Të dhënat për qendrat e votimit Bashkitë e majta refuzuan KQZ-në, komisioni i gjobit me 1 milion lekë

0
136

Florenc Drizari

KQZSipas KQZ-së, Bashkia e Fierit, e Korçës, e Elbasanit dhe e Kukësit nuk kanë sjellë informacion për qendrat e votimit

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të marrë masa administrative ndaj atyre njësive vendore të cilat nuk kanë qenë bashkëpunuese në dhënien e informacioneve për qendrat e votimit. KQZ bën me dije se gjatë mbledhjes që pritet të mbahet ditën e premte, do të shqyrtohet edhe vendimi për gjobitjen e atyre subjekteve që kanë shkelur kodin zgjedhor për detyrimin që kanë ndaj komisionit, për dhënien e informacioneve të detajuara për qendrat e votimit, duke paralajmëruar gjoba nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Në një vendim të mëparshëm KQZ ka njoftuar se “konstaton me shqetësim se nuk kanë sjellë informacion për Qendrat e Votimit 82 njësi të qeverisjes vendore nga 383 njësi vendore në total. Situata me shqetësuese paraqitet në Qarkun e Elbasanit me 16 njësi vendore, Korça me 15 njësi vendore, Fier me 13 njësi vendore dhe Kukësi me 11 njësi vendore”.

KODI ZGJEDHOR

Në kapitullin e katërt të Kodit Zgjedhor, aty ku flitet për zonat e qendrës së votimit në nenin 62 të ndryshuar me ligj. nr. 74 dt. 19.7.2012, shpjegohet edhe se sa është gjoba që marrin njësitë vendore për mosrespektimin e detyrimeve ligjore ndaj KQZ-së. “Në rast të refuzimit të zbatimit të urdhërimeve të KQZ-së në lidhje me qendrat e votimit, KQZ-ja ndëshkon kryetarin e njësisë vendore me 50 000 deri në 100 000 lekë gjobë, si dhe njofton prefektin për zbatimin e vendimit për caktimin e qendrave të votimit. Gjoba përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet sipas Kodit të Procedurës Civile”, – thuhet në pikën 12 të këtij neni. Ndërkaq, KQZ në relacionin e saj e mbështet argumentimin ligjorë në këtë dispozita.
Ndërkaq, në relacionin shpjegues KQZ sqaron se “një pjesë e konsiderueshme e kryetarëve të njësive të qeverisjes vendore, nuk kanë realizuar detyrimet ligjore të sipërcituara brenda afateve ligjore të përcaktuar në nenin 51 të Kodit Zgjedhor dhe të nenin 9 pika 10, të udhëzimit nr. 2 datë 12.12.2012. 62 njësi të qeverisjes vendore nuk kanë sjell fare informacion në KQZ, dhe 77 njësi të qeverisjes vendore kanë sjell informacion në kundërshtim me dispozitat e Kodit Zgjedhor. Në kushtet kur informacioni i caktuar në dispozitat e mësipërme është shumë i rëndësishëm në procesin e përgatitjes së bazës materiale zgjedhore për çdo zonë zgjedhore dhe qendër votimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, çmon se shkelja e dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij nga Kryetarët e Njësive të Qeverisjes Vendore, në këtë rast përbën kundërvajtje administrative”.

VENDIMET

Gjatë mbledhjes së të premtes, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të shqyrtojë edhe vendimin për hartimin e buxhetit për zgjedhjet e 23 qershorit. Projektvendim “Për caktimin e masës së shpërblimit për auditët teknicien për verifikimin e veprimeve në bazën e të dhënave të RKGJ-së, zgjedhjet e datës 23 qershor 2013”. Projektvendim “Për vendosjen e sanksionit administrativ ndaj kryetarëve të njësive vendore që nuk kanë dorëzuar në KQZ dhe/ose kanë dorëzuar në kundërshtim me Kodin Zgjedhor të dhënat mbi qendrat e votimit për zgjedhjet për Kuvendin”. Projektudhëzim “Për miratimin e raportit vjetor për veprimtarinë e KQZ-së për vitin 2012, që do t’i paraqitet Kuvendit të Shqipërisë”. Projektvendim “Për miratimin e strukturës së shpenzimeve buxhetore për zgjedhjet për Kuvendin, të datës 23 qershor 2013”, do të jenë katër pikat e diskutimeve mes anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve gjatë mbledhjes që pritet të zhvillohet të premten në orën 10:00.

 

 

Zbardhet buxheti, zgjedhjet e 23 qershorit pritet të kushtojnë rreth 7 milionë dollarë

Zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit rreth 7 milionë dollarë. Bilanci është hartuar dhe në mbledhjen e ditës së premte pritet të miratohet si buxhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Shuma totale që parashikohet të shpenzohet është 727,254,886 lekë.

PAGAT                                                                                                          277,563,970

Pagat e personelit të përkohshëm në KQZ                                             58,671,970
Shpërblimi i anëtarëve të KZAZ, KQV, GNV, ZR, trajnues, BMM       218,892,000

MALLRA                               174,495,381

Materiale specifike               111,595,796
Materiale (prodhime specifike), brenda vendit   7,893,600
Materiale te tjera (karburant)          8,000,000
Materiale (shtypshkrime)                36,492,666
Materiale (kancelari)                                    10,513,319

SHËRBIME                                       232,298,460

Shërbime transporti                         20,380,000
Shërbime udhëtim e dieta             16,167,000
Shërbime për njoftime                    1,080,000
Shërbime për qiramarrje                19,870,000
Shërbime të ndryshme                   26,390,100
Shërbime për mediat elektronike dhe të shkruara        29,583,000
Shërbime për regjistrimin dhe transmetimin e numërimit të votave 118,828,360

INVESTIME                                                  42,897,075

Pajisje kompjuterike                                                 5,574,475
Pajisje për sistemin e kamerave               37,322,600

TOTALI                                                         727,254,886

 

 

Kryetarja e KQZ-së: S’mund të bëhet dërgimi i kutive në shtëpitë e familjeve të ngujuara

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Lleshi, zhvilloi dje një takim me kryetarin e institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar”, Agim Loci, dhe kryetarin e Komitetit Kombëtar të Pajtimit të gjaqeve, Gjin Marku. Zyra e shtypit e KQZ-së bëri të ditur se takimi kishte për qëllim evidentimin e nevojave dhe kërkesave të dy shoqatave për procesin zgjedhor. Loci tha se Instituti që ai drejton ka arritur deri tani të regjistrojë rreth 60% të anëtarëve të familjeve që janë në gjak në të gjithë Shqipërinë dhe se së shpejti këtë listë emërore do t’ia dorëzojë edhe KQZ-së. Nga ana e tij z. Marku i ka shprehur kryetares së KQZ-së, gatishmërinë për të kontribuar që personat e ngujuar që dëshirojnë të votojnë, të shoqërohen nga përfaqësues të Komitetit Kombëtar të Pajtimit. Kryetarja e KQZ-së u shpreh se dërgimi i kutive të votimit në shtëpitë e familjeve të ngujuara, ashtu siç është pretenduar edhe në media, nuk mund të bëhet pasi Kodi Zgjedhor nuk e lejon një gjë të tillë.

 

Komiteti i Helsinkit: Njësitë vendore shkelin ligjin për zgjedhjet

Komiteti i Helsinkit bëri të ditur dje se në tetë qarqe të Shqipërisë, njësitë vendore kanë shkelur dhe po vijojnë të shkelin ligjin për zgjedhjet. Komiteti theksoi se në pjesën më të madhe të vendit nuk janë respektuar afatet ligjore për publikimin e listave paraprake të zgjedhësve për procesin e 23 qershorit. Nga qyteti i Korçës, Drejtorja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vjollca Meçaj, pohoi se situate është shqetësuese pasi sipas saj vonesave institucionale i shtohet edhe indiferenca e qytetarëve për të verifikuar emrat në lista. Në bazë të kodit zgjedhor,njësitë vendore,krahas publikimit të listave,duhet të njoftojnë me shkrim për çdo ndryshim qytetarët. Ky rregull deri tani nuk është praktikuar edhe pse na ndajnë edhe pak ditë nga tre marsi, që është dhe afati i fundit i publikimit të listave.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency