Si ta shpëtojmë markën shqiptare

0
198

fugaArtan Fuga

 

 

Biznesi bën sikur bën reklamë në media. 
Mediat bëjnë sikur reklamojnë biznesin.
Biznesi bën sikur paguan median për reklamën që i bën.

Klienti në punën e vet,
tregjet rrudhen,
ekonomia nuk ka dinamikë.


Kurse qytetari nuk merr as reklamë e as informacion për të qenë sepse në krizë, sistemi i agjencive të informacionit shet reklamën dhe marketingun ekonomik dhe politik për informacion.

 

            Në vazhdim të idesë se një shërbim më i mirë marrëdhëniesh publike dhe marketingu për mallrat dhe shërbimet e ofruara nga bizneset shqiptare do ta gjallëronte ekonominë vendase, më vjen ndërmend diçka: Ne për çdo vit kemi konkursin “Miss Albania”, nuk ka asgjë të keqe. Por, në këtë shembull mund të kishim edhe konkursin për farën më të mirë të domates në vend, për qumështin më të mirë, për lopën më “Miss” shqiptare, edhe për Mister kalin, dashin, gomarin e kështu me radhë.

E vërteta është se herë pas here bëhet ndonjë panair, por ai mbetet i mbyllur brenda mureve të Pallatit të Kongreseve, sepse media e shkruar apo televizive i qëndrojnë shumë larg.

 

+++

 

Kohët e fundit pata rastin dhe gjeta kohën të lexoja një libër që në Shtetet e Bashkuara është bërë prej kohësh bestseller në fushën e marketingut dhe marrëdhënieve publike në biznes.

Autori quhet Gary Vaynerchuk dhe libri “Crush it!” Më tërhoqi fakti sepse në shumë lista bibliografike konsiderohej si një titull i domosdoshëm për t’u konsultuar.

Cili është autori i tij?

Mos mendoni se është ndonjë profesor i marketingut apo i marrëdhënieve publike në ndonjë universitet. Është thjesht një burrë në moshë të re që përdori mediat online për të bërë reklamën e dyqanit dhe biznesit të tij të shitjes së verës. Nëpërmjet Facebook-ut etj., arriti ta çonte shumën e kapitalit në qarkullim në disa dhjetëra e qindra miliona dollarë. Dhe pasi bëri këtë me një sukses të madh, pa se mund të fitonte edhe më shumë duke botuar edhe një libër të thjeshtë ku të tregonte përvojën e tij sesi mund të bësh një biznes të suksesshëm.

Fitimet nga shitjet e librit ishin edhe ato të konsiderueshme.

Gary tregon se si e nisi dhe e ndërtoi me sukses marketingun e tij.

Po ndalem vetëm një rast:

Ishte dita e Krishtlindjeve. Punëtorët dhe administratorët e biznesit kishin ikur tashmë nga puna pak më herët atë ditë. Sapo kishte kaluar dreka dhe Gary po bënte punët e fundit në zyrë. Kur papritmas i zuri syri në adresën e tij elektronike që një kliente, një grua shumë e moshuar, katolike e mirë, kishte bërë një ankesë. Kolia me disa shishe vere ende nuk i kishte mbërritur në shtëpi, ndonëse e kishte bërë porosinë prej disa ditësh. Ajo ndihej e shqetësuar, e moshuara, se si do ta festonte natën e Krishtlindjeve pa një gotë vere përpara.

Çfarë të bënte?

Punonjësit e sektorit komercial nuk ishin në punë. Atyre kjo ankesë u kishte shpëtuar për momentin. Gary Vaynershuk merr një vendim të shpejtë dhe pa hezitim. Ai, pronari i një biznesi prej disa dhjetëra milionësh dollarë fitimesh në vit, atë pasdite, ndërkohë që familja e pret në shtëpi për të festuar, vendos të kryejë detyrën e shpërndarësit. Ngarkon kolinë me shishe vere në fuoristradën e tij dhe kalon qindra kilometra rrugë në një shtet tjetër, duke trokitur pas nja tri orësh te porta e shtëpisë së të moshuarës. Kërkon edhe falje në emër të firmës së tij. Përsëri edhe tri orë rrugë për kthim mes borës, ngricës, tufanit.

Morali: Klienti është “mbret” edhe kur është një grua plakë që ndoshta nuk do të ketë kurrë rast të ankohet te dikush për të prishur reputacionin e ndërmarrjes. Ishte edhe një mesazh, shprehet Gary, edhe për stafin e brendshëm, i cili kuptoi edhe një herë tjetër se para klientit dhe imazhit të markës, nuk ka asnjë festë që mund të ketë prioritet.

 

+++

 

Nisa sa për një “gërvishtje” të lehtë të shoh se çfarë bëjnë bizneset shqiptare, ato që vërtet kanë një lloj suksesi, për marketingun dhe marrëdhëniet e tyre me publikun.

Amatorizëm i pafund, edhe në rastin kur web site ekziston. Nuk po flas për dhjetëra e dhjetëra e qindra e qindra që as kanë fare komunikim online. Ja çfarë marketingu bëjnë – thashë vetes – dhe pastaj kur nuk shohin asnjë rezultat që andej, sigurisht nisin të mendojnë se strategjia dhe praktikat e komunikimit të biznesit nuk sjellin ndonjë fitim shtesë, ndonjë vlerë të shtuar të produktit.

Çfarë drame?!

Kërkon një histori për kompaninë, (historia dhe historiku janë dy koncepte të ndryshme në marketing) nuk e gjen. Kërkon të dhëna për personelin, burimet e furnizimit, për kredon e saj, për historikun, për traditat, përmbajtjen e produktit etj. , asgjë. As bëhet fjalë për komunikim interaktiv me klientin. Teskte pa fund të gjata, a thua se klienti është ndonjë studiues arkivi dhe ka më shumë se 10 deri 20 sekonda kohë për të vendosur nëse do ta vazhdojë leximin ose jo.

Nuk di shpeshherë asnjë pikë kontakti telefonike për t’u drejtuar te dikush i biznesit.

 

+++

Por se mos dikush i formoi bizneset shqiptare në fushën e marketingut dhe marrëdhënieve publike. Departamenti i Komunikimit në Universitetin e Tiranës po kërkon prej disa muajsh të ofrojë shërbimin e vet profesional në këtë fushë dhe ende nuk ka arritur të çajë murin e heshtjes që vjen nga një botë biznesi që nuk kupton se sa humbet duke e bërë shkel e shko ose aspak fare marketingun e shërbimeve të veta.

Kam ndrojtje se marketingu nga shumë menaxherë kuptohet gabim, ose si një përpjekje për ta mashtruar klientin dhe merr formën e shëmtuar të mashtrimit televiziv, ose si një lavdërim mburravec dhe shqiptari, si burrë zamani që do të duhej të ishte, nuk mund të mburret.

Këtu ne vijmë te kufijtë dhe barrierat kulturore të shoqërisë sonë aktuale për të zhvilluar marketingun si investimi kryesor indirekt në ndërmarrjen normale. Praktikat mashtruese të një reklamimi fals sidomos në media jo vetëm janë pa efekt dhe rendiment, por edhe shkaktojnë ilaritet te publiku dhe e nervozojnë atë. Nga ana tjetër, dihet se në çdo operacion marketingu ka një paraqitje të produktit të ofruar në një kënd pozitiv dhe kjo është më se normale.

Një student imi dikur më ankohej se duke qenë besimtar, ai nuk ndihej mirë që po vazhdonte studimet për marketing, sepse, sipas tij, reklamat ishin paksa të tepruara kur paraqesin produktin, i dukeshin jo gjithmonë aq të vërteta sa do të donte ai, besimtari i pastër, që ato të ishin. Aq më pak i dukej se ftohej njeriu – klient drejt shpenzimeve materiale dhe jo drejt vlerave shpirtërore.

Çfarë kërkon nga unë? – e pyeta.

Një këshillë? – m’u përgjigj.

Atëherë – i thashë shkurt – ose hiq dorë nga feja, ose hiq dorë nga studimet në marketing, mund të zgjedhësh një degë tjetër.

Marketingu nuk është arti më i përshtatshëm për të ruajtur besimin te Zoti. Ka të tjera agjenci që merren me këtë punë.

 

+++

Ka vend që një punë trajnuese ta bëjnë dhe disa agjenci publike për të mos folur se ka vend për një aktivitet shumë të gjerë si agjencirash konsultimi ashtu edhe organizatash joqeveritare për të dhënë ndihmesën e vet në këtë drejtim.

Mirë mediat private ndofta kërkojnë shumë investim financiar për të kaluar aty një reklamë, dhe kjo ndofta është e pamundur për biznesin e vogël dhe të mesëm, por përsëri gjendja nuk duket e pashpresë. Në fillimi mund të thuhet se mediave private fare mirë mund t’u vendosen kuotat për raportin mes transmetimit të reklamave për produkte të huaja dhe atyre shqiptare. Nuk do të kishte asgjë të keqe. Pastaj, do të thuhej se për marketingun e biznesit të vogël dhe të mesëm më interesant do të ishin mediat private lokale, televizionet lokale, sesa mediat private me mbulim të territorit kombëtar. E më në fund, çfarë e pengon median publike, radiotelevizionin kombëtar të krijojë hapësira shumë të gjëra pikërisht për promovimin e markës shqiptare? Asgjë. Edhe kanale të veçanta marketimi të produkteve dhe mallrave shqiptare mund të hapen, për të mos folur për emisione cilësore.

Ka ardhur koha që të kuptojmë se transmetimi i informacionit nuk është aspak funksioni i vetëm i medias. Mediat janë një instrument i fuqishëm zhvillimi ekonomik ku marketingu luan një rol parësor.

 

+++

 

Mirëpo marketingu i integruar nuk mundet kurrësesi të barazohet me reklamën, aq më pak vetëm me informimin televiziv.

Po aq rëndësi ka ndërtimi hapësinor i imazhit të biznesit dhe sidomos lehtësia dhe siguria e transaksioneve financiare online.

Produktet shqiptare dhe shërbimet e ofruara nga biznesi shqiptar sigurisht që gjenden në lokalet më pak të mira dhe shpesh aspak ndjellëse dhe që të shtojnë besimin te mallrat që paraqiten. Mjafton të shohim tregjet e produkteve bujqësore në qytete apo mjaft shitore ku tregtohen produktet e mishit. Sidomos tregjet e ashtuquajtura fshatare, sepse në fakt aty nuk kemi shitje direkte nga prodhuesi, lenë shumë për të dëshiruar. Fruta dhe zarzavate në mes të pluhurit, banakët e papatër, mungesë e plotë infrastrukturash frigoriferike, dhe asnjë kontroll higjenik mbi origjinën dhe prejardhjen e mjaft produkteve.

Për sa i përket lehtësimit të transaksioneve financiare gjendja paraqitet problematike. Është ende shumë i vogël, ndofta fare i paqenë, shërbimi i blerjeve me karta bankare elektronike, në rrjetin tregtar që ofron produkte shqiptare dhe shërbime nga biznesi shqiptar. Sigurisht ministria e financave apo Banka Kombëtare sipas kompetencave duhet të nxisin që bankat e nivelit të dytë të lehtësojnë pajisjen e të gjithë klientëve me mundësinë e pagesave në linjë. Një element i tillë do të rriste shpejtësinë e transaksioneve financiare dhe do të zgjeronte rrethin e klientëve.

———————–

Nga debati në Facebook: Artan Fuga

Bora Loveuforever Plotesisht e vertete.

Klodian Lleshi eh sa e vertet eshte kjo,un kam mbaruar per menaxhim dhe kam kerkuar per pune menaxhim& marketing?dhe pergjigjia qe kam marr nga pronaret qe menaxhimin e bej vet,ndersa pjesene marketingut me rret gruaja se promocioni pune ngjyrash eshte,pastaj nuk kemi pune fillojne ankesat shteti,kriza etj?me te vertet gjynah.

Silvi Bakiri Problemi me sipermarresin shqiptar eshte se e sheh edhe marketingun me syrin e nje mardhenie te thate tregetie; ku investon per makinerite e pajisjet ,per personelim dhe ne fund paguhesh per mallin qe shet. Problemi qendron se ndersa ne nje akt biznesi ti shet dhe gjeneron fitime brenda nje periudhe relativisht te shkurter, ne marketing duhet pak kohe qe t’i shohesh frytet “investimit” (per krijimin e nje marke qe garanton sukses afatgjate). Kjo kohe shpesh perceptohet si humbje parash e jo si investim. Prandaj eshte mire qe biznesmenet/sipermarresit te jene edhe te shkolluar, ose se paku te kene informacion. Fitimi i marketingut “preket” pas 6 muajsh ne nje fushate agresive dhe pas 1-2 vjetesh ne nje fushate publicitare te thjeshte. Media elektronike ka marre hov dhe ka kosto shume me te ulet. Sikur kaq te kuptojne, do ishte e zgjidhur.

Ardi Omeri Mentaliteti edhe i te rinjeve le per te deshiruar prof. Me ka rastisur te dergoj vajza tereja tek nje tv privat per te bere agjente marketingu. I kam ofruar 40% te reklamave qe do siguronin me data-base timen dhe kliente te vjeter miq. Nuk e bene, duan gjithshka shpejt dhe kesh ne dore.

Silvi Bakiri Shume dakord me Klodianin.

Blendi Meshi Une do pyesja nese ka shoqeri qe ofrojne sherbimin e marketingut.Nqs specialistet e marketingut nuk dine ti bejne marketing biznesit te tyre nuk mund te jene te afte te bejne as marketingun e bizneseve te tjera.Per bizneset e mesme dhe te vogla eshte e tepert te punesojne me kohe te plote nje specialist marketingu.Shoqerite e marketingut do te ishin me efikase.Nje shoqeri marketingu mund te kishte shume kliente njekohesisht duke bere te mundur uljen e kostos se marketingut per bizneset dhe rritjen e fitimeve te tyre.Gjithashtu pagesa duhet te jete per arritje konkrete nga marketingu,gje qe do ulte rriskun e biznesit per pagese te padobishme per marketing.

Riva Ramos Nocioni I marketingut ne Shqiperi akoma nuk ze rendesine qe meriton ne bizneset Shqiptare,,Jane sh faktore,por kjo lidhet se shumti me koncepti qe ka pronari ne lidhje me stimulimin per shitjen e produktit,thjesht dorezohen e mjaftohen duke thene-na ka rene puna..kriza etj..Vertat ekzistojne probleme te shumta por nje kompani prodhuese ,ne ditet e sotme ku konkurenca si ne menyre te ndershme apo dhe te pandershme eshte mjaft e larte e ka sh te veshtire te lancoje nje produkt ne treg e aq me teper te mbaje vazhdimesine nese nuk analizon nje sere faktoresh qe kane te bejne ,me konsumatorin e nevojat e tij,tregun,cilesia qe nevojitet ne raport me cmimin e plot gjera te tjera qe vetem njerezit marketingut ne bashkepunim me ata te shitjeve mund ti japin nje orientim te duhur..

Artan Fuga Punesimi eshte ne forma te ndryshme, si sherbim, me kontrate te perkoheshme, me nenkontraktim, etj etj. Ceshtje e dores se trete. Fillimisht biznesi ka nevoje te kuptoje sa pa marketingun e integruar eshte i verber, pa gojë, dhe pa veshë.

Silvi Bakiri Jemi akoma te fletepalosjet poshte dere qe i sheh nje here dhe i shtyn me kembe…merre me mend sa driteshkurter jane keta qe kujtojne se bejne reklame. Mungon jo vetem origjinaliteti por edhe dobishmeria. Ose hidhen kot parate ose nuk hidhen fare. (Punojne kuturu pa strategji ose nuk punojne fare).

Riva Ramos Sh e drejte Profesor,por vetem nje nr I kufizuar njerezish qe administrojne ndermarrje apo kompani e njohin apo I japin rendesine e duhur Marketingut,ketu ne Shqiperi,sepse u duket si nje sektor I tepert ,qe te kene ne administratat e tyre,qe thjesht japin ide ..Por mendoj qe sot nje produkt mund ta prodhosh por veshtire ta shesesh..Kreativiteti e mban gjalle nje biznes..

Vladimir Mustaqi Koka kola, Pepsi, Findus, Adidas, Costa Crocera etj. 60% te kostos e kane promocione te artikullit. Sipermarsit ne Shqiperi
duhet te kuptojne kete rendesi, te pakten te kene miresine qe te shpenzojne vetem 30% . Te largojne mendesine se fitimi duhet te jete 100% pa shpenzim.

Bledis Agolli Po njerez qe kemi ne usa, dhe shpesh here thone 2 pako kafe na dergoni, andej kafeja me shumice e nga me cilesoret por thjesht duan dicka qe e kane pire per nje jete te gjate, njesoj sic mund tu shitej ne treg kalendare me kulla gjigande ku jetojne apo nje kalendar me germadhat e shpiperise ku kane jetuar, sigurisht do blinin kte te dytin, logo ne cdo produkt do ndihmonte shume tregetaret dhe do ishte nje reklame falas per shqiperine te avanconte me shume ne tregun e huaj, gjith te mirat do kishte si per prodhuesin si per shtetin.

Miranda Piperi Kenaqesia me e madhe e imja kur shkoj te vizitoj ndonje muze, apo qender historike, etj.te ngjashme, si ne Shqiperi, dhe jashte saj, dhe hapi i pare qe do bej ,eshte te blej broshura, fletepalosje, udhezues, libra qe permbajne info per muzete, historine e atij qyteti, te ilustruara me fotografi, me permbledhje te historikut etj. Jane materiale shume te adhuruara te biblotekes time . I ruaj me shume dashuri, i lexoj e rilexoj, nuk mungoj kurre te terheq prej tyre kur ato jane falas, apo dhe t’i blej kundrejt dhe cmimesh shume te larta, sepse ato nuk kane cmim kur mendon se ti ke shkuar nga ana e anes per te pare nje x veper, nese ti nuk di historine e saj paraprakisht , njesoj sikur mos ta kishe pare fare…

Bledis Agolli Pasaj shqiperia eshte dhe si kto vendet egzotike qe jane njohur me vonese, dhe kane dyndje te madhe, jo se njerezit skane pare vende me te bukura por shtyhen duan ta njohin dicka qe se kane njohur me pare si dicka te re. Dhe ne, na ka dale nami kot per shume gjera, por produktet shqiptare tregu i huaj si ka njohur asnjehere pothuajse, si fillim do i blinin thjesht per inerci ta njohin, por dhe nese do kishin standartet dhe cilesine e duhur do terhiqeshin shume.

Miranda Piperi …eh Shqiperia…a thua qe te gjithe besojne se ajo “eshte njohur me vonese “?? Une nuk besoj qe te gjithe besojne se ajo eshte njohur me vonese… Shqiperia “nuk eshte me vonese” per t’u renditur neper axhendat e VIZITORIT…Shqiperia eshte djepi nga ku duhet te filloje “vizita” per t’u hapur me pas, si “ato rrathet qe formohen ne uje ” …nejse se dola krejt nga tema e specave, dhe recelrave..
P.sh do me pelqente shume qe ndonje produkt te mbante si logo koken e “Dea”- s se Butrintit. Me kujtohet qe ne kohen diktatures (i kushtohej rendesi per mire shume gjerave ne kete drejtim, emrat qe u vendoseshin njerzve,etj.) pra kujtoj qe Komb.Tekstileve prodhonte metrazhe me dizenjo koken e Deas se Butrintit, kolonada nga amfiteatri, televizoret qe montoheshin ne Durres ju vihej si logo emri “Butrinti” “Iliria” , dhe radiove…ah sa bukur te kem prodhime me emra te te

Artan Fuga Me fal Miranda, qe kam hequr komentin e bukur per picën margherita, sepse kjo faqe nuk komunikon marketing indirekt per produkte te huaja. Sipas etikes se networkut quhet marketing viral. Per ato shqiptare do te bëhet përjashtim nëse nuk vijne nga biznesi direkt per kete qëllim, por si komunikim miqsh. AF

Miranda Piperi Ne reklamen e nje dyqani po lexoj tani te shkruar me te madhe e kuq e zi ” BLI SHQIP!” ” Ne dyqanin tone bukes i thone buke! ” .
Me pelqen, me pelqen shume te ble “shqip” …

Vath Dreka Shqiptaret ne pergjithesi duan te konsumojne produkte te importuara dhe pse jane me nje cmim shm me te larte…

Artan Fuga Nuk e besoj, nuk ka statistika. Ka shqiptarë të ndryshëm.

Vath Dreka Une punoj ne nje supermarket dhe e kam vene re kete zgjedhje te shqiptareve sepse mendojne qe jane me te kontrolluara.

Eldi Laze

Pershendetje te gjitheve, sidomos profesorit qe pervec kritikave ofron dhe ide. Ide te cilat gjithmone gjejne shpirtra kundershtare, dhe shume mire se nje ide duhet diskutuar deri ne skajet e konsumimit qe te persoset. Me pelqen shume si strategjia ashtu edhe interpretimi qe profesori i ben atij me nje profesionalitet te larte ekonomik. Duke qendruar tek interpretimi ekonomik me pak ndorjtje dua te shtoj edhe une nje opinion. Cdo vend i zhvilluar ka ne rradhe te pare nje strategji kombetare te mirepercaktuar e cila mban ne vetvete edhe strategjine ekonomike se si dhe se ku do perqendrohen investimet te cilat mund te sjellin nje frytshmeri me te larte per ekonomine ne teresi e me pas per individin ne vecanti. Besoj se kjo strategji duhet patjeter te perpilohet nga njerez mendjendritur e me opinione si te profesorit. Nqs ne do te benim pjese te strategjise kombetare keto ide sigurisht qe perfitimi do ishte i madh. Nga ana tjeter kemi klientin qe mua me pelqen ta quaj konsumator. Konsumatori nuk ka nevoje per imponim por per sensibilizim. Nqs konsumatori vendas do sensibilizohej per ate qe eshte me e mire per te e per komunitetin atehere ai do ishte ana me e forte e zhvillimit ekonomik kombetar. Por fatkeqesisht ketu te ne fondet publike perdoren per ti bere publicitet puneve te ministrive te cilat jane detyrim ligjor. Eshte si te shkosh te kirurgu dhe pas nje nderhyrje te suksesshme ai ti bej publicitet vetes se te sheroi. Problemi yne me i madh ngelet keqperdorimi i ideve, i mundesive dhe i energjive qofshin keto politike, ekonomike apo sociale

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency