjë gjithçka për arsimin, internet në çdo klasë

 

Frika e kreut të Partisë Socialiste se do të humbasë zgjedhjet, nëse merret statusi i vendit kandidat është duke penalizuar të gjithë qytetarët e tjerë, pasi ata janë duke humbur miliona euro investime, që do të përktheheshin në projekte në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe shërbime. Kështu ka deklaruar ditën e djeshme Kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi që ka pasur me gjimnazistë të kryeqytetit. Ndër të tjera kreu i mazhorancës nënvizoi se ligjet janë duke mos u votuar sepse nëse statusi merret, për kryesocialistin Rama kjo është një humbje e zgjedhjeve. “Ligjet nuk votohen se zoti Rama mendon se duke marre statusin ai humbet zgjedhjet. Por nga mosmarrja e statusit humbasin miliona euro përfitime direkte dhe indirekte. Të rinjtë humbasin procedura lehtësuese për të konkurruar në shkolla dhe universitete të BE”, – tha Berisha. Sipas zotit Berisha ka disa arsye pse statusi është tejet pozitiv. “Së pari, sepse, nëse konsiderohesh vend me statusin e vendit kandidat për në BE, ky është një lajm pozitiv për gjithë investitorët e huaj. Unë dua t’ju informoj se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ka qenë ndër faktorët më kryesorë që ka rritur 300 për qind investimet e huaja në Shqipëri, sepse për biznesmenin apo sipërmarrësin e huaj, kur sheh se Shqipëria është anëtar i NATO-s, do të thotë se ka siguri të shkojë e të investojë. Por nëse do të shihte se Shqipëria është edhe vend i NATO-s, edhe vend me statusin kandidat në BE, kjo është siguri edhe më e madhe për atë. Së dyti, vet statusi ka një implikim direkt në raport me Komisionin Evropian. Fondet nga Komisioni Evropian rriten rreth 150 euro për frymë, çka nuk janë pak. Së treti, të rinjtë shqiptarë kanë mundësi të aplikojnë në universitete të vendeve anëtare më lirshëm dhe të gjejnë aty të drejta studimi, pse jo edhe bursa, në kushte më të favorshme. Po kështu, edhe për të sëmurët që duan të shkojnë të spitale më të specializuara e moderne”, – deklaroi Kryeministri.

Të rinjtë

Duke u treguar se të rinjtë janë faktori kryesor në të gjitha fitoret e Partisë Demokratike, kreu i qeverisë tha se ata janë një faktor pozitiv dhe qendror në të gjitha këto fushata zgjedhore që janë mbajtur në vend. “Në planin tim të ardhshëm, por edhe në këtë që është sot, por dua ta them këtu hapur, për sa kohë unë të jem në pushtet, nuk mund të kem përparësi më absolute sesa axhenda e rinisë. Nuk kam pasur dhe nuk kam aleatë më të shkëlqyer sesa të rinjtë e këtij vendi, të cilët kanë qenë faktorë përcaktues në të gjitha fitoret e Partisë Demokratike”, – shtoi kreu i qeverisë.

Arsimi

“Axhenda jonë, së pari, është përpjekja për një shkollim masiv dhe cilësor. Është përpjekja për një punësim me përparësi i të rinjve. Ju jeni dëshmitar se qeveria ka shpallur nismën që, për çdo të ri që punësohet për herë të parë, qeveria do të marrë përsipër të paguajë për 3 vite sigurimet shoqërore për të dhe sipërmarrësi të mos paguajë asnjë taksë”, – vijoi kreu i ekzekutivit.

Shqipëria dixhitale

“Shqipëria mobile” është projekti i katër viteve që vijnë, që është një qelizë e projektit “Shqipëria dixhitale”. Kështu pohoi dje kreu i qeverisë të gjithë të rinjve që ishin në bashkëbisedim me të. Ndër të tjera lideri i mazhorancës u shpreh i bindur se “Shqipëria mobile” do të jetë një lehtësi për të gjitha aspektet. “Nga 17 lloje tarifash që kanë ekzistuar, sot janë 134 lloje. Po të shtojmë këtu edhe të preferuarat tuaja si What’s App, Skype etj., biem dakord që, në tërësi, problemi i komunikimit është zgjidhur pa dhimbje koke dhe ju komunikoni qindra e mijëra herë më shumë se sa komunikonim ne, jo në moshën tuaja, por edhe pasi kishim përfunduar universitetin, ose deri para 20-25 viteve. Por paralel me këtë, është bërë një punë shumë e madhe me internetin, nga 34 mega bite në sekondë, sot, në këtë moment importohen 44 giga bite në sekondë dhe sot ekzistojnë kapacitetet e autostradës që inauguruam para dy muajsh, për 130 giga bite. Ju, me të drejtë, prisni që të ulen akoma çmimet dhe unë ju jap fjalën se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që të ulen çmimet e internetit në maksimumin e mundshëm. Përveç faktit që po furnizohen me internet falas, qysh dje kur u inaugurua projekti përkatës, 1250 zyra në mbarë vendin, ne do të shkojmë duke i shtuar ato, në mënyrë që çdo i ri, çdo qytetar, të mund të lundrojë në internet. Por hap akoma më i madh do të jetë ai kur ne të lidhim me telefonin tuaj, me telefonin e qytetarit, të gjitha shërbimet e këtij shteti, të gjitha të dhënat e tij. Kjo do të fillojë shumë shpejt. Javën që vjen ju do të shihni që do ne procedojmë me mobile tax, me taksën e telefonit dhe biznesmenët do të mund të paguajnë taksën dhe të kontrollojnë taksën e tyre nëpërmjet kësaj mënyre. Gjatë muajve që vijnë, ne do të bëjmë të mundur që çdo transaksion i parave të bëhet me celular. Atë që ne e quajmë “One Stop Shop” për shërbime, do ta kemi tashmë jo vetëm në kompjuter, por edhe në celular”, – tha kryetari i qeverisë.

Facebook

Si një përdorues i mirë i Facebook-ut, kreu i qeverisë i ka lejuar vetes që t’u japë disa këshilla gjimnazistëve të kryeqytetit. Edhe në rolin e një prindi ai u tha nxënësve se i mirëkupton shqetësimet e familjarëve të tyre për kohën që fëmijët kalojnë në Facebook, por nga ana tjetër u shpreh se kjo është një gjeneratë komunikimi dhe mund të quhet një mrekulli. “Është e faktuar nga studimet serioze psikologjikë se lidhja njëri me tjetrin me këtë mënyrë komunikimi është një faktor shumë pozitiv dhe ndihmon në pasurimin kulturor, në zhvillimin, është pozitive në konfortin e jetës etj. Lidhja e zakonshme është e llogaritur në një rreth të ngushtë, ndërsa FB është me qindra e mijëra miq, me të cilët ndan shumë gjëra. Por para së gjithash, ndan dijet. Me komentet, opinionet, çdo njeri pasurohet. Krahas kësaj, interneti, koha që ju harxhoni në internet, është kohë në të cilën ju qëmtoni të vërteta, përpiqeni të gjeni të vërteta. Dua t’ju them diçka shumë private, po shikoja një ditë historikun në FB të njërës prej mbesave të mia. Aty unë pashë që ajo kishte mbledhur literaturë për origjinën shqiptare të Napoleon Bonopartit. Është a nuk është shqiptar kjo është histori tjetër dhe le t’ua lëmë historianëve, por për hir të së vërtetës, disa nga burimet e mbledhura aty ishin jashtëzakonisht serioze. Imagjinoni ju se çfarë avantazhi është kjo për ju. Një ditë unë vizitova një gjimnaz dhe mësuesja, duke e ditur që unë jam kardiolog, kishte përgatitur si mësim në atë orë funksionin e zemrës. Kur unë pashë në tabelën dixhitale zemrën, mu kujtua koha ime student, që mund të më duheshin edhe 5-6 muaj punë me tablotë, që të arrija të kuptoja atë që nxënësi i sotëm kuptonte për një çerek ore, me të gjithë rrugën, krijimin, formimin e impulseve, kalimin e gjakut, etj. Pra, ju sot jeni në një rrafsh dijesh shumë më të lartë sesa paraardhësit tuaj dhe, në një kohë shumë më të shkurtër, ju akumuloni dije shumë më tepër sesa akumulonin paraardhësit tuaj”.

 

Kryeministri – Goldstein: Kaskada e Devollit sjell punësim dhe rritje ekonomike

Kryeministri Berisha u takua dje me drejtoren e re të Bankës Botërore, Ellen Goldstein, e cila është duke zhvilluar një vizitë në vendin tonë. Të dy bashkëbiseduesit, duke vlerësuar marrëdhëniet shumë të mira dhe pozitive, u shprehën se projektet të rëndësishëm do të vijojnë të mbështeten nga BB. Duke u ndalur në ato që janë duke u realizuar deri më tani, zonja Goldstein nënvizoi faktin se kaskada e Devollit do të sjellë një rritje të punësimit, por do të ndikojë edhe në rritjen ekonomike. Kështu lideri i mazhorancës e njohu drejtoreshën e BB-së edhe me të gjitha mundësitë që ofron vendi ynë për të gjithë investitorët, por nuk la pas edhe të gjitha hapat që qeveria ka ndërmarrë në të gjithë këta vite dhe muaj për ti rezistuar krizës ekonomike. Në këtë pikë Goldstein tha se kjo që po kalon globi është një sfidë e madhe për të gjitha qeveritë dhe ajo shqiptare ja ka dalë, pasi vijon që Shqipëria të ketë rritje ekonomike. Megjithatë sipas saj nuk duhet të ulet mbrojta dhe duhet që qeveria të mbajë nën kontroll të rreptë të gjithë treguesit makroekonomikë. Ajo i shprehu Kryeministrit kënaqësinë e madhe që vizitonte Shqipërinë dhe për faktin se kishte konstatuar ndryshime të mëdha dhe shumë të dukshme impresionuese, ekonomike dhe shoqërore. “Ndihem krenare që shoh gjithashtu që partneriteti i qeverisë shqiptare me Bankën Botërore është mishëruar në kaq shumë projekte të dukshme infrastrukture, konsulence dhe asistence”, – u shpreh znj. Goldstein. Ajo e falënderoi kreun e qeverisë personalisht për mbështetjen e madhe, dhënë projekteve të Bankës Botërore, në mbështetje të prioriteteve të përbashkëta të qeverisë shqiptare dhe të Bankës Botërore, projekte të tilla madhore si; programi për sigurimet shoqërore, për regjistrin e pronave të paluajtshme, projekti i inspektimeve etj. Në këtë aspekt, drejtorja e Bankës Botërore e vlerësoi qeverinë shqiptare si një partner shumë i përgjegjshëm dhe produktiv në zbatimin e projekteve, duke mundësuar përdorimin e instrumenteve gjithnjë e më efektiv, që çojnë përpara vendin drejt aspiratave të tij në BE.

 

Meta: Rritja e eksporteve dhe e punësimit, objektiva të LSI-së

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka vazhduar takimet e tij me sipërmarrës, ku është ndalur në një kompani mjaft të suksesshme të përpunimit të lëndëve të para për industrinë e sallamit në Lezhë. Gjatë takimit me drejtues dhe punëtorë të këtij të këtij aktiviteti, Meta tha se nxitja e eksporteve është një prioritet i LSI-së dhe sipas tij duhet të jetë prioritet kryesor në Shqipëri pasi garanton një ekonomi më të fortë dhe më të qëndrueshme. Sipas tij një sukses i kompanive të tilla është sukses për mbarë vendin dhe për të gjithë shqiptarët pasi garanton ruajtjen e vendeve të punës dhe mundëson hapjen e fonteve të reja të punësimit. “Tashmë prioriteti për të nxitur eksportet duhet të jetë një prioritet kryesor për të garantuar një rritje ekonomike të qëndrueshme, për të rritur konkurrueshmërinë të ekonomisë sonë dhe të kompanive tona dhe si një burim punësimi për komunitetet. Ndaj edhe interesimi im, dhe i kolegëve të tjerë është gjithmonë edhe në rritje për të mbështetur këtë industri përpunuese në vendin tonë për të krijuar lehtësira më të mëdha për eksporte nga vendi ynë drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian dhe në tregjet ndërkombëtare, në mënyrë që të kemi një klimë më të fuqishme të bizneseve shqiptare, të kompanive shqiptare në tregjet ndërkombëtare sepse suksesi i tyre është suksesi i ekonomisë së vendit tonë, është suksesi i mijëra e mijëra të punësuarve, të cilët jo vetëm ruajnë vendet e punës, por të cilët presin të bashkohen edhe shumë të tjerë në këto fronte të reja pune”, – tha ndër të tjera nga Lezha, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Kreu i LSI-së më tej e cilësoi përpunimin e lëndëve të para për industrinë e sallamit si një aktivitet të ri në vendin tonë i cili tregon se me një shpirt sipërmarrjeje dhe iniciative kurajoze, aktivitete të tilla mund të vijnë në Shqipëri, mund të kenë sukses, si në tregun vendas ashtu edhe në tregun ndërkombëtar duke krijuar dhjetëra vende të reja pune, por njëkohësisht duke rritur potencialet eksportuese të Shqipërisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency