Për Komisionin e Etikës në Shqipëri ndeshjet “influencohen”, nuk trukohen

0

Altin Vorpsi

Loading...

federataPër herë të parë Federata Shqiptare e Futbollit merr masa konkrete për ndeshjet e dyshuara si të trukuara. Komisioni i Etikës në FSHF, i ngritur për këtë çështje që është kthyer në gangrenë për futbollin, ka gjobitur dy klube të Superligës, Bylisin dhe Kastriotin.

 

Me “komplotim dhe influencim” Federata Shqiptare e Futbollit ka dashur që të “zbusë” disi termat që përcaktojnë një nga fenomenet më negative që ka marrë “peng” futbollin në Shqipëri, trukimin.

Ishte pikërisht Komisioni i Etikës pranë Federatës që ka gjobitur dy klube të Superiores, Bylisi dhe Kastrioti, duke i akuzuar për… trukim.

 

Masa

Bëhet fjalë për gjoba në vlerën e 1.500.000 lekëve për ballshiotët dhe krutanët, por jo heqje ndonjë penalizim tjetër maksimal, kur nga të tilla komplote, sikurse i ka përkufizuar Etika në vendimet e saj, mund të kenë dëmtuar indirekt ndonjë palë tjetër. Akuza e bërë ndaj dy skuadrave në fjalë ka përzgjedhur dy fjalë të papërdorura shumë në fakt në fjalorin sportiv futbollistik “komplotim dhe influencim”, duke devijuar të thënët qartësisht “trukim” apo “paracaktim” i rezultatit të dy ndeshjeve.

 

Neni 68

Megjithatë, kjo lloj të shprehuri në vendimet e Komisionit të Etikës është i bazuar në atë që thotë edhe baza ligjore, më saktësisht neni 68, “Trukimi i ndeshjeve”. Vihet re, gjithashtu, se është dhënë dënimi maksimal në gjobë, sa u përket dy rasteve, me argumentimin se nuk përmbushet ndoshta pika e këtij neni, ku thuhet se “me verifikimin e rasteve serioze, ose rasteve të bashkëpunimit në mënyrë të organizuar, shkelësit do të dënohen me përjashtim përjetë nga veprimtaritë futbollistike”.

 

Dënim “kapital” për futbollin në sallë

Dënim administrative është dhënë për drejtuesit e kombëtares së futsallës, për të njëjtat shkaqe, komplotim dhe influencim të rezultatit të ndeshjes Shqipëri-Zvicër, e vlefshme për Kampionatin Evropian të Futsallit, Më konkretisht janë shkarkuar trajneri Alban Neziri dhe zv.trajneri Ramazan Konci. Po ashtu është bërë kallëzim penal për të gjithë ekipin e kësaj kombëtareje kuqezi për trukimin e ndeshjes Shqipëri-Zvicër.

 

Vendimet e Komisionit të Etikës:

1. Dënimin me gjobë kundrejt KF Bylis me vlerë 1.500.000 lekë për komplotim dhe influencim në rezultatin e ndeshjes Flamurtari-Bylis, në kundërshtim me etikën sportive, bazuar në nenin 68.1 të KDS.

2. Dënimin me gjobë të KS Kastrioti me vlerë 1.500.000 lekë për komplotim dhe influencim në rezultatin e ndeshjes Kastrioti-Shkumbini, në kundërshtim me etikën sportive, bazuar në nenin 68.1 të KDS.

3. Për komplotim dhe influencim të rezultatit të ndeshjes Shqipëri-Zvicër, e vlefshme për Kampionatin Evropian të Futsallit, shkarkimin e trajnerit Alban Neziri dhe të zv.trajnerit Ramazan Konci.

Kallëzim penal për trukimin e ndeshjes Shqipëri-Zvicër për të gjithë ekipin kombëtar të futsallit.

 

 

 

 

Sa shumë histori trukimesh

Futbolli shqiptar gëlon nga histori të jashtëzakonshme trukimesh ndeshjesh në ditën për diell, por deri më tani, edhe pse që nga federata e deri te personi më pak i interesuar ndaj futbollit e kanë ditur se si shkojnë gjërat në topkëmbën tonë, përsëri nuk kemi pasur asnjë të dënuar. Kujtoni vitet 2000, kur UEFA nisi hetimin ndaj Dinamos dhe Partizanit në Kupat e Evropës. Kujtoni rastet e pafundme të denoncuara nga mediat, por jo vetëm, edhe nga vetë lojtarët dhe presidentët si në rastin e Lushnjës, apo edhe të Apolonisë. Kujtoni relacionin e së përditshmes italiane “La Stampa”, për ndeshjet e trukuara nga ekipet shqiptare. Kujtoni dosjen e publikuar nga “Top Channel” për një raport konfidencial të UEFA-s sa u përket shitjeve të ndeshjeve dhe manipulimit të rezultatit në kampionatin tonë. Kujtoni gjithashtu se nuk kemi asnjë të dënuar…

 

 

Dënim, 7 vjet burg për trukimet

“Paracaktimi i rezultateve në garat sportive përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë deri në 2 vjet burgim. Po kjo vepër, kur kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet dhe gjobë nga 100 mijë lekë deri në tre milionë lekë”. Kështu thuhet në ligjin kundër trukimeve, i cili u miratua në Parlament para tri viteve, pas iniciativës për një futboll “me këmbë të pastra”, i cili synoi rishikimin e ligjit për të frenuar fenomene si trukime, shitje apo fiksime të rezultateve.

 

 

 

Vendimi

Kosova “ankohet” në FIFA

Çështja e Kosovës do të rishqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Kjo është garancia që presidenti i këtij organizmi, Sep Blater, i ka dhënë presidentit të Federatës Kosovare të Futbollit, Fadil Vokrri, dhe ambasadorit të Kosovës në Zvicër, Naim Malaj, të cilët i dorëzuan letrën e kryeministrit Thaçi, i cili ka shprehur pakënaqësinë e tij për vendimin e mëparshëm të FIFA-s ku thuhet se duhet marrë pëlqimi i Serbisë që kombëtarja A e Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Pas takimit, ambasadori Malaj dhe presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit, Vokrri, janë shprehur optimistë për të ardhmen e kombëtares A të Kosovës. “Zoti Blater tregoi mirëkuptim ndaj argumenteve tona dhe shprehu mbështetje. Shpresojmë që të gjendet një zgjidhje”, theksoi Malaj.

Ndërsa Fadil Vokrri u shpreh: “Blater është përkrahës i madh i futbollit të Kosovës dhe Kosova do të jetë temë në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s”. Në dhjetor të vitit të kaluar Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s vendosi që kombëtaret e moshave dhe ajo e femrave mund të luajnë ndeshje miqësore me anëtarë të ndryshëm të FIFA-s, por këtë gjë e refuzoi për Kombëtaren A.

 

Deklaratë “lufte”

Riberi: Bajerni nuk ka asgjë më pak se Barça

Francezi Frenk Riberi tha në një deklaratë për “Bild” se Bajerni nuk është më pak i mirë se Barcelona, ndërsa ka parashikuar se mund të përballet me ekipin katalanas në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Unë mendoj se kemi Bajernin më të mirë, që kur iu bashkova këtij ekipi, – tha Riberi. – Barcelona është një ekip ndryshe, me një fizionomi loje të ndryshme, por ne nuk jemi poshtë katalanasve. Sinqerisht mendoj se do të takohemi me ta në çerekfinale”, – tha lojtari. Riberi iu bashkua Bajernit në verën e vitit 2007 dhe ka fituar që nga ai moment dy tituj në Bundesligë, dy herë Kupën e Gjermanisë, ndërkohë që ka humbur dy finale të Ligës së Kampionëve.

 

 

Kërkesa

Shalke mendon për fitoren në tavolinë

Skuadra e Shalkes ka hedhur dyshime se Didier Drogba nuk duhej të aktivizohej në Ligën e Kampioneve pasi nuk kishte leje për një gjë të tillë. Sulmuesi luajti me Gallatasarajin dy net më parë kundër skuadrës gjermane, të përfunduar me barazimin 1-1. Kjo ishte hera e parë që ai luajti në këtë turne që nga momenti kur shënoi penalltinë vendimtare që i dha Çelsit trofeun në sezonin e kaluar ndaj Bajernit. Por tashmë ai përballet me akuzat se nuk duhej të ishte aktivizuar në këtë ndeshje. Shalke ka bërë të qartë se nuk ka vendosur ende nëse do të apelojë apo jo rezultatin e takimit, ndërsa nuk ka treguar as se cili është detaji burokratik që teorikisht nuk duhej të lejonte Drogba të zbriste në fushë të mërkurën në darkë. “Ka dyshime mbi vlefshmërinë e lejes për të luajtur të Drogba në Ligën e Kampioneve. Shalke rezervon të drejtën të ketë këto dyshime dhe po ndjek këto çështje”, – shkruhet në një deklaratë të shkurtër të lëshuar nga klubi gjerman. Shkak për këto pretendime të Shalkes mendohet se është transferimi i lojtarit nga kinezët e Shangai Shenhua drejt Gallatasarajit. Ndonëse FIFA i ka dhënë atij një leje transferimi të veçantë, klubi kinez pretendon se Drogba ka ende një marrëveshje ekzistuese me të, e për më tepër akuzon Gallatasarajin se ka thyer rregullat e transferimeve të lojtarëve.

Çështja pritet të zgjidhet brenda javës së ardhshme në zyrat e FIFA-s, e nëse vërtetohet se Shangai Shenghua ka të drejtë, atëherë Gallatasaraj, përveç dëmshpërblimit financiar ndaj skuadrës kineze, rrezikon të humbë 3-0 në tavolinë ndeshjen e parë ndaj Shalkes.

 

Loading...