Konferenca kombëtare, PS prezanton sot dhe nesër programin, ja sfidat dhe kundërshtitë

0
146

Gëzim Saliu

psTakimi në Bruksel, Rama-Fyle: Zgjedhjet e 23 qershorit, sfida e Shqipërisë

 

Partia Socialiste do të zhvillojë ditën e sotme dhe nesër një konferencë kombëtare, ku do të prezantojë programin dhe alternativën që ajo ofron në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 23 qershorit. Në këtë konferencë, përfaqësuesit e Partisë Socialiste do të paraqesin të gjitha pikat e programit “Rilindja shqiptare”, së bashku me të gjitha ndryshimet e fundit të bëra ndaj draftit programor të miratuar më parë në kongresin e 5 nëntorit të vitit 2011. Në qendër të programit të PS-së janë vendosur disa piketa kryesore të cilat lidhen kryesisht me ekonominë dhe punësimin. Sa i përket këtij të fundit, PS ka premtuar që nëpërmjet programit të saj do të bëjë mundur hapjen e 300 mijë vendeve të reja pune, premtim që është parë me sy kritik jo vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga figura të selisë rozë. Ish-presidenti i vendit Rexhep Meidani, por edhe specialistë të ndryshëm të fushës, e kanë cilësuar si utopik këtë premtim. Ndërsa sa i përket ekonomisë, PS mbështet tërësisht tek taksimi progresiv, i cili sipas socialistëve do të sjellë ndryshimin e gjendjes financiare në vend. PS propozon taksim më të madh për ata që fitojnë më shumë dhe takim më të ulët për ata që fitojnë më pak. Ky lloj taksimi është kundërshtuar nga biznesi në vend, i cili e ka cilësuar atë si mbytës për ecurinë e mëtejshme të biznesit të madh në vend. Lidhur me konferencën kombëtare për programin, kreu socialist Edi Rama ka bërë të ditur dje: “Mund ta ndiqni live nesër (sot) pasdite e pasnesër (nesër) paradite dhe të dielën 12:00 do u përgjigjem në TW e FB gjithë pyetjeve tuaja. 22-23 shkurt dy ditë intensive drejt fitores. Mbajmë konferencën kombëtare të programit për një Rilindje Shqiptare. Punësim, zhvillim, taksim i ndershëm, shërbim shëndetësor dhe arsimor sipas nevojës, jo sipas xhepit”.

 

Takimi me Fylen

Kryesocialisti Rama ka zhvilluar dje një takim në Bruksel me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, me të cilin ka diskutuar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe retorikat e fundit nacionaliste që janë shfaqur në vend. Lideri socialist ka informuar komisionerin për pikëpamjet e Partisë Socialiste në funksion të zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe me standarde ndërkombëtare, ku nga ana e tij Fyle ka bërë të ditur rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për të ardhmen e vendit. “Është një urë që komisioneri ka ngritur për të bashkëpunuar me të gjitha forcat politike, në funksion të mospërsëritjes së zgjedhjeve të deformuara dhe të kontestuara, të krijimit të kushteve që Shqipëria të votojë për të bërë zgjedhjen që dëshiron. Që vota e çdo shqiptari të hidhet dhe të numërohet në kornizën e lirisë dhe të ndershmërisë së zgjedhjeve me standarde ndërkombëtare të pranueshme për botën demokratike ku ne duam të integrohemi”, tha Rama pas takimit me Fylen për gazetarët. Më tej ai nënvizoi se sa i përket retorikave nacionaliste theksoi: “Pa dyshim, që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, si aleati ynë i madh strategjik, kërkojnë një Shqipëri që të vazhdojë të shkojë përpara, duke mos rënë pre e tundimeve, që vijnë si jehonë e së shkuarës, duke i lënë pas fantazmat e të shkuarës nga nacionalizmi primitiv tek zgjedhjet e deformuara dhe të kontestuara”.

 

 

Kastriot Islami, bast me Ramën: Në 23 qershor merr më pak mandate se në 2009-ën

Deputeti i pavarur i Kuvendit,Kastriot Islami, ka deklaruar se në zgjedhjet e 23 qershorit Partia Socialiste do të marrë më pak mandate se në zgjedhjet e kaluara të vitit 2009. Në formën e një basti me kryesocialistin Rama, Islami bëri të ditur në rrjetin social “Facebook” se në bazë të analizës së rezultateve të dy koalicioneve, mazhoranca aktuale do të dalë me një rezultat më pozitiv sesa e majta. “Në emisionin te ‘Ora News’ me Ilva Taren m’u bë (ndër të tjera) një pyetje: Edi Rama ka thënë se PS e vetme, pra pa LSI, fiton 72 mandate, a është e mundur të ndodhë kjo? Përgjigjja ime ishte: Vë bast se PS nuk merr 72 mandate. Kam folur për projeksione/ekstrapolime të rezultateve të dy koalicioneve, Koalicioni e Djathta e Bashkuar (KDB) dhe Koalicioni Rilindja Shqiptare(KRSH). Del që KDB e ka thelluar avantazhin ndaj KRSH nga 24 mijë vota në 2009 në rreth 67 mija vota aktualisht. Kjo do të thotë që në çdo opsion PS jo vetëm nuk fiton 72 mandate (dhe ky është basti për pyetjen) por nuk merr dot as mandate sa mori ne 2009, pra PS e vetme merr më pak se 65 mandate. Ky është përfundimi i kësaj analize”, – tha ai duke bërë të ditur edhe bastin e radhës me kreun socialist Rama. “Jam i gatshëm të “vë bast” edhe për përfundimin tjetër: “Rama me këtë ekip që po ndërton, me aleatët e dëshpëruar dhe pa LSI merr më pak mandate se në 2009-ën, pra më pak se 65 mandate?… Basti është: nëse ndodh kjo, Rama të largohet pa kushte nga PS-ja. Basti është publik”.

 

Ruçi në Fier: Strukturë publike për pasuritë kombëtare

Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, në një takim të zhvilluar në qytetin e Fierit ka theksuar domosdoshmërinë e një strukture publike, e cila duhet t’i dalë për zot interesave të Shqipërisë dhe shqiptarëve sa u takon pasurive kombëtare në tërësi dhe naftës në veçanti. Në takimin ku merrnin pjesë edhe anëtarët e grupit të punës për programin në PS, Ilir Beqja dhe Arben Ahmetaj, si dhe deputetët e zonës, Armando Subashi e Ervin Koçi, u diskutua kryesisht mbi pasurinë naftëmbajtëse, si dhe për të garantuar administrimin publik në rast të dështimeve të mundshme të marrëveshje koncesionare ekzistuese. “Ne u premtojmë se nuk do sillemi me pasuritë e shqiptarëve si me mall të huaj. Ne me politikat tona qeverisëse si në programin tonë elektoral politik dhe atë qeverisës do të vëmë në plan të parë sidomos për pasuritë nëntokësore, interesat kombëtare, interesat e komunitetit dhe interesat e punonjësve të djeshëm dhe të sotëm në sektorin e naftës. Ne nuk jemi kundër koncesioneve, ne nuk jemi kundër privatizimeve, si filozofi, si politikë qeverisëse, por gjithmonë koncesionet apo privatizimet do të jenë në mbështetje dhe në zbatim të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve shqiptare”, – tha Ruçi. Ndërsa deputeti socialist, njëherësh Sekretar për Sipërmarrjen, Arben Ahmetaj theksoi: “Duhet rikonceptuar jo vetëm “Albpetroli”, por i gjithë sektori. Nuk ndodh asgjëkund që të kesh një cikël nga prodhimi dhe rafinimi, që ta kesh në vend, t’i kesh asetet dhe të mos funksionojë si vlerë e shtuar e vendit”.

 

Vokshi: PD ka mbrojtur në vazhdimësi të drejtat politike të grave

Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë, njëkohësisht deputete e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, deklaroi dje se Shqipëria, që prej vitit 2006, nën drejtimin e mazhorancës së djathtë, të drejtuar nga Kryeministri Berisha, është përfshirë në një lëvizje të fuqishme për të drejtat politike të grave. Në takimin e organizuar nga Rrjeti i Grave “Barazi në vendimmarrje”, fokusuar tek rritja e përfaqësimit të grave dhe vajzave në politikë dhe vendim-marrje, deputetja e selisë blu theksoi se PD është partia e parë në vend që ka respektuar kuotën gjinore prej 30% të përfaqësimit të grave dhe vajzave edhe në strukturat e saj organizative, duke promovuar një pjesëmarrje të madhe të tyre në politikë dhe vendimmarrje. “Prezenca e grave dhe vajzave në politikë dhe vendim-marrje shton përgjegjësinë, transparencën dhe besueshmërinë e partive politike, por gjithashtu prania e grave dhe vajzave në poste drejtuese është dhe një garanci për të luftuar korrupsionin. Sa më shumë gra dhe vajza marrin pjesë në jetën politike si votuese, lidere apo si nëpunëse qeveritare, aq më shumë politikat publike reflektojnë të ardhmen gjinore”, – tha Kryetarja e LDSGSH-së, Albana Vokshi.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency