Standard.al

Leva kokës drejtorit të Postës Berishës i ra të fikët në rrugë

 Elton Qyno

drejtori i postesShkodër, dy persona sulmuan Shkëlzen Berishën sapo doli nga zyra. Autorët, ende të paidentifikuar

 

Sulmohet me grushte dhe leva drejtori i Postës Shqiptare në qytetin e Shkodrës Shkëlzen Berisha. Dy persona ende të paidentifikuar kanë pritur derisa Berisha ka dalë nga zyra e tij dhe sapo ai është drejtuar në hyrje të pallatit ku banon, dy persona i janë afruar me motor duke e ndaluar në rrugë. Mes Shkëlzen Berishës dhe dy individëve ka lindur një konflikt për motive ende të paqarta dhe më pas palët janë përfshirë në një sherr fizik, ku dy personat e kanë qëlluar fillimisht me grushte dhe më pas njëri prej tyre e ka goditur me levë në kokë dhe vende të ndryshme të trupit. Pas këtyre goditjeve drejtori i Postës ka pësuar për disa minuta humbjen e ndjenjave, ndërkohë që dy autorët janë larguar me shpejtësi me motorin e tyre, duke mos rënë në prangat e policisë së Shkodrës. Kanë qenë disa prej banorëve të pallatit ata që i kanë dhënë ndihmën e parë Shkëlzen Berishës, duke e transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës. Berisha është përmendur vetëm në spital, pasi sipas dëshmitarëve, gjatë rrugës ai ka humbur ndjenjat si pasojë e goditjes me levë në kokë nga dy autorët ende të paidentifikuar nga ana e policisë. Lidhur me këtë krim policia pritet të marrë deklaratën e të dëmtuarit Shkëlzen Berisha, për të zbardhur motivin e krimit dhe për të identifikuar autorin. Hetimet paraprake kanë nisur në dy pista kryesore, duke dyshuar se drejtori Berisha mund të jetë qëlluar për shkak të detyrës ose si pasojë e ndonjë konflikti personal.

Ngjarja pas punës

Ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 15:30, kur drejtori i Postës, Shkëlzen Berisha, ka qenë duke dalë nga institucioni që drejton, i cili ndodhet në qendër të qytetit. Vetëm pak metra larg punës së tij ndodhej dhe hyrja e pallatit, ku ai jeton. Në kohën që Berisha ishte drejtuar për në banesë, sipas uniformave blu, dy persona me motor e kanë ndaluar zyrtarin e Postës dhe pas një debati me sharje dhe fyerje, kanë nisur ta godasim me grushte dhe me një shufër hekuri, që mendohet se ka qenë levë. I ndodhur mes “breshrit” të dy personave, drejtori i Postës nuk ka mundur të mbrohet i vetëm, dhe për pasojë ai është goditur në pjesë të ndryshme të trupit dhe në kokë, duke marrë plagë serioze dhe dy autorët e kanë lënë të shtrirë në tokë. Ndihma e parë, drejtorit të postës i është dhënë nga disa fqinj, që e kanë gjetur pothuajse pa ndjenja. Njëri nga fqinjët, që e ka dërguar në spital ka treguar momentet e konfliktit dhe dërgimin e Berishës në spital. “E gjetëm të mbuluar me gjak dhe pa ndjenja. E njohëm me vështirësi. Nuk ishte në gjendje të fliste, kështu që e morëm dhe e futëm në një makinë, me të cilën e dërguam me shpejtësi në spital, pasi kishte dëmtime të rënda. Nuk arrita t’i shoh autorët, por u larguan me një motor”, – tregon njëri nga fqinjët e drejtorit të dhunuar. Ndërkohë, sapo i dëmtuari është dërguar në spital, ai i është nënshtruar menjëherë ndërhyrjes kirurgjikale dhe sipas mjekëve gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Nga kryerja e verifikimeve, në trupin e Shkëlzen Berishës janë konstatuar disa shenja dhune, që hyjnë në kategorinë e plagosjes me mjete të forta.

Hetimet e policisë

Policia e Shkodrës ka nisur hetimet rreth plagosjes së drejtorit të Postës, duke marrë në pyetje disa prej dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, të cilët u kanë treguar efektivave rreth karakteristikave të dy autorëve. Sipas policisë, dëshmia që do të hedhë më tepër dritë mbi këtë ngjarje do të jetë ajo e vetë të dëmtuarit, i cili për shkak të plagëve që ka marrë, gjatë mbrëmjes së djeshme nuk ka qenë në gjendje të tregojë rreth identitetit të dy agresorëve. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se sapo i dëmtuari të jetë në gjendje për të folur, gjë që pritej të realizohej gjatë natës, do të ketë informacion dhe detaje në lidhje me autorët dhe motivet e kësaj plagosje me mjete të forta. Shkëlzen Berisha kishte rreth 1 vit që drejtonte Postën Shqiptare në Shkodër.

 

Pranga 37-vjeçarit

Trafiku i heroinës, kapen 7.5 kg në Muriqan

 

Një sasi prej 7.5 kg heroinë është sekuestruar në pikën kufitare të Muriqanit pasditen e së enjtes gjatë një aksioni antidrogë të policisë. 37-vjeçari Taulant Sheraj, i cili po udhëtonte në drejtim të Italisë është ndaluar nga policia pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij është gjetur dhe sekuestruar një sase prej 7.5 kg drogë e llojit heroine. Droga ishte e ndarë në 15 pako dhe kishte si destinacion shtete të ndryshme të Evropës. Sipas policisë 37-vjeçari Taulant Sheraj nga Maminasi i Durrësit po udhëtonte së bashku me gruan e tij dhe fëmijën rreth një vjeç. Policia po punon për zbardhjen e plotë të trafikut të drogës dhe personave të përfshirë në këtë rrjet. Pas bllokimit të drogës, policia ka shoqëruar në komisariat shtetasin Taulant Sheraj, ku dhe e ka marrë në pyetje këtë të fundit, por që në fakt ai s’ka pranuar të flasë pa praninë e një avokati mbrojtës. Lidhur me këtë ngjarje, në polici është shoqëruar dhe gruaja e tij, e cila pas marrjes në pyetje është liruar nga organet policore.

 

Asfiksohet nga tymi

Luante me çakmak, i mituri djeg shtëpinë

 

Teksa ishte duke luajtur me një çakmak, fëmija i ka vënë zjarrin shtëpisë së tij që ndodhet në katin e tretë të një pallati. I mituri ka qenë vetëm në shtëpi në momentin e zjarrvënies dhe se në tentativë për të shuar flakët, ai është asfiksuar, por që fatmirësisht më pas është nxjerrë në kohë nga zjarrfikësit, të cilët i kanë shpëtuar jetën. Ngjarja u regjistrua në afërsi të shkollës “1 Maji”, në rrugën “Shyqyri Ishmi”, ndërsa në banesë ndodhej i vetëm një fëmijë 7-vjeçar. Zjarrfikëset, të cilat mbërritën menjëherë në vendngjarje, bënë të mundur nxjerrjen e 7-vjeçarit nga apartamenti, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak. Mësohet se fëmija është asfiksuar lehtë nga tymi por bëhet me dije se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Zjarrfikëset arritën të lokalizonin dhe më pas të shuanin flakët, ndërsa është mësuar se shkak i zjarrit ka qenë një çakmak, me të cilin fëmija 7-vjeçar ishte duke luajtur brenda në banesën e tij.

 

Plagosja Peshkopi

Sherri për ndeshjet, plagos me kallash dy shokët

 

Dy persona u plagosen me armë zjarri në qendër të qytetit të Peshkopisë. Burime nga policia e Peshkopisë bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në mesnatën e ditës së mërkurë një lokal lojërash fati, ku dy të rinjtë Florian Përgjegji dhe Çlirim Sallahi janë plagosur me armë zjarri pas një sherri për ndeshjet sportive. Dy të plagosurit janë dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi hetimet për të zbardhur shkaqet dhe autorët e ngjarjes. Nga verifikimet e kryera është mësuar se autori i plagosjes së dyfishtë është Isuf Meta, i cili pas sherrit ka shkuar në banesë dhe ka marrë një armë tip kallashnikov duke qëlluar në drejtim të lokalit pa pasur parasysh se kush ishte brenda tij. Dhjetëra plumba janë qëlluar dhe për pasojë është plagosur dhe ndodhet në gjendje kritike shtetasi Florian Përgjegji, i cili është në gjendje të rëndë dhe ndodhet në sallën e reaminacionit. Ngjarja ka ndodhur 150 metra pranë godinës së komisariatit.

 

Verifikimet e dokumentacionit, konstatohen shkelje administrative

Pallati i Linda Ramës, sekuestrohen dokumentet

pritet marrja e dëshmisë së vëllait dhe xhaxhait

Njësia hetimore task-forcë në Prokurorinë e Tiranës ka regjistruar procedimin penal të bërë nga përfaqësuesit të Partisë Demokratike rreth ndërtimit në mënyrë të paligjshme të pallatit të Linda Ramës, bashkëshortes së kryesocialistit Edi Rama. Në kuadër të këtyre hetimeve, një grup hetimor ka shkuar pak ditë më parë në Bashkinë e Tiranës, ku ka tërhequr prej andej të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që bën fjalë rreth praktikës së ndjekur nga ish-kryetari Rama për dhënien e lejes së ndërtimit. Nga burime pranë Prokurorisë së Tiranës mësohet se nga verifikimet paraprake janë konstatuar shkelje të natyrës administrative, por jo penale. Pavarësisht nga kjo, hetimi rreth kësaj dosjeje aktualisht është në fazën fillestare, gjë e cila i pengon hetuesit të dalin në një konkluzion përfundimtar. Pritet që rreth kësaj çështjeje të merren në pyetje disa prej personave që kanë firmosur lejen e ndërtimit, por edhe personat që kanë bërë ndërtesën trekatëshe, në mes të një blloku pallatesh, që ndodhet shumë pranë me Drejtorinë e Higjienës në Tiranë. “Të gjithë personat do të thirren për të dëshmuar dhe se nuk do të përjashtohet asnjë person. Ne aktualisht jemi në fazën e verifikimit të dokumentacionit dhe hulumtimit për dokumente të tjera rreth këtij ndërtimi. Kur të vijë koha e pyetjes së dëshmitarëve dhe personave që kanë dijeni për ngjarjen, atëherë do të vendosim për marrjen në pyetje të tyre”, – thanë burimet pranë prokurorisë. Këto të fundit shtuan se në listën e personave që do japin shpjegim do të jenë disa prej ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës dhe njerëz të afërt të familjes së Linda Ramës (vëllai dhe xhaxhai), gruas së kryesocialistit Edi Rama. Pak kohë më parë, Partia Demokratike akuzoi publikisht këtë të fundit se kishte abuzuar me detyrën dhe se kishte shkelur ligjin për urbanistikën, pasi kishte miratuar një lejë ndërtimi, duke i dhënë të drejtë ta dashurës së tij Linda Basha, që sot është gruaja e tij, për ndërtimin e një pallati trekatësh në një zonë, që, sipas PD-së, ka qenë territor për shërbime dhe hapësira publike të komunitetit për rreth. Vetë Linda Rama ka reaguar duke pohuar se ajo nuk ka asnjë lidhje me pallatin e shumëpërfolur, duke thënë se ndërtesa trekatëshe është ndërtuar nga xhaxhai dhe vëllai i saj, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi. Mirëpo të gjitha këto deklarata dhe kundërdeklarata, tashmë janë bërë objekt hetimi nga ana e prokurorisë së Tiranës, e cila pritet që në ditët në vijim të dalë e një vendim konkret rreth këtyre akuzave.

 

Comments are closed.